Feja: Një argument tabu?
«DY JANË gjërat që nuk dua t’i diskutoj kurrë: feja dhe politika!» Kjo është përgjigjja që hasin shpesh Dëshmitarët e Jehovait kur u flasin të tjerëve për Biblën. Dhe kjo pikëpamje është e kuptueshme.
Kur njerëzit diskutojnë për politikën, fare lehtë mund të ndizet zemërimi e pastaj lindin grindjet. Shumë njerëz shikojnë përtej premtimeve boshe dhe kanë kuptuar se politikanët shpesh kërkojnë vetëm pushtet, famë dhe para. Mjerisht, mosmarrëveshjet politike shpeshherë përfundojnë në dhunë.
«Por,—mund të arsyetosh,—a nuk është e njëjta gjë edhe me fenë? A nuk ka ndezur zelli fetar shumë konflikte në ditët e sotme?» Në Irlandën e Veriut, katolikët dhe protestantët kanë qenë për një kohë të gjatë kundër njëri-tjetrit. Në Ballkan, anëtarët e Kishës Ortodokse të Lindjes, katolikët e Romës dhe të tjerë akoma hahen mes tyre për territore. Me çfarë rezultati? Barbarizma dhe ndjenja armiqësore të vazhdueshme.
Përballë kërcënimit të vdekjes, shumë prej tyre bënë përpjekje për të fshehur bindjet e veta personale dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes. Në Afrikë, shekuj të tërë armiqësie fetare mes njerëzve të të ashtuquajturit krishterim dhe pasuesve në vendet e tjera bashkë me ithtarët e grupeve të tjera fetare, i kanë shtyrë prindërit t’u vënë fëmijëve dy emra, gjë që u siguronte atyre njëfarë mbrojtjeje, një zakon i ndjekur edhe sot e kësaj dite. Kështu, një djalë mund të kalojë si anëtar i një kishe apo i një feje tjetër, duke përdorur njërin nga të dy emrat. Kur bindjet fetare të një personi i kushtojnë atij jetën, nuk është shumë për t’u habitur që ai ngurron të diskutojë hapur mbi fenë.
Për të tjerë, feja është një argument tabu, edhe kur jeta e tyre nuk kërcënohet. Ata kanë frikë se kur flasin mbi bindjet e tyre me dikë të fesë tjetër, mund të arrijnë në një argument të pakuptimtë. Ndërsa të tjerë janë të mendimit se të gjitha fetë janë të mira. Ata thonë se nuk ia vlen të diskutosh për ndryshimet, përderisa një person është i kënaqur me atë që beson.
Edhe studiues seriozë të natyrës fetare nuk pajtohen mes tyre. Në artikullin «Studimi dhe klasifikimi i feve», një enciklopedi pranon: «Rrallëherë . . . ka pasur mendime unanime mes dijetarëve rreth natyrës së [fesë] . . . Prandaj, gjatë gjithë historisë, argumenti gjithmonë ka pasur polemika.»—The New Encyclopædia Britannica
Një fjalor e përcakton fenë si «shprehjen e bindjeve të një personi dhe nderimin e një fuqie mbinjerëzore që pranohet si krijues dhe qeveritar i universit». Për këtë arsye, feja duhet të luajë një rol të rëndësishëm në jetë. Në fakt, feja gjithmonë ka qenë një faktor përcaktues në historinë e njerëzimit. «Nuk ka pasur asnjë shoqëri,—vëren Oxford Illustrated Encyclopedia of Peoples and Cultures,—që nuk është përpjekur të mbajë rregull e t’i japë domethënie jetës me anë të ndonjë forme të fesë.» Meqenëse përfshin gjëra kaq themelore, si «rregull» dhe «domethënie» e jetës, feja patjetër që meriton diçka më shumë se diskutimi apo debati. Meriton më mirë që të flitet për të, domethënë të konsiderohet me vëmendje me dikë tjetër. Por me kë dhe me ç’dobi?