Feja jote: A është një anije që kurrë nuk duhet braktisur?
NJË anije gjendet në mes të stuhisë. Ekuipazhi që lufton me të gjitha forcat për të mos u fundosur, gjendet përballë një vendimi dramatik: të qëndrojë në bord apo ta braktisë anijen dhe të shpëtojë veten. A e dije se kjo skenë e tmerrshme përdoret si ilustrim teologjik?
Teologët, veçanërisht dijetarët katolikë, shpesh e krahasojnë kishën e tyre me një anije që i bën ballë çdo furtune. Ata thonë se kjo anije me Jezuin ose Pjetrin në timon, paraqet mjetin e vetëm të shpëtimit. Qëndrimi i klerit është: «Kurrë të mos braktiset anija. Kisha ka përjetuar edhe më parë kriza serioze, por është një anije që i ka bërë ballë të gjitha furtunave të historisë.» Disa thonë: «Përse ta braktisim? Me çfarë alternativash? Përse të mos qëndrojmë e ta ndihmojmë për ta çuar në ujëra më të qeta?»
Në harmoni me këtë gjuhë figurative, shumë njerëz që i përkasin të gjitha llojeve të feve, arsyetojnë kështu: «E di se feja ime gabon në shumë gjëra. Shpresoj që të ndryshojë e prandaj nuk dua ta braktis. Do të doja ta ndihmoja edhe unë në mposhtjen e vështirësive.» Arsyetime të tilla mund të imponohen nga dashuria e sinqertë për fenë e etërve ose nga frika se mos e «tradhtojnë» atë.
Një shembull konkret është ai i Hans Kyng, një teolog desident katolik i mirënjohur, i cili pyeti veten: «A duhet ta braktis barkën gjatë stuhisë e t’i lë ata me të cilët kam udhëtuar deri tani t’i bëjnë ballë erës, të heqin ujin me kova dhe ndoshta të luftojnë për të mbijetuar?» Ai u përgjigj: «Nuk do të heq dorë nga ndikimi im brenda në kishë.» Një alternativë tjetër do të ishte «shkëputja nga kjo kishë për shkak të tradhtisë, për hir të vlerave më të larta dhe ndoshta për të qenë një i krishterë më autentik».—Die Hoffnung bewahren.
A mund të qëndrojë një person në barkën e kishës së vet me shpresë që Perëndia me mëshirën e tij, t’i lejojë të gjitha fetë për një periudhë kohe të pacaktuar që të reformohen? Pyetja është serioze. Siç tregohet nga ilustrimi, të ikësh me ngut nga anija e rrezikuar e të hipësh në një varkë shpëtimi të pasigurt, do të ishte po aq e rrezikshme sa edhe qëndrimi në bordin e anijes së destinuar për t’u fundosur. A është e mençur të qëndrosh me çdo kusht në një kishë, pavarësisht nga gjendja e saj? Çfarë mundësish për t’u reformuar ofrojnë fetë sot? Për sa kohë do t’i lejojë Perëndia ato që të veprojnë kundër vullnetit të tij?
[Burimi i figurës në faqen 3]
Chesnot/Sipa Press