Dëshmitarët e Jehovait nëpër botë—Nigeria
NIGERIA shtrihet në pjesën e poshtme të xhunglës perëndimore të Afrikës. E vendosur mbi gjirin e Guinesë, ndodhet pak në veri të ekuatorit dhe ka më shumë se 88 milionë banorë.a
Gjatë dy viteve të fundit të shërbimit, zyra e degës së Shoqatës Watch Tower në Nigeri, i kushtoi një vëmendje të veçantë të rinjve. Një vështrim mbi kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait tregoi se 80 për qind e atyre që filluan predikimin e lajmit të mirë në Nigeri gjatë vitit 1992 ishin të moshës 10 deri në 20 vjeç. Ndërsa, 63 për qind e atyre që u pagëzuan gjatë vitit, ishin të po asaj grup-moshe.
Të rinj që kërkojnë të jenë pionierë
Shumë të rinj po fillojnë veprën e predikimit të plot-kohor si pionierë. Një pioniere e quajtur Hana thotë: «Kur isha afër mbarimit të shkollës, vizitova ata që po ndiqnin Shkollën e Shërbimit të Pionierëve, ku takova dy motra të moshuara. Mendova me vete, ‘Nëse këto të dyja mund ta bëjnë shërbimin si pioniere, përse jo unë’?
Kështu, pasi mbarova shkollën, u bëra pioniere. Tre muaj më vonë, takova 26-vjeçaren Jozefina, një adhuruese e kultit juju. Ajo tha: ‘Ju Dëshmitarët e Jehovait jeni njerëz të këqij. Ju nuk i festoni krishtlindjet dhe nuk i përdorni hajmalitë’. Unë iu përgjigja se nëse ajo më lejonte që të studioja Biblën me të, do të mësonte se përse ne nuk i praktikonim gjëra të tilla. Më ftoi që të kthehesha. Shpejt filloi që të ndiqte mbledhjet dhe bëri shumë ndryshime në jetën e saj. Në dhjetor të vitit 1990 u pagëzua. Që nga gushti i vitit 1991, Jozefina ka qenë një pioniere. Kur ndoqi Shkollën e Shërbimit të Pionierëve vitin e fundit, më prezantoi tek shokët e saj të klasës si nënën e saj frymore!»
Videoja dhe Salla e Mbretërisë
Një nga regjistrimet e videos së Shoqatës e ndihmoi një kongregacion të vogël të siguronte tokën për Sallën e Mbretërisë. Duke kërkuar për të blerë tokën, katër vëllezër takuan Onoijen, kryetarin tradicional të zonës. Ai u ofroi atyre një copë truall për 20.000 naira (1,025$). Kongregacioni nuk mund ta paguante këtë shumë, pasi ishin vetëm 17 lajmëtarë që mund të financonin për projektin. Onojie tha se do të mendonte për një truall tjetër.
Disa muaj më vonë, një nga pleqtë e kongregacionit vizitoi Onojien në banesën e tij. Kryetari po shihte në video regjistrimin e ceremonisë së kurorëzimit të tij. Vëllai i tha: «Unë kam një video dhe do të doja që ta shihje edhe ti. Titullohet: Dëshmitarët e Jehovait—Organizata pas Emrit.»
Më vonë, plaku i kongregacionit e pyeti Onojien se çfarë mendonte mbi videon. «E pashë filmin pesë herë»,—tha ai. Vëllai i kujtoi Onojies Sallat e Mbretërisë që kishte parë në video dhe i shpjegoi se kongregacioni lokal donte të ndërtonte diçka të tillë. Pastaj, ai e pyeti nëse kongregacioni mund të blinte pak tokë, përbri një trualli të vogël që ai tanimë zotëronte. Onojie u përgjigj: «Natën e fundit pasi pashë videon, mendova të njëjtën gjë.» Pastaj ai mati 6 metra tokë pranë asaj që kongregacioni kishte. «Mund të merrni këtë,—tha ai.—Për së gjati mund të merrni aq sa ju nevojitet. Përgatitni dokumentat dhe unë do t’jua firmos.»
[Shënimi]
a Për informacion të mëtejshëm, shiko Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 1994.
[Kutia në faqen 9]
STATISTIKA E VENDIT
Viti i shërbimit 1993
NUMRI MAKSIMAL I LAJMËTARËVE: 174.582
RAPORTI: 1 Dëshmitar në 507 banorë
PJESËMARRJA NË PËRKUJTIM: 473.245
MESATARJA E PIONIERËVE: 19.777
MESATARJA E STUDIMEVE BIBLIKE: 242.028
NUMRI I TË PAGËZUARVE: 8.888
NUMRI I KONGREGACIONEVE: 3.289
ZYRA E DEGËS: BENIN CITY, SHTETI EDO