Asamble të mbajtura nga ata që i frikësohen Perëndisë
«NJERËZ të çdo vendi e dëshirojnë me gjithë shpirt çlirimin nga frika—frika e dhunës, e papunësisë dhe nga sëmundjet serioze. Edhe ne e kemi këtë dëshirë të zjarrtë . . . Përse atëherë po flasim se si të kultivojmë frikë?» Kjo pyetje interesante u ngrit nga folësi që bëri fjalimin kyç në Kongreset Krahinore «Frikë Perëndie» që filluan në qershor 1994.
Miliona persona që morën pjesë—në fillim në Amerikën e Veriut, pastaj në Evropë, në Amerikën Qendrore dhe Jugore, Afrikë, Azi dhe në ishuj—mezi prisnin të kultivonin një frikë të tillë. Përse? Sepse për të marrë bekimet që Perëndia Jehova ruan për popullin e tij, duhet të kemi frikë hyjnore. Dhe ishte pikërisht mësimi i kësaj frike perëndie që i mblodhi kongresistët së bashku gjatë programit treditor, ku ata mësuan shumë rreth kësaj cilësie thelbësore të krishterë.
‘Frikësoju Perëndisë dhe mbaji urdhërimet e tij’
Kjo ishte tema e ditës së parë të kongresit, bazuar në Eklisiastiun [Predikuesi] 12:13. Ç’do të thotë t’i frikësohesh Perëndisë? Pikërisht në pjesën e parë, drejtuesi i programit shpjegoi se frika ndaj Perëndisë tregon nderim dhe respekt të thellë për Jehovain si edhe një frikë të shëndetshme për të mos e mërzitur atë. Frika ndaj Perëndisë nuk është një frikë e sëmurë; ajo është e shëndetshme dhe e drejtë.
Çfarë dobish sjell kjo frikë e shëndetshme? Fjalimi që pasoi, «Mos u lodh dhe mos u dorëzo», shpjegoi se frika ndaj Perëndisë do të na nxisë që t’u përmbahemi urdhrave të Perëndisë me gëzim. Bashkë me dashurinë për Perëndinë dhe për të afërmin, një frikë e tillë do të na shtojë energjitë frymore. Po, frika ndaj Perëndisë, mund të na ndihmojë të shmangim ngadalësimin në garën e jetës së përhershme.
Pjesa tjetër e programit, përmbante intervista që paraqisnin dëshmi të gjalla se frika ndaj Perëndisë mund të na mbështesë. Këta të intervistuar, treguan se si një frikë plot nderim ndaj Perëndisë, i kishte nxitur ata të vazhdonin në shërbim pavarësisht nga apatia, indiferenca, apo persekutimet e të tjerëve dhe i kishte ndihmuar që të duronin edhe përballë provave të vështira personale.
Por pse disa kanë frikë ndaj Perëndisë e disa të tjerë jo? Në fjalimin kyç, «Të kultivojmë frikë Perëndie dhe të nxjerrim dobi prej saj», oratori shpjegoi se tek Jeremia 32:37-39, Jehovai premtoi se do t’i jepte popullit të tij një zemër të frikësuar ndaj Perëndisë. Jehovai rrënjos frikë Perëndie në zemrat tona. Si? Nëpërmjet frymës së tij të shenjtë dhe Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës. Por, është e qartë që ne duhet të bëjmë përpjekje të sinqerta për të studiuar Fjalën e Perëndisë dhe për të shfrytëzuar plotësisht masat frymore që ai ka marrë. Midis këtyre janë kongreset dhe mbledhjet e kongregacionit, të cilat na ndihmojnë që të mësojmë t’i frikësohemi atij.
Programi i pasdites u hap me nxitjen për të besuar tek Jehovai dhe Fjala e tij. Pasoi një diskutim që trajtonte mënyrat kryesore në të cilat Mbretëria e Perëndisë duhet të ndikojë në jetën tonë si të krishterë.
Pastaj u zhvillua një nga tre simpoziumet e paraqitura në kongres. Tema e këtij simpoziumi «Frika ndaj Perëndisë na nxit t’u bindemi kërkesave hyjnore», e përqendronte vëmendjen tek familja. Ja disa nga këshillat biblike dhe praktike që u ofruan.
□ Për burrat: Frika ndaj Perëndisë, duhet ta nxisë një burrë që ta dojë gruan e vet si trupin e tij. (Efesianëve 5:28, 29) Një burrë, nuk e dëmton qëllimisht trupin e tij, nuk e poshtëron veten përpara shokëve, apo nuk përgojon të metat e tij. Kështu, pra, duhet ta trajtojë edhe gruan e tij, me dinjitetin dhe respektin që i përshtatet vetes.
□ Për gratë: Frika ndaj Perëndisë e nxiste Jezuin që të bënte ‘vazhdimisht gjërat që i pëlqenin Atij.’ (Gjoni 8:29) Gratë duhet ta imitojnë këtë frymë të mirë në marrëdhëniet me burrat e tyre.
□ Për prindërit: Prindërit e krishterë mund të tregojnë frikë Perëndie duke e marrë seriozisht përgjegjësinë si prindër dhe duke i konsideruar fëmijët e tyre si një trashëgim nga Jehovai. (Psalmi 127:3) Qëllimi kryesor i prindërve duhet të jetë që t’i rrisin fëmijët e tyre në atë mënyrë që të bëhen të krishterë të sinqertë.
□ Për fëmijët: Jehovai i mëson fëmijët që t’u binden «prindërve të tyre në bashkësi me Zotërinë». (Efesianëve 6:1, BR) Prandaj, t’u bindesh prindërve, është njësoj sikur t’i bindesh Perëndisë.
Fjalimi përmbyllës i ditës preku një çështje të dhimbshme, sepse foli për ndjenjat e thella që të gjithë ne provojmë kur na vdes një njeri i dashur. Megjithatë, rreth gjysmës së fjalimit ishte një surprizë. Oratori e gëzoi auditorin duke i njoftuar botimin e broshurës së re të titulluar Kur të vdes një njeri i dashur. Ky botim me ngjyra me 32 faqe, përmban shumë informacione që mund të ndihmojnë ata që janë të hidhëruar, për të kuptuar dhe përballuar ndjenjat dhe emocionet që shfaqen pas vdekjes së një njeriu të dashur. A të ka ndodhur ndonjëherë që të mos dish se çfarë t’i thuash dikujt që ka humbur një person të dashur? Një pjesë e kësaj broshure flet se si mund t’i ndihmojmë ata që janë të hidhëruar. Ndërsa dëgjonin oratorin, shumë nga të pranishmit po mendonin për dikë që mund të nxirrte dobi nga kjo broshurë e re.
‘Bëni shërbim të shenjtë me frikë hyjnore dhe respekt’
Kjo ishte tema e ditës së dytë, bazuar në Hebrenjve 12:28. Gjatë programit të mëngjesit u zhvillua simpoziumi i dytë me temë «Kongregacione që ecin në frikën e Jehovait». Pjesa e parë, kishte të bënte me pjesëmarrjen në mbledhje. Me praninë tonë në mbledhje, demonstrojmë se respektojmë Jehovain dhe masat e tij frymore. Duke marrë pjesë në mbledhje, tregojmë se i frikësohemi emrit të Perëndisë dhe se mezi presim të veprojmë në përputhje me vullnetin e tij. (Hebrenjve 10:24, 25) Oratori i dytë shpjegoi se pasi gjithë kongregacioni duhet të ecë si i tërë në frikën ndaj Jehovait, çdo individ duhet të bëjë pjesën e tij duke mbajtur një sjellje të mirë. Oratori i fundit foli rreth një privilegji dhe një detyre që kanë të gjithë të krishterët—të shpallin pa pushim lajmin e mirë. Deri kur do të vazhdojmë të predikojmë? Derisa Jehovai të thotë: mjaft.—Isaia 6:11.
«Gëzimi i Jehovait është fortesa juaj», ishte tema e fjalimit tjetër, që trajtohet edhe nga artikujt e studimit të kësaj reviste. (Nehemia 8:10) Përse populli i Jehovait është i lumtur? Oratori nënvizoi një sërë arsyesh. Njëra, shumë e rëndësishme, është se marrëdhënia e ngushtë me Perëndinë na bën popullin më të lumtur në tokë. Mendoni, u kujtoi oratori kongresistëve, ne kemi privilegjin të jemi midis atyre njerëzve që Jehovai i ka tërhequr tek Jezu Krishti. (Gjoni 6:44) Sa arsye e fuqishme për t’u gëzuar!
Një moment i rëndësishëm i çdo kongresi është pagëzimi dhe kongreset «Frikë Perëndie» nuk bënë përjashtim. Në fjalimin «Dedikim dhe pagëzim në frikën e Jehovait», oratori shpjegoi se të gjithë të pagëzuarit kanë katër detyrime: (1) Të studiojmë Fjalën e Perëndisë bashkë me botimet që ndihmojnë për ta kuptuar dhe për ta vënë atë në praktikë; (2) Të lutemi; (3) të shoqërohemi me bashkëbesimtarët në mbledhjet e krishtere; dhe (4) të japim dëshmi për emrin e Jehovait dhe për Mbretërinë.
Programi i pasdites së të shtunës filloi me subjektin inkurajues «Një popull që Jehovai nuk e braktis». Tridhjetë e pesë shekuj më parë, kur kombi i Izraelit përballonte kohë të vështira, Jehovai dha një garanci përmes Moisiut duke thënë: «Jehovai, Perëndia yt . . . nuk do të të braktisë as nuk do të të lërë tërësisht.» (Ligji i përtërirë 31:6, BR) Jehovai e mbajti këtë premtim, duke i mbrojtur izraelitët kur hynë në Tokën e Premtuar dhe duke u dhënë zotërimet e saj. Sot, përballë provave të vështira, edhe ne mund të kemi besim të plotë se Jehovai nuk do të na braktisë, mjaft që të qëndrojmë afër me të dhe t’i kushtojmë vëmendje këshillave të Fjalës së tij.
Si mund të gjesh kënaqësi në leximin e Biblës? Në fjalimin «Lexoni çdo ditë Biblën e shenjtë, Fjalën e Perëndisë», oratori sugjeroi që të lexohet me një mendje zhbiruese dhe të bëhen pyetje si këto: Çfarë më mëson ky tregim rreth cilësive dhe rrugëve të Jehovait? Si mund t’i ngjaj më tepër Jehovait në këto aspekte? Leximi i Biblës në këtë mënyrë, sjell gëzim dhe kënaqësi.
Pastaj, vëmendja u përqendrua në simpoziumin e tretë të programit me temën «Përgatitjet për të ndihmuar ata që i frikësohen Jehovait». Edhe pse Jehovai nuk kryen sot mrekullira në favor të shërbëtorëve të tij, ai sigurisht u vjen në ndihmë atyre që i frikësohen atij. (2. Pjetrit 2:9) Ky simpozium, mori në shqyrtim katër masat që ka marrë Jehovai për të na ndihmuar në këto kohë kritike: (1) Nëpërmjet frymës së tij, Jehovai na jep fuqi për të kryer vepra të cilat janë përtej fuqive tona. (2) Nëpërmjet Fjalës së tij, na jep këshilla dhe udhëheqje. (3) Nëpërmjet shpërblimit, na lejon që të kemi një ndërgjegje të pastër. (4) Nëpërmjet organizatës së tij, që përfshin pleqtë, ai na siguron drejtim dhe mbrojtje. (Luka 11:13; Efesianëve 1:7; 2. Timoteut 3:16; Hebrenjve 13:17) Duke bërë një shfrytëzim të plotë të këtyre masave, do të jemi në gjendje të durojmë dhe kështu të fitojmë miratimin e Jehovait.
Fjalimi i fundit i pasdites së të shtunës titullohej «Dita e frikshme e Jehovait është afër» dhe bazohej në profecinë e Malakisë. Ka patur ditë të tmerrshme në historinë e shkuar, si kryerja e gjykimit mbi Jeruzalemin në vitin 70 e.s. Por dita më e tmerrshme në të gjithë historinë njerëzore do të jetë ardhja e ditës së Jehovait, kur ‘hakmarrja do të vijë mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe që nuk i binden lajmit të mirë rreth Zotërisë sonë Jezu Krishtit’. (2. Selanikasve 1:6-8, BR) Kur do të vijë? Oratori deklaroi: «Fundi është afër! Jehovai e di ditën dhe orën. Ai nuk do ta ndryshojë kohën e tij të caktuar. Jemi ftuar të ngulmojmë me durim.»
Ishte vështirë të besohej që tashmë kishin kaluar dy ditë. Çfarë do të sillte dita e tretë?
«Frikësoju Perëndisë dhe jepi atij lavdi»
Tema e ditës së tretë bazohej në Zbulesën 14:7. Gjatë programit të mëngjesit, një seri fjalimesh i dhanë theks mësimeve doktrinale që i ndajnë Dëshmitarët e Jehovait nga të gjitha organizatat e tjera fetare.
Në fjalimin «Do të ketë një ringjallje të të drejtëve», oratori ngriti një pyetje interesante: «Gjatë asaj dite mijëvjeçare të gjykimit, kur do të ringjallen ata që kanë vdekur besnikë në këto vite të fundit të sistemit të gjërave të Satanait?» Përgjigja? «Bibla nuk e thotë,—shpjegoi oratori.—Megjithatë, a nuk është llogjike që ata që kanë vdekur në ditët tona të ringjallen shpejt, në mënyrë që të marrin pjesë bashkë me shumicën e madhe të të mbijetuarve në Harmagedon në veprën e madhe të edukimit që do të ndodhë gjatë Ditës së Gjyqit? Po, vërtet!» A do të ketë të mbijetuar? Sigurisht që po. Mësimet dhe shembujt biblikë që na sigurojnë për këtë, u shpjeguan qartë në fjalimin tjetër me temën, «Të shpëtuar gjatë mjerimit të madh».
Dëshmitarët e Jehovait, kanë shumë kohë që e kanë kuptuar se Bibla ofron dy mundësi—jetë të përjetshme në një tokë parajsore për miliona persona të panumërt dhe jetë të pavdekshme qiellore për një numër të kufizuar personash që do të mbretërojnë me Krishtin në Mbretërinë e tij. Shpresa qiellore u konsiderua në fjalimin «Mos ki frikë, o tufë e vogël». (Luka 12:32) Duke marrë parasysh situatën e sotme botërore, tufa e vogël nuk duhet të ketë frikë; çdonjëri prej tyre duhet të durojë deri në fund. (Luka 21:19) «Fakti që nuk kanë frikë,—tha oratori,—është inkurajues për ata të shumicës së madhe. Edhe ata duhet të kultivojnë një qëndrim të tillë, ndërsa parandjejnë çlirimin gjatë periudhës së shqetësimit më të madh që ka njohur toka ndonjëherë.
Në përfundim të programit të mëngjesit, auditorit iu paraqit drama Zgjedhjet që duhet të bësh. Në ditët e Jozeut si dhe të profetit Elija, izraelitët ishin në një udhëkryq. Duhej bërë një zgjedhje. Elija tha: «Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti [Jehovai BR] është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë.» (1. Mbretërve 18:21) Edhe sot njerëzimi është në një udhëkryq. Kjo nuk është koha për t’u lëkundur midis dy mendimeve të ndryshme. Cila është zgjedhja e drejtë? Po ajo që bëri Jozeu i lashtësisë. Ai tha: «Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit [Jehovait, BR].»—Josiu 24:15.
Si pa e kuptuar kishte ardhur pasditja e së dielës dhe momenti i fjalimit publik të titulluar «Përse t’i frikësohemi tani Perëndisë së vërtetë». Në Zbulesën 14:6, 7 (BR), të gjithë njerëzimit i drejtohet thirrja: «Frikësojuni Perëndisë dhe i jepni atij lavdi.» Përse është urgjente t’i frikësohemi tani Perëndisë? Sepse, siç vazhdon shkrimi, «ora e gjyqit të tij ka ardhur». Nëpërmjet Birit të tij që tani mbretëron si Mbret i Mbretërisë së tij qiellore, Jehovai do të sjellë përfundimin e sistemit të tanishëm të gjërave të papastra dhe rebele. Oratori shpjegoi se kjo është e vetmja mënyrë për t’u sjellë çlirim atyre që i frikësohen Perëndisë si edhe për të shpëtuar dhe ruajtur shtëpinë tonë tokësore. Pasi këto janë ditët e fundit të këtij sistemi gjërash, është urgjente që t’i frikësohemi tani Perëndisë së vërtetë!
Pas përmbledhjes së materialit të Kullës së Rojës për atë javë, e mori fjalën oratori i fundit. Falë programit të kongresit, shpjegoi ai, frika ndaj Perëndisë mori një kuptim të madh për kongresistët. Gjithashtu, ai vuri në dukje dobitë e shumta që kanë ata që i frikësohen Perëndisë. Oratori shpalli botimin e një videoje të re, të titulluar Të bashkuar nga mësimi hyjnor. Ajo nxjerr në pah aspektet e veçanta të kongreseve ndërkombëtare «Mësimi hyjnor» të mbajtura në vitet 1993-94. Ndërsa fjalimi po mbaronte, shumë pyesnin veten: ‘Çfarë do të kemi vitin tjetër?’ Kongrese krahinore prej tri ditësh në shumë vende.
Në përfundim, oratori iu referua Malakisë 3:16, që thotë: «Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri-tjetrit. Zoti i dëgjoi me vëmendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti [Jehovai, BR] dhe që e nderojnë emrin e tij.» Kongresistët u larguan me një vendosmëri të palëkundur për të menduar për emrin e Jehovait dhe për t’i shërbyer atij me frikë Perëndie.
[Figura në faqen 24]
Kandidatët për pagëzim duhet të vazhdojnë të manifestojnë frikë Perëndie
[Figura në faqen 25]
Drama «Zgjedhjet që duhet të bësh» u theksoi dëgjuesve, nevojën për të qenë të vendosur në shërbim të Jehovait
[Figura në faqen 26]
Kongresistët patën kënaqësinë të merrnin broshurën e re «Kur të vdes një njeri i dashur»