Kongresi krahinor «Frikë Perëndie»!
Kongreset krahinore «Frikë Perëndie», të organizuara nga Dëshmitarët e Jehovait më 1994-ën, tashmë kanë mbaruar. Sigurisht që ke nxjerrë dobi nga pjesëmarrja në të trija ditët e kongresit! Me aq shumë kongrese që u organizuan kudo, ka mundësi që një prej tyre të jetë mbajtur pranë zonës ku banon ti.
Ndonjë lloj frike mund të minojë guximin dhe të shkatërrojë shpresat; megjithatë, fjalimi kyç i së premtes përcaktoi frikën ndaj Perëndisë dhe përshkroi dobitë e saj të shumta. Në fakt, i gjithë programi i kongresit nxori në pah këto dobi.
Të premten pasdite dëgjuam se si mund ta forcojë frika ndaj Perëndisë martesën dhe jetën familjare, si edhe se si mund t’i ndihmojë ajo të rinjtë për të qëndruar të patundur në besnikërinë e tyre ndaj Perëndisë. Sesioni i pasdites përfundoi me prezantimin e ngrohtë «Ngushëllim për të pikëlluarit». Ti i ke vlerësuar informatat praktike që u dhanë gjatë atij fjalimi për ata që kanë humbur ndonjë njeri të dashur.
Programi i së shtunës tregoi se si mund ta përforcojë frika ndaj Perëndisë besnikërinë tonë ndaj udhëheqjes së Jehovait në kongregacion dhe në shërbimin tonë. Në fjalimin «Lexoni çdo ditë Biblën e shenjtë, Fjalën e Perëndisë», delegatët morën sugjerime praktike për leximin dhe studimin e Biblës. Programi i së shtunës përfundoi me fjalimin me temën interesante «Dita e frikshme e Jehovait është afër».
Një aspekt i programit të së dielës ishte fjalimi «Do të ketë një ringjallje të të drejtëve». Në fjalimin që vijoi «Të shpëtuar gjatë mjerimit të madh», u dha një shpjegim mbi premtimin e mrekullueshëm të Jezuit në lidhje me ata që nuk do të vdesin kurrë.—Gjoni 11:26.
Sesioni i së dielës paradite përfundoi me dramën nxitëse 40-minutëshe, të titulluar Zgjedhjet që duhet të bësh. Auditori u kthye prapa në ditët e Josiut dhe pa të përshkruar vendimin e tij të patundur për t’i shërbyer Jehovait. U prezantua gjithashtu edhe prova e zjarrit në ditët e Elisë dhe nga të dyja ngjarjet u nxorën mësime që mund t’i ndihmojnë delegatët për të treguar sot frikë ndaj Perëndisë. Pasdite, fjalimi publik «Përse t’i frikësohemi tani Perëndisë së vërtetë», ishte një pikë kulminante e kongresit.
Për të ditur se ku do të mbahet kongresi i ardhshëm më pranë zonës tënde, vihu në kontakt me Sallën lokale të Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait ose shkruaju botuesve të kësaj reviste. Në këtë mënyrë mund të bësh planet për të qenë i pranishëm në kongreset e ardhshme.
[Burimi i figurës në faqen 32]
T. Rosenthal/SUPERSTOCK