NEFILIMËT
[rrëzues; ata që rrëzojnë të tjerët].
Ky është një transliterim i fjalës hebraike nefilím, e cila të tria herët që shfaqet në tekstin origjinal të Biblës paraqitet në numrin shumës. (Zn 6:4; Nu 13:33 [dy herë, shih edhe shën.]) Me sa duket, ajo vjen nga një formë shkakore e foljes hebraike nafál (rrëzoj ose bie) siç gjendet, për shembull, te 2 Mbretërve 3:19; 19:7.
Tregimi biblik që përshkruan pakënaqësinë e Jehovait kundrejt njerëzve në ditët e Noesë para Përmbytjes, tregon se «bijtë e Perëndisë së vërtetë» morën gra mes bijave të bukura të njerëzve. Më pas, përmend praninë e ‘nefilimëve’, duke thënë: «Në ato ditë, madje edhe më pas, në tokë kishte nefilimë, pasi bijtë e Perëndisë së vërtetë patën marrëdhënie me bijat e njerëzve, dhe ato u lindën bij. Ata ishin të fuqishmit [heb., haggibborím ] e kohëve të lashta, burra me famë.»—Zn 6:1-4.
Identiteti i tyre. Pasi kanë shqyrtuar vargun 4, disa komentues të Biblës kanë ofruar supozime të ndryshme për identitetin e këtyre nefilimëve. Disa janë të mendimit se rrënja nga ka ardhur kjo fjalë tregon se nefilimët ishin ‘engjëj të rënë’, pra, engjëj që mëkatuan. Të tjerë, me një linjë arsyetimi të habitshme, dalin në përfundimin se termi «nefilim» tregon në vetvete se ata ‘ranë nga qielli’ në kuptimin që ‘lindën nga qenie qiellore’. Studiues të tjerë akoma, duke u ndalur veçanërisht te shprehja «madje edhe më pas» (vrg. 4), kanë thënë se nefilimët nuk ishin ‘engjëj të rënë’ ose «të fuqishmit», pasi nefilimët ‘ishin në tokë ato ditë’, para se bijtë e Perëndisë të kryenin marrëdhënie me gratë. Sipas këtyre të fundit, nefilimët ishin thjesht njerëz të ligj si Kaini, kusarë, të dhunshëm dhe tiranë që endeshin lart e poshtë nëpër tokë, derisa i fshiu Përmbytja. Kurse të tjerë, duke shqyrtuar jo vetëm domethënien e emrit «nefilim», por edhe kontekstin e vargut 4, arrijnë në përfundimin se nefilimët nuk ishin engjëj, por pasardhës hibridë që u lindën engjëjve të materializuar që patën marrëdhënie me bijat e njerëzve.
Njësoj si «gibborím». Disa përkthime të Biblës e spostojnë frazën «madje edhe më pas» nga fillimi i vargut 4, duke i lidhur në këtë mënyrë nefilimët me «të fuqishmit», heb., gibborím, që përmenden në pjesën e fundit të vargut. Për shembull: «Kishte gjigantë [heb., hannefilím] mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë [heb., haggibborím] që jetuan në kohët e lashtësisë.»—Zn 6:4, Dio; shih edhe ECM dhe Kris.
Edhe Septuaginta greke lë të kuptohet se ‘nefilimët’ janë «të fuqishmit», duke i përkthyer të dyja fjalët me të njëjtin term gígantes (gjigantë).
Duke iu kthyer përsëri tregimit, shohim që vargjet 1 deri në 3 thonë se «bijtë e Perëndisë së vërtetë» morën gra dhe se Jehovai shpalli që do t’i sosej durimi kundrejt njerëzve pas 120 vjetësh. Më pas, vargu 4 flet për nefilimët që ishin në tokë «në ato ditë», me sa duket në kohën kur Jehovai kishte thënë këto fjalë. Pastaj, tregon se kjo situatë vazhdoi «edhe më pas» kur «bijtë e Perëndisë së vërtetë patën marrëdhënie me bijat e njerëzve», dhe përshkruan më me hollësi çfarë solli ky bashkim i ‘bijve të Perëndisë së vërtetë’ me gratë.
Cilët ishin «bijtë e Perëndisë» nga të cilët lindën nefilimët?
Për cilët ‘bij të Perëndisë së vërtetë’ bëhet fjalë? A ishin, siç thonë disa, njerëz që adhuronin Jehovain (ndryshe nga njerëzit e ligj në përgjithësi)? Me sa duket, jo. Bibla lë të kuptohet se nga martesa e tyre me bijat e njerëzve ligësia në tokë mori dhenë. Vetëm Noeja, gruaja e tij dhe tre bijtë e tij me nuset, gëzonin miratimin e Perëndisë dhe mbetën gjallë nga Përmbytja.—Zn 6:9; 8:15, 16; 1Pj 3:20.
Pra, nëse këta ‘bij të Perëndisë së vërtetë’ ishin thjesht njerëz, ngrihet pyetja: «Pse bijtë e tyre ishin ‘me famë’ më shumë se bijtë e të ligjve ose të Noesë besnik?» Gjithashtu, përderisa kishte më shumë se 1500 vjet që njerëzit martoheshin dhe lindnin fëmijë, lind edhe një pyetje tjetër: «Pse martesa e tyre përmendet si diçka e pazakontë?»
Pra, bijtë e Perëndisë që përmenden te Zanafilla 6:2, duhet të kenë qenë engjëj, ‘bij të Perëndisë’ nga bota frymore. Kjo shprehje u referohet engjëjve te Jobi 1:6; 38:7. Këtë mendim e mbështet edhe Pjetri, që foli për ‘frymërat në burg, që dikur kishin qenë të pabindura, kur Perëndia priste me durim në ditët e Noesë’. (1Pj 3:19, 20) Edhe Juda shkroi për «engjëjt që nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin e tyre të duhur». (Jd 6) Engjëjt kishin aftësinë të materializoheshin e të merrnin formë njeriu, dhe disa e bënë për të përcjellë mesazhe nga Perëndia. (Zn 18:1, 2, 8, 20-22; 19:1-11; Js 5:13-15) Megjithatë, banesa e duhur për krijesat frymore është qielli, dhe engjëjt atje kanë disa funksione në shërbim të Jehovait. (Dn 7:9, 10) Lënia e kësaj banese dhe braktisja e caktimit për të kryer marrëdhënie fizike me gra, ishte rebelim kundër ligjeve të Perëndisë dhe zvetënim.
Bibla thotë se engjëjt e pabindur tani janë ‘frymëra në burg’ që janë ‘hedhur në Tartar’ dhe ‘ruhen me vargonj të përjetshëm në errësirën e dendur për gjykimin e ditës së madhe’. Me sa duket, kjo tregon se ata duhet t’u nënshtrohen kufizimeve të rrepta dhe s’mund të materializohen më siç bënin para Përmbytjes.—1Pj 3:19; 2Pj 2:4; Jd 6.
Shtimi i ligësisë. «Të fuqishmit e kohëve të lashta, burra me famë», që erdhën nga këto martesa, nuk ishin njerëz të famshëm në sytë e Perëndisë, sepse nuk mbijetuan nga Përmbytja, si Noeja dhe familja e tij. Ata ishin ‘nefilimë’, të dhunshëm e tiranë, që pa dyshim i kontribuan përkeqësimit të gjendjes. Etërit e tyre engjëllorë, sado që e njihnin ndërtimin e trupit njerëzor dhe ishin në gjendje të materializoheshin, nuk krijuan jetë të re, por jetuan në këta trupa njerëzorë dhe, nga bashkëjetesa me gratë, lindën fëmijë. Pra, fëmijët e tyre, «të fuqishmit», ishin një formë jete hibride e paligjshme në sytë e Perëndisë. Me sa duket, nefilimët nuk patën fëmijë.
Në mitologji. Duket se nami i nefilimëve dhe tmerri që kishin ngjallur, frymëzoi shumë legjenda te popujt paganë që u shpërndanë në të gjithë tokën pas ngatërrimit të gjuhëve në Babel. Megjithëse të shtrembëruara dhe të zbukuruara dukshëm, këto mite të lashta (ato të grekëve, sa për të marrë vetëm një shembull), ngjajnë jashtëzakonisht me kontekstin historik të tregimit të Zanafillës. Ato flasin për perëndi e perëndesha që kryen marrëdhënie me njerëz dhe lindën heronj mbinjerëzorë e gjysmëperëndi të frikshëm me karakteristika hyjnore dhe njerëzore.—Shih GREQIA, GREKËT (Feja greke).
Një raport i bërë qëllimisht për të terrorizuar. Dhjetë zbuluesit që u treguan izraelitëve në shkretëtirë fakte të shtrembëruara për vendin e Kanaanit, thanë: «Të gjithë njerëzit që pamë atje, janë burra me shtat të jashtëzakonshëm. Po, atje pamë gjigantët, bijtë e Anakut që vijnë nga nefilimët. Na u duk vetja si karkaleca, e po kështu iu dukëm edhe atyre.» Patjetër që kishte disa burra shtatmëdhenj në Kanaan, siç tregojnë edhe Shkrime të tjera, por ata nuk janë quajtur asnjëherë nefilimë, përveçse kur u thanë këto «fjalë të këqija» që ishin zgjedhur qëllimisht për të ngjallur tmerr e panik mes izraelitëve.—Nu 13:31-33; 14:36, 37.