BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 1/5 f. 26-29
  • I kujt është faji?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • I kujt është faji?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Probleme ekonomike
  • Zhgënjim me fëmijët
  • Përparim i dobët frymor
  • Shfajësimi i fundit
  • Duke i bërë ballë realitetit
  • Nuk mund të fajësohet Jehovai
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Si të ndihmosh fëmijët të përballojnë dështimet?
    Ndihmë për familjen
  • Të ndërtojmë një familje të fortë frymësisht
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Prindër dhe fëmijë: Vendosni Perëndinë në vend të parë!
    Broshura me artikujt e studimit—1995
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 1/5 f. 26-29

I kujt është faji?

ISHTE njeriu i parë Adami, ai që e nisi këtë prirje. Pasi mëkatoi, ai i tha Perëndisë: «Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra.» Në fakt, ai po thoshte: «Nuk është faji im!» Gruaja e parë, Eva, bëri të njëjtën gjë kur tha: «Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj.»​—Zanafilla 3:12, 13.

Kështu, në kopshtin e Edenit, u hodhën themelet e prirjes njerëzore për të mos pranuar përgjegjësinë për veprimet e tyre. A e ke bërë ndonjëherë një gabim të tillë? Kur dalin problemet, a fajëson menjëherë të tjerët? A po e analizon situatën për të parë se i kujt është me të vërtetë faji? Në jetën e përditshme, është shumë e lehtë të biem në grackën për t’i fajësuar të tjerët për gabimet tona e të themi: «Nuk është faji im!» Le të shqyrtojmë disa situata të zakonshme dhe të shikojmë se si reagojnë disa. Ajo më e rëndësishmja është që të reflektosh mbi atë që do të bëje në situata të njëjta.

Probleme ekonomike

«Nuk është faji im, por i ekonomisë, i tregtarëve të pandershëm, i kostos së lartë të jetesës»,—mund të thonë disa kur e shohin veten në vështirësi financiare. Por, a është me të vërtetë faji i këtyre faktorëve? Ndoshta kushte të pasigurta i kanë çuar ata në aventura tregtare të dyshimta dhe spekulative. Disa herë, lakmia e errëson objektivitetin dhe njerëzit e shikojnë veten duke notuar në ujëra të panjohura, dhe përfundojnë kështu lehtë në gojën e peshkaqenëve. Ata e harrojnë fjalën e urtë: «Nëse duket tepër e bukur për të qenë e vërtetë, ndoshta nuk është ashtu siç duket.» Shkojnë në kërkim të këshillave që duan t’i dëgjojnë, por kur vështirësitë financiare bëhen një realitet i shëmtuar, kërkojnë dikë tjetër që t’ia hedhin fajin. Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur madje edhe në kongregacionin e krishterë.

Disa kanë rënë në grackën e investimeve jo të mençura apo mashtruese, si blerja e diamanteve që nuk ekzistonin, apo financimi i programeve televizive të suksesshme që shpejt përfundojnë pa sukses, apo mbështetja e zhvillimit të pasurive të patundshme që shpejt falimentojnë. Një dëshirë e papërmbajtur për pasuri i ka bërë që të kenë harruar këshillën e Biblës: «Ata që janë të vendosur për t’u pasuruar kanë rënë në tundim dhe në lak . . . dhe e kanë goditur veten me shumë dhimbje.»​—1. Timoteut 6:9, 10, BR.

Harxhimi i tepruar, mund të çojë gjithashtu në shkatërrim të ekonomisë. Disa mendojnë se duhet të jenë si personazhet e revistave të fundit të modës, të bëjnë pushime të kushtueshme, të hanë jashtë në restorante me emër, të blejnë «lodrat» e fundit për të rriturit si: automobila sportive, varka, kamera, pajisje për stereo, etj. Natyrisht, me kohë disa mund t’i sigurojnë gjëra të tilla duke bërë plane të matura dhe duke vënë para mënjanë. Por ata që nguten për t’i patur këto gjëra, mund ta shikojnë veten të zhytur keq në borxhe. Nëse bëjnë kështu, i kujt është faji? Padyshim ata e kanë injoruar këshillën e mençur të Proverbave 13:18: «Mjerimi dhe turpi do të vijnë mbi atë që nuk pranon korrigjimin.»

Zhgënjim me fëmijët

«Është faji i pleqve të kongregacionit që fëmijët e mi e lanë të vërtetën,—mund të thonë disa prindër.—Ata nuk u kanë kushtuar kujdesin e mjaftueshëm fëmijëve të mi.»

Pleqtë e kanë përgjegjësinë për të kullotur dhe për t’u kujdesur për kopenë, por ç’mund të themi për vetë prindërit? A janë ata shembullorë në shfaqjen e fryteve të frymës së Perëndisë në të gjitha ato që bëjnë? A është mbajtur studimi familjar i Biblës në mënyrë të rregullt? A tregonin prindërit zell në shërbimin e Jehovait dhe a i ndihmonin fëmijët për t’u përgatitur për atë? A tregonin kujdes për shoqëritë e fëmijëve?

Në mënyrë të ngjashme, për sa i përket shkollës, është e lehtë për një prind të thotë: «Është faji i mësuesve që djali im nuk shkon mirë në shkollë. Ata nuk e pëlqejnë tim bir. Në çdo rast, ajo shkollë ka lënë shumë për të dëshiruar.» Por, a mbanin prindërit kontakt të rregullt me shkollën? A tregonin interes prindërit për ato që fëmijët kishin për të mësuar? A i bënin fëmijët rregullisht detyrat e shtëpisë dhe a u është ofruar ndihma kur ka qenë e nevojshme? A mos ndoshta problemi që lindi ka qenë shkak i përtacisë nga ana e fëmijës apo i prindërve?

Në vend se t’ia hedhin fajin sistemit shkollor, është më produktive që të marrin hapa konkrete, për t’u siguruar që fëmijët e tyre kanë një qëndrim të drejtë dhe se shfrytëzojnë mundësitë për të mësuar që ua ofron shkolla.

Përparim i dobët frymor

Herë pas here dëgjojmë dikë që thotë: «Do të desha të isha i fortë frymësisht, por nuk është faji im që nuk jam i tillë. Pleqtë nuk më kanë kushtuar kujdes sa duhet. Nuk kam asnjë mik. Fryma e Jehovait nuk është në këtë kongregacion.» Ndërkohë, të tjerët në kongregacion kanë miq, janë të lumtur dhe bëjnë përparim të mirë frymor; dhe kongregacioni është bekuar me rritje dhe mirëqenie frymore. Atëherë, përse disa kanë probleme?

Pak persona kanë dëshirë të bëjnë shoqëri të ngushtë me ata që tregojnë një frymë negative dhe pakënaqësie. Një gjuhë therëse dhe vazhdimisht ankuese mund të jetë shumë shkurajuese. Duke mos dashur që të dobësohen frymësisht, shumë mund ta kufizojnë shoqërinë me persona të tillë. Duke e marrë këtë si shenjë ftohtësie nga ana e kongregacionit, dikush mund të fillojë të «shtegtojë», duke lëvizur nga një kongregacion në një tjetër, pastaj në një tjetër dhe në një tjetër. Ashtu si kopetë shtegtare të stepave të Afrikës, që gjithmonë janë në kërkim të kullotave të gjelbëra, këta të krishterë «shtegtarë» janë gjithmonë në kërkim të kongregacionit të drejtë. Do të ishin shumë më të lumtur nëse në vend se të kërkonin cilësitë e mira tek të tjerët, të pëpiqeshin për të manifestuar në mënyrë më të plotë frytet e frymës së shenjtë në vetë jetën e tyre.​—Galatasve 5:22, 23.

Disa e bëjnë këtë duke bërë një përpjekje të veçantë për të folur me një person të ndryshëm në çdo mbledhje në Sallën e Mbretërisë dhe për ta lavdëruar atë sinqerisht për ndonjë anë pozitive: ndoshta për fëmijët e edukuar, për rregullsinë në pjesëmarrjen e mbledhjeve të krishtere, komentet e përgatitura mirë në studimin e Kullës së Rojës, mikëpritjen që ka treguar duke hapur shtëpinë e tij për studimin e librit të kongregacionit dhe për mbledhjet e shërbimit në fushë, e kështu me radhë. Duke preferuar të vështrosh poshtë lustrës së papërsosmërisë, me siguri do të zbulosh cilësi të rralla tek vëllezërit dhe motrat e tua të krishtere. Në këtë mënyrë do t’u hysh në zemër atyre dhe do të shikosh se nuk do të të mungojnë miqtë besnikë.

Shfajësimi i fundit

«Është vullneti i Perëndisë». «Është faji i Djallit». Ndoshta shfajësimi i fundit është për të fajësuar ose Perëndinë ose Djallin për dështimet tona. Është e vërtetë që Perëndia apo Satanai mund të ndikojnë në disa ngjarje të jetës sonë. Megjithatë, disa besojnë se praktikisht çdo gjë, e mirë apo e keqe në jetën e tyre është rezultat i ndërhyrjes nga Perëndia apo Satanai. Duket sikur asgjë që u ka ndodhur nuk është rrjedhojë e veprimeve të tyre. «Nëse Perëndia do që të kem një makinë të re, do të bëjë që ta kem atë.»

Persona të tillë, shpesh jetojnë në mënyrë të çrregullt dhe i marrin vendimet ekonomike apo vendime të tjera duke u bazuar në supozimin që Perëndia do të bëjë që gjithçka të shkojë mirë. Nëse veprimet e tyre të nxituara, përfundojnë në një shkatërrim ekonomik apo të ndonjë natyre tjetër, ata fajësojnë Djallin. Të bësh diçka të nxituar «pa i bërë më parë hesapet» dhe të fajësosh pastaj Satanain apo më keq, të presësh që të ndërhyjë Jehovai, nuk do të ishte vetëm arrogancë, por edhe në kundërshtim me Shkrimet.​—Luka 14:28, 29.

Satanai u përpoq që Jezui të mendonte në këtë mënyrë dhe të mos mbante përgjegjësi për veprimet e Tij. Duke përshkruar tentimin e dytë të Satanait, Mateu 4:5-7 tregon: «Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: ‘Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbi duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur.’”» Jezui e kuptoi se nuk duhej të priste që të ndërhynte Jehovai nëse ai vepronte në mënyrë jo të mençur, madje duke tentuar për të kryer vetëvrasje. Prandaj, iu përgjigj: «Është shkruar gjithashtu: ‘Mos e tundo Zotin [Jehovain, BR], Perëndinë tënd’.»

Ata që janë të prirur t’ia hedhin fajin Djallit apo Perëndisë për veprimet e tyre të dyshimta, u ngjajnë të apasionuarve pas astrologjisë, të cilët thjesht zëvendësojnë yjet me Perëndinë apo me Djallin. Plotësisht të bindur se pothuajse çdo gjë që ndodh është jashtë kontrollit të tyre, ata nuk vënë re parimin e thjeshtë të paraqitur në Galatasve 6:7: «Ç’të mbjellë njeriu, atë dhe do të korrë.»

Duke i bërë ballë realitetit

Askush nuk e vë në dyshim se po jetojmë në një botë të papërsosur. Problemet për të cilat folëm ndodhin në jetën reale. Dë të ketë nga ata që do t’i shpërdorojnë paratë tona. Disa punëdhënës do të jenë të padrejtë. Disa shokë mund të influencojnë negativisht tek fëmijët tanë. Disa mësues dhe shkolla kanë nevojë për t’u përmirësuar. Pleqtë me kohë mund të jenë më të dashur dhe më të kujdesshëm. Por duhet ta njohim efektin e papërsosmërisë dhe faktin që siç tregon Bibla, «e tërë bota gjendet në fuqinë e të ligut». Pra, nuk është realiste të presim që në jetë të shkojë gjithçka mirë.​—1. Gjonit 5:19, BR.

Përveç kësaj, duhet t’i njohim papërsosmëritë dhe kufizimet tona dhe të kuptojmë që shumë herë problemet kanë dalë si rezultat i marrëzisë sonë. Pavli i këshilloi të krishterët në Romë: «I them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë.» (Romakëve 12:3) Kjo këshillë është po aq e vlefshme edhe për ne sot. Kur diçka nuk shkon mbarë në jetën tonë, nuk duhet të nxitohemi duke ndjekur stërgjyshërit tanë Adamin dhe Evën e të themi: «Nuk është faji im!» Në vend të kësaj, ta pyesim veten: ‘Çfarë mund të kisha bërë ndryshe për ta shmangur këtë rezultat jo të kënaqshëm? A kam ushtruar gjykim dhe a kam kërkuar këshilla nga një burim i mençur? A ia kam dhënë personit (apo persones) tjetër pafajsinë, duke e vënë kështu në vend dinjitetin e tij (apo të saj)?’

Nëse ndjekim parimet e krishtere dhe ushtrojmë gjykim të mençur, do të kemi më shumë miq dhe më pak probleme. Shumë nga problemet e vështira në jetën e përditshme do të zgjidhen. Do të gjejmë gëzim në raportet me të tjerët dhe nuk do të shqetësohemi duke bërë pyetjen: «I kujt është faji?»

[Figurat në faqen 28]

Prindërit mund të bëjnë shumë për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që të përparojnë frymësisht

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo