NEFTALI
[përleshjet e mia].
1. Djali i dytë që i lindi Jakobit nga Bilhaja, shërbyesja e Rakelës, gjatë kohës që ishin në Padan-Aram. (Zn 35:25, 26; Da 1:1, 4; 1Kr 2:1, 2) Meqenëse Bilhaja kishte zënë vendin e së zonjës, që nuk lindte, Neftali dhe Dani, vëllezër të një gjaku, ishin për Rakelën si fëmijët e saj. Megjithëse Lea, motra e saj, kishte tashmë katër bij (Zn 29:32-35), Rakela s’mbahej nga gëzimi që arriti të kishte një djalë të dytë nëpërmjet shërbyeses së saj dhe thirri: «Jam përleshur ashpër me motrën time, dhe kam dalë fitimtare!» Emri që i vunë, Neftal (që do të thotë «përleshjet e mia»), shprehte mirë ndjenjat e Rakelës në kohën kur lindi ai.—Zn 30:2-8.
Më vonë, vetë Neftalit i lindën katër djem, Jahzeli (Jahzieli), Guni, Jeseri dhe Shilemi (Shalumi). (Zn 46:24; 1Kr 7:13) Kur patriarku Jakob, që ishte pranë vdekjes, u tregoi bijve çfarë do t’u ndodhte «në ditët e fundit», megjithëse për Neftalin foli më shkurt se për të tjerët, për të tha fjalë të mira.—Zn 49:1, 2, 21.
2. Fisi i Izraelit që mbajti emrin e Neftalit dhe përbëhej nga katër familjet që erdhën nga bijtë e tij, Jahzeli, Guni, Jeseri dhe Shilemi. (Nu 26:48, 49) Rreth një vit pasi izraelitët ikën nga Egjipti, ky fis numëronte 53.400 burra të aftë për luftë nga mosha 20 vjeç e lart. (Nu 1:42, 43) Gjatë kohës që ishin në shkretëtirë, fisi i Neftalit, i drejtuar nga prijësi i tij, Ahirai, fushonte në veri të tabernakullit. Bashkë me fisin e Asherit dhe të Danit, ai formonte ndarjen trifisëshe të kampit të Danit. Duke qenë i fundit në radhë për marshim, kjo ndarje trifisëshe zinte pozicionin mjaft të rëndësishëm të praparojës.—Nu 1:15, 16; 2:25-31; 7:78; 10:25-28.
Në kohën kur u bë numërimi i dytë rreth 40 vjet pas Daljes nga Egjipti, numri i burrave të aftë për luftë të këtij fisi kishte rënë në 45.400. (Nu 26:50) Mes atyre që nuk jetonin më, ishte Nahbiu, një nga dhjetë zbuluesit që u tha izraelitëve fjalë të këqija për Tokën e Premtuar dhe i shkurajoi të shkonin atje.—Nu 13:14, 16, 31-33; 14:35-37.
Pasi kaloi më në fund Jordanin dhe, nën komandën e Josiut mori pjesë në pushtimin e Jerikosë dhe të Ait, Neftali ishte një nga fiset që ‘qëndroi në malin e Ebalit për të shpallur mallkimet’. (Js 6:24, 25; 8:28, 30-35; Lp 27:13) Kur erdhi koha të ndahej vendi për t’i dhënë çdo fisi trashëgiminë e tij, Perëndia caktoi Pedahelin si përfaqësues nga fisi i Neftalit për të ndihmuar Josiun dhe priftin Eleazar në këtë detyrë.—Nu 34:16, 17, 28; Js 19:51.
Trashëgimia e Neftalit. Territori që iu caktua fisit të Neftalit gjendej në veri të Tokës së Premtuar. (Lp 34:1, 2) Në lindje kufizohej nga deti i Galilesë dhe lumi Jordan. Përgjatë kufirit perëndimor të tij shtrihej për njëfarë distance territori i Asherit. Pastaj pjesërisht në jug e në perëndim shtrihej territori i Zabulonit, kurse në pjesën më jugore ai i Isakarit. (Krahaso Js 19:32-34.) Megjithëse Bibla thotë se kufiri i Neftalit arrinte deri «në Judë» (Js 19:34), kjo nuk do të thotë aspak se ai shtrihej deri në territorin e fisit të Judës, që gjendej shumë më në jug të Neftalit. Në këtë rast, Juda ndoshta i referohet zonës në lindje të Jordanit që banohej nga familja e Jairit. Nga gjyshja nga ana e babait, Jairi mund të quhej manasit (Nu 32:41; Js 13:29, 30), kurse nga gjyshi nga ana e babait, ai ishte pasardhës i Judës. (1Kr 2:5, 21, 22) Prandaj, zona që iu dha familjes së Jairit mund të quhej me të drejtë Judë nisur nga prejardhja e Jairit.
Në territorin e Neftalit kishte 19 qytete të fortifikuara bashkë me fshatrat e tyre. (Js 19:35-39) Një nga këto qytete, Kedeshi, iu dha levitëve dhe u shpall i shenjtë si qytet strehimi. (Js 20:7, 9) Levitët kishin edhe dy qytete të tjera, Hamatin (Hamot-Dorin ose Hamonin) dhe Kartanin (Kiriataimin). (Js 19:35; 21:6, 32; 1Kr 6:62, 76) Beth-Shemeshi dhe Beth-Anati, ishin dy qytete të tjera të Neftalit, nga ku kananitët nuk u dëbuan, por u përdorën për punë të detyruar.—Gjy 1:33.
Megjithëse malor, vendi që dikur zinte fisi i Neftalit (Js 20:7) është pjellor, sidomos rrafshina trekëndëshe (e Genesaretit) që shtrihet në veriperëndim të detit të Galilesë dhe të zonës së Hulës. Kur bekoi Neftalin, ka mundësi që Moisiu ta kishte fjalën për tokën që do të trashëgonte ky fis. «Neftali është ngopur me miratimin e Jehovait dhe është mbushur plot me bekimet e tij. Merri perëndimin dhe jugun!» (Lp 33:23) ‘Perëndim’ mund të përkthehet edhe «det» (DSF) ose «liqen» (RS ), pra, mund të tregojë detin e Galilesë; kurse ‘jug’ ndoshta nënkupton skajin më jugor të territorit të Neftalit, në kufi me këtë det. Gjithashtu, ka mundësi që ky varg, megjithëse mund ta ketë fjalën për detin e Galilesë, duhet të lexohet: «Deti dhe peshqit e tij janë pronë e tij.»—Shën., NW.
Nga koha e gjykatësve deri kur mërguan. Kur ishte në shtratin e vdekjes, Jakobi e krahasoi në mënyrë profetike Neftalin me ‘një drenushë të hajthme’. (Zn 49:21) Ndoshta e kishte fjalën për shpejtësinë dhe zotësinë në luftë që karakterizonin këtë fis, siç e dëshmon edhe historia. Dhjetë mijë burra nga Neftali dhe Zabuloni iu përgjigjën me guxim thirrjes së Barakut për t’u sulur kundër trupave të armatosura mirë që drejtoheshin nga Sisera, betejë nga e cila dolën me fitore. Me sa duket edhe vetë Baraku ishte nga fisi i Neftalit, pasi banonte në Kedesh të Neftalit. (Gjy 4:6-15; 5:18) Veç kësaj, fisi i Neftalit mbështeti gjykatësin Gideon në luftën kundër midianitëve.—Gjy 6:34, 35; 7:23, 24.
Vite më vonë, 1.000 prijës dhe 37.000 luftëtarë të tjerë nga fisi i Neftalit shkuan në Hebron për ta bërë Davidin mbret mbi gjithë Izraelin. Fise kaq të largëta sa Isakari, Zabuloni dhe Neftali sollën ushqime të shijshme për gostinë e shtruar për këtë rast. (1Kr 12:23, 34, 38-40) Duket se nën drejtimin e mbretit David, fisi i Neftalit luajti një rol të dukshëm në mposhtjen e armiqve të Izraelit.—Ps 68:Mbishk., 1, 27.
Disa dekada pas ndarjes së mbretërisë së Izraelit, Neftali u sulmua nga mbreti i Sirisë, Ben-Hadadi I. (1Mb 15:20; 2Kr 16:4) Rreth dy shekuj më vonë, gjatë mbretërimit të Pekahut, banorët e Neftalit ishin çuar në mërgim në Asiri nga Tiglath-Pileseri III. (2Mb 15:29) Rreth një shekull pas përmbysjes së mbretërisë veriore, mbreti i Judës, Josia, shkatërroi me guxim gjithçka që lidhej me idhujtarinë, duke arritur në veri deri në vendet e shkretuara të Neftalit, asokohe në duart e asirianëve.—2Kr 34:1-7.
Profecia e Isaisë. Ka mundësi që Isaia 9:1 t’i referohet poshtërimit që pësoi Izraeli në duart e asirianëve: «Terri nuk do të jetë si atëherë kur vendi ishte në hall, si kohë më parë, kur toka e Zabulonit dhe toka e Neftalit trajtoheshin me përçmim.» Më pas, Isaia tregoi se një ditë, ajo që ishte trajtuar me përçmim, ‘udha buzë detit, në rajonin e Jordanit, Galilenë e kombeve’, do të nderohej. Ai vazhdoi: «Njerëzit që ecnin në errësirë, panë një dritë të madhe. Mbi ata që banonin në vendin e territ, ndriçoi vetë drita.» (Is 9:1, 2) Pikërisht këto fjalë i citoi Mateu (4:13-17) dhe ia aplikoi Krishtit Jezu, ‘dritës së botës’, dhe shërbimit të tij. (Gjo 8:12) Përderisa Jezui e bëri Kapernaumin, në territorin e Neftalit, «qytetin e vet» (Mt 4:13; 9:1), në njëfarë kuptimi mund të thuhet se ai ishte nga Neftali. Pra, fjalët profetike të Jakobit për Neftalin, «ai flet me elegancë», mund të zbatohen në mënyrë të arsyeshme edhe për Jezuin. (Zn 49:21) Është e vërtetë që biri i Perëndisë ‘foli me elegancë’, pasi i bëri edhe rojat që shkuan ta arrestonin, të thoshin: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.»—Gjo 7:46.
Në vegime. Në vegimin e Ezekielit, territori i Neftalit shtrihej mes Asherit dhe Manaseut (Ezk 48:3, 4), dhe njëra nga portat e qytetit «Vetë Jehovai është atje», mbante emrin e Neftalit. (Ezk 48:34, 35) Gjithashtu, apostulli Gjon dëgjoi në një vegim se ishin vulosur 12.000 veta nga fisi (frymor) i Neftalit.—Zb 7:4, 6.