BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w21 tetor f. 8-13
  • I shërbejmë Perëndisë ‘të pasur në mëshirë’

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • I shërbejmë Perëndisë ‘të pasur në mëshirë’
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE TREGON MËSHIRË JEHOVAI
  • A ËSHTË E MËSHIRSHME TË JAPËSH DISIPLINË TË FORTË?
  • ÇFARË MUND TË NA NDIHMOJË TË TREGOJMË MËSHIRË?
  • «Ati juaj është i mëshirshëm»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Si të tregojmë mëshirë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Lum të mëshirshmit!
    Këndojini Jehovait
  • Lum të mëshirshmit!
    Këndojini lavdi Jehovait
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
w21 tetor f. 8-13

ARTIKULLI I STUDIMIT 41

I shërbejmë Perëndisë ‘të pasur në mëshirë’

«Jehovai është i mirë me të gjithë, dhe tërë veprat e veta pasqyrojnë mëshirën e tij.»—PSAL. 145:9.

KËNGA 44 Përgjërimi i shpirtit

PËRMBLEDHJEa

1. Ç’mund të na vijë ndër mend kur përfytyrojmë një person të mëshirshëm?

KUR përfytyrojmë një person të mëshirshëm, mbase na vjen ndër mend dikush që është i dashur, zemërmirë, i dhembshur dhe bujar. Ndoshta na kujtohet edhe historia që tregoi Jezui për samaritanin e mirë. Ai njeri nga një komb tjetër «tregoi mëshirë» për një jude që kishte rënë në duart e kusarëve. Samaritanit «iu dhimbs shumë» judeu i plagosur dhe u kujdes me dashuri për të. (Luka 10:29-37) Te ky ilustrim del në pah një cilësi e bukur e Perëndisë tonë—mëshira. Kjo cilësi është një aspekt i dashurisë së Perëndisë, dhe ai na trajton me mëshirë ditë për ditë.

2. Cila është një mënyrë tjetër si tregohet mëshira?

2 Ka edhe një mënyrë tjetër si tregohet mëshira: kur vendos të mos e ndëshkosh dikë nëse ka një bazë për të treguar mëshirë. S’ka dyshim se kjo është një mënyrë si shfaq mëshirë për ne Jehovai. «Ai nuk vepron me ne sipas mëkateve tona»,—tha psalmisti. (Psal. 103:10) Megjithatë, ka raste kur Jehovai mund t’i japë disiplinë të fortë dikujt që ka gabuar.

3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri pyetje: Pse tregon mëshirë Jehovai? A është e mundur t’i japësh disiplinë të fortë dikujt e njëkohësisht të tregosh mëshirë? Çfarë mund të na ndihmojë të tregojmë mëshirë? Le të shohim si u përgjigjet Fjala e Perëndisë këtyre pyetjeve.

PSE TREGON MËSHIRË JEHOVAI

4. Pse tregon mëshirë Jehovai?

4 Jehovait i pëlqen shumë të tregojë mëshirë. Apostulli Pavël shkroi nën frymëzim se Perëndia është «i pasur në mëshirë». Në këtë kontekst, Pavli po fliste për mëshirën që tregon Perëndia kur u jep të mirosurve, që janë të papërsosur, shpresën për të jetuar në qiell. (Efes. 2:4-7) Por mëshira e Jehovait shtrihet shumë më tej. Psalmisti David shkroi: «Jehovai është i mirë me të gjithë, dhe tërë veprat e veta pasqyrojnë mëshirën e tij.» (Psal. 145:9) I shtyrë nga dashuria për njerëzit, Jehovai tregon mëshirë sa herë që ka një bazë për ta bërë këtë.

5. Si e mësoi Jezui se Jehovai është i mëshirshëm?

5 Jezui e di më mirë se kushdo sa shumë i pëlqen Jehovait të tregojë mëshirë. Atë e Bir ishin bashkë në qiell gjatë mijëra vjetëve të historisë njerëzore. (Prov. 8:30, 31) Në kushedi sa raste, Jezui pa si tregonte mëshirë Ati i tij për njerëzit mëkatarë. (Psal. 78:37-42) E në mësimet e tij, Jezui e theksoi shpesh këtë cilësi tërheqëse të Atit.

Babai nuk e bëri me turp djalin e humbur, por e priti krahëhapur në shtëpi (Shih paragrafin 6)c

6. Si e ilustroi Jezui mëshirën e Atit të tij?

6 Siç u përmend në artikullin e kaluar, Jezui përdori një histori prekëse për një bir të humbur, që të ilustronte sa shumë dëshiron Jehovai të tregojë mëshirë. Djali u largua nga shtëpia dhe «e harxhoi kot pasurinë e vet duke bërë jetë të shfrenuar». (Luka 15:13) Më vonë u pendua për atë jetë imorale, u përul dhe u kthye në shtëpi. Si reagoi babai? Jezui tha: «Kur [biri] ishte ende goxha larg, i ati e vuri re dhe iu dhimbs aq shumë, sa vrapoi, iu hodh në qafë dhe e puthi me përzemërsi.» Babai nuk e bëri me turp të birin. Përkundrazi, tregoi menjëherë mëshirë duke e falur dhe duke e pritur krahëhapur në shtëpi. Djali i humbur kishte mëkatuar rëndë, por ngaqë pa pendimin e tij, babai e fali. Babai i mëshirshëm në ilustrim paraqet Jehovain. Në këtë mënyrë prekëse, Jezui ilustroi sa i gatshëm është Ati i tij t’i falë mëkatarët që pendohen sinqerisht.—Luka 15:17-24.

7. Pse mëshira që tregon Jehovai provon se ai ka mençuri të pashoqe?

7 Jehovai tregon mëshirë se ka mençuri të pashoqe. Mençuria e Jehovait nuk është një cilësi e ftohtë që lidhet vetëm me mendjen. Përkundrazi, Bibla thotë se «mençuria nga lart» është «plot mëshirë dhe fryte të mira». (Jak. 3:17) Si një prind i dashur, Jehovai e di se mëshira që tregon u sjell dobi fëmijëve të tij. (Psal. 103:13; Isa. 49:15) Falë mëshirës së tij, kemi shpresë ndonëse jemi të papërsosur. Pra, ngaqë ka mençuri të pafund, Jehovai tregon mëshirë sa herë që ka arsye ta bëjë këtë. Në të njëjtën kohë, mëshira e Jehovait është në ekuilibër të përsosur. Me mençuri, Ai nuk e shkel asnjëherë kufirin mes mëshirës dhe tolerimit të mëkatit.

8. Cila masë duhet marrë në disa raste, dhe pse?

8 Ta zëmë se një shërbëtor i Perëndisë futet me vetëdije në një rrugë të gabuar. Ç’duhet të bëjmë? ‘Mos u shoqëroni më me [të]’,—shkroi Pavli, i frymëzuar nga Perëndia. (1 Kor. 5:11) Mëkatarët e papenduar përjashtohen nga kongregacioni. Kjo masë është e nevojshme, pasi mbron motrat e vëllezërit besnikë dhe tregon respekt për shenjtërinë e Jehovait. Mirëpo, disa mund ta kenë të vështirë ta shohin përjashtimin si një shprehje të mëshirës së Perëndisë. Le të shohim nëse Jehovai është i mëshirshëm kur disiplinon.

A ËSHTË E MËSHIRSHME TË JAPËSH DISIPLINË TË FORTË?

Një bari i afrohet një deleje të sëmurë që është e izoluar nga pjesa tjetër e tufës.

Një dele mund të jetë e izoluar kur është sëmurë, por prapë nxjerr dobi nga kujdesi i bariut (Shih paragrafët 9-11)

9-10. Në harmoni me Hebrenjve 12:5, 6, pse mund të themi se përjashtimi është një masë e mëshirshme? Ilustrojeni.

9 Kur dëgjojmë në mbledhje njoftimin se dikush që e njohim dhe e duam «nuk është më Dëshmitar i Jehovait», na sëmbon në zemër. Ndoshta pyesim veten nëse ishte e nevojshme që njeriu ynë i dashur të përjashtohej. A është vërtet përjashtimi një shprehje e mëshirës? Pa diskutim që po. T’ia kursesh disiplinën dikujt që ka nevojë, nuk është as e mençur, as e mëshirshme, as e dashur. (Prov. 13:24) A mund ta ndihmojë përjashtimi një mëkatar të papenduar të ndërrojë rrugë? Po. Shumë veta që bënë një mëkat të rëndë, kanë thënë se disiplina e fortë nga pleqtë ishte tamam shkundja që u nevojitej për të ardhur në vete, për të ndërruar rrugë dhe për t’u kthyer në krahët e ngrohtë të Jehovait.—Lexo Hebrenjve 12:5, 6.

10 Të bëjmë një ilustrim. Një bari vëren se një nga delet e tij është sëmurë. Ai e di se për ta trajtuar atë sëmundje të veçantë, duhet ta izolojë delen e sëmurë nga tufa. Por, deleve u pëlqen shumë të rrinë bashkë në tufë dhe kur veçohen nga të tjerat, mund të shqetësohen ose të acarohen. Megjithatë, a do të thotë kjo se bariu po tregohet i ashpër ose mizor kur zgjedh atë trajtim? Patjetër që jo. Ai e di se po të lejojë që e sëmura të rrijë në tufë me delet e tjera, sëmundja do të përhapet. Duke e izoluar delen e sëmurë, bariu mbron gjithë tufën.—Krahaso Levitikun 13:3, 4.

11. (a) Pse mund të themi se një i përjashtuar është si një dele e sëmurë? (b) Ç’mund të bëjnë të përjashtuarit dhe çfarë ndihme kanë në dispozicion?

11 Një Dëshmitar që përjashtohet, është si ajo dele e sëmurë. Ai është i sëmurë sepse i është dëmtuar rëndë marrëdhënia me Jehovain. (Jak. 5:14) E ashtu si disa sëmundje fizike, edhe kjo sëmundje mund të jetë goxha ngjitëse. Prandaj, në disa raste është e nevojshme që «i sëmuri» të izolohet nga kongregacioni. Kjo disiplinë është shprehje e dashurisë së Jehovait për pjesëtarët besnikë të kopesë së Tij. Gjithashtu mund ta shkundë atë që ka mëkatuar e mund ta shtyjë të pendohet. Gjatë kohës që është i përjashtuar, ai mund të ndjekë mbledhjet, ku mund ta ushqejë e ta forcojë besimin. Ka edhe mundësinë të marrë literaturë për përdorim personal dhe të shohë JW Broadcasting®. Po ashtu, kur shohin se po bën ndryshime, pleqtë mund t’i japin herë pas here këshilla dhe drejtim për ta ndihmuar të ndreqë marrëdhënien me Jehovain, që të jetë sërish pjesë e popullit të Tij.b

12. Si tregojnë dashuri dhe mëshirë pleqtë për një mëkatar të papenduar?

12 Është e rëndësishme të kujtojmë se vetëm mëkatarët e papenduar përjashtohen. Pleqtë e dinë se kjo është një çështje serioze dhe nuk e marrin lehtë. E dinë se Jehovai disiplinon «në masën e duhur». (Jer. 30:11) Ata i duan vëllezërit dhe nuk dëshirojnë të bëjnë asgjë që do t’u dëmtonte miqësinë me Jehovain. Por ka raste kur është gjë e dashur dhe e mëshirshme që një mëkatar të hiqet për njëfarë kohe nga kongregacioni.

13. Pse duhej përjashtuar një i krishterë në Korint?

13 Të mendojmë si veproi apostulli Pavël në shekullin e parë në rastin e një mëkatari të papenduar. Një i krishterë në Korint po bënte jetë imorale me gruan e të atit. Sa gjë e shëmtuar! Jehovai u kishte thënë izraelitëve të lashtë për një sjellje të tillë: «Kush fle me gruan e babait, turpëron babanë e vet. Të dy duhet të vriten pa diskutim.» (Lev. 20:11) Natyrisht, Pavli nuk mund të urdhëronte që ai burrë të dënohej me vdekje. Ama i udhëzoi korintasit që ta përjashtonin. Sjellja e tij imorale po ndikonte për keq te të tjerë në kongregacion, e madje disave nuk u vinte aspak turp nga ajo sjellje skandaloze!—1 Kor. 5:1, 2, 13.

14. Si tregoi mëshirë Pavli për një të përjashtuar në Korint, dhe pse? (2 Korintasve 2:5-8, 11)

14 Pas njëfarë kohe, Pavli mori vesh se ai mëkatar kishte bërë ndryshime rrënjësore. Ai ishte penduar sinqerisht! Ndonëse mëkatari kishte turpëruar kongregacionin, Pavli u tha pleqve se nuk donte ‘ta rëndonte situatën edhe më shumë’ duke u treguar tepër i ashpër. Ai i udhëzoi: ‘Faleni me gjithë zemër dhe ngushëllojeni.’ Për ç’arsye? Pavli shpjegoi: «Që të mos e mbytë trishtimi i tepërt.» Pavli ndjeu dhembshuri për të penduarin. Apostulli nuk donte që ai të ndihej aq i mbytur nga ndjenjat e fajit, aq i dërrmuar, sa të dorëzohej e të mos përpiqej më që Jehovai ta falte.—Lexo 2 Korintasve 2:5-8, 11.

15. Si e ruajnë ekuilibrin pleqtë mes disiplinës së fortë e mëshirës?

15 Ashtu si Jehovai, pleqtë kanë shumë dëshirë të tregojnë mëshirë. Ata japin disiplinë të fortë nëse është e nevojshme, por tregojnë mëshirë sa herë është e mundur dhe ka një bazë për këtë. Po të vepronin ndryshe, nuk do të tregonin mëshirë, por do të toleronin mëkatin. Megjithatë, a janë pleqtë të vetmit që duhet të tregojnë mëshirë?

ÇFARË MUND TË NA NDIHMOJË TË TREGOJMË MËSHIRË?

16. Sipas Proverbave 21:13, si sillet Jehovai me ata që nuk tregojnë mëshirë?

16 Të gjithë ne përpiqemi të imitojmë mëshirën e Jehovait. Pse? Një arsye është se Jehovai nuk i dëgjon ata që nuk tregojnë mëshirë për të tjerët. (Lexo Proverbat 21:13.) Asnjë nga ne nuk dëshiron që, kur i lutet Jehovait, ai t’i mbyllë veshët. Prandaj bëjmë kujdes të mos jemi zemërgur. Në vend se ta bëjmë veshin të shurdhër ndaj një bashkëbesimtari shpirtvrarë, duhet të jemi gjithnjë gati ta dëgjojmë ‘klithmën e të përvuajturit’. Po ashtu bëjmë çmos të zbatojmë mësimin që përmbajnë këto fjalë të frymëzuara: «Ai që nuk tregon mëshirë, pa mëshirë do të gjykohet.» (Jak. 2:13) Nëse kujtojmë me përulësi sa nevojë kemi për mëshirë, ka më shumë gjasa të tregojmë mëshirë. Duam të tregojmë mëshirë sidomos kur një mëkatar i penduar kthehet në kongregacion.

17. Si tregoi mëshirë nga zemra mbreti David?

17 Bibla përmban shembuj që na ndihmojnë të jemi të gatshëm të tregojmë mëshirë dhe të mos kemi një qëndrim të ashpër. Për shembull, të mendojmë për mbretin David. Ai tregoi shpesh mëshirë nga zemra. Ndonëse Sauli donte ta vriste, Davidi u tregua i mëshirshëm me mbretin e mirosur të Perëndisë. Ai nuk u orvat kurrë të hakmerrej ose t’i bënte keq Saulit.—1 Sam. 24:9-12, 18, 19.

18-19. Cilat janë dy raste kur Davidi shfaqi një qëndrim të pamëshirshëm?

18 Ama, Davidi nuk ishte gjithmonë i mëshirshëm. Për shembull, kur Nabali, një njeri harbut, foli pa respekt e nuk pranoi t’u jepte ushqim Davidit dhe luftëtarëve të tij, Davidi u tërbua dhe vendosi ta vriste atë dhe gjithë meshkujt e shtëpisë së tij. Falë gruas së Nabalit, Abigailës zemërmirë e të duruar që veproi pa humbur kohë, Davidi nuk u bë me faj gjaku.—1 Sam. 25:9-22, 32-35.

19 Në një rast tjetër, profeti Natan i tregoi Davidit për një të pasur që i grabiti fqinjit të tij të varfër një qengj që e donte shumë. Davidit iu ndez zemërimi dhe i tha: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, njeriu që e ka bërë këtë, e ka hak vdekjen!» (2 Sam. 12:1-6) Davidi e dinte ç’thoshte Ligji i Moisiut. Një hajdut që vidhte një dele duhej ta dëmshpërblente pronarin katërfish. (Eks. 22:1) Por të dënohej me vdekje?! Ai ishte një dënim goxha i ashpër. Siç doli më pas, Natani po e përdorte atë situatë imagjinare thjesht si ilustrim për disa krime shumë më të rënda—për ato që kishte bërë vetë Davidi. E Jehovai ishte shumë më i mëshirshëm me Davidin sesa do të kishte qenë Davidi me hajdutin e qengjit në ilustrimin e Natanit!—2 Sam. 12:7-13.

Mbreti David shfaqi një qëndrim të pamëshirshëm kur dëgjoi ilustrimin e Natanit (Shih paragrafët 19-20)d

20. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Davidit?

20 Vër re se kur po shfrynte inatin, Davidi gjykoi që Nabali dhe tërë meshkujt e shtëpisë së tij të ndëshkoheshin me vdekje. Më vonë, Davidi tha rrëmbyer se i pasuri në ilustrimin e Natanit e kishte hak vdekjen. Në rastin e dytë, ndoshta çuditemi pse një njeri aq zemërmirë sa Davidi dha një gjykim aq të ashpër. Të kujtojmë pak rrethanat. Në atë kohë, Davidi ndihej fajtor dhe e brente ndërgjegjja. Një qëndrim i ashpër dhe gjykues nuk është shenjë e një marrëdhënieje të fortë me Jehovain. Në fakt, është krejt e kundërta. Jezui u dha këtë paralajmërim serioz dishepujve të tij: «Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni, sepse do t’ju gjykojnë me po atë gjykim që gjykoni.» (Mat. 7:1, 2) Prandaj të bëjmë çmos që të mos zhvillojmë një qëndrim të ashpër dhe të jemi ‘të pasur në mëshirë’, si Perëndia ynë.

21-22. Cilat janë disa mënyra si mund të tregojmë mëshirë?

21 Mëshira nuk është thjesht një ndjenjë. Ajo është përkufizuar si «dhembshuri e shprehur me vepra». Të gjithë, pra, mund të jemi syçelë për të parë cilët kanë nevojë për ndihmë në familje, në kongregacion ose aty ku jetojmë. Pa dyshim që do të gjejmë plot mundësi për të treguar mëshirë! A vërejmë dikë që ka nevojë për inkurajim? A mund t’i japim dikujt ndihmë praktike, ndoshta duke i siguruar ca ushqim ose duke u treguar të gjindshëm? Mos ndoshta një Dëshmitar i rivendosur ka nevojë për një mik të mirë që ta inkurajojë? A mund t’u japim të tjerëve lajmin e mirë që ngroh zemrat? Kjo është një nga mënyrat më të shkëlqyera për të treguar mëshirë ndaj çdo njeriu.—Jobi 29:12, 13; Rom. 10:14, 15; Jak. 1:27.

22 Nëse jemi të vëmendshëm, do të gjejmë mundësi pa fund për të treguar mëshirë. Përfytyro si i bëhet zemra mal Atit qiellor, Perëndisë tonë ‘të pasur në mëshirë’, kur sheh që tregojmë mëshirë për të tjerët!

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse tregon mëshirë Jehovai?

  • Pse është e mëshirshme t’i japësh disiplinë të fortë dikujt?

  • Çfarë do të na ndihmojë të jemi të mëshirshëm?

KËNGA 43 Një lutje falënderimi për ty, Jehova!

a Mëshira është një nga cilësitë më tërheqëse të Jehovait dhe secili nga ne ka nevojë ta kultivojë këtë cilësi. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pse tregon mëshirë Jehovai, pse mund të themi se Jehovai është gjithmonë i mëshirshëm kur disiplinon dhe si mund ta shfaqim ne këtë cilësi të bukur.

b Për të mësuar si mund ta ndreqin marrëdhënien me Perëndinë të rivendosurit në kongregacion dhe si mund t’i ndihmojnë pleqtë, shih në këtë numër artikullin «Si ta rindërtosh miqësinë me Jehovain».

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Nga tarraca e shtëpisë, babait i zë syri birin e humbur që po kthehet në shtëpi dhe vrapon ta përqafojë.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: I stresuar dhe i dërrmuar nga ndjenja e fajit, mbreti David reagon në mënyrë të ekzagjeruar kur dëgjon ilustrimin e Natanit; ai thotë tërë inat se i pasuri e ka hak vdekjen.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo