BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 1/5 f. 4-7
  • Përse është koha për të vendosur?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Përse është koha për të vendosur?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Përse Izraeli u hodh poshtë
  • Apostazia e madhe e të ashtuquajturit krishterim
  • Reformë e pamundur?
  • Tani është koha ‘për të dalë prej saj’
  • Miku i rremë i Biblës
    Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?
  • Përse do të marrë fund feja botërore?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 1/5 f. 4-7

Përse është koha për të vendosur?

NË SHEKULLIN e 16-të p.e.s., Perëndia zgjodhi izraelitët si «zotërimin e veçantë [të tij] nga të gjithë popujt e tjerë, . . . një komb të shenjtë». (Të Dalët 19:5, 6, BR) Por shpejt, ata e humbën shenjtërinë dhe pastërtinë e tyre fetare, duke e lënë veten të ndyheshin nga idhujtaria dhe praktikat e korruptuara të kombeve fqinje. Kështu e treguan veten si «një popull tejet kokëfortë». (Ligji i përtërirë 9:6, 13, DSF; 10:16; 1. Korintasve 10:7-11) Gjatë një periudhe prej më shumë se treqind vjet pas vdekjes së Josiut, Jehovai ngriti gjyqtarë, drejtues besnikë që duhej t’i kthenin izraelitët në adhurimin e vërtetë. Por, prapëseprapë ata «nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga sjellja e tyre kokëforte».​—Gjykatësit 2:17-19.

Pas kësaj, Perëndia ngriti mbretër e profetë besnikë për ta nxitur popullin të kthehej në adhurimin e vërtetë. Profeti Azariah e inkurajoi mbretin Asai dhe bashkatdhetarët e tij të kërkonin Jehovain: «Në rast se e kërkoni, ai do të vijë tek ju, por në rast se e braktisni, edhe ai do t’ju braktisë.» Asai kreu reformën fetare në mbretërinë e Judës. (2. Kronikat 15:1-16) Më pas, Perëndia e përsëriti ftesën përmes profetit Joel. (Joeli 2:12, 13) Më vonë, edhe Sofonia i bëri thirrje banorëve të Judës ‘të kërkonin Zotin’. Mbreti i ri, Josija, bëri kështu një fushatë reformash për të shfarosur idhujtarinë dhe korrupsionin.​—Sofonia 2:3; 2. Kronikat 34:3-7.

Pavarësisht nga këto pendime të çastit, gjendja fetare e popullit po bëhej gjithnjë e më kritike. (Jeremia 2:13; 44:4, 5) Jeremia denoncoi sistemin e tyre fetar të ndyrë me praktika idhujtarie, duke e përshkruar si të pandreqshëm: «A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?» (Jeremia 13:23) Për këtë arsye, Perëndia e ndëshkoi rëndë mbretërinë e Judës. Jeruzalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan në vitin 607 p.e.s. dhe ata që mbijetuan u çuan si skllevër në Babiloni, ku qëndruan për 70 vjet.

Kur ajo periudhë kohe kishte kaluar, Perëndia tregoi mëshirë. Ai e nxiti mbretin Kir, t’i linte të lirë izraelitët, një pjesë e të cilëve u kthyen në Jeruzalem për të rindërtuar tempullin. Në vend që të nxirrnin mësim nga e gjithë kjo, ata devijuan përsëri nga adhurimi i vërtetë, duke i dhënë arsye Perëndisë Jehova të përsëriste edhe një herë ftesën: «Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem tek ju.»​—Malakia 3:7.

Përse Izraeli u hodh poshtë

Cila ishte gjendja fetare e izraelitëve në kohën e Jezuit? Udhëheqësit fetarë hipokritë ishin «prijës të verbërish» që mësonin «doktrina që ishin urdhërime nga njerëzit». Ata po ‘shkelnin urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës së tyre’. Njerëzit e nderonin Perëndinë «me buzë», por me zemër ishin larg tij. (Mateu 15:3, 4, 8, 9, 14) A do t’u jepej një tjetër mundësi pendimi atyre si komb? Jo. Jezui tha: «Juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.» Më pas shtoi: «Ja, shtëpia juaj», tempulli në Jeruzalem, «po ju lihet e shkretë». (Mateu 21:43; 23:38) Gabimi i tyre ishte tepër i madh. Hodhën poshtë Jezuin si Mesi dhe e vunë para vdekjes, duke zgjedhur si mbretin e tyre romakun shtypës, Çesarin.​—Mateu 27:25; Gjoni 19:15.

Izraelitët nuk donin të kuptonin se periudha në të cilën Jezui kreu shërbimin e tij, ishte një kohë gjykimi. Jezui u tha banorëve të pabesë të Jeruzalemit: «Ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar.»​—Luka 19:44.

Në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., Perëndia formoi një komb ose një popull të ri, dishepujt e Birit të tij, Jezu Krishtit, të mirosur me frymë e të zgjedhur nga njerëz të çdo kombi e race. (Veprat 10:34, 35; 15:14) A ekzistonte ndonjë shpresë që sistemi fetar hebre të riformohej përfundimisht? Legjionet romake që e rrafshuan Jeruzalemin përtokë e dhanë përgjigjen në vitin 70 të e.s.: Perëndia e kishte hedhur poshtë njëherë e përgjithmonë atë sistem fetar.​—Luka 21:5, 6.

Apostazia e madhe e të ashtuquajturit krishterim

Edhe të krishterët e mirosur me frymë formuan «një komb të shenjtë, një popull për zotërim të veçantë». (1. Pjetrit 2:9; Galatasve 6:16) As kongregacioni i krishterë primitiv nuk e ruajti për shumë kohë pastërtinë e tij fetare.

Shkrimet parathoshin një apostazi të madhe ose largimin nga besimi i vërtetë. Bari i keq simbolik në shëmbëlltyrën e Jezuit, d.m.th., të krishterët e shtirur, do të përpiqeshin të mbytnin grurin simbolik ose të krishterët e vërtetë të mirosur me frymën e Perëndisë. Shëmbëlltyra zbulon se përhapja e krishterimit të rremë, e nxitur nga armiku më i madh i Perëndisë, Djalli, do të fillonte shpejt, «kur njerëzit të ishin duke fjetur». Kjo ndodhi pas vdekjes së apostujve besnikë të Krishtit, gjatë një periudhe pasuese gjumi frymor. (Mateu 13:24-30, 36-43; 2. Selanikasve 2:6-8) Siç e kishin parathënë apostujt, të krishterët shtiracakë u hoqën zvarrë për në vathën e tyre. (Veprat 20:29, 30; 1. Timoteut 4:1-3; 2. Timoteut 2:16-18; 2. Pjetrit 2:1-3) Gjoni ishte apostulli i fundit që vdiq. Rreth vitit 98 të e.s., ai shkroi se «ora e fundit», pjesa përfundimtare e periudhës apostolike tashmë kishte filluar.​—1. Gjonit 2:18, 19.

Me lejimin e fuqisë fetare e politike të vulosur nga perandori romak, Kostandini, gjendja frymore, doktrinale dhe morale e të ashtuquajturit krishterim, u keqësua në mënyrë dramatike. Shumë historianë janë të mendimit se «triumfi i kishës gjatë shekullit të katërt» për nga pikëpamja e krishterë ishte një «katastrofë». ‘I ashtuquajturi krishterim i humbi vlerat e tij të larta morale’ dhe pranoi shumë praktika dhe filozofi të paganizmit, si p.sh. «kultin e Marijes», adhurimin e «të shenjtëve» dhe konceptin e trinitetit.

Pas triumfit të tij të rremë, gjendja e të ashtuquajturit krishterim u rëndua. Dekretet dhe përcaktimet doktrinale nga ana e papëve dhe këshilltarëve, për të mos përmendur inkuizicionin, kryqëzatat dhe luftërat «e shenjta» ndërmjet katolikëve dhe protestantëve, sollën një sistem fetar të pandreqshëm.

Në një libër të tij, Uilliam Mançester shkruan: «Në shekullin e 15-të dhe 16-të, papët bënin jetën e perandorëve romakë. Ishin njerëzit më të pasur në botë dhe bashkë me kardinalët pasuroheshin gjithnjë e më shumë, duke shitur përgjegjësitë e tyre kishtare.» (A World Lit Only by Fire) Gjatë apostazisë së madhe, grupe të vogla ose individë të vetëm u përpoqën për të rizbuluar krishterimin e vërtetë, duke shfaqur karakteristikat e grurit simbolik. Shpesh këtë e paguan shtrenjtë. I njëjti libër thotë: «Nganjëherë dukej se shenjtorët e vërtetë të krishterimit, protestantë e katolikë bashkë, ishin bërë martirë të nxirë nga flakët që i përpinin.» Të tjerë, të ashtuquajtur reformatorë, si Martin Luter dhe Xhon Kalvin mundën të krijonin një sistem fetar të qëndrueshëm të ndarë nga Kisha Katolike, por që akoma mbante doktrinat e saj themelore. Ata ishin zhytur thellë në vorbullën e çështjeve politike.

Në fushën protestante u bënë përpjekje për të bërë të ashtuquajturin rizgjim fetar. Gjatë shekullit të 18-të dhe 19-të, për shembull, këto përpjekje çuan në një aktivitet të fuqishëm misionar në fusha të huaja. Megjithatë, sipas asaj që vetë priftërinjtë pranojnë, sot gjendja frymore e kopesë protestante nuk është aspak inkurajuese. Teologu protestant, Oskar Kulmën, kohët e fundit pranoi se «ka një krizë besimi brenda vetë kishave».

Edhe në Kishën Katolike janë përkrahur reforma e kundërreforma. Nga shekulli i 11-të deri në shekullin e 13-të, përballë përhapjes së korrupsionit dhe pasurimit të pamasë të klerit, u formuan urdhra monastikë që ndiqnin me rreptësi betimin e varfërisë. Por shpejt, siç thonë studiuesit, ato filluan të kontrolloheshin dhe u mbytën nga hierarkia kishtare. Më pas, u bë kundërreforma e shekullit të 16-të, e mbështetur nga Këshilli i Trentos mbi të gjitha për të sulmuar reformën protestante.

Në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, gjatë periudhës së përtëritjes kishtare, Kisha Katolike mori një qëndrim autoritar e konservator. Megjithatë, nuk bëhej fjalë për një reformë të vërtetë për përtëritjen e krishterimit të vërtetë. Përkundrazi, ishin bërë përpjekje të dukshme për përforcimin e autoritetit të klerit përballë ndryshimeve fetare, politike e shoqërore të botës.

Kohët e fundit, saktësisht në vitet ’60, dukej se Kisha Katolike donte të ndërmerrte një proces ndryshimi rrënjësor me Këshillin ekumenial të Vatikanit II. Por shpejt, u ndalua menjëherë e ashtuquajtura përtëritje e këshillit, e vënë nga papa aktual për të frenuar frymën progresiste të anëtarëve të kishës. Kjo fazë, që disa e quajtën «përtëritja e papës Voitila», u përcaktua nga një grup katolikësh si «një formë e re e kostandinizmit». Siç tregon një gazetë jezuite, ashtu si kisha të tjera, Kisha Katolike po përballon «një krizë radikale e botërore: radikale sepse përfshin vetë rrënjët e besimit dhe jetës së krishterë; globale sepse përfshin të gjitha aspektet e krishterimit».​—La Civiltà Cattolica.

Fetë e të ashtuquajturit krishterim në të vërtetë nuk kanë bërë një proces reformimi dhe as që mund ta bënin, pasi krishterimi i vërtetë do të përtërihej vetëm në «kohën e korrjes» me mbledhjen e grurit simbolik në një kongregacion të pastër. (Mateu 13:30, 39) Lista e gjatë e krimeve dhe akteve të shëmtuara të kryera në emër të fesë, qoftë ajo e krishterë ose jo, ngjalli pyetjen: A është realiste të presim një reformë të vërtetë nga i ashtuquajturi krishterim?

Reformë e pamundur?

Libri i Zbulesës apo i Apokalipsit, flet për prostitutën e madhe simbolike, që mban emrin «Babilonia e Madhe». (Zbulesa 17:1, 5) Për shekuj me radhë, lexuesit e Biblës janë përpjekur të shpjegojnë misterin e këtij simboli. Shumë njerëzve iu pështiros pasuria dhe korrupsioni i klerit. Disa mendonin se Babilonia e Madhe paraqiste hierarkinë kishtare. Mes tyre ishin Jan Hus, një prift katolik bohemian, që u dogj i gjallë në 1415-ën dhe Aonio Paleario, një përfaqësues italian i humanizmit që u var dhe u dogj në 1570-ën. Të dy u përpoqën pa sukses të reformonin Kishën Katolike me shpresë se do të kthehej përsëri në «dinjitetin e saj të qëmoçëm».

Megjithatë, kapitujt 17-të dhe 18-të të Zbulesës tregojnë se Babilonia e Madhe paraqet perandorinë botërore të të gjitha feve të rreme.a «Prostituta e Madhe» e përbërë është e pandreqshme, pasi «mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell». Në fakt, në këtë shekull të 20-të, jo vetëm ato të të ashtuquajturit krishterim, por të gjitha fetë kanë përgjegjësi për të gjitha luftërat që vazhdojnë të derdhin shumë gjak dhe për degradimin e rëndë moral që e bën gjithë njerëzimin të vuajë. Si rrjedhim, Perëndia ka vendosur shkatërrimin e «Babilonisë».​—Zbulesa 18:5, 8.

Tani është koha ‘për të dalë prej saj’

Plotësimi i profecive biblike zbulon se ditët tona i përgjigjen «përfundimit» të këtij «sistemi gjërash» të lig. (Mateu 24:3, BR) Ai që sinqerisht dëshiron të adhurojë Perëndinë, nuk mund të ndjekë mendimet dhe pëlqimin e vet. Ai duhet ‘të kërkojë Zotin ndërsa mund të gjendet’, po, pikërisht tani, sepse «mjerimi i madh» i parathënë nga Jezui është pranë. (Isaia 55:6; Mateu 24:21, BR) Ashtu si në rastin e popullit të Izraelit, Perëndia nuk do të tolerojë një korruptim fetar vetëm sepse krenohet për lashtësinë e tij. Në vend që të përpiqen për të riparuar një anije që është destinuar të fundoset, të gjithë ata që dëshirojnë miratimin dhe shpëtimin nga Perëndia, duhet t’i binden pa u vonuar urdhrit të frymëzuar të Zbulesës 18:4: «Dilni prej saj [Babilonisë së Madhe], o populli im, që të mos bëheni pjesëtarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj.»

‘Të dalim’ për të shkuar ku? Ku tjetër mund të gjendet shpëtimi? A nuk mund të ekzistojë rreziku që të përpiqemi të kërkojmë shpëtim në një vend të gabuar? Si mund të identifikohet feja e vetme që ka miratimin e Perëndisë? Të vetmet përgjigje të denja për besim, mund të gjenden vetëm në Fjalën e Perëndisë. (2. Timoteut 3:16, 17) Dëshmitarët e Jehovait të ftojnë ta shqyrtosh Biblën më nga afër. Kështu mund të kuptosh ku janë ata që Perëndia ka zgjedhur si «një popull për emrin e tij», të cilin ai do ta mbrojë gjatë ditës së afërt të zemërimit të tij.​—Veprat 15:14; Sofonia 2:3; Zbulesa 16:14-16.

[Shënimi]

a Për të identifikuar Babiloninë e Madhe simbolike në një mënyrë biblike më të saktë, shiko kapitujt 33 deri 37 të librit Zbulesa​—Kulmi i saj madhështor është afër!, botuar në 1988-ën nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc. (angl.).

[Figura në faqen 7]

Nëse anija jote fetare po fundoset, kthehu për të shpëtuar në anijen e krishterimit të vërtetë

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo