«Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë!»
NË VITIN 1993, zyra e degës së Shoqatës Watch Tower në Argjentinë, u ftua të dërgonte një mijë delegatë në Santiago të Kilit për kongresin krahinor prej katër ditësh të Dëshmitarëve të Jehovait të titulluar «Mësimi Hyjnor». Ishte hera e parë që një grup i madh Dëshmitarësh argjentinas ftohej të merrte pjesë në një kongres jashtë vendit.a Përgjigjja? Vërshuan rreth 8.500 kërkesa, nga të cilat u zgjodhën 1.039 delegatë.
Për këtë udhëtim prej 1.400 km, u morën me qira 14 autobusa. Udhëtimi prej 26 orësh u bë akoma më i kënaqshëm nga panorama spektakulare. Duke kapërcyer malet e Andeve, delegatët kaluan afër Akonkaguas, i cili me 6.960 metrat e tij, është pika më e lartë e hemisferës lindore. Veçanërisht, e paharrueshme ishte rruga e pjerrët dhe me dredha që bëhet para se të futesh në Kili. Shoferët morën një mori duartrokitjesh për aftësinë e tyre në manovrimin gjatë terrenit të vështirë!
Por pamja më e bukur ndodhej në vetë vendin ku zhvillohej kongresi. Në një botë mbushur me konflikte midis kombeve dhe tensione raciale, sa çlodhëse ishte të shikoje një grumbull prej 80.000 personash të ardhur nga 24 vende—me të vërtetë një vëllazëri ndërkombëtare! Duke e parë me sytë e tyre unitetin midis kongresistëve, disa nga shoferët shprehën dëshirën për të mësuar më tepër rreth Dëshmitarëve të Jehovait. «Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë!»—u shpreh me zjarr njëri prej tyre.
[Shënimi]
a Kufizimet qeveritare në Argjentinë, nga viti 1949 deri në 1982 e bënin të pamundur një ndërmarrje të tillë.