MËSIMI 98
Krishterimi përhapet në shumë kombe
Apostujt iu bindën urdhrit të Jezuit për ta përhapur lajmin e mirë në mbarë tokën. Në vitin 47 të e.s. vëllezërit në Antioki dërguan Pavlin dhe Barnabën në një udhëtim për të predikuar. Dy predikuesit e zellshëm udhëtuan në gjithë Azinë e Vogël, nëpër vende të tilla, si Derbë, Listër dhe Ikoni.
Pavli dhe Barnaba u predikonin të gjithëve, të pasurve e të varfërve, të rinjve e të moshuarve. Shumë njerëz e pranuan të vërtetën për Krishtin. Kur Pavli dhe Barnaba i predikuan Sergj Palit, prokonsullit të Qipros, një magjistar u përpoq t’i ndalonte. Pavli i tha magjistarit: ‘Jehovai do të të dënojë.’ Menjëherë magjistari u verbua. Kur pa çfarë ndodhi, prokonsulli Sergj Pal u bë besimtar.
Pavli dhe Barnaba predikonin kudo, nga shtëpia në shtëpi, në tregje, në rrugë dhe në sinagoga. Kur shëruan një burrë të çalë në Listër, njerëzit që panë mrekullinë, menduan se ata ishin perëndi dhe u përpoqën t’i adhuronin. Por Pavli dhe Barnaba i ndaluan duke u thënë: ‘Adhuroni vetëm Perëndinë! Ne jemi thjesht njerëz.’ Pastaj disa judenj erdhën dhe e kthyen turmën kundër Pavlit. Turma e qëlloi me gurë, e nxori zvarrë jashtë qytetit dhe e la aty ngaqë kujtoi se kishte vdekur, por Pavli ishte akoma gjallë. Menjëherë erdhën vëllezërit për ta ndihmuar dhe e çuan përsëri në qytet. Më vonë, Pavli u rikthye në Antioki.
Në vitin 49 të e.s., Pavli nisi një udhëtim tjetër. Pasi vizitoi edhe një herë vëllezërit në Azinë e Vogël, e çoi lajmin e mirë edhe më tutje, në Evropë. Ai shkoi në Filipi, Selanik, Athinë dhe në vende të tjera. Sila, Luka dhe një djalë i ri që quhej Timote, e shoqëruan Pavlin në udhëtimin e tij. Ata bashkëpunuan që të formonin kongregacione dhe t’i ndihmonin të bëheshin të forta. Pavli qëndroi në Korint një vit e gjysmë që të forconte vëllezërit. Ai predikoi, mësoi të tjerët dhe u shkroi letra shumë kongregacioneve. Gjithashtu punonte si bërës tendash. Ca kohë më vonë, Pavli u kthye në Antioki.
Më vonë, në vitin 52 të e.s., Pavli nisi udhëtimin e tretë nga Azia e Vogël. Ai kaloi disa vjet në Efes duke mësuar, shëruar dhe duke ndihmuar kongregacionet. Gjithashtu, bënte fjalime publike çdo ditë në sallën e një shkolle. Shumë njerëz ia vunë veshin dhe kthyen rrugë. Pastaj ai udhëtoi drejt veriut, deri në Filipi, dhe më pas zbriti në Korint. Në fund, pasi predikoi lajmin e mirë në shumë vende, u kthye në Jerusalem.
«Prandaj shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»—Mateu 28:19