Bibla gotike: Një arritje e çmuar
GOTËT ishin një konfederatë fisesh gjermane, që me sa duket e kishin origjinën në Skandinavi. Në shekujt e parë të erës sonë ata emigruan në jug të Detit të Zi dhe të Danubit, deri në pikat e përparuara të Perandorisë romake.
Vepra e parë letrare e prodhuar në një nga gjuhët gjermane ishte Bibla gotike. Sot, prej atij përkthimi ekzistojnë vetëm disa fragmente. Megjithatë, ajo mbetet një version unik dhe i vlerësuar i Shkrimeve të Shenjta. Përse?
Ulfilasi: misionar dhe përkthyes i Biblës
Përkthyesi i kësaj Bible ishte Ulfilasi, ose i njohur ndryshe me emrin e tij gotik, Wulfila. Sipas historianit Filostorgius, Ulfilas e kishte prejardhjen nga robër të marrë gjatë një bastisjeje gote në Kapadoki, që tani është pjesë e Turqisë lindore. I lindur rreth vitit 311 të e.s., ai u dorëzua si prift 30 vjet më vonë nga Eusebiusi i Nikomedisë dhe u stërvit për të punuar si misionar midis gotëve.
«Për të mësuar dhe për të shtuar të kthyerit në fe,—thotë historiani Uill Durant,—ai përktheu me durim, nga greqishtja në gotishte, të gjithë Biblën, përveç Librave të Mbretërve.» (The Age of Faith) Sot, përveç një fragmenti të librit të Nehemisë, të vetmet dorëshkrime të tjera që ekzistojnë nga Bibla gotike janë disa pjesë të Shkrimeve të Krishtere Greke.
Gotishtja nuk ishte një gjuhë e shkruar. Prandaj, Ulfilasi u ndesh me një sfidë në përkthim, e cila kërkonte një zotësi krijuese të jashtëzakonshme. Disa historianë klerikë të lashtësisë ia japin atij meritën për shpikjen e alfabetit gotik me 27 shkronja, që bazohet kryesisht në alfabetin grek dhe në atë latin. Për më tepër, The New Encyclopœdia Britannica vëren se «ai shpiku një terminologji gjermane të krishterë, disa pjesë të së cilës janë ende në përdorim».
Historia e lashtë e Biblës gotike
Ulfilasi e mbaroi përkthimin e tij para vitit 381 të e.s. dhe vdiq dy apo tre vjet më vonë. Popullariteti i veprës së tij dëshmohet nga The Encyclopedia Americana, e cila thotë se «përkthimi përdorej kryesisht nga gotët që emigruan në Spanjë dhe në Itali». Në fakt, po të gjykosh nga numri i fragmenteve që kanë mbijetuar, duket se janë bërë shumë kopje të Biblës gotike. Në mënyrë të ngjashme, disa dorëshkrime u prodhuan prej shtypshkronjave të Ravenës dhe të Veronës, zona në të cilat gotët kishin vendosur mbretërinë e tyre. Këto shtypshkronja ishin dhoma nëpër manastire, ku dorëshkrimet shkruheshin dhe kopjoheshin.
Gotët morën fund si komb rreth vitit 555 të e.s., pasi perandori bizantin Justiniani I pushtoi Italinë. Tönnes Kleberg thotë se pas vdekjes së tyre «gjuha dhe traditat gotike në Itali u zhdukën, duke lënë vetëm një gjurmë të zbehtë. Dorëshkrimet në gotishte nuk kishin më asnjë interes. . . . Në një masë të madhe ato u morën dhe u fshinë për t’u hequr shkrimin. Pergamenat e kushtueshme u përdorën pastaj për të shkruar përmbajtje të reja».
Dorëshkrime që mbijetuan
Në disa nga këto dorëshkrime fshirja nuk ishte bërë në mënyrë të përsosur dhe shkrimi origjinal dukej ende dobët. Disa nga këta të ashtuquajtur “palimpsestus” (fletë apo pergamena që përveç shkrimit origjinal kanë edhe një apo dy shkrime të tjera të fshira) janë gjetur dhe janë deshifruar. Çuditërisht, kodeksi i famshëm Argenteus, që përmban sipas radhës të katër ungjijtë, Mateun, Gjonin, Lukën dhe Markun, është ruajtur i padëmtuar.
Mendohet se ky kodeks i shkëlqyer e ka origjinën në shtypshkronjën e Ravenës, në fillimet e shekullit të gjashtë. Quhet Codex Argenteus, që do të thotë «Libër argjendi», sepse është shkruar me bojë të argjendtë. Faqet e tij prej pergamene janë të ngjyera me të purpurt, gjë që tregon se ka mundësi të jetë autorizuar për personazhe mbretërore. Shkronjat e arta stolisin tre rreshtat e parë të çdo ungjilli, si edhe fillimet e çdo pjese të ndryshme. Po kështu edhe emrat e shkrimtarëve të ungjijve shfaqen prej ari në majë të të katër “qemerëve” paralelë, që gjenden në fund të çdo kolone të dorëshkrimit. Kjo jep referime për pjesët paralele nëpër ungjijtë.
Restaurimi i tekstit të Biblës gotike
Pas shpërbërjes së kombit gotik, vlera e kodeksit Argenteus u venit. Ai nuk u pa më, derisa doli përsëri në dritë në gjysmën e shekullit të 16-të, në manastirin e Verdenit, pranë Kolonjës, Gjermani.
Në vitin 1569 u botua versioni gotik i Lutjes së Zotërisë, duke tërhequr kështu vëmendjen mbi Biblën nga e cila ishte marrë. Emri Codex Argenteus u shfaq në shtyp për herë të parë në 1597-ën. Nga Verdeni, ky dorëshkrim u bë pjesë e koleksionit perandorak të artit në Pragë. Megjithatë, në fund të Luftës Tridhjetë Vjeçare, në 1648-ën, suedezët fitimtarë e morën atë bashkë me thesaret e tjera. Qysh prej 1669-ës, ky kodeks ka pasur një vend të paluajtshëm në librarinë e universitetit të Upsalës, Suedi.
Kodeksi Argenteus fillimisht përbëhej nga 336 faqe, 187 prej të cilave ndodhen në Upsala. Një faqe tjetër, e fundit e ungjillit të Markut, u zbulua në 1970-ën në Speyer të Gjermanisë.
Që prej çastit të rishfaqjes së kodeksit, dijetarët filluan studimin e dorëshkrimit për të shkoklavitur domethënien e gjuhës së vdekur gotike. Duke përdorur të gjitha dorëshkrimet e disponueshme dhe orvatjet e mëparshme në restaurimin e tekstit, dijetari gjerman Vilhelm Shtraitberg, mblodhi së bashku dhe botoi në 1908-ën «Die gotische Bibel» (Bibla gotike), me tekstin grek dhe gotik në faqet përballë.
Sot, kjo Bibël gotike përbën interes kryesisht për dijetarët. Megjithatë, fakti që ajo është prodhuar dhe mbajtur gjallë në ditët e hershme të përkthimit të Biblës, dëshmon dëshirën dhe vendosmërinë e Ulfilasit për ta pasur Fjalën e Perëndisë të përkthyer në një gjuhë që atëherë ishte moderne. Me të drejtë ai e kuptoi se vetëm në këtë mënyrë gotët mund të shpresonin për të marrë vesh të vërtetën e krishterë.
[Burimi i figurës në faqen 9]
Me mirësjellje nga libraria e universitetit të Upsalës, Suedi