Përgatitja e fjalimeve për kongregacionin
PROGRAMI i Shkollës së Shërbimit Teokratik është përgatitur në mënyrë të tillë që i gjithë kongregacioni të nxjerrë dobi. Informacione të vlefshme paraqiten edhe në mbledhjet e tjera të kongregacionit, si edhe në asamble e në kongrese. Nëse të është caktuar pjesë në këto programe, të është besuar një përgjegjësi e madhe. Apostulli Pavël e nxiti mbikëqyrësin e krishterë Timote që t’i kushtonte vëmendje të vazhdueshme mësimdhënies së tij. (1 Tim. 4:16) Të pranishmit në mbledhjet e kongregacionit kanë përdorur kohën e tyre të çmuar—e disa kanë bërë shumë përpjekje—për të ardhur që të marrin udhëzime lidhur me çështje që kanë të bëjnë me marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Të japësh këto udhëzime është vërtet privilegj i madh! Si mund ta përmbushësh siç duhet këtë përgjegjësi?
Pikat kryesore nga leximi i Biblës
Kjo pjesë e shkollës bazohet në leximin e Biblës që është programuar për javën. Ajo që duhet theksuar është se si ndikon materiali te ne sot. Siç tregohet te Nehemia 8:8, Ezdra dhe shokët e tij lexuan para të tjerëve nga Fjala e Perëndisë, duke e shpjeguar dhe «duke i dhënë domethënie» e kuptueshmëri asaj që lexonin. Trajtimi i pikave kryesore të Biblës të jep mundësi të bësh të njëjtën gjë edhe ti.
Si duhet të përgatitesh për këtë caktim? Nëse është e mundur, lexoje pjesën e caktuar nga Bibla një javë më përpara ose edhe më shumë. Pastaj mendo për kongregacionin dhe për nevojat e tij. Lutu për këtë gjë. Cilat këshilla, shembuj ose parime që gjenden në këtë pjesë të Fjalës së Perëndisë i përmbushin këto nevoja?
Është thelbësore të bësh kërkime. A është në dispozicion Biblioteka Watchtower në CD-ROM ose Treguesi i botimeve Watch Tower në ndonjë gjuhë që e kupton? Nëse jo, mund të përdorësh treguesin e temave që del në fund të vitit në Kullën e Rojës. Duke bërë kërkime për të parë se çfarë është botuar për vargjet ku ke vendosur të përqendrohesh, mund të gjesh material informativ rreth tyre. Mund të gjesh edhe shpjegime të përmbushjes së profecive, analiza të asaj që zbulojnë disa shkrime rreth Jehovait ose pjesë ku janë marrë në shqyrtim parime. Mos u përpiq të trajtosh shumë pika. Përqendrohu vetëm në vargjet që do të zgjedhësh. Është më mirë të trajtosh pak vargje, por mirë.
Pjesa që po zhvillon mund të kërkojë edhe që t’i ftosh dëgjuesit të komentojnë si kanë nxjerrë dobi nga leximi javor i Biblës. Çfarë kanë lexuar që do t’u sjellë dobi në studimin personal e familjar, në shërbim ose në jetë? Cilat cilësi të Jehovait dilnin në pah nga mënyra se si vepronte me njerëzit dhe kombet? Çfarë mësoi auditori që ua forcoi besimin dhe ua shtoi çmueshmërinë për Jehovain? Mos ngec nëpër hollësi të ndërlikuara. Thekso domethënien dhe vlerën praktike të pikave të zgjedhura.
Fjalimi i udhëzimit
Ky fjalim bazohet në një material të botuar, si për shembull, në një artikull të revistës Kulla e Rojës ose Zgjohuni!, ose në një pjesë të ndonjë libri. Në shumicën e rasteve ka më tepër material sesa mund të trajtohet brenda kohës së caktuar. Si duhet ta kryesh këtë fjalim? Si mësues, jo si dikush që vetëm sa jep informacione. Mbikëqyrësit duhet të jenë ‘të kualifikuar për të mësuar’.—1 Tim. 3:2.
Filloje përgatitjen duke e studiuar materialin që të është dhënë. Lexo shkrimet. Medito. Përpiqu ta bësh këtë mjaft kohë përpara datës së fjalimit. Mbaj parasysh se vëllezërit janë inkurajuar që ta lexojnë paraprakisht materialin e botuar në të cilin bazohet fjalimi. Nuk të është caktuar vetëm që të bësh rishikim ose përmbledhje, por të tregosh se si zbatohet. Përdor pjesë të përshtatshme nga materiali në mënyrë që t’i sjellësh vërtet dobi kongregacionit.
Ashtu si çdo fëmijë që ka personalitetin e tij, edhe çdo kongregacion ka tiparet e veta dalluese. Prindi që mëson me efektshmëri nuk mjaftohet vetëm duke i renditur fëmijës rregulla morale. Ai arsyeton me fëmijën. Merr parasysh personalitetin e fëmijës dhe problemet me të cilat lufton ai. Po kështu edhe mësuesit në kongregacion përpiqen të mbajnë parasysh nevojat e grupit para të cilit po flasin. Megjithatë, mësuesi me aftësi dalluese do t’i shmangë shembujt që mund ta bëjnë dikë në auditor të ndihet ngushtë. Do të nxjerrë në pah dobitë që gëzojnë tashmë ata që ecin në udhën e Jehovait dhe do të theksojë këshilla nga Shkrimet që do ta ndihmojnë kongregacionin të përballojë me sukses problemet që has.
Mësuesi i mirë arrin të prekë zemrën e auditorit. Për të arritur këtë nuk mjafton vetëm të renditen fakte, por duhet ndërtuar edhe çmueshmëria për domethënien e tyre. Kjo kërkon që të kesh interesim të sinqertë për ata të cilëve po u flet. Barinjtë frymorë duhet ta njohin kopenë. Nëse me dashuri mbajnë parasysh problemet që po hasin disa prej pjesëtarëve të saj, do të jenë në gjendje të flasin në mënyrë pozitive, me kuptueshmëri, dhembshuri dhe empati.
Siç e dinë mësuesit e efektshëm, fjalimi duhet të ketë një synim të përcaktuar qartë. Materiali duhet të trajtohet në mënyrë të tillë që pikat kryesore të dalin në pah dhe të mbahen mend. Dëgjuesit duhet të jenë në gjendje të kujtojnë ide praktike që do të ndikojnë në jetën e tyre.
Mbledhja e Shërbimit
Kur mban fjalim të bazuar në një pjesë nga Shërbimi ynë i Mbretërisë, sfida mund të jetë disi e ndryshme. Në këtë rast, shpesh nga ti kërkohet t’i përcjellësh plotësisht auditorit atë që është shkruar, jo të zgjedhësh atë që është më e përshtatshme. Ndihmoje auditorin të arsyetojë rreth shkrimeve që përbëjnë bazën për këshillat që janë dhënë. (Titit 1:9) Koha është e kufizuar dhe në shumicën e rasteve nuk të lejon të përdorësh material shtesë.
Nga ana tjetër, mund të caktohesh që të trajtosh një material për të cilin nuk ka asnjë pjesë te Shërbimi ynë i Mbretërisë. Mund të të jepen referime për një artikull në Kullën e Rojës ose caktimi mund të përbëhet vetëm nga disa shënime të shkurtra. Në këtë rast të përket ty si mësues që të marrësh parasysh nevojat e kongregacionit lidhur me materialin që të është dhënë. Mund të jetë e nevojshme të përdorësh një ilustrim të shkurtër e të goditur ose të tregosh ndonjë përvojë të përshtatshme. Mbaj parasysh që caktimi yt nuk është thjesht të flasësh për një argument, por ta trajtosh në atë mënyrë që ta ndihmojë kongregacionin të përmbushë veprën e treguar në Fjalën e Perëndisë dhe të gjejë gëzim duke bërë këtë.—Vep. 20:20, 21.
Gjatë përgatitjes për pjesën mendo për rrethanat e atyre që përbëjnë kongregacionin. Lavdëroji për atë që tashmë janë duke bërë. Si mund ta rritin efektshmërinë dhe gëzimin në shërbim duke zbatuar sugjerimet e dhëna në materialin e caktuar?
A përfshin pjesa që të është caktuar ndonjë demonstrim ose intervistë? Nëse po, ajo duhet planifikuar mjaft kohë përpara. Mund të të duket më e thjeshtë t’i kërkosh dikujt tjetër që ta përgatitë atë, por kjo nuk jep gjithmonë rezultatet më të mira. Nëse është e mundur, provojeni demonstrimin ose intervistën përpara ditës kur do të mbahet mbledhja. Sigurohu që ky aspekt i pjesës sate të zhvillohet në një mënyrë që i nxjerr vërtet në pah udhëzimet që po jepen.
Asambletë dhe kongreset
Vëllezërve që zhvillojnë cilësi të shkëlqyera frymore dhe që bëhen oratorë publikë e mësues të efektshëm, me kalimin e kohës mund t’u kërkohet të marrin pjesë në programin e një asambleje ose kongresi. Këto janë raste vërtet të veçanta për arsimimin teokratik. Pjesa që të caktohet mund të jetë dorëshkrim, skemë, udhëzime për një dramë biblike që zbatohet në kohët tona ose një paragraf me udhëzime. Nëse të është dhënë privilegji për të marrë pjesë në një program të tillë, studioje me kujdes materialin që të është dhënë. Puno me të derisa t’ia kuptosh plotësisht vlerën që ka.
Ata të cilëve u është caktuar një dorëshkrim duhet ta lexojnë materialin fjalë për fjalë. Nuk e riformulojnë ose ta risistemojnë materialin. E studiojnë atë për të dalluar qartë cilat janë pikat kryesore dhe si janë shtjelluar. Ushtrohen duke e lexuar dorëshkrimin me zë, derisa të mund ta zhvillojnë fjalimin duke e theksuar siç duhet kuptimin, duke treguar entuziazëm, ngrohtësi, ndjenjë, zell dhe bindje, si edhe duke pasur volumin dhe intensitetin e përshtatshëm për një auditor të madh.
Vëllezërit të cilëve u është caktuar një fjalim me skemë kanë përgjegjësinë ta zhvillojnë materialin në mënyrë që t’i përmbahet sa më shumë skemës. Në vend që të lexojë nga skema gjatë fjalimit ose ta përgatitë atë në formë dorëshkrimi, oratori duhet ta paraqesë materialin në mënyrë spontane, nga zemra. Është e rëndësishme që ai t’i përmbahet kohës së përcaktuar në skemë, me qëllim që ta zhvillojë qartë secilën pikë kryesore. Oratori duhet t’i përdorë mirë mendimet dhe shkrimet e renditura poshtë pikave kryesore. Ai nuk duhet të shtojë pika të tjera që i pëlqejnë atij dhe të lërë mënjanë atë që është në skemë. Themeli i udhëzimeve është, pa dyshim, Fjala e Perëndisë. Përgjegjësia e pleqve të krishterë është ‘të predikojnë fjalën’. (2 Tim. 4:1, 2) Prandaj, oratori duhet t’u kushtojë vëmendje të veçantë shkrimeve në skemë, duke arsyetuar lidhur me to dhe duke treguar se si zbatohen.
Mos e zvarrit përgatitjen
A shërben në një kongregacion ku ka shumë mundësi për të mbajtur pjesë nga podiumi? Si mund t’u kushtosh vëmendjen e duhur të gjitha pjesëve? Shmang prirjen për t’i përgatitur pjesët në minutën e fundit.
Fjalimet që i sjellin vërtet dobi kongregacionit kërkojnë të mendosh shumë për to që më përpara. Prandaj bëje shprehi ta lexosh materialin sapo të jepet çdo caktim. Kjo do të të japë mundësi ta bluash në mendje ndërsa merresh me punë të tjera. Gjatë ditëve ose javëve para se ta mbash fjalimin, ndoshta do të dëgjosh komente që do të të ndihmojnë të kuptosh se si t’i bësh një zbatim sa më të mirë informacionit. Mund të lindin situata që zbulojnë se sa i kohës është informacioni. Ta lexosh materialin e caktuar dhe të mendosh rreth tij menjëherë sapo të të jepet kërkon kohë, por kjo është kohë e shfrytëzuar mirë. Kur më në fund të ulesh për të zhvilluar skemën, do të korrësh dobitë që vijnë kur mendon për të mjaft kohë përpara. Kryerja e caktimeve në këtë mënyrë do të ta pakësojë shumë stresin dhe do të të ndihmojë ta paraqesësh materialin në një mënyrë që është praktike dhe që prek zemrën e pjesëtarëve të kongregacionit.
Sa më shumë që ta çmosh dhuratën që të është besuar lidhur me programin e Jehovait për arsimimin e popullit të tij, aq më shumë do ta nderosh atë dhe do të tregosh se je bekim për ata që e duan Jehovain.—Isa. 54:13; Rom. 12:6-8.