BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/3 f. 26-30
  • Të shërbejmë me një ndjenjë urgjence

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të shërbejmë me një ndjenjë urgjence
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Përgatitje në kohën e luftës
  • Fillimi i një karriere
  • Një bashkëshorte e shtrenjtë
  • Shërbimi si misionarë në Indonezi
  • Një grusht shteti
  • Përballimi i kundërshtimeve të mëtejshme
  • Në Amerikën jugore
  • Jehovai tregoi se ishte me mua
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Jehovai më mësoi të bëj vullnetin e tij
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Vendimet e duhura më sollën bekime gjithë jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Shembulli i prindërve më dha forcë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/3 f. 26-30

Të shërbejmë me një ndjenjë urgjence

TREGUAR NGA HANS VAN VUURE

Një mëngjes të 1962-shit, Paul Kushnir, mbikëqyrësi i degës së Shoqatës Watch Tower në Holandë pati një takim me mua në portin e Roterdamit. Duke më shikuar nga ana tjetër e tavolinës në një kafene të ndriçuar turbullt, tha: «Ti e kupton, Hans, se nëse e pranon këtë detyrë, ti dhe gruaja jote do të merrni një biletë vetëm për vajtje?»

«PO, dhe jam plotësisht i sigurt se edhe Suzi do të jetë dakort.»

«Mirë, bisedo për këtë me Suzin. Sa më shpejt të më bëni të ditur vendimin tuaj, aq më mirë është.»

Mëngjesin tjetër mori përgjigjen tonë: «Do të shkojmë.» Kështu, më 26 dhjetor 1962 përqafuam të afërmit dhe miqtë në aeroportin Skipol të Amsterdamit të mbuluar me borë dhe shkuam me aeroplan si misionarë në një vend të virgjër: në Guinenë e Re Holandeze (tani krahina indoneziane e Irian Java)​—toka e papuanëve.

A po e pranonim me dyshim këtë detyrë? Në të vërtetë jo. Me gjithë zemër ia kishim dedikuar jetën tonë kryerjes së vulletit të Perëndisë dhe ishim të bindur se ai do të na mbështeste. Duke menduar për jetën tonë mund të shohim se besimi ynë në Jehovain kurrë nuk është keqvendosur. Por, para se t’ju tregoj për atë që ndodhi në Indonezi, më lejoni t’ju tregoj diçka për të shkuarën tonë.

Përgatitje në kohën e luftës

Kur në vitin 1940, familjen time e vizitoi për herë të parë Dëshmitari i patrembur Artur Vinglër, isha vetëm dhjetë vjeç. Prindërit e mi u tronditën, kur mësuan atë që thoshte Bibla për mësimet e rreme të krishterimit. Meqë atëherë Holanda ishte pushtuar nga Gjermania naziste dhe Dëshmitarët e Jehovait persekutoheshin, prindërit e mi duhej të vendosnin nëse duhej të merrnin pjesë në një organizatë të fshehtë. Vendosën të vepronin ashtu.

Këtej e tutje, kuraja e nënës sime dhe gatishmëria e saj për të rrezikuar lirinë madje edhe jetën më bëri shumë përshtypje. Një herë ajo përshkoi me biçikletë 11 km dhe priti në errësirë me një çantë plot me fletushka biblike. Në kohën e caktuar për të filluar një fushatë speciale, filloi të pedalonte aq shpjet sa mundej dhe fuste dorën rregullisht në çantë, duke shpërndarë fletushka nëpër rrugë. Një njeri që ecte me biçikletë pas saj, më në fund e arriti dhe duke marrë frymë me vështirësi bërtiti: «Zonjë, zonjë, më duket se po humbni diçka!» Nuk mund të mbajmë dot të qeshurit, kur nëna na tregon këtë ngjarje.

Isha shumë i ri, por e kisha të qartë se ç’duhet të bëja me jetën time. Nga mesi i vitit 1942, kur drejtuesi pyeti gjatë një mbledhjeje: «Kush dëshiron të pagëzohet herën e ardhshme?», unë ngrita dorën. Prindërit shkëmbyen shikime të shqetësuara me dyshimin se a e kuptoja se ç’do të thoshte një vendim i tillë. Por, edhe pse isha vetëm 12 vjeç, e kuptoja se ç’do të thoshte dedikimi ndaj Perëndisë.

Predikimi shtëpi më shtëpi me nazistët nëpër këmbë kërkonte kujdes. Për të shmangur trokitjen në shtëpitë e atyre që ndoshta mund të na kallëzonin tek nazistët, në ditët kur simpatizuesit e nazistëve ngjitnin afishe në dritaret e tyre, unë bëja xhiro rreth e rrotull me biçikletë dhe shënoja adresat e tyre. Një ditë, një burrë më pa dhe më bërtiti: «Shumë mirë biri im. Shkruaji të gjithë, të gjithë.» Isha i zellshëm, por qartë jo mjaft i kujdesshëm! Me përfundimin e luftës në vitin 1945, u gëzuam shumë për lirinë e madhe të predikimit në të ardhmen.

Fillimi i një karriere

Në 1 nëntor 1948, pasi mbarova shkollimin mora detyrën time të parë të predikimit në shërbimin e plotë kohor si pionier. Një muaj më vonë vëlla Vingler vizitoi familjen me të cilën unë rrija. Mendoj se ndoshta erdhi për të parë se si isha, sepse pak më vonë më ftuan të punoja në zyrën e degës së shoqatës në Amsterdam.

Më vonë, m’u kërkua të vizitoja kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait si mbikëqyrës qarkor. Kështu, në vjeshtë të vitit 1952, mora një ftesë për të marrë pjesë në klasën e 21-të të Shkollës së Galaadit në Nju Jork për t’u përgatitur si misionar. Kështu, në fund të 1952-shit tetë prej nesh nga Holanda hipën në transoqeanikun Nieuw Amsterdam dhe u drejtuan për në Amerikë.

Rreth fundit të kursit, Maksuell Frend, një prej mësuesve, tha: «Do të harroni pjesën më të madhe të gjërave që keni mësuar këtu, por shpresojmë se tri gjëra do të mbeten në ju: besimi, shpresa dhe dashuria.» Gjithashtu, ruaj në mendje dhe në zemër kujtime të bukura nga organizata e Jehovait që punon me një ndjenjë urgjence.

Por, pas kësaj pata një zhgënjim të madh. Gjysma e grupit tonë holandez​—përfshirë edhe mua—​ishte caktuar të kthehej në Holandë. Edhe pse i zhgënjyer, nuk bëra sikur u përmbys bota. Shpresoja vetëm që të mos duhej të prisja si Moisiu, që priti 40 vjet para se të caktohej në një vend tjetër.​—Veprat 7:23-30.

Një bashkëshorte e shtrenjtë

Kur Frits Hartstang, një miku im i dashur, mësoi për planet e mia për martesë, më tha në mirëbesim: «Besoj se zor të bëje një zgjedhje më të mirë.» Babai i Suzit, Keisi Stufei, kishte qenë një udhëheqës luftëtar kryesor në rezistencën kundër nazizmit gjatë Luftës II Botërore. Por, kur takoi Dëshmitarët në vitin 1946, menjëherë i pranoi të vërtetat biblike. Shpejt ai dhe tre nga gjashtë fëmijët e tij​—Suzi, Marjana dhe Keneth—​u pagëzuan. Në 1 maj 1947, të tre këta fëmijë filluan shërbimin e plotë kohor si pionierë. Në 1948-n, Keisi i dha fund aktivitetit të tij tregtar dhe filloi edhe ai shërbimin si pionier. Më vonë ai tha: «Ishin vitet më të lumtura të jetës sime!»

U njoha me Suzin në vitin 1949, kur ajo u ftua të punonte në zyrën e degës në Amsterdam. Por vitin tjetër ajo dhe motra e saj Marjana ikën për të frekuentuar klasën e 16-të të Galaadit dhe më pas hipën në anije për të shkuar si misionare në Indonezi. Në shkurt 1957, pas pesë vjetësh në shërbimin misionar në atë vend, Suzi u kthye në Holandë për t’u martuar me mua. Në këtë kohë unë shërbeja si mbikëqyrës qarkor dhe me kalimin e viteve që kur jemi martuar, Suzi ka treguar shumë herë gatishmërinë që të sakrifikohet për t’i shërbyer Mbretërisë.

Pas dasmës, vazhduam të vizitonim kongregacione në vende të ndryshme të Holandës. Falë viteve dedikuar veprës si misionare në territore të vështira, Suzi ishte e përgatitur mirë për të përballuar udhëtimet tona me biçikletë nga njëri kongregacion në tjetrin. Pikërisht, ndërsa po kryenim veprën tonë në qark, në vitin 1962, vëlla Kushnir na vizitoi në Roterdam dhe na ftoi të transferoheshim në Irian lindore, në Indonezi.

