A ka dështuar udhëheqja e njerëzimit?
KUSH i krijoi të gjitha gjërat? Në qoftë se përgjigjja jote është «Perëndia», atëherë je në shoqërinë e atyre milionave që besojnë në Perëndinë e Biblës, në Krijuesin.
Megjithatë, shumë njerëz që besojnë në Perëndinë e kanë të vështirë të pranojnë se Perëndia interesohet për zgjidhjen e problemeve të njerëzimit. A të duket reale të mendosh që Perëndia ka në zbatim një program që do të sjellë lehtësim për racën njerëzore? Shumë njerëz nuk gjejnë arsye që mund të dëshmojnë qartë se kjo është e vërtetë.
Për mijëra vjet, njerëzit duke e nxjerrë Perëndinë jashtë kuadrit të tyre kanë eksperimentuar të pavarur metoda të panumërta për gjetjen e zgjidhjeve. Por, a i kanë gjetur? Apo problemet sa vijnë edhe bëhen më serioze dhe më të vështira për t’u zgjidhur? Si është duke i përballuar njeriu problemet urgjente të botës së sotme?
Një ekspert ka thënë: «Që nga revolucioni industrial, vendet e zhvilluara i kanë shfrytëzuar intensivisht burimet natyrore të botës duke adoptuar modele të prodhimit dhe konsumimit të papërballueshëm, duke shkaktuar dëme të ambientit botëror, dhe kanë çuar në dëmtimin e qyteteve të zhvilluara.»
Njeriu vazhdon të shkatërrojë tokën. Gazeta argjentinase Clarin komenton: «Në gjysmën e dytë të këtij shekulli, lakmia ekonomike, mungesa e maturisë dhe indiferenca, ishin përgjegjëse për katastrofat e mëdha që jo vetëm kanë bërë viktima njerëzore, por gjithashtu kanë çuar në degradimin e ambientit, shpesh në kufij të paparashikuar.»
Varfëria në ekstrem duket tani se është bërë një karakteristikë fikse e shoqërisë moderne. Madje, edhe të ashtuquajturat qytete të pasura të botës, janë duke iu gjunjëzuar rritjes së pamasë të varfërisë. Sipas The Globe and Mail të Torontos, në Kanada, është llogaritur se «një e treta e gjithë kanadezëve e përjetojnë varfërinë pavarësisht se janë të punësuar». Gazeta shton se «familja e dobësuar është një nga arsyet kryesore të varfërisë dhe se kjo prirje në kohët e fundit është rritur».
Abuzimi i drogës është një tjetër shenjë e rënies së shoqërisë. Çfarë mund të bëjë njerëzimi në lidhje me këtë? Është e qartë, në përgjithësi, shumë pak. Miliona vazhdojnë të përjetojnë rënien fizike, mendore dhe morale si rezultat direkt i abuzimit të tyre narkotik. Dhe ky problem po përhapet në mënyrë të papërmbajtshme.
Duket se shkencëtarët e kanë humbur luftën kundër sëmundjeve. Vërtet që teknologjia moderne ka fituar shumë beteja. Por disa procedura shkencore, kanë kontribuar në shfaqjen e disa llojeve të tjera mikrobesh të rrezikshme që u rezistojnë mjekimeve.
Qeveritë njerëzore nuk mund të ndalojnë dot dhunimin e përhapur të të drejtave të njeriut. Për shembull, pavarësisht nga zotimet dhe ligjet e formuluara që ndalojnë skllavërimin, është llogaritur që përreth botës më shumë se një milion njerëz janë të detyruar të punojnë në kushte më të këqija se skllavëria.
Po përse ka dështuar udhëheqja njerëzore? Konsidero këta faktorë. Udhëheqja njerëzore vjen nga njerëz të cilët kanë kufizime serioze. Përvoja e tyre në jetë është relativisht e shkurtër dhe në përgjithësi e kufizuar nga disa kultura ose ambiente. Çfarëdo udhëheqje që ata japin, ajo pasqyron këto kufizime. Siç thotë apostulli Pavël: «Të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.»—Romakëve 3:23.
Në të vërtetë, shumica e problemeve dhe e vështirësive që pjesa më e madhe e njerëzimit është duke përjetuar, janë rezultat direkt ose indirekt i injorimit të udhëheqjes së Perëndisë. Atëherë, ku mund ta gjejmë këtë udhëheqje? Në ç’mënyrë mund të na udhëheqë Perëndia sot? Artikulli vijues do të shqyrtojë këto pyetje.