Studime mbi Shkrimet e frymëzuara dhe informacione në lidhje me to
Studimi numër 5—Teksti hebraik i Shkrimeve të Shenjta
Në ç’mënyrë Shkrimet Hebraike, si pjesë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, u kopjuan, u ruajtën të sakta dhe u transmetuan deri në ditët e sotme.
1. (a) Si ndryshojnë ‘fjalët e Jehovait’ nga thesaret e së kaluarës? (b) Cilat pyetje ngrihen në lidhje me ruajtjen e Fjalës së Perëndisë?
‘FJALËT e Jehovait’ që janë hedhur me shkrim mund të krahasohen me ujërat e së vërtetës të mbledhura në një rezervuar të jashtëzakonshëm me dokumente të frymëzuara. Sa mirënjohës jemi që gjatë gjithë periudhës që u dhanë këto mesazhe qiellore, Jehovai i bëri këto «ujëra» të mblidheshin e të bëheshin një burim i pashtershëm informacionesh jetëdhënëse! Thesare të tjera të së kaluarës, si kurorat mbretërore, sendet e vyera të trashëguara dhe monumentet e njerëzve, me kalimin e kohës e kanë humbur shkëlqimin, janë gërryer ose janë rrënuar, por thesari i fjalëve të çmuara të Perëndisë tonë do të mbetet përgjithmonë. (Isa. 40:8) Megjithatë, lindin pyetje nëse ka pasur ndotje të këtyre ujërave të së vërtetës pasi u mblodhën në rezervuar. A kanë mbetur ato të papërziera? A janë transmetuar me besnikëri nga tekstet në gjuhët origjinale, kështu që teksti që kanë sot njerëzit në çdo gjuhë është i besueshëm? Do të inkurajohemi jashtë mase duke shqyrtuar pjesën e këtij rezervuari të njohur si teksti hebraik, kur të vërejmë kujdesin e treguar për të ruajtur saktësinë e tij, bashkë me masat e mrekullueshme që janë marrë për ta përcjellë dhe për të bërë të mundur që të gjitha kombet ta kenë nëpërmjet versioneve dhe përkthimeve të reja.
2. Si u ruajtën shkrimet e frymëzuara deri në kohën e Ezdrës?
2 Dokumentet origjinale në gjuhët hebraike dhe aramaike u shkruan nga sekretarët njerëzorë të Perëndisë, që nga Moisiu në vitin 1513 p.e.s e deri pak kohë pas vitit 443 p.e.s. Për aq sa dihet sot, asnjë nga këto shkrime origjinale nuk ekziston më. Sidoqoftë, që në fillim u tregua shumë kujdes për ruajtjen e shkrimeve të frymëzuara, përfshirë edhe kopjet e tyre të autorizuara. Rreth vitit 642 p.e.s., në kohën e mbretit Josia, në shtëpinë e Jehovait u gjet i ruajtur mënjanë ‘libri i ligjit’ të Moisiut, pa dyshim teksti origjinal. Deri në atë kohë, ai ishte ruajtur besnikërisht për 871 vjet. Shkrimtari biblik Jeremia tregoi kaq shumë interes për këtë zbulim, saqë e përshkroi te 2 Mbretërve 22:8-10, dhe rreth vitit 460 p.e.s., Ezdra e përmendi përsëri të njëjtën ngjarje. (2 Kron. 34:14-18) Ai interesohej për këto gjëra, sepse «ishte një kopist i zoti i ligjit të Moisiut që kishte dhënë Jehovai, Perëndia i Izraelit». (Ezd. 7:6) Pa dyshim Ezdra kishte mundësi të konsultonte edhe rrotulla të tjera të Shkrimeve Hebraike që ishin bërë deri në kohën e tij, duke përfshirë edhe origjinalet e disa shkrimeve të frymëzuara. Po, Ezdra me sa duket ka qenë ruajtësi i shkrimeve hyjnore në kohën e tij.—Neh. 8:1, 2.
EPOKA E KOPJIMIT TË DORËSHKRIMEVE
3. Ç’nevojë lindi për kopje të tjera të Shkrimeve dhe si u përmbush ajo?
3 Që nga koha e Ezdrës e më pas, kishte një kërkesë në rritje për kopje të Shkrimeve Hebraike. Jo të gjithë judenjtë u kthyen në Jerusalem dhe në Palestinë në rivendosjen e vitit 537 p.e.s. e më pas. Përkundrazi, mijëra prej tyre qëndruan në Babiloni, kurse të tjerë emigruan për qëllime tregtare dhe për arsye të tjera. Si rrjedhim ata gjendeshin në shumicën e qendrave të mëdha tregtare të botës së lashtë. Shumë judenj shkonin çdo vit për pelegrinazh në Jerusalem me rastin e festave të ndryshme që mbaheshin në tempull dhe atje merrnin pjesë në adhurimin që mbahej në hebraishten biblike. Në kohën e Ezdrës, judenjtë e këtyre vendeve të largëta përdornin vende për t’u mbledhur që quheshin sinagoga, ku bëhej leximi dhe shqyrtimi i Shkrimeve Hebraike.a Ngaqë kishte shumë vende adhurimi të shpërndara, kopistëve u duhej të bënin shumë kopje të dorëshkrimeve.
4. (a) Çfarë ishte genizahu dhe si përdorej? (b) Çfarë zbulimi me vlerë u bë në një të tillë në shekullin e 19-të?
4 Në këto sinagoga zakonisht kishte një dhomë-depo që quhej genizah. Me kalimin e kohës, judenjtë vinin në genizah dorëshkrime që nuk përdoreshin më, të cilat ishin të grisura ose të ngrëna për shkak të vjetërsisë, dhe i zëvendësonin me të reja që të përdoreshin në atë sinagogë. Herë pas here, gjërat që ndodheshin në genizah groposeshin në tokë me solemnitet, që teksti—i cili përmbante emrin e shenjtë të Jehovait—të mos dhunohej. Gjatë shekujve, në këtë mënyrë, mijëra dorëshkrime të vjetra të Biblës Hebraike u zhdukën nga përdorimi. Megjithatë, kësaj gjëje i shpëtoi genizahu i mbushur mirë i sinagogës në Kajron e lashtë, ndoshta ngaqë ishte i murosur dhe u la në harresë deri nga mesi i shekullit të 19-të. Në vitin 1890, kur sinagoga po meremetohej, u rishqyrtua përmbajtja e genizahut dhe thesaret e saj dalëngadalë u shitën ose u dhuruan. Që nga aty, dorëshkrime mjaft të plota dhe mijëra fragmente (disa thuhet se janë të shekullit të gjashtë të e.s.) kanë përfunduar në Bibliotekën e Universitetit të Kembrixhit dhe në biblioteka të tjerë në Evropë dhe në Amerikë.
5. (a) Cilat dorëshkrime të lashta hebraike janë kataloguar tani dhe sa të vjetra janë ato? (b) Çfarë zbulohet nga një studim i tyre?
5 Sot në shumë biblioteka të botës janë numëruar dhe kataloguar ndoshta 6.000 dorëshkrime të gjithë Shkrimeve Hebraike ose të pjesëve të tyre. Deri kohët e fundit nuk kishte dorëshkrime të tilla më të vjetra se ato të shekullit të dhjetë të e.s (përveç disa fragmenteve). Pastaj, në vitin 1947, në zonën e Detit të Vdekur u zbulua një rrotull e librit të Isaisë dhe në vitet e mëvonshme erdhën në dritë rrotulla të tjera të vyera të Shkrimeve Hebraike, ndërsa në disa shpella në atë zonë u gjetën dorëshkrime të çmuara që kishin mbetur të fshehura për rreth 1.900 vjet. Ekspertët i kanë datuar disa prej këtyre si të kopjuara në shekujt e fundit para erës sonë. Nga studimi dhe krahasimi i rreth 6.000 dorëshkrimeve të Shkrimeve Hebraike krijohet një bazë e fortë për përcaktimin e tekstit hebraik dhe zbulohet se teksti është përcjellë me besnikëri.
GJUHA HEBRAIKE
6. (a) Cila ishte historia e hershme e gjuhës hebraike? (b) Pse Moisiu ishte i kualifikuar për të shkruar Zanafillën?
6 Ajo që njerëzit sot e quajnë gjuhë hebraike në formën e saj fillestare ishte gjuha që fliste Adami në kopshtin e Edenit. Për këtë arsye mund të quhet gjuha e njeriut. Ishte gjuha që flitej në ditët e Noesë, edhe pse fjalori sa vinte e po zgjerohej. Në një formë më të zhvilluar ajo ishte gjuha kryesore që mbijetoi kur Jehovai ua ngatërroi gjuhën njerëzve në Kullën e Babelit. (Zan. 11:1, 7-9) Hebraishtja bën pjesë në grupin e gjuhëve semite, dhe ajo është gjuha kryesore e kësaj familjeje. Duket se ajo lidhet me gjuhën që flitej në Kanaan në kohën e Abrahamit dhe nga kjo gjuhë hebraike kananitët formuan dialekte të ndryshme. Tek Isaia 19:18 ajo quhet ‘gjuha e Kanaanit’. Moisiu, në kohën e tij ishte një studiues, i arsimuar jo vetëm me mençurinë e egjiptianëve, por edhe me gjuhën hebraike të paraardhësve të tij. Për këtë arsye, ai ishte në gjendje të lexonte dokumente të lashta që i ranë në dorë dhe këto mund të kenë qenë baza e disa informacioneve që ai shkroi në atë që njihet si libri biblik i Zanafillës.
7. (a) Si u zhvillua më vonë gjuha hebraike? (b) Për çfarë shërbente hebraishtja biblike?
7 Më vonë, në ditët e mbretërve judenj, hebraishtja u bë e njohur si ‘gjuha e judenjve’. (2 Mbret. 18:26, 28) Në kohën e Jezuit, judenjtë flitnin një formë më të re dhe më të zgjeruar të hebraishtes dhe më vonë ajo u bë një hebraishte rabinike. Por duhet thënë se në Shkrimet e Krishtere Greke gjuha quhet ende gjuha «hebraike», e jo aramaike. (Gjoni 5:2; 19:13, 17; Vep. 22:2; Zbul. 9:11) Që nga kohët e hershme, hebraishtja biblike ishte gjuha e komunikimit që i bashkonte adhuruesit e Perëndisë dhe e cila kuptohej nga shumica e dëshmitarëve të Jehovait para kohës së krishterë, si edhe nga dëshmitarët e krishterë të shekullit të parë.
8. Për çfarë mund të jemi vërtet mirënjohës, duke pasur parasysh qëllimin e Shkrimeve?
8 Shkrimet Hebraike shërbenin si një rezervuar me ujëra si kristal të së vërtetës, të cilët u dhanë dhe u mblodhën nën frymëzimin e Perëndisë. Megjithatë, vetëm ata që ishin në gjendje të lexonin hebraisht mund të përfitonin drejtpërdrejt nga këto ujëra që siguroi Perëndia. Si mund të gjenin një mënyrë edhe njerëzit e kombeve të tjera që flisnin shumë gjuhë që të pinin nga këto ujëra të së vërtetës, dhe kështu të kishin udhëheqjen e Perëndisë dhe freskim për shpirtin e tyre? (Zbul. 22:17) Mënyra e vetme ishte që nga hebraishtja të përkthehej në gjuhë të tjera, duke e zgjeruar kështu për të gjithë njerëzimin rrjedhën e ujit me të vërteta hyjnore. Mund t’i jemi vërtet mirënjohës Perëndisë Jehova që bëri të mundur që prej shekullit të katërt ose të tretë p.e.s. e deri në kohën e sotme të përktheheshin pjesë të Biblës në më tepër se 2.350 gjuhë. Çfarë bekimi ka qenë ky për gjithë njerëzit që e duan drejtësinë, të cilët kanë pasur vërtet mundësi të gjenin «kënaqësi» në këto ujëra të çmuara!—Psal. 1:2; 37:3, 4.
9. (a) Çfarë autorizimi për përkthimin e saj jep Bibla? (b) Për ç’tjetër qëllim të mirë kanë shërbyer përkthimet e lashta të Biblës?
9 A e autorizon ose justifikon Bibla që teksti i saj të përkthehet në gjuhë të tjera? Patjetër! Duhet përmbushur fjala që i tha Perëndia Izraelit: «Gëzoni, ju kombe, me popullin e tij» dhe urdhri profetik që u dha Jezui të krishterëve: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» Që të kryhet kjo, nevojitet përkthimi i Shkrimeve. Kur mendojmë për të kaluarën, për më tepër se 24 shekuj të përkthimit të Biblës, shohim qartë se kjo vepër ka pasur bekimin e Jehovait. Për më tepër, përkthimet e lashta të Biblës që kanë mbijetuar në formë dorëshkrimesh kanë shërbyer gjithashtu për të vërtetuar nivelin e lartë të besueshmërisë të tekstit hebraik që bën pjesë në rezervuarin e së vërtetës.—Ligj. 32:43; Mat. 24:14.
PËRKTHIMET MË TË HERSHME
10. (a) Çfarë është Pentateuku samaritan dhe pse është i dobishëm për ne sot? (b) Jep një shembull se si është përdorur Pentateuku samaritan te Bibla me referime, anglisht.
10 Pentateuku samaritan. Një version i hershëm është ai që njihet si Pentateuku samaritan, i cili, siç nënkupton emri i tij, përmban vetëm pesë librat e parë të Shkrimeve Hebraike. Ai është në të vërtetë një transliterim i tekstit hebraik me shkronja samaritane, të cilat erdhën nga germat e lashta hebraike. Në të jepen të dhëna të dobishme për tekstin hebraik të asaj kohe. Këtë transliterim e bënë samaritanët, të cilët përbëheshin nga pasardhësit e atyre që mbetën në Samari, pasi u pushtua mbretëria dhjetëfisëshe e Izraelit në vitin 740 p.e.s., dhe nga njerëzit që shpërngulën asirianët në atë kohë. Samaritanët bashkuan adhurimin e Izraelit me atë të perëndive të tyre pagane dhe pranuan Pentateukun. Mendohet se ata e bënë transkriptimin e tij rreth shekullit të katërt p.e.s., megjithëse disa studiues hedhin idenë se kjo mund të jetë bërë aty nga fundi i shekullit të dytë p.e.s. Kur lexonin tekstin e Pentateukut, faktikisht ata shqiptonin fjalë hebraike. Ndonëse teksti përmban rreth 6.000 variacione nga teksti hebraik, shumë prej këtyre janë hollësi të vogla. Pak prej dorëshkrimeve ekzistuese janë më të vjetër se shekulli i 13-të i e.s. Te shënimet në Biblën me referime, anglisht, ka disa referime për Pentateukun samaritan.b
11. Çfarë janë Targumet dhe ç’dobi kanë për sa i përket tekstit të Shkrimeve Hebraike?
11 Targumet aramaike. Fjala aramaike që përkthehet «interpretim» ose «parafrazim» është Targum. Që nga koha e Nehemisë e më pas, gjuhën aramaike e përdornin shumë prej judenjve që jetonin në territorin e Persisë, prandaj ishte e nevojshme që teksti i Shkrimeve Hebraike të shoqërohej me përkthime në atë gjuhë. Ka të ngjarë që Targumet morën formën përfundimtare që kanë sot jo më herët se shekulli i pestë i e.s. Megjithëse janë parafrazime të lirshme të tekstit hebraik dhe jo një përkthim i saktë, ato sigurojnë shumë informacione për tekstin dhe ndihmojnë për të kuptuar disa fragmente të vështira. Te shënimet në Biblën me referime, anglisht, ka referime të shpeshta për Targumet.c
12. Çfarë është Septuaginta dhe pse është kaq e rëndësishme?
12 Septuaginta greke. Versioni më i rëndësishëm nga të gjitha versionet e hershme të Shkrimeve Hebraike dhe përkthimi i parë i shkruar nga hebraishtja është Septuaginta greke (fjalë që do të thotë «shtatëdhjetë»). Sipas traditës përkthimi i saj nisi rreth vitit 280 p.e.s, nga 72 studiues judenj që ishin nga Aleksandria e Egjiptit. Më vonë, për ndonjë arsye u përdor numri 70, prandaj versioni u quajt Septuaginta. Duket se ai përfundoi diku në shekullin e dytë p.e.s. Ky version përbënte Shkrimet për judenjtë që flitnin greqisht dhe u përdor gjerësisht deri në kohën e Jezuit e të apostujve. Në Shkrimet e Krishtere Greke shumica e 320 citimeve të drejtpërdrejta dhe rreth 890 citimet e referimet e ndërthurura të Shkrimeve Hebraike bazohen te Septuaginta.
13. Cilat fragmente të vlefshme të Septuagintës kanë mbijetuar deri në ditët e sotme dhe ç’vlerë kanë ato?
13 Edhe sot mund të studiohen një numër i konsiderueshëm fragmentesh të Septuagintës të shkruara në papirus. Ato janë të vlefshme sepse u përkasin kohëve të krishtere të hershme dhe, ndonëse shpesh janë vetëm disa vargje ose kapituj, ndihmojnë për të përcaktuar tekstin e Septuagintës. Në Egjipt u zbulua papirusi Fouad 266 dhe është vërejtur se i përket shekullit të parë p.e.s. Ai përmban pjesë nga librat e Zanafillës e të Ligjit të përtërirë. Në fragmentet e Zanafillës emri i Perëndisë nuk gjendet ngaqë teksti nuk është ruajtur i tëri. Por në librin e Ligjit të përtërirë ai gjendet në vende të ndryshme i shkruar me germa hebraike katrore brenda tekstit grek.d Papiruse të tjera datojnë deri rreth shekullit të katërt të e.s., kur për të shkruar dorëshkrimet filloi të përdorej një material më jetëgjatë, velini, i cili ishte një lloj pergameni me cilësi të shkëlqyer që në përgjithësi bëhej nga lëkura e viçit, e qengjit ose e cjapit.
14. (a) Çfarë dëshmon Origjeni për Septuagintën? (b) Kur dhe si u bënë ndryshime në Septuagintë? (c) Për çfarë duhet të kenë dëshmuar të krishterët e parë duke përdorur Septuagintën?
14 Është interesante që emri i Perëndisë në formën e Tetragramit shihet edhe në Septuagintën që ndodhet në veprën me gjashtë kolona të Origjenit të quajtur Heksapla, e cila përfundoi rreth vitit 245 të e.s. Duke komentuar për Psalmin 2:2, Origjeni shkroi për Septuagintën: «Në shumicën e dorëshkrimeve të sakta EMRI shfaqet me shkronja hebraike, por jo me [shkronjat e] hebraishtes së sotme, por me ato më të lashtat.»e Nga dëshmitë duket se në Septuagintë u bënë ndërhyrje që në një kohë të hershme dhe Tetragrami u zëvendësua me termat Kírios (Zotëri) dhe Theós (Perëndi). Meqë të krishterët e parë përdornin dorëshkrime që përmbanin emrin e Perëndisë, nuk mund të mendohet se ata ndoqën traditën judaike duke mos e shqiptuar «EMRIN» në shërbim. Duket se ata dëshmonin për emrin e Jehovait drejtpërdrejt nga Septuaginta greke.
15. (a) Duke përdorur tabelën në faqen 314 përshkruaj dorëshkrimet prej velini dhe lëkure të Septuagintës. (b) Çfarë referimesh për këto dorëshkrime ka te shënimet në Biblën me referime, anglisht?
15 Ekzistojnë ende qindra dorëshkrime velini dhe lëkure të Septuagintës greke. Shumë prej këtyre që u prodhuan midis shekullit të katërt të e.s. dhe shekullit të nëntë të e.s., janë të rëndësishme pasi përmbajnë pjesë të mëdha nga Shkrimet Hebraike. Ato njihen si dorëshkrime unciale ngaqë janë shkruar tërësisht me shkronja të mëdha e të veçuara. Të tjerat quhen dorëshkrime me germa të vogla, sepse janë shkruar me germa më të vogla dhe kursive. Dorëshkrimet me germa të vogla ose kursive mbetën në modë nga shekulli i nëntë deri kur filloi të përdorej shtypshkrimi. Dorëshkrimet kryesore unciale të shekullit të katërt e të pestë, pra, Vatikan 1209, Sinaitik dhe Aleksandrin, përmbajnë që të gjithë Septuagintën greke me disa variacione të vogla. Te shënimet në Përkthimin Bota e Re ka disa referime për Septuagintën.f
16. (a) Çfarë është Vulgata latine dhe pse është kaq e vlefshme? (b) Jep një shembull ku ka një referim për të te Bibla me referime, anglisht.
16 Vulgata latine. Ky version ka qenë teksti bazë që kanë përdorur shumë përkthyes katolikë për të prodhuar versione të tjera në gjuhët e shumta të vendeve «të krishtere» në Perëndim. Cila është origjina e Vulgatës? Fjala latine vulgatus do të thotë «vulgare, domethënë popullore». Kur u prodhua për herë të parë, Vulgata ishte në latinishten vulgare ose popullore të asaj kohe, prandaj mund të kuptohej lehtë nga njerëzit e thjeshtë të perandorisë romake perëndimore. Dijetari Jeronim, i cili bëri këtë përkthim, më parë kishte bërë dy rishikime të Psalmeve në latinishten e vjetër, duke i krahasuar me Septuagintën greke. Megjithatë, përkthimin e tij të Vulgatës ai e bëri drejtpërdrejt nga gjuhët origjinale hebraike dhe greke, prandaj nuk ishte një version i një versioni. Jeronimi punoi për përkthimin e tij nga gjuha hebraike në latinisht, që prej rreth vitit 390 të e.s. deri në vitin 405 të e.s. Edhe pse në veprën e përfunduar u përfshinë librat apokrifë, që tashmë në këtë kohë ishin në kopjet e Septuagintës, Jeronimi bëri qartë dallimin midis librave që ishin kanunorë dhe atyre që nuk ishin. Te shënimet në Përkthimin Bota e Re ka disa referime për Vulgatën e Jeronimit.g
TEKSTET NË GJUHËN HEBRAIKE
17. Cilët ishin skribët ose soferimët dhe për çfarë i dënoi ata Jezui?
17 Soferimët. Burrat që kopjonin Shkrimet Hebraike, duke filluar që nga koha e Ezdrës e duke vazhduar deri në kohën e Jezuit, quheshin skribë ose soferimë. Me kalimin e kohës, ata filluan të bënin ndryshime të tekstit sipas dëshirës. Në fakt Jezui i dënoi me forcë këta të ashtuquajtur ruajtës të Ligjit që merrnin përsipër të drejta që nuk u takonin.—Mat. 23:2, 13.
18. (a) Cilët ishin masoretët dhe çfarë komentesh të vlefshme kanë bërë ata në tekstin hebraik? (b) Cilat janë disa shembuj të korrigjimeve të soferimëve, siç vihen re te Bibla me referime, anglisht?
18 Masora zbulon ndryshime. Skribët që erdhën pas soferimëve në shekujt pas Krishtit u bënë të njohur me emrin masoretët. Këta merrnin shënim ndryshimet e bëra nga soferimët e mëparshëm dhe i shkruanin ato anash ose në fund të tekstit hebraik. Këto shënime u bënë të njohura si masora. Masora përmendte 15 pika të pazakonshme të soferimëve, domethënë, 15 fjalë ose fraza në tekstin hebraik që ishin shënuar me pika ose viza. Disa nga këto pika të pazakonshme nuk ndikojnë në përkthimin ose interpretimin, por të tjera ndikojnë dhe janë të rëndësishme.h Për shkak të frikës së tyre besëtyte për të shqiptuar emrin e Jehovait, soferimët ranë në grackën që të ndryshonin në ʼAdhonái (Zotëri) në 134 vende dhe ʼElohím (Perëndi) në disa raste të tjera. Masora i përmend këto ndryshime.i Sipas një shënimi në masora, soferimët ose skribët e hershëm konsiderohen fajtorë edhe për të paktën 18 korrigjime, megjithëse me sa duket ishin edhe më shumë.j Këto korrigjime ka shumë mundësi që u bënë me qëllime të mira, sepse versioni i mëparshëm dukej se tregonte mungesë nderimi për Perëndinë ose mungesë respekti për përfaqësuesit e tij në tokë.
19. Çfarë është teksti bashkëtingëllor hebraik dhe kur u vendos ai përfundimisht?
19 Teksti bashkëtingëllor. Alfabeti hebraik përbëhet nga 22 bashkëtingëllore, por nga asnjë zanore. Në fillim lexuesi duhej t’i shtonte tingujt zanorë nga njohuria që kishte për gjuhën. Shkrimi në hebraisht ishte si një shkrim i shkurtuar. Madje edhe në shqipen e sotme ka shumë shkurtime standarde që i përdorin njerëzit, të cilat nuk përmbajnë zanore. Për shembull, d.m.th është shkurtim i fjalës domethënë. Po kështu gjuha hebraike përmbante një sërë fjalësh që përbëheshin vetëm nga bashkëtingëllore. Prandaj, «tekst bashkëtingëllor» quhet teksti hebraik pa asnjë shenjë zanore. Teksti bashkëtingëllor i dorëshkrimeve hebraike u vendos përfundimisht midis shekullit të parë dhe të dytë të e.s., ndonëse për ca kohë vazhduan të qarkullonin dorëshkrime variante të teksteve origjinale. Nuk u bënë më ndryshime si në periudhën e mëparshme të soferimëve.
20. Çfarë bënë masoretët në lidhje me tekstin hebraik?
20 Teksti masoretik. Në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të parë të e.s., masoretët (hebraisht, baʽaléh hammasohráh, që do të thotë «mjeshtrit e traditës») vendosën një sistem me pika zanore dhe shenja theksi. Këto shërbenin si një ndihmë për leximin dhe shqiptimin e tingujve zanorë, ndërkohë që më parë shqiptimi ishte përcjellë nëpërmjet traditës gojore. Masoretët nuk bënë ndryshime të asnjë lloji në tekstet që transmetuan, por shkruanin shënime anash, në masora, siç u dukej e përshtatshme. Ata tregonin shumë kujdes që të mos e ndryshonin tekstin. Përveç kësaj, në masorën e tyre e drejtonin vëmendjen te veçori të tekstit dhe, kur e konsideronin të nevojshme, jepnin versionin e drejtë.
21. Çfarë është teksti masoretik?
21 Tri shkolla masoretësh morën pjesë në zhvillimin e sistemit të vendosjes së zanoreve dhe të shenjave të theksit në tekstin bashkëtingëllor. Ato shkolla ishin babilonase, palestineze dhe tiberiadase. Teksti hebraik që tani paraqitet në botimet e shtypura të Biblës Hebraike njihet si teksti masoretik dhe përdor sistemin e shpikur nga shkolla tiberiadase. Këtë sistem e zhvilluan masoretët e Tiberiadës, një qytet në bregun perëndimor të detit të Galilesë. Te shënimet në Biblën me referime, anglisht, përmendet shumë herë teksti masoretik (treguar me simbolin M) dhe shënimet e tij anash tekstit ose masora (treguar me simbolin Mmargin).k
22. Cili dorëshkrim i sistemit babilonas të vendosjes së pikave ekziston dhe si krahasohet ai me tekstin tiberiadas?
22 Shkolla palestineze i vinte shenjat zanore sipër bashkëtingëlloreve. Vetëm një numër i vogël i këtyre dorëshkrimeve erdhi deri në ditën tona dhe ato tregojnë se ky sistem i vendosjes së zanoreve ishte i papërsosur. Edhe në sistemin babilonas vendoseshin pika zanore sipër rreshtit. Një dorëshkrim në të cilin tregohet sistemi babilonas i vendosjes së pikave është Kodiku i Pjetërburgut i Profetëve, i vitit 916 të e.s., që ruhet në Bibliotekën Publike të Shën-Pjetërburgut në Rusi. Ky kodik përmban librat e Isaisë, Jeremisë, Ezekielit dhe të profetëve «të vegjël», me shënimet anash tekstit (masorën). Studiuesit e kanë shqyrtuar me etje këtë dorëshkrim dhe e kanë krahasuar me tekstin tiberiadas. Megjithëse në të është përdorur sistemi i vendosjes së zanoreve sipër rreshtit, faktikisht është ndjekur teksti tiberiadas për sa i përket tekstit bashkëtingëllor, zanoreve të tij dhe masorës. Në Muzeun Britanik ndodhet një kopje e tekstit babilonas të Pentateukut, i cili është vërejtur se në thelb përputhet me tekstin tiberiadas.
23. Çfarë dorëshkrimesh hebraike janë gjetur pranë Detit të Vdekur?
23 Rrotullat e Detit të Vdekur. Në vitin 1947 nisi një kapitull i ri emocionues në historinë e dorëshkrimeve hebraike. Në një shpellë në Uadi Kumran (Nahal Kumeran), në zonën e Detit të Vdekur, u gjet rrotulla e parë e Isaisë bashkë me rrotulla të tjera biblike dhe jobiblike. Pak kohë më pas, që të vihej në dispozicion të studiuesve, u botua një kopje e plotë fotostatike e kësaj rrotulle të Isaisë (1QIsa) e ruajtur në gjendje të mirë. Mendohet se ajo daton nga fundi i shekullit të dytë p.e.s. Ky ishte vërtet një zbulim i pabesueshëm: një dorëshkrim hebraik rreth një mijë vjet më i lashtë se dorëshkrimi më i vjetër ekzistues i tekstit të pranuar masoretik të Isaisë!l Në shpella të tjera në Kumran u gjetën fragmente të më tepër se 170 rrotullave, të cilat përbënin pjesë të të gjitha librave të Shkrimeve Hebraike, përveç Esterës. Vazhdojnë ende të bëhen studime të këtyre rrotullave.
24. Si krahasohen këto dorëshkrime me tekstin masoretik dhe si i përdor ato Bibla me referime, anglisht?
24 Një studiues raporton se nga një shqyrtim i Psalmit të gjatë 119 në një rrotull të rëndësishme të Detit të Vdekur që përmban Psalmet (11QPsa) ai ka vërejtur se fjalët e këtij psalmi përputhen pothuajse plotësisht me ato të tekstit masoretik të Psalmit 119. Në lidhje me rrotullën e Psalmeve, profesori J. A. Sanders tha: «Shumica e [ndryshimeve] janë ortografike dhe janë të rëndësishme vetëm për ata studiues që interesohen të gjejnë të dhëna kyçe se si shqiptohej hebraishtja në lashtësi dhe për gjëra të tjera të ngjashme.»a Shembuj të tjerë të këtyre dorëshkrimeve të lashta të jashtëzakonshme tregojnë se nuk ka variacione të mëdha në shumicën e rasteve. Vetë rrotulla e Isaisë, megjithëse tregon disa ndryshime në ortografi dhe në ndërtimin gramatikor, nuk ka ndryshime për sa u përket pikave doktrinale. Kjo rrotull e botuar e Isaisë u mor në shqyrtim në lidhje me variacionet e saj, kur u përgatit Bibla me referime, anglisht, në të cilën ka referime për këtë rrotull.b
25. Cilat tekste hebraike kemi shqyrtuar tani dhe për çfarë na siguron studimi i tyre?
25 Kemi shqyrtuar linjat kryesore se si janë transmetuar Shkrimet Hebraike. Kryesisht këto janë Pentateuku samaritan, Targumet aramaike, Septuaginta greke, teksti hebraik tiberiadas, teksti hebraik palestinez, teksti hebraik babilonas dhe teksti hebraik i rrotullave të Detit të Vdekur. Si rezultat i studimit dhe i krahasimit të këtyre teksteve, jemi siguruar se në thelb Shkrimet Hebraike kanë ardhur deri te ne në atë formë në të cilën i shkruan për herë të parë shërbëtorët e frymëzuar të Perëndisë.
TEKSTI HEBRAIK I PËRPUNUAR
26. (a) Kur u çua përpara studimi kritik i tekstit hebraik dhe cilat janë disa tekste bazë që janë shtypur? (b) Si është përdorur teksti i Ginsburgut?
26 Deri në shekullin e 19-të, botimi standard i shtypur i Biblës Hebraike ishte Bibla e Dytë Rabinike e Jakob ben Hajimit, botuar në vitet 1524-1525. Vetëm duke filluar nga shekulli i 18-të studiuesit nisën të çonin para studimin kritik të tekstit hebraik. Në vitet 1776-1780, në Oksford, Benxhamin Kenikoti botoi tekstet variante të më tepër se 600 dorëshkrimeve. Më pas, në vitet 1784-1798, në Parma të Italisë, studiuesi italian Xh. B. de Rossi botoi tekstet variante të 731 dorëshkrimeve të tjera. Gjithashtu studiuesi i hebraishtes S. Baeri, nga Gjermania, botoi një tekst bazë. Vite më vonë, K. D. Ginsburgu punoi shumë vjet për të nxjerrë një tekst bazë kritik të Biblës Hebraike. Ky tekst u botua në vitin 1894 dhe rishikimi i tij përfundimtar doli në vitin 1926.c Xhozef Rotherhami përdori botimin e vitit 1894 të këtij teksti për të nxjerrë përkthimin e tij në anglisht, The Emphasised Bible, në vitin 1902. Kurse profesori Maks L. Margolis dhe bashkëpunëtorët e tij përdorën tekstet e Ginsburgut dhe të Baerit për të botuar në vitin 1917 përkthimin e tyre të Shkrimeve Hebraike.
27, 28. (a) Çfarë është Biblia Hebraica dhe si është zhvilluar ajo? (b) Si është përdorur ky tekst në Përkthimin Bota e Re, në anglisht?
27 Në vitin 1906 studiuesi i hebraishtes Rudolf Kiteli nxori në Gjermani botimin e parë (dhe më vonë, një botim të dytë) të tekstit të tij hebraik të përpunuar me titull Biblia Hebraica ose «Bibla Hebraike». Në këtë libër Kiteli siguroi një aparat tekstual me anë të shumë shënimeve, nëpërmjet të cilit krahasoheshin dorëshkrimet e shumta hebraike të tekstit masoretik që ekzistonte në atë kohë. Ai përdori si tekst bazë tekstin e pranuar gjerësisht të Jakob ben Hajimit. Kur u bënë të disponueshme tekstet masoretike shumë më të vjetra e më të sakta të Ben Asherit, të cilat kishin marrë formën e tyre standarde rreth shekullit të 10-të të e.s., Kiteli nisi të prodhonte një botim të tretë krejt të ndryshëm të Biblia Hebraica. Këtë vepër e përfunduan bashkëpunëtorët e tij pas vdekjes.
28 Në veprën Biblia Hebraica të Kitelit, botimi i 7-të, i 8-të dhe i 9-të (1951-1955), ndodhej teksti bazë që u përdor për pjesën hebraike të Përkthimit Bota e Re në anglisht. Një botim i ri i tekstit hebraik, i quajtur Biblia Hebraica Stuttgartensia, i vitit 1977, u përdor për të përditësuar informacionin e paraqitur në shënimet e Përkthimit Bota e Re të botuar në vitin 1984, anglisht.
29. Cila veçori e Biblia Hebraica ishte me vlerë të veçantë për rivendosjen e emrit të Perëndisë?
29 Në veprën e tij Kiteli ka paraqitur masorën në të cilën përshkruhen shumë ndryshime të tekstit nga skribët e kohës para krishterimit. Kjo ka kontribuar në saktësinë e Përkthimit Bota e Re, përfshirë edhe rivendosjet e emrit të Perëndisë, Jehova. Njohuria e gjerë biblike vazhdon të bëhet e mundur nëpërmjet Përkthimit Bota e Re.
30. (a) Duke përdorur tabelën në faqen 308 ku tregohen burimet për pjesën e Shkrimeve Hebraike të tekstit të Përkthimit Bota e Re, përshkruaj historinë e tekstit hebraik deri te Biblia Hebraica si burimi kryesor i Përkthimit Bota e Re. (b) Cilat janë disa burime të tjera që iu referua Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re?
30 Në këtë studim ndodhet një tabelë ku paraqiten burimet e tekstit të Shkrimeve Hebraike në Përkthimin Bota e Re. Në këtë tabelë tregohet shkurtimisht zhvillimi i tekstit hebraik i cili çoi te Biblia Hebraica e Kitelit që ishte burimi kryesor që u përdor. Burimet dytësore që u konsultuan tregohen me vija të bardha të ndërprera. Kjo nuk është bërë me qëllimin për të treguar se në rastin e versioneve të tilla, si Vulgata latine dhe Septuaginta greke, u konsultuan veprat origjinale. Ashtu si në rastin e shkrimeve të frymëzuara hebraike, origjinalet e këtyre versioneve tani nuk ekzistojnë. Këto burime u konsultuan me anë të botimeve të besueshme të teksteve ose nga përkthime të vjetra të besueshme dhe nga komentarët kritikë. Duke konsultuar këto burime të ndryshme, Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re arriti të paraqitë një përkthim me autoritet dhe të besueshëm të Shkrimeve Hebraike origjinale të frymëzuara. Të gjitha këto burime tregohen te shënimet e Biblës me referime, anglisht.
31. (a) Rezultat i çfarë gjëje është pjesa e Shkrimeve Hebraike të Përkthimit Bota e Re? (b) Çfarë falënderimesh dhe urimesh mund të shprehim?
31 Kështu, pjesa e Shkrimeve Hebraike të Përkthimit Bota e Re është rezultat i studimeve dhe i kërkimeve shekullore për Biblën. Ajo bazohet në një tekst shumë të saktë i cili është rezultati i çmuar i një transmetimi besnik të tekstit. Me stilin e tij të rrjedhshëm dhe tërheqës, ai është një përkthim i ndershëm dhe i saktë për t’u përdorur për një studim serioz të Biblës. Falënderojmë Jehovain, Perëndinë komunikues, që Fjala e tij është e gjallë dhe ushtron fuqi sot! (Hebr. 4:12) Urojmë që njerëzit me zemër të ndershme të vazhdojnë ta ndërtojnë besimin duke studiuar Fjalën e çmuar të Perëndisë dhe të nxiten të bëjnë vullnetin e Jehovait gjatë këtyre kohëve historike!—2 Pjet. 1:12, 13.
