Lutjet në Bibël meritojnë një shqyrtim të vëmendshëm
NJË grua në ankth, një mbret dhe vetë Biri i Perëndisë kanë thënë lutjet që tani do të shqyrtojmë me vëmendje. Çdo lutje është nxitur nga një rrethanë e ndryshme. Megjithatë, rrethana si këto mund të ndikojnë edhe mbi ne sot. Çfarë mund të mësojmë nga këta shembuj?
‘Priru prej shërbëtores sate e shiko vuajtjen time’
A po lufton me një problem ngulmues? Apo je rënduar me ankthe? Atëherë je në një situatë të ngjashme me atë të Anës, para se ajo të lindte fëmijën e saj të parë, Samuelin. Ajo nuk kishte fëmijë dhe një grua tjetër e përqeshte. Në fakt, Ana ishte aq e hidhëruar dhe e shqetësuar, sa as nuk mund të hante. (1. Samuelit 1:2-8, 15, 16) Iu lut Jehovait dhe iu afrua me përgjërimin që vijon:
«O Zot i gjithësisë, nëse priresh prej shërbëtores sate e shikon vuajtjen time dhe nëse të bie ndër mend për mua, mos e harro shërbëtoren tënde e fali shërbëtores sate një djalë. Unë atë do t’ia kushtoj Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisk rrues nuk do të kalojë përmbi kokën e tij.»—1. Samuelit 1:11, DSF.
Vëre se Ana nuk foli me fjalë të përgjithshme. Ajo iu drejtua Jehovait me një kërkesë specifike (për një pasardhës mashkull) dhe e shoqëroi atë me një premtim të përcaktuar (ta vinte në dispozicion të Perëndisë). Çfarë na mëson kjo lutje?
Kur gjendesh në vështirësi, ji specifik në lutje! Pavarësisht nga problemi që ke, qofshin rrethanat në shtëpi, vetmia apo sëmundja, lutju Jehovait lidhur me të! Përshkruaji atij natyrën e saktë të vështirësisë sate dhe ndjenjat e tua. «Çdo mbrëmje ia besoj Jehovait të gjitha shqetësimet e mia,—thotë një e ve me emrin Luiza.—Shpeshherë janë shumë, por prapëseprapë i përmend të gjitha një nga një.»
T’i flasësh Jehovait me fraza të sakta është e dobishme. Kështu ndihmohemi të përcaktojmë problemin, gjë që më pas e bën atë më pak të vështirë. Lutjet specifike na lirojnë nga ankthi. Edhe para se të merrte përgjigje për lutjen e saj, Ana u ndie më mirë dhe «pamja e saj nuk ishte më e trishtuar». (1. Samuelit 1:18) Kur e saktësojmë problemin, mund ta përcaktojmë më saktë përgjigjen e lutjes sonë. «Sa më saktë t’i formuloj lutjet,—thotë Bernardi, një i krishterë në Gjermani,—aq më të qarta janë për mua përgjigjet.»
«Por unë jam veçse një fëmijë»
Megjithatë, një person mund të ndiejë një lloj të ndryshëm shqetësimi, kur merr një caktim për të cilin nuk ndihet në lartësinë e duhur. A ndihesh ndonjëherë i mposhtur nga përgjegjësia që të ka besuar Jehovai? Ose a të shikojnë disa njerëz si të pazot për caktimin tënd? Solomoni i ri ishte në këtë situatë kur u miros si mbret i Izraelit. Disa njerëz të ngritur preferonin që në fron të ishte dikush tjetër. (1. Mbretërve 1:5-7, 41-46; 2:13-22) Në fillim të mbretërimit të tij, Solomoni kërkoi në lutje:
«O Zot, Perëndia im, ti ke bërë të mbretërojë shërbëtori yt . . . por unë jam veçse një fëmijë dhe nuk di si të sillem. . . . Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të zgjuar, në mënyrë që të administrojë drejtësinë për popullin tënd dhe të dallojë të mirën nga e keqja.»—1. Mbretërve 3:7-9.
Solomoni e përqendroi lutjen e tij mbi marrëdhënien me Jehovain, privilegjin që ai i kishte dhënë dhe aftësinë e tij për të për-mbushur detyrën. Në mënyrë të ngjashme, çdo herë që na besohet ndonjë përgjegjësi që duket se është përtej aftësisë sonë, duhet t’i lutemi Perëndisë që të na pajisë me gjërat e nevojshme për të kryer detyrën. Shiko përvojat e mëposhtme:
«Kur më ftuan të merrja përgjegjësi më të mëdha në zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower,—shpjegon Eugeni,—ndihesha krejtësisht i paaftë. Kishte të tjerë që ishin më shumë të kualifikuar e kishin më shumë përvojë. Për dy netë me radhë pothuajse s’vura gjumë në sy, duke e kaluar pjesën më të madhe të kohës në lutje, e cila më jepte forcën dhe sigurinë e nevojshme.»
Roit iu kërkua të bënte një fjalim funerali pas vdekjes së menjëhershme dhe tragjike të një miku në moshë të re, i cili kishte qenë shumë i njohur. Sigurisht që do të ishin të pranishëm qindra njerëz. Çfarë bëri Roi? «Rrallë herë jam lutur kaq shumë për forcë dhe aftësi që të gjeja fjalët e përshtatshme për të shprehur mendime ndërtuese dhe për të dhënë ngushëllim.»
Ndërsa Krijuesi ‘i shpejton gjërat’ dhe organizata e tij përhapet, është e natyrshme që pjesës më të madhe të shërbëtorëve të tij t’u besohen përgjegjësi. (Isaia 60:22) Nëse të kërkohet që të kesh përgjegjësi më të mëdha, ji i sigurt se Jehovai mund të kompensojë çdo mungesë përvoje, stërvitjeje ose aftësie nga ana jote. Afroju Perëndisë në të njëjtën mënyrë si edhe Solomoni dhe ai do të të bëjë të denjë për të plotësuar detyrën që të është caktuar.
«Që të gjithë të jenë një»
Situata e tretë në të cilën mund ta gjejmë veten sot është ftesa për të paraqitur në lutje një grup. Për çfarë duhet të lutemi, kur na kërkohet të bëjmë një lutje në emër të të tjerëve? Shqyrto lutjen e Jezuit të regjistruar tek Gjoni në kapitullin 17. Ai e bëri këtë lutje në prani të dishepujve të tij, gjatë mbrëmjes së tij të fundit si njeri. Çfarë lloj lutjeje i drejtoi ai Atit të tij qiellor?
Jezui theksoi synimet dhe shpresën e përbashkët të të pranishmëve. Ai përmendi lavdërimin e emrit të Perëndisë Jehova dhe njoftimin e Mbretërisë. Jezui theksoi vlerën e një marrëdhënieje personale me Atin dhe Birin, të bazuar mbi njohurinë nga Shkrimet. Ai foli për ndarjen nga bota, e cila do t’i përgatiste ithtarët e tij për kundështimet. Gjithashtu, Krishti i kërkoi Atit t’i mbronte dishepujt dhe t’i bashkonte ata në adhurimin e vërtetë.
Po, Jezui i dha një rëndësi të veçantë unitetit. (Gjoni 17:20, 21) Para kësaj mbrëmjeje, dishepujt kishin treguar papjekuri duke u grindur. (Luka 22:24-27) Megjithatë, në lutje Jezui nuk u përpoq t’i qortonte, por t’i bashkonte. Në të njëjtën mënyrë, lutjet familjare dhe ato të kongregacionit duhet të nxisin dashurinë dhe të mposhtin fërkimet ndër-mjet individëve. Ata që paraqiten në lutje duhet të ndihen të lidhur ngushtë në unitet.—Psalmi 133:1-3.
Ky unitet tregohet kur ata që dëgjojnë thonë në përfundim «Amen», domethënë «Ashtu qoftë». Që kjo të jetë e mundur, ata duhet të kuptojnë dhe të jenë në pajtim me çdo gjë të thënë. Prandaj, nuk do të ishte e përshtatshme që në lutje të përmendim një argument të panjohur për disa të pranishëm. Për shembull, një plak që përfaqëson kongregacionin në lutje, mund të kërkojë bekimin e Jehovait mbi një motër apo vëlla të sëmurë rëndë. Por, zakonisht do të ishte më mirë të mos veprohej kështu, vetëm atëherë kur pjesa dërrmuese e atyre që ai paraqet e njohin personin dhe kanë dëgjuar për sëmundjen.
Vëre, gjithashtu, se Jezui nuk numëroi një për një të gjitha nevojat personale të çdo anëtari të grupit. Po të kishte bërë kështu, do të kishte përmendur çështjet intime të njohura vetëm nga disa individë. Shqetësimet personale janë një argument i përshtatshëm për lutjet personale, që mund të bëhen gjerë e gjatë dhe intime sa të duash.
Si duhet ta përgatisë veten një person për të paraqitur një grup të madh adhuruesish në lutje? Një i krishterë me përvojë shpjegon: «Mendoj që më parë për çfarë do të jap falënderime, për kërkesat që vëllezërit mund të kenë dhe për lutjet që mund të përmend në emër të tyre. Radhis mendimet në mendje, duke përfshirë edhe shprehje lavdie. Para se të bëj lutjen publike, lutem me zë të ulët, duke kërkuar ndihmë që t’i paraqes vëllezërit sa më denjësisht.»
Çfarëdo qofshin rrethanat e tua, pa dyshim që në Bibël do të gjesh një lutje që është thënë nga dikush që ka qenë në të njëjtën situatë si e jotja. Spektri i gjerë i lutjeve në Shkrime, është provë e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Leximi i këtyre lutjeve dhe meditimi mbi to, do të të ndihmojë t’i bësh më domethënëse lutjet e tua.
[Kutia në faqen 5]
LUTJE QË SPIKASIN
Shërbëtorët e Jehovait janë lutur në rrethana nga më të ndryshmet. A të ka rastisur të ndeshesh me ndonjërën apo më shumë nga situatat e mëposhtme?
A ke nevojë për udhëheqje nga Perëndia si Eliezeri?—Zanafilla 24:12-14.
A gjendesh përballë një rreziku kërcënues si Jakobi?—Zanafilla 32:9-12.
A dëshiron ta njohësh më mirë Perëndinë si Moisiu?—Të Dalët 33:12-17.
A gjendesh përballë kundërshtarëve si Elia?—1. Mbretërve 18:36, 37.
A të duket predikimi i vështirë si në rastin e Jeremisë?—Jeremia 20:7-12.
A ke nevojë të rrëfesh mëkatet dhe të kërkosh falje si Danieli?—Danieli 9:3-19.
A përballon persekutim si dishepujt e Jezuit?—Veprat 4:24-31.
Shiko gjithashtu Mateun 6:9-13; Gjonin 17:1-26; Filipianëve 4:6, 7; Jakovin 5:16.
[Kutia në faqen 6]
SI TË LUTEMI PËR TË LUFTUAR NJË ZAKON TË RRËNJOSUR
A po lufton kundër një dobësie të përsëritur? Si mund të na ndihmojnë lutjet e përmendura në Bibël? Mëso nga Davidi që u lut në kohë të ndryshme për dobësitë e tij.
Davidi këndoi: «Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.» (Psalmi 139:23) Davidi kishte dëshirë që Perëndia Jehova të hetonte dëshirat, ndjenjat dhe motivet e tij të gabuara. Me një fjalë, Davidi kërkoi ndihmën e Jehovait për të mos rënë në mëkat
Megjithatë, dobësia e mposhti Davidin dhe ai mëkatoi rëndë. Edhe këtu e ndihmoi përsëri lutja, këtë herë për të ripërtërirë marrëdhënien e tij me Perëndinë. Sipas Psalmit 51:2, Davidi u lut: «Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im.»
Edhe ne mund t’i lutemi me përulësi Jehovait për ndihmë që të mbajmë nën fre prirjet tona të gabuara. Kjo gjë do të na forcojë të mposhtim një dobësi të rrënjosur dhe mund të na ndihmojë të mos biem në mëkat. Nëse vesi përsëritet prapë, duhet t’i afrohemi përsëri Jehovait me lutje që të na ndihmojë të vazhdojmë të luftojmë.
[Figurat në faqen 7]
Lutjet që bëhen në emër të një grupi duhet të theksojnë synimet dhe shpresën e përbashkët frymore që përmbahet në Shkrime.