Ku mund të gjesh një udhëheqje të besueshme?
«O ZOT, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij. Më korrigjo o Zot.»—Jeremia 10:23, 24.
Shkrimtari i Biblës, Jeremia, i shkroi këto fjalë 25 shekuj më parë. Kushtet e mjerueshme të njerëzimit pas mijëra vjetësh të udhëheqjes njerëzore, provojnë vërtetësinë e pakundërshtueshme të kësaj deklarate. Por ju mund të pyesni: ‘Ku mund të gjendet një udhëheqje e besueshme?’
Shkrimi i përmendur më lart tregon një burim udhëheqjeje dhe drejtimi të besueshëm shumë më superior se njeriu—Krijuesin e njeriut, Perëndinë Jehova. Sigurisht që askush nuk e di më mirë se Krijuesi përbërjen e njeriut dhe nevojat e tij. Por, a është i interesuar Perëndia të na e sigurojë këtë udhëheqje? Si do ta bëjë ai këtë? A është praktike për ditët tona?
Të krijuar për të pranuar udhëheqjen hyjnore
Është e njohur që ndryshimi kryesor midis njeriut dhe kafshës është në strukturë, kapacitet dhe në funksionet e trurit njerëzor. Tek kafshët, pothuajse të gjitha funksionet cerebrale janë të programuara në atë që quhet zgjuarsi instinktive. Kjo nuk ndodh tek njerëzit.—Proverbat 30:24-28.
Ndryshe nga truri i kafshëve, një pjesë e madhe e trurit njerëzor nuk është e programuar. Perëndia i pajisi njerëzit me aftësinë e vullnetit të lirë, duke u dhënë kështu mundësinë që ata vetë të merrnin vendime inteligjente dhe të shfaqnin cilësi të tilla superiore si dashuria, bujaria, vetëmohimi, drejtësia dhe zgjuarsia.
A është logjike të mendosh që Perëndia do ta krijonte njeriun me kapacitet të tillë mendor pa i siguruar një udhëheqje për ta përdorur atë në një mënyrë sa më të mirë? Perëndia u dha një udhëheqje direkte njerëzve të parë. (Zanafilla 2:15-17, 19; 3:8, 9) Madje edhe kur njeriu ra në mëkat, Jehovai vazhdoi të udhëhiqte burrat dhe gratë besnike kryesisht nëpërmjet Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës. (Psalmi 119:105) Kjo u ka mundësuar njerëzve që të përballojnë me sukses problemet ditore të jetës dhe ta përdorin lirinë e tyre me zgjuarsi.
Autori i Biblës është Perëndia
Çfarë e bën Biblën një burim udhëheqjeje të besueshme? Mbi të gjitha, ajo që informacionet e saj vetëm Krijuesi mund t’i sigurojë. Ajo përshkruan historinë e ngjarjeve që kanë ndodhur shumë kohë përpara fillimit të jetës njerëzore. Për shembull, përshkruan historinë se si u krijua toka në faza të njëpasnjëshme deri në atë kohë që u bë e aftë të mbajë jetën njerëzore. (Zanafilla, kapitujt 1, 2) Megjithëse kjo është shkruar në Bibël më tepër se 3.000 vjet përpara, këto informacione janë në harmoni me konceptet moderne shkencore.
Shumë më përpara se njerëzimi në përgjithësi të njihte se toka është e rrumbullakët, Bibla deklaron: «Ai [Perëndia] shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin.» (Jobi 26:7) Për më tepër, Bibla zbulon se «Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca». (Isaia 40:22) Vetëm Perëndia, Krijuesi, mund të na pajisë me informacione të këtij lloji.
Aftësia për të parashikuar atë që do të vijë nuk është një dhuratë që i është dhënë njeriut. Përkundrazi, Krijuesi e parathotë të ardhmen përmes faqeve të Biblës. Perëndia e frymëzoi profetin Isaia të shkruante për të: «Unë jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë.»—Isaia 46:9, 10.
Bibla ka treguar se mund të parashikojë fundin nga fillimi me një saktësi që të çudit. Për shembull, ajo parashikon ngritjen, uljen dhe karakteristikat e fuqive kryesore botërore gjatë mijëra vjetëve të historisë njerëzore. Këto profeci të çuditshme ishin shkruar shekuj para plotësimit të tyre, në disa raste mijëra vjet më parë. Kështu Bibla saktësisht parashikon ngjarjet e ditëve moderne dhe rezultatin e tyre përfundimtar. Bibla është unike, sepse gjithashtu tregon rrugën për të mbijetuar gjatë shkatërrimit të qeverive të papërsosura njerëzore në Harmagedon, «lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». Ky akt i madh do të kryhet nga Mbretëria e Perëndisë, e cila është në duart e Birit të tij Jezu Krisht.—Zbulesa 16:14, 16; 17:9-18; Danieli, kapitujt 2, 8.
Gjithmonë e dobishme—Asnjëherë e dëmshme
Është e dukshme që dituria njerëzore është e papërsosur, kështu këshilla njerëzore nuk është gjithmonë e dobishme, edhe pse mund të jepet me qëllime të mira. Nuk ndodh e njëjta gjë me këshillat e Biblës. Vetë Perëndia thotë: «Unë jam Jehovai . . . që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh. Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të bëhej si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.»—Isaia 48:17, 18, BR.
Udhëheqja hyjnore na ndihmon t’u japim përparësi dhe të mbështetim ato që kanë më shumë vlerë në jetë. Ndërsa shoqëria moderne u jep rëndësi sukseseve dhe objektivave të karakterit material, Bibla thekson se sa e rëndësishme është për ne që «t’i drejtojmë sytë jo ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme». (2. Korintasve 4:18) Në këtë mënyrë ne jemi të inkurajuar t’i vemë vetes synimet më të mira në jetë, ato synime frymore që kanë të bëjnë me kryerjen e vullnetit të Perëndisë, me synimin përfundimtar të jetës së përhershme në një sistem të ri e të drejtë.
Kur një i krishterë përpiqet për të arritur këto qëllime të larta, këshilla e Biblës e ndihmon atë të jetojë në mënyrën më të mirë të mundshme në këtë sistem të lig gjërash. Mençuria moderne njerëzore kërkon të inkurajojë filozofinë, puno pak dhe kërko shumë. Përkundrazi Bibla na tregon se «kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh». Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve hebrej: «Ne besojmë se kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në çdo gjë.»—Proverbat 10:4; Hebrenjve 13:18.
Bibla gjithashtu na jep këshilla praktike për familjen. Përcakton në mënyrë specifike rolin që burri dhe gruaja duhet të kenë në organizimin e martesës dhe tregon rrugën e drejtë që duhet të ndjekin, për të rritur dhe edukuar fëmijët. Ajo thotë: «Burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre . . . Nga ana tjetër, gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj. Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj . . . Ju baballarë, mos i ngacmoni bijtë tuaj, por vazhdoni t’i rritni me disiplinën dhe rregullimin mendor të Jehovait.» Ndjekja e këshillave superiore të Krijuesit, do të kontribuojë shumë në stabilizimin dhe lumturinë e familjes.—Efesianëve 5:21—6:4, BR.
Një e ardhme e sigurt për ata që ndjekin udhëheqjen e Perëndisë
Fjala e shkruar e Perëndisë, nxjerr në dukje zgjidhjen që ka Perëndia për të gjitha problemet e njerëzimit. Shumë shpejt, Jehovai do të eliminojë sistemin e tanishëm të gjërave, me të gjitha dhimbjet, padrejtësitë, vuajtjet e tij dhe do ta zëvendësojë atë me një sistem të ri të drejtë. Bibla e përshkruan këtë tek 2. Pjetrit 3:7-10, duke shtuar në vargun 13: «Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia.» Kjo përbën lajmin më të mirë që mund t’i jepet familjes njerëzore. Është pikërisht mesazhi që paraqet Bibla dhe që Dëshmitarët e Jehovait e shpallin në më shumë se 200 vende dhe ishuj.
Kur vullneti i Jehovait të jetë kryer në të gjithë tokën, e tërë familja njerëzore do të përfitojë nga ndjekja e udhëheqjes së shkëlqyer të Krijuesit, Jehova. Nuk do të ketë më probleme të tilla si varfëria, krimet dhe droga. Njerëzimi nuk do të vuajë më nga sëmundjet, pleqëria dhe vdekja. Familja njerëzore do të arrijë përsosmërinë që prindërit tanë të parë e kishin para se ata të rebeloheshin kundër udhëheqjes së Perëndisë.
Me çfarë efektshmërie libri i fundit i Biblës përmbledh kushtet e lumtura të atyre të cilët e vendosin besimin e tyre në udhëheqjen hyjnore! Zbulesa 21:4, 5 thotë: «Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.» Krijuesi ynë na e garanton këtë duke thënë: «Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.» Ai shton: «Këto fjalë janë të vërteta dhe besnike.»
Në qoftë se duam që të marrim këto bekime, çfarë pret Perëndia nga ne? Apostulli Pavël shpjegon se vullneti i Perëndisë është që «të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes së të vërtetës». (1. Timoteut 2:4) Dëshmitarët e Jehovait përzemërsisht të ftojnë që të fitosh njohurinë e saktë të së vërtetës nëpërmjet studimit rrënjësor të Biblës. Duke mësuar në mënyrë të zellshme mbi vullnetin hyjnor, edhe ti mund të gjesh nëpërmjet përvojës se mençuria hyjnore është e vetmja udhëheqje e besueshme në këto periudha të vështira. Urgjenca e kohës e bën më të ngutshme se kurrë më parë ndjekjen e saj.