Dëshmitarët e Jehovait nëpër botë—Zambia
FUSHA që valëzojnë e që shtrihen në një rrafshnaltë të gjerë prej 1.200 m lartësi. Kjo është Zambia, një vend në zemër të Afrikës Jugqendrore. Në verilindje, malet Maçinga ngrihen në 2.100 m lartësi. Lumi i rrëmbyeshëm, Zambezi, i cili gurgullon në mënyrë mahnitëse mbi ujëvarën Viktoria, e famshme në të gjithë botën, formon pjesën më të madhe të kufijve jugorë të këtij vendi të rrethuar me tokë. Popullsia është e shumëllojshme me mbi 70 grupe të ndryshme etnike. Ka tetë gjuhë kryesore, por fliten edhe shumë gjuhë të tjera.
Në 1911-ën, në Zambia filloi të merrte dhenë dhe të përhapej një gjuhë tjetër. Disa vizitorë sollën në Zambia kopje të librit Studime mbi Shkrimet (Studies in the Scriptures) dhe Dëshmitarët e Jehovait që atëherë e deri më sot janë përpjekur të përhapin në Zambia «gjuhën e pastër» të së vërtetës biblike. (Sofonia 3:9, BR) Një sfidë e veçantë janë bindjet e pabazuara në Shkrime mbi gjendjen e të vdekurve. Kur njerëzit mësojnë të vërtetën dhe shikojnë se si kanë qenë skllevër të bestytnive, efekti është çlirues!—Gjoni 8:32.
Për shembull, një motër besnike tregon: «Daja im vdiq papritur e pakujtuar. Nëna ime, një anëtare e vendosur e Kishës së Bashkuar në Zambia, u shastis fare. Pas ritit njëjavor të varrimit, u ktheva në fshat për të parë se si po ia çonte nëna. Kur arrita, gjeta në shtëpi një burrë të moshuar. Kur ai iku, e pyeta gjyshen se kush ishte. Ajo më tha se ishte një shtrigan. Nëna kishte ndër mend ta pajtonte atë me para, që të merrte hak mbi vdekjen e të vëllait, në mënyrë që shpirti i tij të mund të pushonte i qetë. Ajo besonte se në atë çast, ai ‘po sillej andej-këndej’.
Përveç kësaj, gjyshja më tha se kisha shkuar tamam në kohën e duhur, sepse familja po kërkonte para për të paguar shtriganin. Ajo më kërkoi t’i ndihmoja, por unë me takt i shpjegova se si e krishterë, nuk mund të merrja pjesë në këtë gjë. Arsyetova me të mbi Psalmin 146:4, i cili tregon se të vdekurit nuk mendojnë, prandaj nuk kishte asnjë shpirt që ‘të sillej andej-këndej’. Shqyrtuam, gjithashtu, Romakëve 12:19, ku tregohet se hakmarrja i përket Jehovait dhe jo neve. Pas kësaj, i fola nënës lidhur me shpresën e ringjalljes, për të cilën foli Jezui, siç tregohet në Gjonin 5:28, 29. Ajo mbeti e shtangur nga besimi im i fortë në premtimet e Perëndisë. Shpejt filloi të studionte me një Dëshmitare dhe bëri progres të shpejtë. I preu të gjitha lidhjet me fenë e saj të mëparshme dhe e simbolizoi dedikimin e saj ndaj Perëndisë me pagëzim. Tani ajo është një Dëshmitare e Jehovait.»
Një motër tjetër tregon: «Shkova në varrimin e nuses së dajës. Kur arrita, e gjeta dajën dhe kushëririn duke vdekur nga urija. Që nga dita e vdekjes së tezes, nuk kishin futur asgjë në gojë. Kur i pyeta përse, m’u përgjigjën se sipas traditës, nuk u lejohej të ndiznin zjarr për të gatuar. Atëherë ofrova unë të gatuaja, por disa nga familja kishin frikë se po ta thyeja këtë zakon pagan, do të çmendeshin të gjithë!
U shpjegova se si Dëshmitare e Jehovait, unë respektoja atë që thoshte Levitiku 18:30 dhe nuk ndiqja tradita të pabazuara në Shkrime. Pastaj, u tregova broshurën Frymërat e të vdekurve. Pas kësaj, tensioni u ul dhe unë fillova të përgatisja ushqim për xhaxhanë dhe të tjerët. Të afërmit e së vdekurës u mahnitën nga guximi im dhe më pas pranuan të studionin Biblën. Tani janë lajmëtarë të papagëzuar dhe e gjithë familja mendon të pagëzohet së shpejti.»
Sa të gëzuar jemi kur gjuha e pastër e së vërtetës për-mbys falsitetet konfuze fetare, veçanërisht ato arsyetime të rrënjosura thellë e që mbajnë të skllavëruar njerëzit e pafajshëm! Me bekimin e Jehovait, gjuha e pastër është përhapur në Zambia si dhe në të gjithë tokën.—2. Korintasve 10:4.
[Kutia në faqen 8]
STATISTIKA E VENDIT
Viti i shërbimit 1994
NUMRI MAKSIMAL I LAJMËTARËVE: 82.926
RAPORTI: 1 Dëshmitar në 107 banorë
PJESËMARRJA NË PËRKUJTIM: 363.372
MESATARJA E PIONIERËVE: 10.713
MESATARJA E STUDIMEVE BIBLIKE: 108.948
NUMRI I TË PAGËZUARVE: 3.552
NUMRI I KONGREGACIONEVE: 2.027
ZYRA E DEGËS: LUSAKA
[Figura në faqen 9]
Kompleksi i degës Watch Tower në periferi të Lusakës
[Figura në faqen 9]
Predikim në Shimabala, në jug të Lusakës