Asnjë kompromis!
DORA e Jehovait ishte me ithtarët e hershëm të Jezu Krishtit. (Veprat 11:21) Me ndihmën e Perëndisë, ata ndoqën pa kompromis një drejtim të drejtë. Siç njihet mirë nga faktet historike, përjetuan edhe armiqësi dhe madje persekutime të mëdha.
Integriteti i ithtarëve të parë besnikë të Krishtit, është bërë një fakt mjaft i njohur. Edhe pse mund ta paguanin me jetë, ata refuzuan ta mohonin besimin e tyre. Por, përse u trajtuan kaq mizorisht?
Të urryer pa shkak
Ashtu si Jezui, të krishterët e vërtetë nuk përhapnin aspiratat dhe bindjet e kësaj bote. (1. Gjonit 4:4-6) Përveç kësaj, rritja e krishterimit «ka qenë kaq e shpejtë dhe sukseset e tij kaq të dallueshme, saqë ishte e pashmangshme një ndeshje e tmerrshme [me fuqitë e Perandorisë së Romës]»,—vëren historiani Edmond de Presanse.
Një herë, Jezui i aplikoi vetes një psalm profetik që thoshte: «Ata më urrejnë pa shkak.» (Gjoni 15:25; Psalmi 69:4) Para se t’ua tregonte këtë dishepujve të tij, ai paralajmëroi: «Skllavi nuk është më i madh se pronari. Nëse më persekutuan mua, do t’ju persekutojnë dhe ju.» (Gjoni 15:20) Nuk do të ishte e lehtë të ndiqeshin gjurmët e tij. Sa për të filluar, udhëheqësit fetarë hebrenj do t’i trajtonin dishepujt hebrenj të Jezuit si apostatë të judaizmit. Megjithatë, kur u kërkua që ithtarët e Jezuit të mos flisnin më për të, ata nuk pranuan të vepronin në përputhje me këtë vendim, që në këtë mënyrë të mohonin fenë e tyre.—Veprat 4:17-20; 5:27-32.
Në dëshminë që i dha Sanhedrinit hebre, pak pas Rrëshajave të vitit 33 e.s., dishepulli Stefan u akuzua se «kishte thënë fjalë sharëse kundër Moisiut dhe Perëndisë». Megjithatë, akuzat ishin aq mizore dhe ai u qëllua me gur për vdekje. Si pasojë, «u ushtrua një persekutim i madh kundër kongregacionit në Jeruzalem», dhe «të gjithë me përjashtim të apostujve, u shpërndanë në mbarë rajonet e Judesë dhe të Samarisë». (Veprat 6:11, 13; 8:1, BR) Shumë të tjerë u burgosën.
Hebrenjtë i ndoqën ithtarët e Jezuit «me urrejtje të pashuar»,—thuhet në librin Krishterimi dhe Perandoria Romake. Shpesh qeveria romake duhej të ndërhynte për të mbrojtur të krishterët. Për shembull, ushtarët romakë shpëtuan apostullin Pavël nga një tentativë e hebrenjve për ta vrarë. (Veprat 21:26-36) Megjithatë, marrëdhëniet midis të krishterëve dhe romakëve mbetën të turbullta.
Roma shton ritmin e persekutimeve
Rreth nëntë vjet pas vdekjes së Stefanit, sunduesi romak Herod Agripa I, vrau apostullin Jakov për të pasur favorin e hebrenjve. (Veprat 12:1-3) Që në atë kohë, besimi në Krishtin ishte përhapur deri në Romë. (Veprat 2:10) Në vitin 64 e.s., pjesa më e madhe e qytetit u shkatërrua nga zjarri. Persekutime të tmerrshme filluan për të krishterët, pasi Neroni i fajësoi ata për katastrofën, duke u përpjekur të shuante pëshpëritjet se ishte ai përgjegjës për zjarrin e madh shkatërrimtar. Ishte ai vallë që i vuri flakën qytetit, për të pasur shkak që ta rindërtonte përsëri atë akoma më madhështor dhe ta quante Neropolis? Apo perandoresha Popae, një hebreje prozelite që njihej për antipatinë e saj kundrejt të krishterëve ndikoi në vendimin e tij për t’i akuzuar ata? Studiuesit nuk janë të sigurt, por pasoja ishte e tmerrshme.
Historiani romak Taçito tha: «Nuk mjaftonte vetëm vdekja, por u shtuan edhe përqeshjet; të mbështjellë me lëkurë egërsirash, [të krishterët] u shqyen nga qentë; u gozhduan në kryq; u dogjën në mënyrë që kur të vinte muzgu, të shërbenin si ndriçues», pishtarë njerëzorë për të ndriçuar kopshtet e perandorisë. Taçito, që nuk kishte simpati për të krishterët shton: «Ashtu siç ishin, fajtorë që meritonin një ndëshkim shembullor, të ngjallnin dhembshuri që do të shkatërroheshin jo për kënaqësinë e publikut, por nga mizoria e një njeriu», Neronit.
Kontraste krejt të qarta
Megjithëse i dukej e volitshme për të akuzuar të krishterët për shkatërrimin e Romës, Neroni nuk i mallkoi kurrë ata apo nuk i hoqi të drejtën krishterimit brenda territorit të shtetit. Përse, atëherë romakët vazhdonin të nxitnin persekutimet? Sepse «bashkësia e vogël e krishtere çudiste kënaqësinë e marrë të botës pagane me ndjenjën e nderimit dhe sjelljen e hijshme»,—tha historiani Will Durant. Kontrasti ndërmjet të krishterëve dhe lojërave gjakatare të gladiatorëve romakë, ishte shumë i qartë. Romakët nuk mund ta merrnin me mend të linin t’u ikte ky rast për të shpëtuar nga të krishterët dhe kështu të shpëtonin ndërgjegjen e tyre, duke heshtur.
Si një fuqi botërore, Roma dukej e pamposhtur. Romakët besonin se një arsye për shkathtësinë e tyre ushtarake ishte adhurimi i të gjitha perëndive. Prandaj, u dukej e vështirë të kuptonin monoteizmin e rreptë të të krishterëve dhe refuzimin e perëndive të tjera, duke përfshirë kështu edhe adhurimin e perandorit. Nuk ishte për t’u habitur se përse Roma e konsideronte krishterimin si një rrezik për vetë themelin e perandorisë.
Çmimi i dhënies së dëshmisë
Rreth fundit të shekullit të parë të e.s., apostulli Gjon mërgoi për në ishullin Patmos «që të fliste për Perëndinë dhe të jepte dëshmi për Jezuin». (Zbulesa 1:9) Mendohej se u dërgua në mërgim me urdhër të perandorit romak Domician. Megjithatë, pa marrë parasysh presionet e ushtruara mbi ithtarët e Jezuit, në kthesën e shekullit, krishterimi ishte përhapur në mbarë Perandorinë Romake. Si ishte e mundur një gjë e tillë? Sipas një libri, krishterimi «mbahej bashkë me shërbimin e tij». (Historia e Kishës së hershme) Ashtu si Gjoni, të krishterët e hershëm të persekutuar nuk e mohuan fenë e tyre, por vazhduan të flitnin me zell për Perëndinë dhe të jepnin dëshmi për Jezuin.—Veprat 20:20, 21; 2. Timoteut 4:2.
Persekutimi i të krishterëve mori një formë të re në vitin 112 të e.s., dy vjet pasi perandori Trajan emëroi Plinin guvernator të Bitinisë (tani Turqia verilindore). Administrata e mëparshme kishte qenë shumë e paaftë, për këtë arsye përfundoi në rrëmujë. Tempujt ishin pothuajse të shkretë dhe shitja e tagjisë për kafshët e sakrificës ishte ulur ndjeshëm. Tregtarët fajësonin thjeshtësinë e adhurimit të krishterë, sepse mungonin sakrificat e kafshëve dhe idhujt.
Plini punoi shumë për të përtërirë adhurimin pagan, ndërkohë që të krishterët e paguanin me jetën e tyre refuzimin për të ofruar verë dhe temjan para statujave të perandorit. Në fund, autoritetet romake pranuan se të krishterët «ishin njerëz të virtytshëm, por në mënyrë të pashpjegueshme armiqësorë ndaj traditës së vjetër fetare»,—tha profesor Henri Çaduik. Megjithëse të qenët i krishterë mbeti një faj që ndëshkohej me vdekje, ithtarët e vërtetë të Jezu Krishtit nuk mendonin aspak të bënin kompromis.