Shërbimi si misionarë në Indonezi

Arritëm në qytetin e Manëkuarit​—një botë krejtësisht tjetër! Ishin zërat e frikshëm të netëve tropikale, vapa dhe pluhuri. Ishin papuanët nga brendësia e vendit që vishnin vetëm një veshje në formë mbathjesh, mbanin hanxhar dhe zbaviteshin duke na ndjekur nga pas për t’u përpjekur të preknin lëkurën tonë të bardhë​—gjë që nuk ishte e lehtë derisa u mësuam.

S’kishin kaluar veçse pak javë nga mbërritja jonë, kur disa klerikë lexuan një letër në katedrën e kishës së tyre kundër Dëshmitarëve të Jehovait dhe shpërndanë nga një kopje për secilin nga pjesëmarrësit. Edhe stacioni lokal i radios e transmetoi këtë letër. Më pas, tre klerikë na vizituan dhe na kërkuan që të transferoheshim në brendësi të vendit për t’u predikuar njerëzve që ata i quanin «paganë». Një komisar i lartë i policisë së Papuas na këshilloi të iknim dhe një anëtar i policisë sekrete na tregoi se dikush bënte plane për të na vrarë.

Megjithatë, jo të gjithë na kundërshtonin. Një këshilltar politik i Papuas, një qytetar me kombësi holandeze që do të kthehej së shpejti në Holandë, na prezantoi tek shumë prijës fisesh papuanë. U thoshte atyre: «Dëshmitarët e Jehovait do të sjellin një krishterim më të mirë se ai që keni njohur. Prandaj duhet t’i mirëprisni ata.»

Më vonë, një nëpunës iu afrua Suzit në rrugë dhe i pëshpëriti: «Jemi informuar se keni filluar një vepër të re këtu, prandaj nuk mund t’ju lejojmë të qëndroni. Por, . . . sikur të paktën të kishit një kishë.» Një ide! Me shpejtësi hodhëm përtokë disa mure të shtëpisë, bëmë stola, ndërtuam një podium dhe vumë përballë një tabelë ku lexohej «Salla e Mbretërisë». Pastaj ftuam nëpunësin për një vizitë. Ai miratonte, buzëqeshte dhe i binte kokës me gishtin tregues, sikur të thoshte: «Gjeniale, gjeniale.»

Në 26 qershor 1964, një vit e gjysëm pas qëndrimit tonë, u pagëzuan 12 papuanët e parë me të cilët kishim studiuar Biblën. Pak më vonë, u shtuan 10 të tjerë dhe në mbledhje kishim mesatarisht 40 pjesëmarrës. Ishin dërguar edhe dy pionierë indonezianë për të na ndihmuar. Kur kongregacioni në Manëkuari u stabilizua mirë, në dhjetor 1964 dega e Shoqatës në Indonezi na caktoi një territor tjetër në të cilin duhej të predikonim.

Para se të niseshim, përgjegjësi i departamentit publik të shtetit na mori mënjanë dhe tha: «Më vjen keq që po ikni. Çdo javë kleri më lutej t’ju dëboja nga këtu, sepse sipas tyre mblidhnit frytet e lodhjes së tyre. Por, unë u thosha: ‘Përkundrazi, ata janë duke i bërë pjellore pemët tuaja.’» Ai shtoi: «Kudo që të shkoni, vazhdoni të luftoni dhe do të fitoni!»

Një grusht shteti

Një natë shtatori të vitit 1965, kur po predikonim në kryeqytetin Xhakarta, kryengritësit komunistë vranë shumë drejtues ushtarakë, i vunë flakën Xhakartës dhe filluan një luftë mbarëkombëtare që përfundimisht çoi në rënien e presidentit, Sukarno. Afërsisht 400.000 veta humbën jetën!

Një herë, kur po predikonim, në rrugën afër të shtënat dhe zjarri vazhdonin. Ditën tjetër morëm vesh se ushtarët kishin shkatërruar një qendër komuniste që gjendej aty afër. Të zotët e shtëpisë shikonin të frikësuar në fillim kur u afroheshim, por kur dëgjonin mesazhin e Biblës qetësoheshin dhe na ftonin brenda. Ndiheshin të sigurt me ne në shtëpi. Kjo kohë na mësoi të gjithëve të besonim në Jehovain dhe të ishim të ekuilibruar në kushte të pafavorshme.

Përballimi i kundërshtimeve të mëtejshme

Nga fundi i vitit 1966 u transferuam në qytetin Ambon, në ishujt piktoreskë në Molukën jugore. Atje, ndërmjet popullit të dashur dhe të çiltër, gjetëm shumë interes në kuptimin frymor. Kongregacioni ynë i vogël u rrit me shpejtësi dhe pjesëmarrësit në mbledhje arritën qindëshin. Atëherë, zyrtarë të kishave të krishterimit shkuan në zyrën e çështjeve fetare që të bindnin nëpunësin drejtues për të na detyruar të iknim nga Amboni. Por atje, panë mbi tryezën e punës së nëpunësit librat e Shoqatës Watch Tower të ekspozuar në mënyrë të dukshme. Duke mos arritur t’i kthenin mendjen drejtuesit ata u takuan me zyrtarë të Ministrisë së Feve në Xhakartë, duke kërkuar me ngulm largimin tonë jo vetëm nga Amboni, por edhe nga Indonezia.

Këtë herë menduan se patën sukses në qëllimet e tyre, sepse na u tha të iknim nga ky vend brenda 1 shkurtit të vitit 1968. Megjithatë, vëllezërit tanë në Xhakartë takuan një zyrtar të lartë mysliman në Ministrinë e Feve i cili na ndihmoi të anulohej vendimi. Përveç kësaj, politika aktuale u braktis dhe mund të lejohej hyrja e misionarëve të tjerë.

Kështu, gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm, punuam në një mjedis me male madhështore, pyje dhe liqene në Sumatrën veriore me misionarë nga Australia, Austria, Gjermania, Filipinet, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara. Vepra e predikimit përparoi veçanërisht tek banorët batakë, grupi kryesor etnik i krahinës.

Megjithatë, kundërshtarët fetarë patën sukses të ndalonin veprën tonë të predikimit në dhjetor të vitit 1976 dhe gjatë viteve të mëvonshme pjesa më e madhe e misionarëve u nisën për në vende të tjera. Përfundimisht, u nisëm edhe ne.

Në Amerikën jugore

Tani që jemi 50 vjeçarë pyesim veten se a do të mund t’i përshtateshim akoma një vendi tjetër. Suzi pyet: «Duhet të pranojmë një tjetër caktim apo është më mirë që të qëndrojmë në ndonjë vend?»

«Eh, Suzi,—përgjigjem,—kudo që na ka ftuar të shkojmë, Jehovai është kujdesur për ne. Kush e di se sa bekime të tjera do të kemi në të ardhmen?» Kështu, shkuam në një vend tjetër ku ishim caktuar, në Suriname të Amerikës Jugore. Brenda dy muajsh fillova aktivitetin si mbikëqyrës udhëtues dhe shpejt u ndiemë si në shtëpinë tonë.

Duke menduar për 45 vjetët e dedikuar në shërbimin e plotë kohor, Suzi dhe unë kuptojmë sa e rëndësishme ka qenë mbështetja e prindërve tanë për të na ndihmuar të vazhdonim veprën misionare. Në vitin 1969, kur pashë përsëri pas gjashtë vjetësh prindërit, babai më mori mënjanë dhe më tha: «Në rast se ndodh që të vdesë nëna më parë, nuk është e nevojshme të kthehesh në shtëpi. Rri atje ku je caktuar. Unë do t’ia dal mbanë. Por, nëse ndodh e kundërta, duhet të pyesësh nënën se ç’mendon.» Nëna tha të njëjtën gjë.

Prindërit e Suzit kanë të njëjtin qëndrim vetëmohues. Një herë ndodhi që Suzi ishte larg nga ata për 17 vjet, e megjithatë ata kurrë nuk i shkruan një fjalë shkurajuese. Sigurisht, nëse prindërit tanë nuk do të kishin asnjë ndihmë tjetër do të ishim kthyer në shtëpi. Ajo që dua të them është se prindërit tanë kishin të gjithë të njëjtën çmueshmëri për veprën misionare dhe deri në vdekje i shërbyen Jehovait me të njëjtën ndjenjë urgjence që kishin rrënjosur në zemrat tona.​—Krahaso 1. Samuelit 1:26-28.

Gjithashtu, jemi inkurajuar nga shumë persona që na shkruanin rregullisht. Gjatë 30 vjetëve të shërbimit tonë të plotë kohor, disa na kanë shkruar rregullisht pa kaluar as edhe një muaj. Por mbi të gjitha mbajmë në mend Atin tonë të shtrenjtë qiellor, Jehovain, i cili di të mbështesë shërbëtorët e tij në tokë. Prandaj, ndërkohë që i afrohemi kulmit të ngjarjeve që tashmë kemi kaluar, Suzi dhe unë dëshirojmë të mbajmë «mirë në mendje praninë e ditës së Jehovait» duke vazhduar t’i shërbejmë me një ndjenjë urgjence.​—2. Pjetrit 3:12.

[Figura në faqen 26]

Martuar në 1957

[Figura në faqen 29]

Çfarë gëzimi​—gjashtë të rinj si pionierë!

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo