BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/1 f. 10-15
  • Shpallni publikisht emrin e Jehovait!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Shpallni publikisht emrin e Jehovait!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Roli i profetëve
  • Ndjenjat dhe motivet
  • «Nga bollëku i zemrës»
  • Rezultate të shpalljes publike
  • Shoqërimi në shërbimin në fushë
  • Merrni si shembull profetët e Perëndisë!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • «Shpallni këtë ndër kombe»
    Të jetojmë duke mbajtur në mend ditën e Jehovait
  • ‘Kërko Jehovain’ me anë të adhurimit që miraton ai
    Të jetojmë duke mbajtur në mend ditën e Jehovait
  • Të kapërcejmë vështirësitë e shërbimit shtëpi më shtëpi
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/1 f. 10-15

Shpallni publikisht emrin e Jehovait!

«Le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë, frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij.»​—HEBRENJVE 13:15, BR.

1. Për çfarë i nxiti izraelitët e tjerë profeti Hozea?

PROFETI i Perëndisë, Hozea, kishte një mesazh me rëndësi jetësore për izraelitët e tjerë. Në shekullin e tetë para erës sonë, ai u bëri thirrje bashkëkohësve të tij të pabindur të pendoheshin. Ai i nxiti: «Merrni me vete fjalët dhe kthehuni tek Jehovai. Thuajini atij të gjithë ju njerëz: ‘Falna fajin e prano atë që është e mirë dhe ne nga ana jonë do të të ofrojmë demat e rinj të buzëve tona.’» (Hozea 14:2, BR) Duke e nxitur popullin që t’i ofronte Jehovait ‘demat e rinj të buzëve të tyre’, profecia e Hozeas i inkurajonte izraelitët të pendoheshin dhe t’i ofronin Perëndisë flijime me lavdi të sinqertë.​—BR.

2. Çfarë lloj sakrifice i nxiti apostulli Pavël të krishterët të ofronin?

2 Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë sot ‘demat e rinj të buzëve të tyre’. Edhe ata ndjekin thirrjen e apostullit Pavël, i cili iu referua fjalëve të profecisë së Hozeas kur shkroi: «Përmes [Jezu Krishtit] le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë, frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij.» (Hebrenjve 13:15, BR) Kështu, shërbëtorët e Perëndisë e lavdërojnë me gëzim Jehovain, për shembull në aktivitetin e tyre të predikimit të Mbretërisë.​—Mateu 24:14.

3. Si mund t’i ofrojmë Jehovait «një flijim lavdie» dhe cilat aktivitete duhet të shqyrtojmë tani?

3 Shpallja publike e emrit të Jehovait është një privilegj i pamerituar për njerëzit e papërsosur. Sa të lumtur jemi që u flasim të tjerëve për Perëndinë tonë, duke i ofruar kështu Jehovait «një flijim lavdie», «demat e rinj të buzëve tona»! Sot, për t’u inkurajuar për predikimin publik të lajmit të mirë të Mbretërisë, le të shqyrtojmë se çfarë thotë Bibla për profetët e Perëndisë dhe për shërbëtorë të tjerë të Jehovait. Nga mënyra se si kanë jetuar, mund të mësojmë shumë gjëra që na ndihmojnë të gëzojmë aktivitetin tonë të predikimit.​—Romakëve 15:4.

Roli i profetëve

4, 5. (a) Cila është domethënia kryesore e fjalës së përkthyer «profet» në gjuhën origjinale të Biblës? (b) Ç’gjë tregon se profetët kishin një rol mahnitës në përgatitjen e Perëndisë?

4 Profetët e Jehovait kishin privilegjin që të shpallnin publikisht mesazhin e tij. Termi hebre (na·viʼʹ) i përdorur për «profet» ka një etimologji të pasigurt, por përdorimi i tij në Bibël tregon se profetët e vërtetë ishin zëdhënës të Jehovait, njerëz të Perëndisë që bënin të njohur mesazhet e frymëzuara. Fjala greke (pro·pheʹtes) e përkthyer «profet» do të thotë fjalë për fjalë «një person që flet publikisht», thotë diçka «përballë» ose «para» dikujt. Profet është ai që shpall mesazhet që i atribuohen një burimi hyjnor. Shpesh, por jo gjithmonë, profetët e vërtetë të Perëndisë parathoshin ngjarjet e ardhshme.