[Shënimet]
a Nuk dihet se kur filluan të përdoreshin sinagogat. Mund të ketë ndodhur gjatë mërgimit 70-vjeçar babilonas, kur nuk ekzistonte asnjë tempull, ose mund të ketë qenë pak kohë pas kthimit nga mërgimi, në ditët e Ezdrës.
b Shih shkurtimin «Sam» te Bibla me referime, në anglisht, te shënimet për Zanafillën 4:8; Daljen 6:2; 7:9; 8:15 dhe Dal. 12:40. Shih edhe në faqen 296, në paragrafin 9 të këtij libri dhe shënimin për Daljen 12:40 te Përkthimi Bota e Re në shqip.
c Shih në Biblën me referime, anglisht, simbolin «T» te shënimet për Numrat 24:17; Ligjin e përtërirë 33:13 dhe Psalmin 100:3.
d Përkthimi Bota e Re, shtojca 1C «Emri i Perëndisë në versionet e lashta greke».
e Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 9, anglisht.
f Te Bibla me referime, anglisht, këto variacione janë shënuar me simbolin LXXא për Kodikun Sinaitik, LXXA për Kodikun Aleksandrin dhe LXXB për Kodikun e Vatikanit. Shih në atë botim shënimet për 1 Mbretërve 14:2 dhe; 1 Kronikave 7:34; 12:19.
g Shih simbolin «Vg» te Bibla me referime, anglisht, te shënimi për Daljen 37:6.
h Bibla me referime, anglisht, shtojca 2A, «Pikat e pazakonshme».
i Përkthimi Bota e Re, shtojca 1B, «Ndryshime të skribëve lidhur me emrin e Perëndisë».
j Bibla me referime, anglisht, shtojca 2B, «Korrigjime të soferimëve».
k Shih shënimet te Bibla me referime, anglisht, për Psalmet 60:5; 71:20; 100:3 dhe Ps 119:79.
l Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 322, anglisht.
a The Dead Sea Psalms Scroll, 1967, nga J. A. Sanders, faqja 15.
b Shih simbolin «1QIsa» në Biblën me referime, anglisht, te shënimet për Isainë 7:1 dhe 14:4.
c Shih simbolin «Gins.» në Biblën me referime, anglisht, te shënimi për Levitikun 11:42.
[Tabela në faqen 313]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
DISA DORËSHKRIME TË RËNDËSISHME PAPIRUSI
të Shkrimeve Hebraike
Emri i dorëshkrimit Papirusi Nash
Data shek. i 1-rë ose i 2-të p.e.s.
Gjuha Hebraike
Vendndodhja Kembrixh, Angli
Përmbajtja e përafërt 24 rreshta me Dhjetë Urdhërimet
dhe disa vargje nga
Emri i dorëshkrimit Rajlënds 458
Simboli 957
Data Shek. i 2-të p.e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Mançester, Angli
Përmbajtja e përafërt Fragmente nga Ligji i përtërirë kap. 23-28
Emri i dorëshkrimit Fouad 266
Data Shek. i 1-rë p.e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Kajro, Egjipt
Përmbajtja e përafërt Pjesë nga Zanafilla dhe
Ligji i përtërirë
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht
(shih shënimet për shkrimet e cituara)
Ligj. 18:5; Vep. 3:22; shtojca 1C, në shqip
Emri i dorëshkrimit Rrotulla e Levitikut e Detit të Vdekur
Simboli 4Q LXX Levb
Data Shek. i 1-rë p.e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Jerusalem, Izrael
Përmbajtja e përafërt Fragmente nga Levitiku
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht
(shih shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Çestër Biti 6
Simboli 963
Data Shek. i 2-të i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Dublin, Irlandë dhe An-Arbor, Miçigan,
SHBA
Përmbajtja e përafërt Pjesë nga Numrat dhe Ligji i përtërirë
Emri i dorëshkrimit Çestër Biti 9, 10
Simboli 967-968
Data shek. i 3-të i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Dublin, Irlandë dhe Prinston,
Nju-Jork, SHBA
Përmbajtja e përafërt Pjesë nga Ezekieli, Danieli dhe Estera
të Shkrimeve të Krishtere Greke
Emri i dorëshkrimit Oksirinkus
Simboli P1
Data 2 Shek. i 3-të i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Filadelfia, Pensilvani, SHBA
Përmbajtja e përafërt Mat. 1:1-9, 12, 14-20
Emri i dorëshkrimit Oksirinkus 1228
Simboli P22
Data Shek. i 3-të i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Glasgou, Skoci
Përmbajtja e përafërt Fragmente të Gjonit kap. 15, 16
Emri i dorëshkrimit Miçigan 1570
Simboli P37
Data Shek. 3-4 i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja An-Arbor, Miçigan, SHBA
Përmbajtja e përafërt Mat. 26:19-52
Emri i dorëshkrimit Çestër Biti 1
Simboli P45
Data Shek. i 3-të i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Dublin, Irlandë; Vjenë, Austri
Përmbajtja e përafërt Fragmente nga Mateu, Marku, Luka,
Gjoni dhe Veprat
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht
(shih shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Çestër Biti 2
Simboli P46
Data Rr. 200 të e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Dublin, Irlandë; An-Arbor,
Miçigan, SHBA
Përmbajtja e përafërt Nëntë letra të Pavlit
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht
(shih shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Çestër Biti 3
Simboli P47
Data Shek. i 3-të i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Dublin, Irlandë
Përmbajtja e përafërt Zbul. 9:10–17:2
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht
(shih shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Rajlënds 457
Simboli P52
Data Rr. 125 të e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Mançester, Angli
Përmbajtja e përafërt Gjoni 18:31-33, 37, 38
Emri i dorëshkrimit Bodmer 2
Simboli P66
Data Rr. 200 të e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Gjenevë, Zvicër
Përmbajtja e përafërt Pjesa më e madhe e Gjonit
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht
(shih shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Bodmer 7, 8
Simboli P72
Data Shek. 3-4 i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Gjenevë, Zvicër dhe Biblioteka e
Vatikanit në Romë, Itali
Përmbajtja e përafërt Juda, 1 Pjetrit dhe 2 Pjetrit
Emri i dorëshkrimit Bodmer 14, 15
Simboli P75
Data Shek. i 3-të i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Gjenevë, Zvicër
Përmbajtja e përafërt Pjesa më e madhe e Lukës dhe e Gjonit
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht
(shih shënimet për shkrimet e cituara)
[Tabela në faqen 314]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
DISA DORËSHKRIME TË RËNDËSISHME VELINI DHE LËKURE
të Shkrimeve Hebraike (në hebraisht)
Emri i dorëshkrimit Kodiku i Halebit
Simboli Al
Data 930 të e.s.
Gjuha Hebraike
Vendndodhja Dikur në Haleb, Siri. Tani në Izrael.
Përmbajtja e përafërt Pjesa më e madhe e Shkrimeve Hebraike
(teksti i Ben Asherit)
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Muzeu Britanik Kodiku Or4445
Data Shek. i 10-të i e.s.
Gjuha Hebraike
Vendndodhja Londër, Angli
Përmbajtja e përafërt Pjesa më e madhe e Pentateukut
Emri i dorëshkrimit Kodiku karait i Kajros
Simboli Ca
Data 895 i e.s.
Gjuha Hebraike
Vendndodhja Kajro, Egjipt
Përmbajtja e përafërt Profetët e mëparshëm dhe të mëvonshëm
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Kodiku i Leningradit
Simboli B 19A
Data 1008 i e.s.
Gjuha Hebraike
Vendndodhja Shën-Pjetërburg Rusi
Përmbajtja e përafërt Shkrimet Hebraike
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
Jos. 21:37; 2 Sam. 8:3; Shtojca 1A, në
shqip
Emri i dorëshkrimit Kodiku i Pjetërburgut i Profetëve Simboli B 3
Data 916 i e.s.
Gjuha Hebraike
Vendndodhja Shën-Pjetërburg, Rusi
Përmbajtja e përafërt Profetët e mëvonshëm
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
Shtojca 2B
Emri i dorëshkrimit Rrotulla e parë e Isaisë
e Detit të Vdekur
Simboli 1QIsa
Data Fundi i shek. të 2-të p.e.s.
Gjuha Hebraike
Vendndodhja Jerusalem, Izrael
Përmbajtja e përafërt Isaia
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Rrotulla e Psalmeve e Detit të Vdekur
Simboli 11QPsa
Data Shek. i 1-rë i e.s.
Gjuha Hebraike
Vendndodhja Jerusalem, Izrael
Përmbajtja e përafërt Pjesë të 41 Psalmeve të librit të tyre
të tretë
të Septuagintës dhe të Shkrimeve të Krishtere Greke
Emri i dorëshkrimit Sinaitik
Simboli )01( א
Data Shek. i 4-t i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Londër, Angli
Përmbajtja e përafërt Pjesë të Shkrimeve Hebraike dhe gjithë
Shkrimet Greke, si edhe disa shkrime
apokrife
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
1 Kron. 12:19; Gjoni 5:2; 2 Kor. 12:4
Emri i dorëshkrimit Aleksandrin
Simboli A (02)
Data Shek. i 5-të i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Londër, Angli
Përmbajtja e përafërt Të gjitha Shkrimet Hebraike dhe Greke
(disa pjesë të vogla kanë humbur ose
janë dëmtuar), si edhe disa shkrime
apokrife
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Vatikan 1209
Simboli B (03)
Data Shek. i 4-t i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Biblioteka e Vatikanit në Romë, Itali
Përmbajtja e përafërt Në fillim e tërë Bibla. Tani mungojnë:
Hebrenjve pas Heb 9:14; 1 Timoteut;
2 Timoteut; Titit; Filemonit; Zbulesa
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
Mar. 6:14; Gjoni 1:18; 7:53–8:11
Emri i dorëshkrimit Ephraemi Syri rescriptus
Simboli C (04)
Data shek. i 5-të i e.s.
Gjuha Greke
Vendndodhja Paris, Francë
Përmbajtja e përafërt Pjesë të Shkrimeve Hebraike (64 fletë)
dhe të Shkrimeve Greke (145 fletë)
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Kodiku i Bezës Cantabrigiensis
Simboli Dea (05)
Data Shek. i 5-të i e.s.
Gjuha Greko- latine
Vendndodhja Kembrixh, Angli
Përmbajtja e përafërt Shumica e katër ungjijve dhe Veprat,
disa vargje të 3 Gjonit
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
Emri i dorëshkrimit Kodiku Claromontanus
Simboli DP (06)
Data Shek. i 6-të i e.s.
Gjuha Greko- latine
Vendndodhja Paris, Francë
Përmbajtja e përafërt Letrat e Pavlit (përfshirë Hebrenjve)
Shembuj të përdorimit në Biblën me referime, anglisht (shih
shënimet për shkrimet e cituara)
Gal. 5:12 (referimi tregohet vetëm me
simbolin «D»)
[Diagrami në faqen 308]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botmin)
Burime të tekstit të Përkthimit Bota e Re—Shkrimet Hebraike
Shkrimet Hebraike origjinale dhe kopjet e hershme
Rrotullat e Detit të Vdekur
Targumet aramaike
Pentateuku samaritan
Septuaginta greke
Latinishte e vjetër
Në gjuhët koptike, etiopase, armene
Teksti bashkëtingëllor hebraik
Vulgata latine
Versione greke—Akuila, Theodotioni, Simaku
Peshita Siriake
Teksti masoretik
Kodiku i Kajros
Kodiku i Pjetërburgut i Profetëve
Kodiku i Halebit
Teksti hebraik i Ginsburgut
Kodiku i Leningradit B 19A
Biblia Hebraica (BHK),Biblia Hebraica
Stuttgartensia (BHS)
Përkthimi Bota e Re
Shkrimet Hebraike në anglisht: nga anglishtja në shumë gjuhë të tjera të sotme
[Diagrami në faqen 309]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botmin)
Burime të tekstit të Përkthimit Bota e Re—Shkrimet e Krishtere Greke
Shkrimet Greke origjinale dhe kopjet e hershme
Versioni armen
Versionet kopte
Versionet siriake—Kuretonian, Filoksenian, Harklean,
Palestinez, Sinaitik, Peshita
Latinishte e vjetër
Vulgata latine
Tekstet latine të rishikuara sikstine dhe klementine
Dorëshkrime greke kursive
Teksti i Erasmit
Teksti i Stefanit
Textus Receptus
Versioni grek i Grisbahut
Emphatic Diaglott
Papiruse—(p.sh., Çestër Biti P45, P46, P47;
Bodmer P66, P74, P75)
Dorëshkrimet e hershme greke unciale—Vatikan 1209 (B),
Sinaitik (א), Aleksandrin (A), Efraemi Syri rescriptus (C), të Bezës (D)
Teksti grek i Uestkotit dhe i Hortit
Teksti grek i Boverit
Teksti grek i Merkut
Teksti grek i Nestle-Alandit
Teksti grek i Shoqatave të Bashkuara Biblike
23 versione hebraike (të shekujve 14-20),
të përkthyera ose nga greqishtja, ose nga Vulgata
latine, që përdorin Tetragramin në vend të emrit
të Perëndisë
Përkthimi Bota e Re
Shkrimet e Krishtere Greke në anglisht; nga anglishtja në shumë gjuhë të tjera të sotme