Përgatitja e fjalimeve të stërvitjes për shkollën
ÇDO pjesë që të caktohet në shkollë paraqet një mundësi për të bërë përparim. Po të bësh përpjekje të ndërgjegjshme, pak nga pak përparimi yt do të bëhet i dukshëm jo vetëm për ty, por edhe për të tjerët. (1 Tim. 4:15) Shkolla do të të ndihmojë t’i zhvillosh në mënyrë më të plotë aftësitë e tua.
A je në tension kur mendon se do të flasësh para kongregacionit? Kjo është normale, edhe sikur të kesh kohë që je regjistruar në shkollë. Megjithatë ka disa gjëra që mund të të ndihmojnë ta pakësosh ankthin. Bëje zakon që të lexosh shpesh me zë në shtëpi. Komento shpesh në mbledhjet e kongregacionit dhe, nëse je lajmëtar, merr pjesë rregullisht në shërbimin në fushë. Kështu do të fitosh përvojë për të folur para të tjerëve. Veç kësaj, përgatiti fjalimet e stërvitjes shumë kohë përpara se t’i mbash dhe provoji duke i thënë me zë. Mbaj parasysh që do të flasësh para një auditori miqësor. Para çdo fjalimi lutju Jehovait, pasi ai ua jep me gëzim frymën e shenjtë shërbëtorëve që ia kërkojnë atë.—Luka 11:13; Filip. 4:6, 7.
Ji i arsyeshëm për sa i përket asaj që pret nga vetja. Duhet kohë që të fitosh përvojë si orator dhe të bëhesh mësues i efektshëm. (Mik. 6:8) Në qoftë se sapo je regjistruar në shkollë mos prit të mbash fjalim të përkryer që herën e parë. Përkundrazi, puno me një pikë çdo herë në fletën e këshillave për oratorinë. Studio në këtë libër pjesën që e trajton atë pikë. Po të jetë e mundur, bëj ushtrimin që sugjerohet atje. Kjo do të të japë përvojë në atë cilësi oratorike përpara se ta zhvillosh në kongregacion pjesën që të është caktuar. Me kalimin e kohës do të bësh përparim.
Si të përgatitesh kur je caktuar për të lexuar?
Përgatitja për leximin publik përfshin më shumë sesa të jesh në gjendje të thuash fjalët e materialit të caktuar. Përpiqu të kuptosh qartë domethënien e materialit. Sapo të të thuhet se pjesa që të është caktuar, lexoje të tërën me këtë synim në mendje. Përpiqu të kuptosh domethënien e çdo fjalie dhe idenë që shtjellohet në secilin paragraf, me qëllim që t’i përcjellësh mendimet me saktësi dhe me ndjenjën e duhur. Kur ke mundësi, shiko në fjalor për të parë si shqiptohen drejt fjalët e panjohura. Njihu mirë me materialin. Fëmijët mund të kenë nevojë për ndihmën e prindërve që ta bëjnë këtë.
A je caktuar për të lexuar një pjesë të Biblës ose ndoshta paragrafët e një artikulli në Kullën e Rojës? Në rast se ai material është në audiokaseta në gjuhën tënde, mund të jetë shumë e dobishme ta dëgjosh si është lexuar dhe të vësh re faktorë të tillë, si: shqiptimi, ndërtimi i fjalive, theksimi dhe modulimi. Pastaj përpiqu t’i përfshish këto cilësi në leximin tënd.
Kur fillon të punosh me pjesën që të është dhënë, sigurohu që ta studiosh me kujdes mësimin ku trajtohet cilësia oratorike që të është caktuar. Nëse është e mundur, rishikoje edhe një herë, pasi ta kesh provuar disa herë leximin me zë të materialit të caktuar. Përpiqu t’i zbatosh sa më shumë që të jetë e mundur këshillat e shkruara.
Kjo stërvitje do të të vlejë shumë në shërbim. Kur je në shërbimin në fushë, ke shumë mundësi për t’u lexuar të tjerëve. Meqë Fjala e Perëndisë ka fuqinë të ndryshojë jetën e njerëzve, është e rëndësishme ta lexosh mirë atë. (Hebr. 4:12) Mos prit t’i përvetësosh të gjitha aspektet e leximit të efektshëm me një ose dy caktime. Apostulli Pavël i tha një plaku të krishterë që kishte shumë vjet përvojë: «Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik.»—1 Tim. 4:13.
Si të punosh me një argument dhe një rrethanë të caktuar?
Si duhet të veprosh kur të jepet në shkollë një caktim që përfshin të zgjedhësh një rrethanë?
Duhen mbajtur parasysh tri gjëra kryesore: (1) argumenti që të është dhënë, (2) rrethana dhe personi me të cilin do të flasësh dhe (3) cilësia oratorike për të cilën je caktuar të punosh.
Duhet të grumbullosh material për argumentin që të është caktuar. Por, para se t’i kesh hyrë thellë punës, mendo seriozisht për rrethanën dhe për personin me të cilin do të flasësh, pasi këta faktorë do të përcaktojnë se ç’material të trajtosh dhe si ta paraqesësh. Çfarë rrethane do të përdorësh? A do të demonstrosh se si mund t’i predikohet lajmi i mirë një të njohuri? Apo do të tregosh se ç’mund të ndodhë kur e takon dikë për herë të parë? A është personi tjetër më i madh se ty apo më i ri? Ç’qëndrim mund të ketë ai për argumentin që ke ndër mend të trajtosh? Sa njeh tashmë nga ky argument? Cilin synim shpreson të arrish me bisedën tënde? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të të sigurojnë udhëzime të rëndësishme se si të përgatitesh.
Ku do ta gjesh materialin për argumentin që të është caktuar? Në faqet 33 deri 38 të këtij libri tregohet «Si të bësh kërkime?». Lexoje dhe pastaj përdor mjetet e kërkimit që ke në dispozicion. Në shumicën e rasteve ke për të gjetur menjëherë më shumë material sesa mund të përdorësh. Lexo nga ky material aq sa për të kuptuar se cilat mundësi të ofron. Megjithatë, duke bërë këtë, mbaj parasysh rrethanën që do të përdorësh në pjesën tënde, si dhe personin me të cilin do të flasësh. Nënvizoji pikat që janë të përshtatshme për t’u përdorur.
Para se ta organizosh materialin dhe të zgjedhësh përfundimisht hollësitë, gjej kohë për të lexuar pjesën ku trajtohet cilësia oratorike që të është caktuar. Zbatimi i asaj këshille është një nga arsyet kryesore pse të është dhënë caktimi.
Duke e trajtuar materialin brenda kohës së caktuar, do të kesh kënaqësinë të thuash edhe mbylljen e fjalimit, sepse, përndryshe, po të dalësh nga koha, do të të jepet një sinjal që të mbarosh. Megjithatë në shërbimin në fushë faktori kohë nuk është gjithmonë kaq vendimtar. Kështu, ndërsa përgatitesh, merre parasysh kohën që ke në dispozicion, por kushtoji më shumë rëndësi mësimdhënies së efektshme.
Një fjalë për rrethanat. Shqyrto sugjerimet në faqen 82 dhe zgjidh rrethanën që është praktike për shërbimin tënd e që të lejon ta përdorësh në mënyrë realiste materialin e caktuar. Nëse ke njëfarë kohe që je regjistruar në shkollë, shihe këtë si një mundësi për të fituar dhe për të zhvilluar aftësi të mëtejshme për shërbimin.
Po qe se rrethanën ta cakton mbikëqyrësi i Shkollës së Shërbimit Teokratik, pranoje edhe pse mund të jetë e vështirë. Shumica e rrethanave përfshin veprën e dhënies së dëshmisë. Në qoftë se nuk të ka rastisur asnjëherë të japësh dëshmi në rrethanat që të caktohen, merr mendime nga lajmëtarët që e kanë pasur këtë përvojë. Nëse është e mundur, përpiqu ta përdorësh argumentin që të është caktuar në një rrethanë të ngjashme me atë që do të përdorësh pastaj në shkollë. Kjo do të të ndihmojë të arrish një pikësynim të rëndësishëm të stërvitjes sate.
Kur materiali duhet paraqitur në formë fjalimi
Studentëve meshkuj mund t’u caktohet të mbajnë një fjalim të shkurtër para kongregacionit. Gjërat kryesore që duhen mbajtur parasysh gjatë përgatitjes për këto fjalime janë të ngjashme me ato që tashmë u trajtuan për fjalimet e stërvitjes në formën e demonstrimeve. Ndryshimet kryesore janë auditori dhe mënyra se si paraqitet materiali.
Zakonisht është mirë që materiali të përgatitet në mënyrë të tillë që të nxjerrin dobi të gjithë në auditor. Shumica e të pranishmëve i dinë tashmë të vërtetat themelore biblike. Ata mund ta njohin mirë argumentin për të cilin je caktuar të flasësh. Merr parasysh çfarë dinë tashmë rreth argumentit tënd. Përpiqu që me anë të fjalimit t’u sjellësh dobi në ndonjë mënyrë. Pyet veten: ‘Si mund ta përdor këtë argument për të thelluar çmueshmërinë time dhe atë të auditorit për Jehovain si person? Çfarë përmban materiali që na ndihmon të dallojmë vullnetin e Perëndisë? Si mund të na ndihmojë ky material që të marrim vendime të mençura mes kësaj bote ku mbizotërojnë dëshirat e mishit?’ (Efes. 2:3) Që të gjesh përgjigje të kënaqshme për këto pyetje duhet të bësh kërkime. Kur përdor Biblën përpiqu që të bësh diçka më shumë, jo vetëm të lexosh disa shkrime. Arsyeto rreth shkrimeve që përdor dhe trego se si këto shkrime janë baza për të nxjerrë përfundime. (Vep. 17:2, 3) Mos u përpiq të trajtosh tepër material. Paraqite materialin në mënyrë që të mbahet mend me lehtësi.
Gjatë përgatitjes duhet t’i kushtosh vëmendje edhe mënyrës se si e mban fjalimin. Mos e nënvlerëso këtë. Praktikohu duke e thënë me zë fjalimin. Përpjekjet që bën për të studiuar dhe zbatuar këshillat për cilësi të ndryshme oratorike do të të ndihmojnë shumë që të bësh përparim. Pavarësisht nëse je orator i ri ose me përvojë, përgatitu mirë që të mund të flasësh me bindje dhe me ndjenja që i përshtaten materialit. Ndërsa kryen caktimet që të jepen në shkollë, mbaj parasysh synimin që kemi: të përdorim të folurit, këtë dhuratë nga Perëndia, për të nderuar Jehovain.—Psal. 150:6.