EPILOGU
«Nuk do të kem frikë»
1. Ç’mund të themi tjetër për guximin?
NË FUND të këtij libri, a mund të themi diçka tjetër për guximin? Sigurisht që po. Bibla flet për këtë argument të rëndësishëm shumë më tepër se ç’mund të shkruhet në një libër të vetëm. Por ka edhe diçka tjetër që na nevojitet për të qenë të guximshëm, e për këtë do të flasim gjatë kësaj pjese.
2. Cilët janë disa shërbëtorë të tjerë besnikë që shfaqën guxim?
2 Në këtë libër kemi trajtuar mjaft shembuj guximi. A të vijnë ndër mend njerëz të tjerë të guximshëm për të cilët flet Bibla? Mbase të shkon mendja te profetë të njohur të lashtësisë, si Isaia, Jeremia, Ezekieli, Jonai ose Malakia. Me siguri, apostulli Pavël do të ketë pasur ndër mend edhe këta burra, kur shkroi gjërat që thuhen në kapitullin 11 të Hebrenjve. Ai tha se disa «i sprovuan, i bënë objekt talljesh dhe i fshikulluan, e madje më shumë se kaq, i vunë në vargonj dhe i futën në burgje». Për të tjerë tha se «ishin të keqtrajtuar, në hall e në vështirësi». Disa prej tyre madje i ekzekutuan. (Hebr. 11:36, 37) E prapëseprapë, të gjithë këta adhurues të Jehovait morën me guxim anën e tij.
3-4. Kur mbreti David ishte në rrezik, si e mbrojtën dy gra të cilave nuk ua dimë emrin?
3 Shumë njerëz të guximshëm për të cilët flet Bibla, kanë mbetur anonimë. Mes tyre janë edhe dy gra, që jetuan në ditët e mbretit David. Ato i erdhën në ndihmë mbretit, kur i biri, Absalomi, një njeri mizor dhe krenar, u përpoq t’i uzurponte fronin. Si pasojë, Davidi u detyrua të arratisej nga Jerusalemi. Ai i kërkoi Sadokut, një prifti të guximshëm, të kthehej në qytet dhe të mblidhte informacione për planet e të birit. Kur Sadoku mësoi se çfarë do të bënte Absalomi, dërgoi «një shërbëtore» për t’i çuar fjalë Davidit. Emri i kësaj vajze nuk përmendet, por ajo rrezikoi jetën që të përmbushte këtë mision. Pasi dy shërbëtorët e Davidit morën mesazhin prej saj, u nisën menjëherë për te mbreti. Rrugës i pikasi një i ri, që i tregoi Absalomit. Për të shpëtuar, këta dy lajmëtarë me zgjuarsi u fshehën në një pus. Gruaja e të zotit të pusit, e cila gjithashtu nuk përmendet me emër, vuri menjëherë një mbulesë mbi të dhe pastaj i hodhi përsipër grurë. Kur erdhën njerëzit e Absalomit për të kërkuar dy burrat, ajo i çoi në një drejtim tjetër. Të dyja këto gra besnike iu bënë mburojë plot guxim mbretit të zgjedhur nga Jehovai.—2 Sam. 15:23-37; 17:8-22.
Shërbëtorja dhe gruaja e pronarit të pusit u treguan të guximshme dhe sypatrembura
4 Ç’është e vërteta, Bibla është plot e përplot me shembuj guximi: burra dhe gra, të përmendur me emër dhe anonimë, të pasur dhe të varfër, njerëz të shquar dhe të thjeshtë. Të gjithë këta u treguan sypatrembur dhe morën anën e Jehovait. Shembulli i tyre flet edhe sot e kësaj dite!
Vlera e lutjes
5-7. Ku e gjeti Pavli guximin për të përballuar kundërshtimin e ashpër?
5 Si mund të imitojmë shembujt e guximit që gjenden në Bibël? Nuk duhet të harrojmë se këta burra e gra s’kishin lindur sypatrembur. Mos vallë ia dolën t’i shërbenin me besnikëri Jehovait falë ndonjë aftësie speciale? Jo, u duhej më tepër se kaq. Çfarë?
6 Mendo për shembullin e apostullit Pavël. Kur ai dhe Sila ishin në Filipi, u sulmuan nga një turmë. Më pas, magjistratët ua shqyen rrobat, i rrahën pa pushim me thupër, i futën në një qeli të errët dhe ua vunë këmbët në fallaká. (Vep. 16:12, 19-24) A kishte frikë Pavli të predikonte pasi doli nga burgu? S’është çudi. Megjithatë, ende duhej të përmbushte caktimin që i kishte dhënë Jehovai. Destinacioni i radhës ishte Selaniku. Ku e gjeti guximin dhe forcën për të ecur përpara?
7 Më vonë, ai shkroi: «Edhe pse në fillim vuajtëm, na fyen dhe na keqtrajtuan në Filipi, siç edhe ju e dini, morëm guxim nga Perëndia t’jua thoshim lajmin e mirë të Perëndisë përballë shumë kundërshtimesh.» (1 Sel. 2:2) Pavli e dinte mirë se, pa guxim, nuk mund t’i bënte gjërat që i kërkonte Jehovai. Atëherë, ku e gjeti guximin? Nga ndonjë forcë e veçantë që kishte brenda vetes? Jo, ai mori guxim «nga Perëndia». Me përulësi, i kërkoi Jehovait t’i jepte kurajën që i nevojitej, dhe Jehovai iu përgjigj lutjes së tij.
8. Çfarë mund të bëjmë nëse kemi nevojë për më shumë guxim?
8 Edhe ti mund ta imitosh shembullin e Pavlit. Mos mendo se duhet të rrëmosh brenda vetes për të gjetur ndonjë rezervë trimërie a force të veçantë. Në vend të kësaj, lutju Jehovait dhe kërkoji të të japë guxim për të përballuar çdo situatë.—Vep. 4:29.
9. Pse është me vend t’i kërkojmë Atit tonë të na japë më shumë besim?
9 Mund t’i kërkosh Atit tënd të të japë edhe besim—një cilësi që lidhet ngushtë me guximin. Besimi është pjesë e frytit të frymës së shenjtë. (Gal. 5:22, 23) Është edhe pjesë e armaturës nga Perëndia, që duhet ta veshë çdo shërbëtor i Jehovait. (Efes. 6:16) Kjo cilësi është kaq e fuqishme, sa Bibla thotë se ‘e ka mundur botën’. (1 Gjon. 5:4) Besimi te Jehovai është themeli më i mirë për guximin. Kur ke bindjen e plotë se Jehovai do të të ndihmojë në ditë të keqe, guximi yt do të bëhet edhe më i fortë. Ndaj çdo Dëshmitar ka arsye të forta t’i bëjë Jehovait të njëjtin përgjërim si apostujt: «Na jep më shumë besim.»—Luka 17:5.
«Merrni zemër!»
10-11. Pse Pavli foli për rëndësinë e guximit kur u shkroi të krishterëve hebrenj?
10 Kur Pavli u shkroi të krishterëve hebrenj që jetonin në Jerusalem e në rrethinat e tij, e dinte se shumë shpejt ata i prisnin ditë të kobshme. Jezui kishte parathënë shkatërrimin katastrofik të qytetit, dhe ajo kohë po afronte me të shpejtë. (Luka 19:41-44; 21:20-24) Si i ndihmoi Pavli ata të krishterë të ishin të guximshëm? Ai u solli ndër mend premtimin e dashur të Jehovait, të cilin e kemi përmendur që në fillim të këtij libri: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» Çfarë ndikimi do të kishte ky premtim tek ata? Pavli shtoi: «Kështu mund të themi plot guxim: ‘Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!’»—Hebr. 13:5, 6.
11 Bibla nuk jep asnjë detaj për shkatërrimin e Jerusalemit nga romakët në vitin 70 të e.s. Megjithatë jemi të sigurt se të krishterët besnikë në atë qytet e ndoqën këshillën e frymëzuar të Pavlit. Plot guxim, ata iu bindën Jezuit dhe, fiks në momentin e duhur, ‘filluan të iknin me të shpejtë në male’.—Luka 21:20, 21.
12. (a) Si mund të jesh i guximshëm kur përballesh me vështirësi? (b) Si kanë treguar guxim mbresëlënës disa shërbëtorë të Jehovait gjatë këtyre ditëve të fundit, dhe çfarë je i vendosur të bësh edhe ti? (Shih kutinë «Imito guximin e tyre».)
12 Jehovai mund të të japë edhe ty guxim për të përballuar kohët e vështira që po kalon tani dhe ato që të presin në të ardhmen. (Ezek. 38:1, 2, 10-12; Mat. 24:21) Mos harro kurrë se ai ka premtuar që do t’i mbrojë shërbëtorët e vet. (Ezek. 38:19-23; 2 Sel. 3:3) Ati ynë i shtrenjtë nuk do t’i braktisë asnjëherë ata që e duan dhe që kanë besim tek ai. Jehovai po t’i thotë edhe ty sot fjalët që i tha Josiut: «Ji shumë i fortë dhe guximtar.» (Jos. 1:7, 9, 18) Gjithashtu mbaj gjithnjë ndër mend edhe fjalët e Jezuit: «Merrni zemër!» Ai na ka premtuar se do të na japë frymën e shenjtë të Jehovait, dhe të jesh i sigurt që do ta mbajë fjalën. Kështu do të kesh guximin që të duhet për të përballuar çdo vështirësi. (Gjoni 14:26; 15:26, 27; 16:33) Ja pse ke gjithë arsyet për të thënë: «Nuk do të kem frikë.»
Jehovai premton të na japë guxim me anë të frymës së tij të shenjtë që të arrijmë të qëndrojmë besnikë në çfarëdo situate
13. Çfarë të shtyn të tregosh guxim?
13 Përfytyro kohën kur në tërë tokën të mbretërojë paqja dhe të gjithë ata që janë në kujtesën e Jehovait, të vijnë në jetë. Sa i lumtur do të ndihesh teksa i mirëpret! Imagjino kur të takosh gratë e burrat e guximshëm për të cilët kemi folur në këtë libër—e sa e sa të tjerë! A mendon se ndonjëri prej tyre do të bëhet pishman që zgjodhi t’i shërbente Jehovait në botën e vjetër të Satanait, edhe nëse guximi i kushtoi jetën? Patjetër që jo! Ç’të themi për ty? Teksa do të punosh krah tyre për ta kthyer mbarë tokën në parajsë, a do të të vijë keq që zgjodhe t’i shërbesh Jehovait gjatë këtyre ditëve të fundit? Pa diskutim që jo! Atëherë, me çdo kusht vazhdo të tregosh guxim deri në fund, dhe do të jesh i lumtur për këtë zgjedhje gjatë gjithë përjetësisë!