Luftoi për besimin e saj
TRE vjet më parë, Karidad Bazán Listán, një Dëshmitare e Jehovait në Kadiz të Spanjës, kishte nevojë urgjente për një operacion. Gurët në tëmth i shkaktonin ethe dhe i helmonin gjakun. Kur u vendos në spitalin lokal, ajo shpjegoi qëndrimin e saj të bazuar në Bibël për refuzimin e transfuzionit të gjakut. Mjekët pranuan ta kryenin operacionin pa gjak. Megjithatë, pak para se të dërgohej për në sallën e operacionit, mjekët i kërkuan të nënshkruante një dokument, në të cilin thuhej se ata ishin të gatshëm të respektonin vendimin e saj në lidhje me gjakun, por në rast urgjence ata donin lejen e saj për të zbatuar çfarëdolloj trajtimi që do të mund të ishte i nevojshëm.
Një plak kongregacioni që ishte i pranishëm në spital dhe djali i Karidadit, gjithashtu një Dëshmitar, e vunë në dijeni Karidadin për kuptimin e nënshkrimit të një dokumenti të tillë. Nënshkrimi i saj do t’i lejonte mjekët që t’i bënin transfuzion gjaku në rast urgjence. Kur personeli mjekësor erdhi për ta marrë dhe për ta dërguar në sallën e operacionit, ajo u shpjegoi se nuk do ta nënshkruante letrën. Menjëherë e kthyen në dhomën e saj dhe i bënë presione të forta për t’i kthyer mendjen.
Pas disa bisedash, ata vendosën të thërrisnin një gjykatës në mënyrë që të mund ta bindte, por pa dobi. Karidadi i shpjegoi se do të ndihej fajtore para Perëndisë nëse do të lejonte që ata t’i hidhnin gjak. Ajo vuri në dukje se sipas Ligjit të Moisiut, nëse një grua përdhunohet nuk konsiderohet fajtore nëse reziston me të bërtitura për të kërkuar ndihmë. (Ligji i përtërirë 22:23-27) «Mjekët nuk po i përfillin dëshirat e mia dhe po përpiqen të përdhunojnë ndërgjegjen time,—tha ajo,—prandaj, duhet të rezistoj në të njëjtën mënyrë, sikur të ishin duke më përdhunuar.»
Kaluan disa orë dhe më në fund mjekët pranuan ta operonin pa gjak. Në sallën e operacionit Karidadi kërkoi leje për t’iu lutur Jehovait. E bëri dhe operacioni doli me sukses.
Megjithatë, më pas gjendja e Karidadit u keqësua dhe mjekët vendosën të mos e përfillnin dëshirën e saj dhe t’i bënin një transfuzion gjaku. Kështu, një mjek dhe një infermiere u përgatitën për t’i bërë transfuzionin. Edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore, Karidadi rezistoi me të gjitha forcat. Madje ia doli mbanë të priste tubat e aparatit nëpër të cilët duhej të kalonte gjaku. Së fundi, mjekut i erdhi aq turp nga ajo që po bënin, saqë e ndërpreu punën. «Nuk mund të vazhdoj më kështu. Jam gati ta dorëzoj punën!»—tha ai.
Karidadi e përballoi krizën dhe përveç kësaj e mori veten shumë mirë. Si mjekët edhe infermieret nuk mund të bënin gjë tjetër, veçse të ishin thellësisht të prekur nga besimi dhe kuraja e saj. E gjithë kjo ndodhi kur Karidadi ishte 94 vjeç.