Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Ajo gjeti një qëllim në jetë
JEZUI thotë se i njeh delet e veta. (Gjoni 10:14) Nëse një njeri ka një zemër të mirë dhe dashuri për paqen dhe drejtësinë, do të tërhiqet prej pasuesve të Jezuit. Një njeri i tillë do ta gjejë një qëllim në jetë, ashtu siç i ndodhi një gruaje në Belgjikë. Kjo është historia e saj:
«Kur Dëshmitarët e Jehovait trokisnin në derën time, isha shumë e dëshpëruar dhe mendoja t’i jepja fund jetës. Më pëlqente ajo çka thoshin Dëshmitarët për zgjidhjen e problemeve të kësaj bote të sëmurë, por nuk më pëlqente ideja se Perëndia luante rol në këtë. Nuk shkoja më në kishë që prej tetë vjetësh, sepse e urreja hipokrizinë që shikoja atje. Megjithatë, me Dëshmitarët njoha tingëllimën e së vërtetës në gjithçka që ata thoshin dhe po kuptoja më në fund se është e vështirë të jetosh pa Perëndinë.»
«Mjerisht, mbas disa vizitash i humba lidhjet me Dëshmitarët. Ndihesha e mjerë. Pija dy paketa cigare në ditë dhe fillova, madje, të përdorja drogën. Me dëshirën për të komunikuar me gjyshin tim të ndjerë, u mora me spiritizëm. Sa frikë kisha natën, kur si pasojë, përjetoja e vetme sulmet e demonëve. Një gjë e tillë vazhdoi për muaj të tërë. Çdo natë isha e tmerruar nga mendimi se isha vetëm.»
«Mbas kësaj, një ditë dola për një shëtitje, duke ndjekur një rrugë të ndryshme nga ditët e tjera dhe arrita tek një kantier i madh ndërtimi. Për habinë time pashë një grumbull të madh njerëzish. Duke u afruar, shikoj se ishin Dëshmitarët e Jehovait që po ndërtonin një Sallë Mbretërie. Më kujtoheshin vizitat që Dëshmitarët me kishin bërë në shtëpi dhe mendoja sa e mrekullueshme do të ishte nëse të gjithë njerëzit do të mund të jetonin si ata.»
«Me të vërtetë dëshiroja që Dëshmitarët të ktheheshin e të më vizitonin përsëri në shtëpi, prandaj fola me disa prej atyre që po punonin për ndërtimin e Sallës. Iu luta Perëndisë dhe dhjetë ditë më vonë burri që më kishte takuar për herë të parë gjendej në derën time. Ai më sugjeroi që të vazhdonim studimin e Biblës dhe unë e gëzuar pranova. Menjëherë më ftoi për të marrë pjesë në mbledhjet që bëheshin në Sallën e Mbretërisë. Unë pranova. Asnjëherë nuk kisha parë një pamje të tillë. Për një kohë të gjatë kisha kërkuar njerëz që e duan njëri-tjetrin dhe që janë të gëzuar. Së fundi, ata ishin këtu!»
«Që atëherë, mora pjesë në të gjitha mbledhjet. Mbas gati tri javësh hoqa zakonin e keq të duhanit. Flaka jashtë librat e mi të astrologjisë dhe disqet me muzikë satanike dhe e ndieja se demonët e kishin humbur aftësinë mbi mua. E vura jetën time në harmoni me rregullat e Jehovait në Bibël dhe pas tre muajsh fillova të predikoj lajmin e mirë. Pas gjashtë muajsh u pagëzova. Dy ditë pas pagëzimit fillova të shërbej si pioniere ndihmëse.»
«Falënderoj Jehovain për gjithçka të mirë që ka bërë për mua. Më në fund jeta ime ka një qëllim. Po, emri i Jehovait është një kështjellë e fortë, në të cilën unë gjej strehim dhe mbrojtje. (Proverbat 18:10) Me të vërtetë provoj të njëjtat ndjenja të shprehura nga psalmisti në Psalmin 84:10: ‘Një ditë në oborret e tua është më mirë se mijëra gjetiu. Kam zgjedhur më mirë të rri në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, sesa të vij vërdallë në çadrat e të ligjve.’»—NW.
Kjo grua me zemër të sinqertë gjeti një qëllim në jetë. Kështu mund të gjejë çdokush që kërkon Jehovain me zemër të mirë.