5 Lidhur me rolin mahnitës të profetëve në përgatitjen e Perëndisë, një ciklopedi thotë: «Shpeshherë u kërkohej mendim . . . Por më shpesh ata ndiheshin të nxitur nga brenda për t’iu drejtuar popullit, edhe pse nuk u kërkohej mendim prej tij dhe flisnin me guxim e vendosmëri edhe në vendet ku shfaqja e tyre ndoshta mund të sillte zemëratë dhe tmerr.» (M’Clintock and Strong’s Cyclopœdia, Vëllimi VIII, faqe 640) Le të shqyrtojmë disa shembuj, për të parë se çfarë i shtynte profetët të ishin kaq sypatrembur.

Ndjenjat dhe motivet

6, 7. Çfarë i dha Jehovai profetit Ezekiel për të ngrënë dhe çfarë ndikimi pati kjo mbi të?

6 Para shkatërrimit të Jeruzalemit në vitin 607 p.e.s., Jehovai i foli hebrenjve të mërguar në Babiloni përmes profetit Ezekiel. Jehovai i tha atij: «O bir njeriu, ha atë që gjen, ha këtë rrotull, pastaj shko dhe foli shtëpisë së Izraelit.» Ezekieli u bind dhe tha: «Kështu unë hapa gojën dhe ai më vuri që të ha atë rrotull. Pastaj më tha: ‘O bir njeriu, ushqeje barkun tënd dhe mbushi zorrët e tua me këtë rrotull që po të jap.’ Kështu, unë e hëngra dhe u bë në gojën time i ëmbël si mjaltë.»​—Ezekieli 3:1-3.

7 Trupat tanë marrin lëndë ushqyese nga ushqimi që hamë dhe në një mënyrë a në një tjetër, këto lëndë ushqyese bëhen pjesë e jona. Në të njëjtën mënyrë, ‘rrotulla’ që hëngri Ezekieli​—mesazhi i Jehovait që duhej të shpallte profeti—​duhej të bëhej pjesë e tij, duke ndikuar në ndjenjat e tij. Fjalët e Perëndisë e prekën kaq shumë Ezekielin deri në ndjenjat më të thella, saqë ishte kënaqësi për të t’i shpallte ato publikisht. Nëse je Dëshmitar i Jehovait, a gjen kënaqësi në shpalljen publike të mesazhit të Perëndisë?

8, 9. Çfarë e nxiti Amosin të profetizonte?

8 Le të shqyrtojmë, gjithashtu, profetin Amos. Duke qenë se jetoi në shekullin e nëntë p.e.s., ai ishte ndër të parët nga profetët hebrenj që shkroi një libër biblik, të titulluar sipas emrit të tij. Ashtu si Ezekieli, Amosi ishte shpallës i drejtpërdrejtë i fjalës së Jehovait. Për këtë arsye, në librin që mban emrin e tij, përsëritet 11 herë shprehja: «Kështu thotë Zoti.» (Amosi 1:3, 6, 9, 11, 13; 2:1, 4, 6, 11; 3:12; 5:3, 4, 16; 7:17) Amosi e ndiente të nevojshme ta shpallte publikisht fjalën e Perëndisë.

9 Si profet i Perëndisë, Amosi u tregua i gatshëm ndaj shpalljes hyjnore. Perëndia tha përmes Amosit: «Luani vrumbulloi, kush nuk do të ketë frikë? Zoti, Zoti, foli, kush nuk do të profetizojë?» (Amosi 3:8) Profeti ishte nxitur në mënyrë të parezistueshme për të shpallur mesazhin e Jehovait.

10. Si reagojnë shërbëtorët e Jehovait në ditët e sotme kur vepra e tyre e predikimit kundërshtohet?

10 Si luan që vrumbullon, Jehovai dërgon mesazhe gjykimi ndaj sistemit të lig të botës së tanishme. Ashtu si Amosi, shërbëtorët e Jehovait në ditët moderne ndihen të nxitur për të shpallur publikisht fjalët e Perëndisë. Edhe kur kërcënohen nga kundërshtarët, ata ndjekin shembullin e apostullit Pjetër dhe Gjon, të cilët deklaruan me tërë forcat: «Ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar.» Gjithashtu, ata thanë: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.» (Veprat 4:20; 5:29) Ç’mund të themi atëherë për ne? Do të ishte mirë të shqyrtonim ndjenjat tona lidhur me shpalljen publike të emrit të Jehovait.

«Nga bollëku i zemrës»

11. Çfarë duhet të na nxisë të ngulmojmë në shpalljen publike të emrit të Jehovait?

11 Nuk ka asnjë dyshim se profetët e Jehovait ishin mirënjohës për privilegjin që kishin. E njëjta mirënjohje ndaj Jehovait duhet të na nxitë të shpallim publikisht emrin e tij. Psalmi 145:1, 2 thotë: «Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë. Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.» A pasqyrojnë qëndrimin tënd këto fjalë? Studimi i rregullt i Biblës na ndihmon të thellojmë çmueshmërinë tonë për atë që Jehovai ka bërë, bën dhe do të bëjë për ne. Kur e studiojmë Biblën së bashku si familje, a nuk e kuptojmë se Fjala e Perëndisë ushtron fuqi, duke bërë që të kemi dëshirë të flasim për të dhe për qëllimet e tij? (Hebrenjve 4:12) Për të qenë të efektshëm në shpalljen publike të emrit të Jehovait, gjithashtu, duhet të përdorim në mënyrë sa më të plotë botimet e krishtere të siguruara nga Perëndia Jehova përmes grupit të mirosur, «skllavit besnik dhe të matur».​—Mateu 24:45-47.

12. Si mund të na ndihmojnë mbledhjet e krishtere dhe meditimi për të bërë shpallje publike?

12 Për të lavdëruar Jehovain nga një zemër mirënjohëse, duhet të ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere. I gjithë populli i Jehovait duhet të ndjekë këshillën e apostullit Pavël: «Le të kujdesemi për njëri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) A je rregullisht i pranishëm në mbledhjet e krishtere? A flet shpesh për të vërtetat biblike, përvojat e mrekullueshme dhe të rejat emocionuese të përhapjes teokratike që dëgjon në mbledhjet e popullit të Perëndisë? Nëse nuk ke dëshirë të shprehesh për Jehovain dhe qëllimet e tij, gjej kohë për të medituar mbi Fjalën e tij, në mënyrë që mendimet e saj të depërtojnë thellë në zemrën tënde. (Psalmi 77:12; 143:5) Po, mbledhjet e krishtere dhe meditimi i rregullt mbi Fjalën e Perëndisë do të të ndihmojë të çmosh privilegjin e mrekullueshëm të shpalljes publike të emrit të Jehovait.

13. Në ç’mënyrë ‘nxjerrim gjëra të mira’ nga zemra jonë?

13 Në qoftë se zemrat tona janë plot mirënjohje ndaj Jehovait, ne do të nxjerrim gjëra të mira. Jezui arsyetoi: «Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Ç’mënyrë më të mirë mund të ketë për ‘të nxjerrë të mirën’, sesa të shpallim publikisht emrin e Jehovait dhe t’u flasim për qëllimet e tij fqinjëve dhe të afërmve tanë​—po, të gjithë atyre që takojmë?

Rezultate të shpalljes publike

14. (a) Çfarë mund të ndiejë ai që e shpall dhe ai që e dëgjon mesazhin e Mbretërisë? (b) Çfarë po kryhet me anë të veprës së predikimit të Mbretërisë?

14 Profetët e Perëndisë gjenin gëzim në shërbimin e tyre dhe ata që dëgjonin përfitonin nga ajo që thuhej. Në mënyrë të ngjashme, shpallja publike e mesazhit të Mbretërisë u sjell gëzim të madh atyre që e shpallin atë. (Veprat 20:35) Sa dobi nxjerrin ata që e dëgjojnë atë me çmueshmëri! Pranimi i lajmit të mirë i ndihmon njerëzit të fitojnë mbi dëshpërimin ose ta përballojnë atë. Ata që kanë humbur ndonjë njeri të dashur, gëzohen për shkak të shpresës së ringjalljes. Ata që janë të dhënë pas nikotinës, heroinës dhe substancave të tjera që të tërheqin, çlirohen nga kjo skllavëri. Shumë njerëz ngrihen moralisht dhe të gjithë ata që pranojnë të vërtetën biblike fitojnë çlirim frymor. (Gjoni 5:28, 29; 8:32) Shpallja e Mbretërisë si shpresa e vetme e njerëzimit, shërben edhe për të paralajmëruar të ligun dhe në të njëjtën kohë gëzon ata që kanë zemër të sinqertë. Kështu, kur të ekzekutohet gjykimi hyjnor mbi këtë botë të ligë, njerëzit do të ndahen për «shkatërrimin e përhershëm» ose për «jetën e përhershme». (Mateu 24:14; 25:31-46; Ezekieli 33:1-9; 1. Timoteut 2:3, 4) Vepra jonë e predikimit është një vepër shpëtimi e pashembullt, shpallja më e gjerë dhe më e përhapur që është kryer ndonjëherë mbi tokë!

15. Çfarë mund të bëhet për të ndihmuar ata që e meritojnë në territorin tonë të predikimit?

15 Si Dëshmitarë të Jehovait në ditët moderne, jemi mirënjohës që jemi skllevër të bindur të Atit tonë qiellor. (Romakëve 12:11) Prandaj, jemi të lumtur të rezervojmë rregullisht kohë për të marrë pjesë në veprën e predikimit të lajmit të mirë publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi. (Veprat 5:42; 20:20) Raportet në mbarë botën tregojnë se nëpër territoret tona ka akoma nga ata që e meritojnë. Me ndryshimin e rrethanave në botë, njerëzit ndikohen në mënyra të ndryshme. Papritur e pakujtuar shumë njerëz bëhen refugjatë në vendet e huaja. Ndoshta ka disa nga këta njerëz në territorin tonë të predikimit. Nëse po, le të bëjmë aq sa mundemi për t’i ndihmuar ata frymësisht, ndërkohë që ne ngulmojmë në «veprën e shenjtë të lajmit të mirë». (Romakëve 15:16, BR) Disa të krishterë kanë mësuar një gjuhë tjetër për t’ua shpallur këtyre njerëzve lajmin e mirë të Mbretërisë.

16. Çfarë mund të na ndihmojë për të ngulmuar në shpalljen e emrit të Jehovait?

16 Shumë profetë të Perëndisë kishin caktime vërtet të vështira. Nuk ishte e lehtë për ata t’ua shpallnin mesazhin hyjnor njerëzve të pandjeshëm. Ngjashëm, jo të gjithë ata që i janë dedikuar Jehovait e kanë të lehtë ta shpallin publikisht emrin e Tij, veçanërisht në territoret e gjera ku njerëzit nuk reagojnë ndaj lajmit të mirë. Megjithatë, duke pasur besimin që rrjedh nga studimi i përkushtuar i Fjalës së Perëndisë, bashkë me fuqinë që shton Jehovai, mund të këmbëngulim në shpalljen e mesazhit të Mbretërisë. (Filipianëve 4:13; Zbulesa 14:6) Në lidhje me këtë, ç’gjë tjetër mund të mësojmë nga profetët e Jehovait dhe shërbëtorët e tjerë të tij në kohët e lashta?

Shoqërimi në shërbimin në fushë

17. Cilët janë disa shembuj nga Shkrimet lidhur me shoqërimin e dobishëm në shërbimin që i kryejmë Perëndisë?

17 Në kryerjen e detyrës së tij, profeti i Perëndisë, Moisiu, fillimisht pati ndihmën e vëllait të tij më të madh, Aaronit. Jehovai i tha Moisiut: «Ai [Aaroni] do të jetë zëdhënësi yt në popull; kështu ai për ty do të jetë goja.» (Të Dalët 4:16) Shqyrto, gjithashtu, ditët e profetit Eli dhe Elize, kur «bijtë e profetëve» ishin të shumtë. Duket se ishin grupe shërbëtorësh të Perëndisë që punonin së bashku, pa dyshim duke gëzuar shoqërinë e këndshme me njëri-tjetrin. (2. Mbretërit 2:3-5; 4:38; krahaso 1. Samueli 10:5, 10.) Sigurisht, Moisiu, Aaroni dhe «bijtë e profetëve» nuk merrnin pjesë në shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë. Megjithatë, shoqërimi me njëri-tjetrin ishte i dobishëm për të gjithë ata. Shekuj më vonë, Jezu Krishti dërgoi «dy nga dy» në shërbim 70 dishepuj dhe padyshim, ata përfituan nga shoqërimi i siguruar.​—Luka 10:1-16; krahaso Veprat 17:10, 11; 20:20.

18. Cilit qëllim të dobishëm i shërben sot të shoqëruarit me një shok në shërbim?

18 Në vitin 1953, Dëshmitarët e Jehovait ndërmorën një program, në të cilin lajmëtarët e Mbretërisë punuan së bashku në shërbimin në fushë. Pa dyshim, kjo nuk u bë thjesht për hir të shoqërimit. Ky program ushtrimi kishte për qëllim që t’i bënte shërbëtorët e Perëndisë mësues dhe predikues më të efektshëm të lajmit të mirë. Me këtë synim në mendje, lajmëtarët më me përvojë të Mbretërisë shkonin në shërbim me më të rinjtë. Ky program ushtrimi shtëpi më shtëpi qe mjaft i dobishëm dhe e ndihmoi popullin e Jehovait të përmirësohej në shpalljen publike të emrit të tij. (1. Timoteut 4:16) Sot, një faktor tjetër që e bën të këshillueshme për të krishterët të shkojnë në shërbim «dy nga dy», është siguria veçanërisht në disa zona.

19. Çfarë duhet mbajtur në mend lidhur me synimet personale në shërbim?

19 Qoftë që punon në shërbim me një bashkëbesimtar ose vetëm, përpiqu që të arrish ndonjë synim apo objektiv personal, i cili duhet të jetë realist dhe i arritshëm. A ke nevojë për ndihmë në përshtatjen e hyrjes tënde, në mënyrë që të ngjallë interes tek njerëzit e territorit tënd? Nëse po, ndoshta mund të shoqërohesh me një pionier, një lajmëtar të Mbretërisë në kohë të plotë ose një lajmëtar që mund të jetë veçanërisht i efektshëm në përdorimin e hyrjeve të mira. Shoku yt do të jetë i gatshëm të të ndihmojë në përgatitjen dhe përdorimin e hyrjeve të paraqitura në fletushkën Shërbimi ynë i Mbretërisë. Kur ke rastin të japësh dëshmi bashkë me të nga shtëpia në shtëpi, dëgjoi me kujdes prezantimet e tij. Më pas, përpiqu të bësh vetë të njëjtin prezantim, derisa të bëhesh i aftë në këtë aspekt të shërbimit.

20, 21. Çfarë mund ta bëjë veçanërisht të dobishëm shoqërimin në shërbimin në fushë?

20 Po kur ke nevojë të ndihmohesh për të bërë rivizita të efektshme, me synimin për të filluar një studim biblik në shtëpi? Ndoshta drejtuesi i studimit të librit të kongregacionit, mund të bëjë disa rregullime që të punosh në shërbimin në fushë me një lajmëtar të Mbretërisë që është mjaft i efektshëm në fillimin e studimeve biblike. Mos qëndro i heshtur kur bën rivizita bashkë me të. Përkundrazi, pasi ai që të shoqëron tregon se si ai apo ajo i trajton çështjet gjatë një vizite, do të jetë e dobishme për ty të bësh të njëjtin prezantim gjatë rivizitës së ardhshme. Ai që të shoqëron do të të ndihmojë dhe do të të ofrojë këshilla pas rivizitës.​—Krahaso Galatasve 6:6.

21 Ky kujdes i dashur nga shoku yt gjatë shërbimit në fushë, mund të të ndihmojë të arrish synimet e tua në shërbim. Kjo ndihmë dhe çmueshmëria jote e thellë për dashamirësinë e Jehovait që na ka lejuar të kryejmë këtë vepër të privilegjuar, do të bëjë që të jesh edhe më i efektshëm në aktivitetin e predikimit të Mbretërisë. Çmo privilegjin e bekimit të Jehovait duke folur përherë mirë për të dhe duke e shpallur rregullisht në mënyrë publike emrin e tij.​—Psalmi 145:1, 2, 9-13.

22. Cilave pyetje do të na ndihmojë artikulli vijues t’u japim përgjigje?

22 Si Dëshmitarë të Jehovait, ne vizitojmë vazhdimisht persona në shërbimin shtëpi më shtëpi. Shumë prej tyre e dëgjojnë lajmin e mirë me çmueshmëri të thellë. Ndërsa, disa mund të mos kenë dëshirë ta dëgjojnë mesazhin e Mbretërisë. Çfarë duhet të bëjmë në të tilla rrethana? Si mund të ngulmojmë në veprën që Jehovai i ka caktuar popullit të tij? Cilët shembuj nga Shkrimet mund të na ndihmojnë apo të na drejtojnë? Këto pyetje do të gjejnë përgjigje në artikullin vijues.

A i ke kuptuar këto pika?

◻ Çfarë thanë Hozea dhe apostulli Pavël lidhur me flijimet ndaj Perëndisë?

◻ Çfarë e nxiti Ezekielin dhe Amosin të profetizonin?

◻ Si duhet ta konsiderojmë veprën tonë të predikimit të Mbretërisë?

◻ Çfarë dobish mund të merren nga shoqërimi në shërbimin në fushë?

[Figurat në faqen 13]

Shoqërimi me një qëllim të caktuar mund të na ndihmojë të përmirësohemi në shërbim

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo