BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w93 1/3 f. 14-19
  • Prania e Mesisë dhe sundimi i tij

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Prania e Mesisë dhe sundimi i tij
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mënyra e kthimit të Krishtit
  • Kur fillon ajo?
  • Përse një kohë shqetësimesh?
  • Kur Mesia të mbretërojë mbi tokë
  • Si ndikon mbi ty sundimi i tij
  • Duke hedhur dritë mbi praninë e Krishtit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Kur do të vijë Mbretëria e Perëndisë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Kthimi i Krishtit
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
  • Ardhja e Jezuit apo prania e Jezuit: Cila nga të dyja?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
w93 1/3 f. 14-19

Prania e Mesisë dhe sundimi i tij

«Ky Jezu që u mor nga ju për në qiell do të vijë në të njëjtën mënyrë që e patë të shkonte në qiell.»​—VEPRAT 1:11, NW.

1, 2. (a) Si i ngushëlluan dy engjëjt apostujt e Krishtit, kur ai u ngrit në qiell? (b) Cilat pyetje lindën mbi shpresën e kthimit të Krishtit?

NJËMBËDHJETË njerëz qëndronin mbi pjerrësirën lindore të Malit të Ullinjve, me shikimin e ngulitur nga qielli. Vetëm disa çaste më parë, Jezu Krishti u ngrit mes tyre, duke u zhdukur, derisa u mbulua nga retë. Në vitet e kaluara me të, këta burra panë se si Jezui dha dëshmi të bollshme se ishte Mesia; përjetuan, madje edhe dhimbjen e madhe të vdekjes së tij dhe ngazëllimin e ringjalljes së tij. Tani kishte shkuar.

2 Papritmas u paraqitën dy engjëj dhe shqiptuan këto fjalë ngushëlluese: «Njerëz të Galilesë, përse rrini duke shikuar në qiell? Ky Jezu që u mor nga ju për në qiell do të vijë në të njëjtën mënyrë që e patë të shkonte në qiell.» (Veprat 1:11, NW ) Sa qetësuese! Ngritja e Jezuit në qiell nuk do të thotë se ai nuk është më i interesuar për Tokën dhe njerëzimin! Përkundrazi, Jezui do të kthehej. Padyshim, këto fjalë i mbushën apostujt me shpresë. Edhe sot, me miliona njerëz i kushtojnë rëndësi të madhe premtimit mbi kthimin e Jezuit. Disa flasin mbi atë si për «ardhjen e dytë» apo «arritjen». Megjithatë, shumica duket e hutuar mbi domethënien e kthimit të Krishtit. Në ç’mënyrë do të kthehet Krishti? Kur? Dhe si ndikon kjo në jetën tonë sot?

Mënyra e kthimit të Krishtit

3. Çfarë besojnë shumë njerëz në lidhje me kthimin e Krishtit?

3 Sipas librit An Evangelical Christology, «ardhja e dytë apo kthimi i Krishtit (parousia) vendos mbretërinë e Perëndisë, përfundimisht, haptazi dhe për gjithë përjetësinë.» Është një besim mjaft i përhapur se kthimi i Krishtit do të jetë qartësisht i dukshëm dhe do të shihet me të vërtetë nga çdo njeri i planetit. Që ta përkrahin këtë ide, shumë tregojnë Zbulesën 1:7, ku lexojmë: «Shiko! Ai po vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e shpuan.» Por, a duhet kuptuar ky rresht në kuptim të drejtpërdrejtë?

4, 5. (a) Si e dimë se Zbulesa 1:7 nuk duhet nënkuptuar në një kuptim të vërtetë? (b) Si e vërtetojnë këtë vetë fjalët e Jezuit?

4 Kujtohu, se libri i Zbulesës është shfaqur «në shenja». (Zbulesa 1:11) Ky fragment, pra, duhet të jetë simbolik; në fund të fundit, si mund ta shihnin kthimin e Krishtit «ata që e shpuan»? Ndodhen të vdekur prej gati 20 shekujsh! Më tutje, engjëjt thanë se Krishti do të kthehet «në të njëjtën mënyrë» që shkoi. Po mirë, si shkoi ai? Para miliona vështruesish? Jo, vetëm disa besnikë e panë atë ngjarje. Ndërsa kur u folën engjëjt, a e panë apostujt me të vërtetë udhëtimin e Jezuit gjatë gjithë rrugës deri në qiell? Jo, një re e mbuloi dhe e fshehu Jezuin nga shikimi. Pak kohë më vonë, Jezui duhet të kishte hyrë në qiejt frymorë si qënie frymore, i padukshëm për sytë njerëzorë. (1. Korintasve 15:50) Prandaj, tek e shumta, apostujt panë vetëm fillimin e udhëtimit të Jezuit; ata nuk mundën ta shohin përfundimin e tij, kthimin në praninë qiellore të të Atit, Jehovait. Këtë mund ta dallonin vetëm me sytë e besimit të tyre.​—Gjoni 20:17.

5 Bibla mëson se Jezui kthehet në mënyrë shumë të ngjashme. Vetë Jezui, pak para vdekjes së vet, tha: «Edhe pak dhe bota s’do të më shohë më.» (Gjoni 14:19, NW ) Tha po ashtu, se «Mbretëria e Hyut [Perëndisë, NW] nuk vjen në mënyrë të dukshme.» (Luka 17:20) Në ç’kuptim, pra, «do ta shohë çdo sy»? Që t’i përgjigjemi kësaj, së pari kemi nevojë për një kuptueshmëri të qartë të fjalës që Jezui dhe ithtarët e tij e përdorën në lidhje me kthimin e tij.

6. (a) Përse fjalë të tilla si «kthim», «arritje», «shfaqje» dhe «ardhje» nuk janë përkthime të përshtatshme të fjalës greke parousia? (b) Ç’tregon se parousia, apo «prania», zgjat shumë më tepër, sesa një ngjarje e çastit?

6 Është fakt, se ky i Krishtit është shumë më tepër, sesa një «kthim» i thjeshtë. Kjo fjalë, si edhe «ardhja», «arritja» apo «shfaqja», përfshin një ngjarje të vetme në një moment të shkurtër kohe. Por, fjala greke e përdorur nga Jezui dhe ithtarët e tij do të thotë shumë më tepër. Fjala është parousia, që fjalë për fjalë do të thotë «të jesh pranë» apo «prani». Shumica e dijetarëve është dakort se kjo fjalë nuk përfshin vetëm një arritje, por edhe një prani konsekuente, si në një vizitë zyrtare të ndonjë personazhi mbretëror. Kjo prani nuk është një ngjarje momentale; është një epokë e veçantë, një periudhë e caktuar kohe. Në Mateun 24:37-39, Jezui tha se «prania [parousia] e Birit të njeriut» do të ishte e ngjashme «me ditët e Noesë» që arritën kulmin me Përmbytjen. Noeja ndërtoi arkën dhe i paralajmëroi të ligjtë me dekada para se të vinte Përmbytja dhe të fshinte tej atë sistem të korruptuar botëror. Kështu, në mënyrë të ngjashme, prania e padukshme e Krishtit shtrihet në periudhë prej disa dekadash, para se të arrijë edhe ajo kulmin me një shkatërrim të madh.

7. (a) Ç’dëshmon se parousia nuk është e dukshme për sytë njerëzorë? (b) Si dhe kur do të plotësohen shkrimet që e përshkruajnë kthimin e Krishtit si të dukshëm për «çdo sy»?

7 Padyshim, parousia nuk është me të vërtetë e dukshme për sytë njerëzorë. Sikur të ishte ashtu, përse Jezui do të harxhonte aq shumë kohë, siç do të shohim, për t’u dhënë ithtarëve të vet një shenjë që do t’i ndihmonte për të dalluar këtë prani?a Megjithatë, kur Krishti do të vijë për të shkatërruar sistemin botëror të Satanait, realiteti i pranisë së tij do t’u manifestohet pa masë të gjithëve. Atëherë, «çdo sy do ta shohë». Edhe kundërshtarët e Jezuit do të mund ta kuptojnë, për tmerr të vetin, se pushteti i Krishtit është i vërtetë.​—Shiko Mateun 24:30; 2. Selanikasve 2:8; Zbulesa 1:5, 6.

Kur fillon ajo?

8. Cilat ngjarje shënojnë fillimin e pranisë së Krishtit dhe kur do të ndodhë kjo?

8 Prania e Mesisë fillon me një ngjarje që plotëson një temë të përsëritshme të profecive mesianike. Ai është kurorëzuar si Mbret në qiell. (2. Samuelit 7:12-16; Isaia 9:6, 7; Ezekieli 21:26, 27) Vetë Jezui tregoi se prania e tij do të ishte e lidhur me mbretërimin e tij. Në disa krahasime, ai e paraqiti veten si një pronar që i lë prapa shtëpiakët dhe shërbëtorët e tij, duke udhëtuar për një kohë të gjatë në një «vend të largët», ku merr «fuqinë mbretërore». Ai dha një ilustrim të tillë si pjesë të përgjigjes së vet ndaj pyetjes së apostujve mbi fillimin e parousia-s së tij; një tjetër e dha sepse «ata përfytyronin se mbretëria e Perëndisë do të paraqitej vetë, menjëherë.» (Luka 19:11, 12, 15; Mateu 24:3; 25:14, 19) Prandaj, gjatë kohës që ishte mbi tokë si njeri, kurorëzimi i tij ishte ende shumë larg, duhej të ndodhte «në vendin e largët» në qiell. Kur do të ndodhte kjo?

9, 10. Çfarë dëshmish ekzistojnë se Krishti është tashmë duke sunduar në qiell dhe kur ka filluar sundimi i tij?

9 Kur dishepujt e tij e pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë tënde dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?»—Jezui u përgjigj, duke u dhënë një përshkrim të hollësishëm të asaj kohe të ardhme. (Mateu kreu 24; Marku kreu 13; Luka kreu 21; shiko gjithashtu 2. Timoteut 3:1-5; Zbulesa kreu 6.) Kjo shenjë përkon me portretin e hollësishëm të një kohe me shqetësime. Është një kohë e karakterizuar nga luftëra ndërkombëtare, krime në rritje, prishje e jetës familjare, sëmundje epidemike, uri dhe tërmete​—jo si probleme lokale, por si kriza që përfshijnë gjithë globin. A nuk tingëllon familjare? Çdo ditë që kalon vërteton se shekulli i 20-të i përgjigjet përsosmërisht përshkrimit të Jezuit.

10 Historianët pajtohen se viti 1914 ishte një kthesë në historinë njerëzore, vit kryesor, pas të cilit shumë nga këto probleme filluan të dilnin jashtë kontrollit, duke u ngritur në një shkallë globale. Po, të gjitha ngjarjet e dukshme të botës në plotësim të profecisë së Biblës, tregojnë se 1914 ishte viti kur Jezui filloi të mbretërojë si Mbret në qiell. Më tutje, një profeci në kreun 4 të Danielit, ofron një dëshmi kronologjike që na çon në po atë vit, 1914, si në kohën, kur Mbreti i emëruar i Jehovait do të fillonte sundimin e tij.b

Përse një kohë shqetësimesh?

11, 12. (a) Përse disave u është e vështirë të besojnë se Krishti po sundon në qiell pikërisht tani? (b) Si mund ta ilustrojmë atë që ndodhi pas kurorëzimit të Jezuit si Mbret?

11 Megjithatë, disa pyesin veten: «Përse bota është kaq e shqetësuar, nëse Mesia po mbretëron në qiell? Mos, vallë, sundimi i tij është joefektiv?» Një ilustrim mund të na ndihmojë. Një shtet qeverizohet nga një president i lig. Ai ka vendosur një sistem të korruptuar, tentakulat e të cilit shtrihen në çdo cep të vendit. Por, zhvillohen zgjedhjet dhe një njeri i mirë fiton. Ç’do të ndodhë tani? Si në rastin e disa vendeve demokratike, para se të caktohet presidenti i ri, vijon një periudhë kalimtare prej disa muajsh. Si do të sillen këta dy njerëz gjatë kësaj periudhe? Mos, vallë, njeriu i mirë do të sulmojë dhe zbërthejë menjëherë gjithë ligësinë që paraardhësi i tij ka bërë në gjithë vendin? Apo në vend të kësaj, do të përqëndrohet së pari në kryeqytet, duke krijuar qeverinë e re dhe duke ndërprerë çdo lidhje me miqtë e pandershëm dhe ithtarët e presidentit të dikurshëm. Në këtë mënyrë, kur të vijë plotësisht në fuqi, mund të veprojë nga një fron i pastër dhe efikas pushteti. Për sa i takon presidentit të korruptuar, a s’do ta shfrytëzonte ky përparësinë e kohës së shkurtër që i mbetet, për të nxjerrë nga vendi të gjitha të ardhurat e fituara në mënyrë të padrejtë, para se të humbë çdo lloj pushteti?

12 Në fakt, është njësoj edhe me parousia-n e Krishtit. Zbulesa 12:7-12 tregon se kur u vendos si Mbret në qiell, Krishti së pari hodhi nga qielli Satanain dhe demonët, duke pastruar, kështu, vendin e qeverisë së vet. Pasi ka pësuar këtë disfatë të shumëpritur, si sillet Satanai gjatë «periudhës së shkurtër kohore», para se Krishti të ushtrojë autoritetin e vet të plotë, këtu mbi Tokë? Ashtu si ai presidenti i korruptuar, Satanai përpiqet të marrë çdo gjë që mundet nga ky sistem i vjetër. Nuk jepet pas të hollave, por kërkon jetëra njerëzish. Ai dëshiron të largojë sa më tepër njerëz që mundet prej Jehovait dhe Mbretit të Tij që mbretëron.

13. Si tregojnë Shkrimet se fillimi i sundimit të Krishtit do të ishte për tokën një kohë mjerimesh?

13 Prandaj, s’është për t’u habitur që fillimi i sundimit nënkupton një kohë «të mjerë për tokën». (Zbulesa 12:12) Në të njëjtën mënyrë, Psalmi 110:1, 2, 6, tregon se Mesia fillon të mbretërojë «në mes të armiqve të vet». Vetëm më vonë ai do t’i shtrydhë plotësisht «kombet», bashkë me çdo aspekt të sistemit të korruptuar të Satanait, përgjithmonë!

Kur Mesia të mbretërojë mbi tokë

14. Ç’do të jetë në gjendje të bëjë Mesia, pasi të shkatërrojë sistemin e lig të gjërave të Satanait?

14 Pasi të shkatërrojë sistemin e Satanait dhe të të gjithë përkrahësve të tij, Mbreti mesianik, Jezu Krishti, do të jetë më në fund në gjendje që t’i plotësojë profecitë e mrekullueshme biblike që përshkruajnë Mbretërinë e tij një mijë vjeçare. Isaia 11:1-10 na ndihmon të shohim se çfarë sundimtari do të jetë Mesia. Rreshti 2 na thotë se ai do të ketë «frymën e Jehovait . . ., frymën e mençurisë dhe kuptueshmërisë, frymën e këshillës dhe fuqisë.»

15. Çfarë nënkupton «fryma e fuqisë» në sundimin mesianik?

15 Mendo se ç’do të thotë «fryma e fuqisë» në sundimin e Jezuit. Kur ishte mbi tokë, ai kishte një farë fuqie, të dhënë nga Jehovai, që i mundësonte të bënte mrekullira. Dhe tregoi një dëshirë të sinqertë për t’u ndihmuar njerëzve, duke thënë: «Dua». (Mateu 8:3) Por, mrekullitë e tij të asaj kohe ishin vetëm një pamje e vogël e asaj që do të bënte kur të mbretëronte nga qielli. Jezui do të kryejë mrekulli në përmasa globale! Të sëmurë, të verbër, të shurdhër, sakatë dhe të çalë do të shërohen përgjithmonë. (Isaia 35:5, 6) Ushqimi i bollshëm, i ndarë në mënyrë të drejtë, do t’i japë fund urisë përgjithmonë. (Psalmi 72:16) Ç’mund të themi për miliona të panumërt ndër varre që Perëndia i kujton me ëndje? «Fuqia» e Jezuit do të përfshijë forcën që t’i ringjallë, duke i dhënë secilit mundësinë për të jetuar përgjithmonë në Parajsë! (Gjoni 5:28, 29) Mirëpo, edhe me gjithë këtë fuqi, Mbreti mesianik gjithmonë do të jetë thellësisht i unjësuar. Ai gjen «gëzim . . . në frikën e Jehovait.»​—Isaia 11:3.

16. Çfarë Gjyqtari do të jetë Mbreti mesianik dhe si do të dalloj kjo nga gjyqtarët njerëzorë?

16 Ky Mbret do të jetë edhe një Gjyqtar i përsosur. Ai «s’do të gjykojë sipas asaj që vetëm i duket syve të tij dhe as do të qortojë thjesht prej asaj që kanë dëgjuar veshët e tij.» Cili gjyqtar njerëzor, i së kaluarës apo së tashmes, mund të përshkruhet në këtë mënyrë? Madje edhe një njeri shumë i arsyeshëm, mund të gjykojë vetëm në bazë të asaj që ka parë dhe dëgjuar, duke përdorur çdo mençuri apo dituri që mund të ketë. Kështu, gjyqtarë dhe trupa gjykues të kësaj bote të vjetër, mund të lëkunden apo të ngatërrohen nga shtrembërime të shkathta të fakteve, nga sjellje qesharake gjyqësore apo nga dëshmi kundërshtuese. Shpeshherë, vetëm të pasurit dhe të fuqishmit janë në gjendje të gjejnë një mbrojtje efektive, në fakt, duke e blerë drejtësinë. Nuk do të jetë kështu nën Gjykatësin mesianik! Ai lexon zemrat. Asgjë nuk i shpëton vrojtimit të tij. Drejtësia, e zbutur me dashuri dhe mëshirë, s’do të jetë për shitje. Ajo gjithmonë do të fitojë.​—Isaia 11:3-5.

Si ndikon mbi ty sundimi i tij

17, 18. (a) Çfarë kuadri madhështor i ardhmërisë së njerëzimit paraqitet tek Isaia 11:6-9? (b) Për kë aplikohet kjo profeci në rradhë të parë dhe përse është ashtu? (c) Si do të plotësohet me të vërtetë kjo profeci?

17 Kuptohet, se sundimi i Mesisë ndikon thellësisht mbi nënshtetasit e tij. I ndryshon njerëzit. Isaia 11:6-9 tregon se sa të mëdha janë këto ndryshime. Kjo profeci përshkruan një kuadër prekës të kafshëve të rrezikshme, grabitqare si arinj, ujqër, leopardë, luanë e kobra, në shoqërinë e kafshëve të padëmshme shtëpiake dhe madje të fëmijëve. Por grabitqarët nuk paraqesin asnjë rrezik! Përse? Rreshti 9 përgjigjet: «Ata s’do të bëjnë ndonjë dëm dhe as që do të shkaktojnë ndonjë rrënim në gjithë malin tim të shenjtë; sepse toka me siguri do të jetë e mbushur me njohurinë e Jehovait, siç e mbushin ujërat vetë detin.»

18 Natyrisht, «njohuria e Jehovait» nuk mund të ketë asnjë lloj ndikimi mbi kafshët e vërteta; prandaj, këta rreshta në rradhë të parë duhet të aplikohen në njerëz. Sundimi i Mesisë përkrah një program botëror edukimi, duke i mësuar njerëzit në lidhje me Jehovain dhe rrugët e tij, duke i mësuar të gjithë të sillen ndaj të afërmve të tyre me dashuri, respekt dhe dinjitet. Në Parajsën e afërt, Mesia në mënyrë të mrekullueshme do ta ngrejë njerëzimin në përsosmëri fizike dhe morale. Aspektet grabitqare dhe shtazore që dëmtojnë natyrën e papërsosur njerëzore, do të zhduken. Edhe në kuptimin e vërtetë, njerëzimi do të jetojë më në fund në paqe me kafshët!​—Krahaso Zanafilla 1:28.

19. Si ndikon sundimi i Mesisë mbi jetën e njerëzve në këto ditë të fundit?

19 Por mbaj mend, se Mesia tashmë po sundon. Qysh më tani nënshtetasit e Mbretërisë së tij po mësojnë të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, duke plotësuar në një kuptim Isaian 11:6-9. Përveç kësaj, prej gati 80 vjetësh Jezui po plotëson Isaian 11:10: «Duhet të ndodhë në atë ditë që rrënja e Jeseut të ngrihet si sinjal për popujt. Nga ai edhe kombet do të kthehen duke pyetur dhe vendpushimi i tij duhet të bëhet i lavdishëm.» Njerëz prej të gjitha kombeve po kthehen nga Mesia. Pse? Sepse qysh kur ka filluar të sundojë, ai «është ngritur si një sinjal». Në mbarë botën e ka bërë të njohur praninë e vet, përmes programit mjaft të gjerë edukativ, të përshkruar më lart. Në të vërtetë, Jezui paratha se një shenjë e jashtëzakonshme e pranisë së tij para përfundimit të këtij sistemi të vjetër, do të ishte kjo vepër botërore e predikimit.​—Mateu 24:14.

20. Cilin qëndrim duhet të shmangin të gjithë nënshtetasit e sundimit të Mesisë dhe përse?

20 Prandaj, prania e Krishtit në fuqinë e Mbretërisë nuk është një çështje e largët, teorike, një diskutim i thjeshtë intelektual mes teologësh. Sundimi i tij ndikon dhe i ndryshon jetërat këtu, mbi tokë, sikurse ka parathënë Isaia. Jezui ka nxjerrë me miliona nënshtetas për Mbretërinë e tij nga ky sistem i korruptuar botëror. A je dhe ti një nënshtetas i tillë? Atëherë, shërbej me gjithë entuziazmin dhe gëzimin që Sundimtari ynë e meriton! Vërtet, është e lehtë të lodhesh e të shoqërohesh me britmën cinike të botës: «Ku është prania e premtuar e tij?» (2. Pjetrit 3:4) Por, siç tha vetë Jezui: «Ai që duron deri në fund do të shpëtohet.»​—Mateu 24:13, NW.

21. Si mund ta rrisë secili prej nesh çmueshmërinë ndaj shpresës mesianike?

21 Çdo ditë që kalon na afron gjithnjë e më shumë me ditën e madhe, kur Jehovai do ta drejtojë Birin e vet për t’ia bërë praninë e tij të dukshme gjithë botës. Mos lejo kurrë që shpresa jote në atë ditë të shuhet. Mendo mbi mesianitetin e Jezuit dhe cilësitë e tij si Mbret që sundon. Mendo thellësisht edhe mbi Perëndinë Jehova, ideatorin dhe autorin e shpresës së madhe mesianike të paraqitur në Bibël. Nëse vepron kështu, do të ndihesh padyshim, gjithnjë e më tepër si apostulli Pavël, kur shkroi: «O thellësi e pasurisë, mençurisë dhe njohurisë së Perëndisë!»​—Romakëve 11:33, NW.

[Shënimet]

a Në vitin 1864 teologu R. Govett u shpreh në këtë mënyrë: «Kjo më duket mjaft vendimtare. Dhënia e një shenje të Pranisë tregon se ajo është e fshehtë. Nuk kemi nevojë për ndonjë sinjal që të na shpallë praninë e diçkaje që duket.»

b Për hollësira, shiko librin «Le të vijë Mbretëria jote» (angl.), faqe 133-139.

Pyetjet për përsëritje

◻ Në ç’mënyrë kthehet Krishti?

◻ Si e dimë se parousia e Krishtit është e padukshme dhe zgjat për një periudhë të konsiderueshme kohore?

◻ Kur fillon prania e Krishtit dhe si e dimë këtë?

◻ Çfarë Qeveritari qiellor është Mesia?

◻ Në ç’mënyra ndikon sundimi i Krishtit mbi jetën e nënshtetasve të tij?

[Figura në faqen 15]

Shpresa se Jezui do të kthehej i inkurajoi mjaft apostujt e tij besnikë

[Figura në faqen 17]

Duke sunduar nga qielli, Jezui do të bëjë mrekulli në përmasa botërore

[Burimi]

Toka: Bazuar në një fotografi të NASA-s

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo