Kini një pamje të drejtë të mëshirës së Perëndisë
DOKTORI ishte i sjellshëm dhe shumë i kujdesshëm. Në bazë të gjykimit të tij më të mirë, pacientja kishte patjetër nevojë për t’u operuar nëse donte të shpëtonte jetën. Por, kur ajo refuzoi dhe ngriti çështjen e transfuzionit të gjakut, ai u habit. Dhe kur ajo shpjegoi se për arsye fetare nuk do të lejonte një operacion që do të përfshinte transfuzion gjaku, atij sa nuk i ra qielli mbi kokë. Vrau mendjen për të gjetur një mënyrë për ta ndihmuar. Më në fund, mendoi se e kishte gjetur dhe tha: «Kështu, pra, nëse nuk pranon transfuzion gjaku, do të vdesësh. Dhe ti nuk do të vdesësh, apo jo?»
«Sigurisht që jo»,—u përgjigj pacientja.
«Po kështu, nëse e pranon atë, do të shkosh kundër bindjeve të tua fetare, që janë po kaq të rëndësishme për ty. Unë kam një sugjerim. Përse të mos e pranosh transfuzionin e gjakut, duke shpëtuar në këtë mënyrë jetën. Pastaj, rrëfehu tek Perëndia se ke mëkatuar dhe pendohu. Në këtë mënyrë, do të jesh në rregull edhe me fenë tënde.»
Ai doktor me qëllime të mira, mendoi se kish gjetur një përgjigje të përkryer. Ai e dinte se pacientja e tij besonte në një Perëndi të mëshirshëm. Dhe sigurisht, ky ishte një rast i mirë për të përfituar prej mëshirës së Perëndisë! Por, a ishte kaq i arsyeshëm sa dukej sugjerimi i tij?
A kemi arsyetuar ndonjëherë kështu?
Ndonjëherë, mund ta gjejmë veten duke arsyetuar si doktori. Ndoshta, jemi të frikësuar nga një shpërthim i papritur i kundërshtimit në shkollë apo në punë. Apo mund ta shohim veten në ndonjë situatë të vështirë, kur gjendemi nën presione për të kryer diçka që do të fyente ndërgjegjen tonë. Të zënë në befasi, mund të priremi drejt një rruge të lehtë dhe të bëjmë diçka që e dimë që është e gabuar, me mendimin se më vonë mund të kërkojmë falje.
Disa të tjerë mund të tundohen prej prirjeve të tyre të gabuara. Për shembull, një i ri mund të shohë veten në një situatë mjaft tunduese për të kryer imoral. Në vend se të luftojë kundër dëshirës së gabuar, ai mund të dorëzohet, me mendimin se mund t’i rregullojë më vonë punët me Perëndinë. Disa kanë shkuar aq larg, sa kanë kryer një mëkat serioz, duke e ditur se mund të përjashtoheshin nga kongregacioni i krishterë. Me sa duket ata kanë arsyetuar: «Do të lë që të kalojë pak kohë. Pastaj, do të pendohem dhe rivendosem.»
Të gjitha këto situata kanë dy gjëra të përbashkëta. Së pari, individët dorëzohen, në vend se të luftojnë për të bërë atë që është e drejtë. Së dyti, ata mendojnë se pasi të kenë gabuar, Perëndia do t’i falë automatikisht nëse e lutin.
Cila është pikëpamja e drejtë?
A tregon kjo një vlerësim të drejtë të mëshirës së Perëndisë? Mendo për një çast mbi mëshirën. Jezui tha: «Po, Perëndia aq shumë e deshi botën, saqë e dha Birin e tij të vetëm, që të mos humbasë kushdo që beson në të, por të ketë jetën e përjetshme.» (Gjoni 3:16, ECM) Apostulli Gjon shpjegoi se si vepron kjo mëshirë, kur tha: «Po jua shkruaj këtë, që të mos mëkatoni. Por edhe në qoftë se ndokush mëkatoi, e kemi njërin që është pa mëkat, që ndërhyn për ne tek Ati: Jezusin, Mesinë.» (1. Gjonit 2:1, ECM) Prandaj, nëse mëkatojmë për shkak të papërsosmërisë, ne mund t’i afrohemi Perëndisë me lutje dhe të kërkojmë falje në bazë të sakrificës së Jezuit.
Por, a do të thotë kjo se, pavarësisht nëse mëkatojmë apo jo, sa herë që të kërkojmë do të kemi falje më vonë? Vështirë. Mos harroni fjalët e para të këtij citimi: «Po jua shkruaj këtë, që të mos mëkatoni.» Fjalët e mëtejshme të Gjonit në këtë varg, tregojnë masat e dashura të Jehovait që të mund të përballojmë papërsosmërinë tonë. Megjithatë, ne duhet të përpiqemi sa më shumë të jetë e mundur, për të shmangur mëkatin. Përndryshe, do të tregonim një mungesë të vajtueshme respekti për dashurinë e Perëndisë, njëlloj si ata për të cilët foli Juda, që e përdorën dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë si një justifikim për sjellje të shthurur.—Judës 4.
Të shohësh mëshirën e Perëndisë si një rrjetë shpëtimi që do të na mbajë gjithmonë, pavarësisht nga ajo që bëjmë, e zhvleftëson mëshirën e Perëndisë dhe e bën mëkatin që të duket si jo edhe aq i keq. Kjo është shumë larg së vërtetës. Apostulli Pavël i tha Titit: «Dashamirësia e pamerituar e Perëndisë që i sjell shpëtim çdo lloj njeriu, është bërë e dukshme, duke na mësuar që të ndiejmë neveri për papërshpirtshmërinë dhe dëshirat e botës dhe që të jetojmë me mendje të shëndoshë dhe drejtësi dhe devotshmëri të shenjtë midis këtij sistemi të tanishën gjërash.»—Titit 2:11, 12, BR.
Pavli tregoi se e vlerësonte mëshirën e Perëndisë, duke luftuar kundër papërsosmërisë së tij. Ai tha: «E marr me të keq trupin tim dhe e mbaj nën sundim që, duke u pasë predikuar të tjerëve, të mos jem i përjashtuar vetë.» (1. Korintasve 9:27) Pavli nuk e kishte për mburrje që herë pas here prirej nga mëkati. Po ne?
Pikëpamja e Jezuit
Në një rast, Jezui tregoi se ç’mendonte për idenë e një kompromisi dhe mbi mundësinë për të ndjekur një rrugë të lehtë, me qëllim që të shmangen vuajtjet. Kur filloi t’u thoshte dishepujve se po afrohej vdekja e tij flijuese, Pjetri u përpoq t’ia kthente mendjen, duke thënë: «Ji i mirë me veten, Zotëri; ti nuk do përfundosh kurrë kështu.» Si reagoi Jezui? «Hiqu prej meje, Satana! Je për mua një gur pengese, sepse nuk mendon mendimet e Perëndisë, por ato të njerëzve.»—Mateu 16: 22, 23, BR.
Qortimi i rëndë që i bëri Jezui Pjetrit, tregon në mënyrë dramatike se Jezui nuk pranoi të merrte një rrugë të lehtë, që do kërkonte të binte ndesh me dëshirën e Perëndisë. Shkrimi tregon se ndoqi pa u lëkundur shtegun e drejtë, edhe pse iu nënshtrua ngacmimeve të vazhdueshme të Satanait. Si përfundim atë e tallën, e rrahën rëndë dhe vuajti edhe një vdekje të mundimshme. Megjithatë, ai nuk bëri kompromise dhe për këtë arsye ai mundi të ofronte jetën e tij si shpërblim për ne. Sigurisht që nuk i duroi të gjitha këto, me qëllim që ne të tregohemi «të mirë me veten» kur dalin vështirësi dhe tundime!
Për Jezuin është thënë: «E deshe drejtësinë dhe e urreve paligjshmërinë.» (Hebrenjve 1:9, BR) Zgjedhja e një rruge të thjeshtë, përfshin zakonisht paligjshmërinë. Prandaj, nëse e urrejmë me të vërtetë atë—ashtu si Jezui—asnjëherë nuk do të pranojmë kompromise. Në librin e Proverbave Jehovai thotë: «Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që flet kundër meje.» (Proverbat 27:11) Drejtësia e ekuilibruar, por pa kompromise e Jezuit, i solli gëzim të madh zemrës së Jehovait. Ne mund t’i japim Jehovait të njëjtën kënaqësi nëse ndjekim rrugën e integritetit të Jezuit.—1. Pjetrit 2:23.
Të stërvitur prej durimit
Apostulli Pjetër shkroi: «Prandaj, jeni plot gëzim, megjithëse tani duhet të vuani për një kohë të shkurtër dhe të viheni në prova të ndryshme. Kjo ndodh që besimi juaj të hedhë themelet plotësisht në Perëndinë. Ashtu siç kullohet në zjarr ari i paqëndrueshëm për të parë cilësinë e tij, ashtu kullohet në zjarrin e vuajtjeve edhe besimi juaj, që është më i vlefshëm se zjarri. Në qoftë se besimi juaj del i vërtetë, Perëndia do t’jua shpërblejë me nderim dhe madhështi në ditën kur Jezusi, Mesia, të shfaqet me madhështinë e tij.» (1. Pjetrit 1:6, 7, ECM) Pasi jemi të papërsosur dhe jetojmë midis botës së Satanait, do të ballafaqohemi vazhdimisht me prova dhe vuajtje. Siç tregoi Pjetri, këto mund të vlejnë për një qëllim të mirë. Ato provojnë besimin tonë, tregojnë nëse ai është i dobët apo i fortë.
Ato shërbejnë gjithashtu edhe për të na stërvitur. Jezui «mësoi bindje nga gjërat që vuajti». (Hebrenjve 5:8, BR) Edhe ne mund të mësojmë bindje, si edhe të besojmë në Jehovain nëse durojmë nën prova. Dhe ky proces i të mësuarit do të vazhdojë derisa të jetë i plotë, siç tha Pjetri: «Perëndia . . . do të plotësojë ai vetë stërvitjen tuaj, do t’ju bëjë të vendosur, do t’ju bëjë të fortë.»—1. Pjetrit 5:10, BR.
Por, nëse biem në kompromise kur jemi nën prova, do ta tregojmë veten frikamanë ose të dobët, pa një dashuri të fortë për Jehovain dhe drejtësinë apo pa vetëkontroll. Secila prej këtyre dobësive e rrezikon rëndë lidhjen tonë me Jehovain. Në fakt, paralajmërimi i Pavlit vërtetohet në rastin tonë: «Sepse, në qoftë se vullnetarisht mëkatojmë mbasi e morëm njohurinë e së vërtetës, nuk ka më fli për mëkate.» (Hebrenjve 10:26) Është shumë më mirë që të mos biem menjëherë në mëkat, sesa të dorëzohemi dhe të rrezikojmë që të humbasim përgjithnjë perspektivën e jetës!
Integritet pa kushte
Në ditët e profetit Daniel, tre hebrenj u kërcënuan se do të digjeshin të gjallë nëse nuk adhuronin një idhull. Si u përgjigjën? «Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret. Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur.»—Danieli 3:17, 18.
Ata morën këtë vendim, sepse donin të bënin atë çka ishte e drejtë. Nëse kjo do t’i çonte në vdekje, le të bëhej. Besimi i tyre ishte në ringjalljen. Megjithatë, nëse Perëndia do t’i çlironte, aq më mirë. Por vendimi i tyre i patundur ishte pa kushte. Dhe kështu duhet të jetë gjithmonë me shërbëtorët e Perëndisë.
Në ditët tona, disa nga ata që nuk kanë pranuar kompromise janë burgosur, torturuar dhe vrarë. Të tjerë kanë bërë sakrifica materiale, duke preferuar më mirë të rrinë të varfër, se të jenë të pasur në kurriz të parimeve të drejta. Çfarë ndodhi me gruan e krishterë të përmendur në fillim të këtij artikulli? Ajo e çmoi këshillën e sjellshme, por të gabuar të mjekut, por nuk bëri kompromise me besimin e saj. Përkundrazi, respekti ndaj ligjit të Jehovait e bëri që të mos pranonte operacionin. Lumturisht, ajo u shërua gjithsesi dhe vazhdon t’i shërbejë aktivisht Jehovait. Megjithatë, kur mori vendimin, ajo nuk e dinte se cili do të ishte rezultati, por ishte e përgatitur për të lënë gjithçka në dorë të Jehovait.
Çfarë e ndihmoi atë për të qenë kaq e vendosur nën presione? Ajo nuk u përpoq të mbështetej tek vetja dhe po kështu duhet të veprojë çdo shërbëtor i Perëndisë. Mos harro: «Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.» (Psalmi 46:1) Është më mirë që t’i drejtohemi Perëndisë për ndihmë kur jemi nën prova, sesa të mëkatojmë dhe pastaj t’i drejtohemi për mëshirë!
Po, kurrë të mos e marrim me lehtësi mëshirën e madhe të Perëndisë. Përkundrazi, le të zhvillojmë një dëshirë të sinqertë për të bërë atë që është e drejtë, edhe kur ballafaqohemi me vështirësi. Kjo do ta thellojë marrëdhënien tonë me Jehovain, do të na japë stërvitjen e nevojshme për jetën e përhershme dhe do të tregojmë respektin e duhur për mëshirën e Perëndisë. Një sjellje e tillë e mençur do t’i sjellë gëzim zemrës së Atit tonë qiellor.
[Figura në faqen 24]
Besimi absolut në ringjallje i ndihmoi të tre hebrenjtë që të mbanin integritetin.