Urrejtja rezultoi edhe nga «mërzia e shkaktuar në familjet pagane nga kthimi i disa prej anëtarëve të tyre»,—thotë profesor W. M. Ramsay. «Jeta shoqërore bëhej shumë e vështirë, kur një fqinj nuk i përshtatej zakonit më të rëndomtë që nënkuptonte njohjen e perëndive pagane»,—deklaron dr. J. W. C. Wand. Nuk është për t’u çuditur se shumë i konsideronin të krishterët e hershëm si njerëz të mbushur me urrejtje ose si ateistë.
Rritja sjell persekutime më të mëdha
Polikarpi, që mendohet se ishte mësuar nga apostulli Gjon, u bë një plak i respektuar në qytetin e Smirnës (Izmiri i sotëm). Ai u dogj në shtyllë për besimin e tij, në vitin 155 të e.s. Statius Kuadratus, guvernatori provincial romak, mblodhi turmat. Stadiumi u mbush me paganë armiqësorë që përbuznin 86-vjeçarin Polikarp, sepse shkurajonte adhurimin e perëndive të tyre dhe hebrenjtë fanatikë u treguan të gatshëm për të mbledhur dru zjarri, ndonëse duhej ta bënin gjatë së Shtunës së madhe.
Një varg persekutimesh u ushtruan mbi të krishterët në mbarë botën romake. Nën sundimin e perandorit Marko Aurelio, gjaku i tyre u derdh edhe më lirisht. Nëse ishin qytetarë romakë vdisnin nga shpata; nëse jo, vriteshin nëpër amfiteatro nga bishat e egra. Cili ishte krimi i tyre? Vetëm të qenët të krishterë, që nuk pranonin të bënin kompromis apo të mohonin besimin e tyre.
Qyteti i sotëm francez i Lionit përkon me koloninë e lashtë romake të Lugdanumit, një qendër e rëndësishme administrative dhe garnizoni i vetëm romak ndërmjet Romës dhe lumit Ren. Në vitin 177 të e.s. kishte një bashkësi të fuqishme të krishterë, kundër së cilës u ngritën me zemërim të madh masat pagane. Kjo filloi kur të kishterët u dëbuan nga vendet publike. Turma nxiti një trazirë dhe persekutimet e mëvonshme ishin aq të mëdha, sa asnjë i krishterë nuk guxonte të dilte deri tek dera. Guvernatori romak urdhëroi që të arrestoheshin të krishterët dhe të dënoheshin me vdekje.
Shpërblimi
Me vdekjen e dishepujve të Jezuit, shtrëngimi i ushtruar mbi ta ishte më i vogël, gjë që çoi në zhvillimin e apostazisë ndërmjet të vetëquajturve të krishterë. (2. Selanikasve 2:7) Drejt fundit të shekullit të katërt të e.s., krishterimi apostat u bë një fe shtetërore. Tashmë ajo u korruptua dhe ishte e gatshme të bënte kompromis dhe të bëhej një me botën—gjë që Jezui dhe dishepujt e tij të hershëm nuk e bënë kurrë. (Gjoni 17:16) Megjithatë, shumë kohë më parë kanuni biblik u kompletua, duke dokumentuar kështu atë që ishte fe e krishterë.
A ishte vallë pa dobi vuajtja dhe vdekja e mijëra të krishterëve të hershëm? Në asnjë mënyrë! Duke mos bërë kompromis për besimin e tyre, «ata u treguan besnikë deri në vdekje dhe morën kurorën e jetës». (Zbulesa 2:10) Shërbëtorët e Jehovait ndiejnë akoma mbi vete afshin e persekutimit, por besimi dhe integriteti i bashkëbesimtarëve të tyre të hershëm, vazhdon të jetë një burim i madh inkurajimi për ta. Kështu, edhe në ditët e sotme të krishterët nuk mendojnë aspak për të bërë kompromis.
[Figurat në faqet 8, 9]
Neroni
Maket i Romës perandorake
Altar kushtuar adhurimit të Çesarit
[Burimet]
Neroni: Me mirësjellje nga British Museum
Museo della Civiltà Romana, Roma
[Figura në faqen 10]
Marko Aurelio
[Burimi]
The Bettman Archive