BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 299-305
  • Studimi numër 4​—Bibla dhe kanuni i saj

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Studimi numër 4​—Bibla dhe kanuni i saj
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • BIBLIOTEKA HYJNORE
  • SHKRIMET HEBRAIKE
  • LIBRAT APOKRIFË TË SHKRIMEVE HEBRAIKE
  • SHKRIMET E KRISHTERE GREKE
  • A e tregon Bibla historinë e plotë të Jezuit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Çfarë është Bibla?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Përmbajtja e librit
    1997 Një libër për të gjithë njerëzit
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 299-305

Studime mbi Shkrimet e frymëzuara dhe informacione në lidhje me to

Studimi numër 4​—Bibla dhe kanuni i saj

Origjina e fjalës «Bibël»; përcaktimi i librave që i përkasin me të drejtë Bibliotekës Hyjnore; mospranimi i librave apokrifë.

1, 2. (a) Cili është kuptimi i përgjithshëm i fjalës greke biblìa? (b) Si përdoret në Shkrimet e Krishtere Greke kjo fjalë dhe fjalë të tjera që lidhen me të? (c) Nga e ka prejardhjen fjala «Bibël» në shqip?

MEQË Shkrimet e frymëzuara quhen zakonisht Bibla, na intereson të shqyrtojmë origjinën dhe domethënien e fjalës «Bibël». Ajo vjen nga fjala greke biblía, që do të thotë «libra të vegjël». Por kjo fjalë rrjedh nga fjala bíblos, një term që përshkruan pjesën e brendshme të bimës së papirusit nga e cila prodhohej në kohët e lashta «letra» për të shkruar. (Grekët filluan ta quanin Biblos portin fenikas të Gebalit, nëpërmjet të cilit importohej papirusi nga Egjipti. Shih Josiun 13:5.) Komunikimet e ndryshme të shkruara në këtë lloj materiali u bënë të njohura me fjalën biblía. Kështu, si rrjedhim fjala biblía përshkruante çfarëdo lloj shkrimesh, rrotullash, librash, dokumentesh a vargjesh, madje edhe një koleksion librash të vegjël të një biblioteke.

2 Çuditërisht vetë fjala «Bibël» nuk gjendet në përgjithësi në tekstin e përkthimeve të Shkrimeve të Shenjta në shqip ose në gjuhë të tjera. Megjithatë, nga shekulli i dytë p.e.s., koleksioni i librave të frymëzuar të Shkrimeve Hebraike u quajt në greqisht ta biblía. Te Danieli 9:2 profeti shkroi: «Unë, Danieli, dallova me anë të librave . . .» Këtu te Septuaginta është fjala bíblois, shumësi i fjalës bíblos në rasën dhanore. Te 2 Timoteut 4:13, Pavli shkroi: «Kur të vish, sill . . . rrotullat [në greqisht, biblía].» Në format e tyre të shumta gramatikore fjalët greke biblíon dhe bíblos shfaqen më shumë se 40 herë në Shkrimet e Krishtere Greke dhe zakonisht përkthehen «rrotull(a)» ose «libër (libra)». Fjala biblía u përdor më vonë në latinisht si një emër në njëjës dhe nga latinishtja e ka prejardhjen në shqip fjala «Bibël».

3. Si e dëshmuan shkrimtarët e Biblës se ajo është Fjala e frymëzuar e Perëndisë?

3 Është Fjala e Perëndisë. Shumë njerëz u përdorën nën frymëzim për shkrimin e Biblës. Njerëz të tjerë morën pjesë në përkthimin e saj nga gjuhët origjinale në gjuhët e shkruara të ditëve të sotme. E megjithatë, në kuptimin e plotë të fjalës, Bibla është Fjala e Perëndisë, zbulesa e tij e frymëzuar dhënë njerëzve. Vetë shkrimtarët e frymëzuar e konsideronin Biblën në këtë mënyrë, siç provohet nga këto fraza që përdorën: ‘fjala që del nga goja e Jehovait’ (Ligj. 8:3), ‘fjalët e Jehovait’ (Jos. 24:27), ‘urdhërimet e Jehovait’ (Ezd. 7:11), «ligji i Jehovait» (Psal. 19:7) dhe «fjala e Jehovait» (Isa. 38:4).

BIBLIOTEKA HYJNORE

4. Nga se përbëhet Bibla dhe kush e ka vendosur këtë?

4 Ajo që njerëzit sot e quajnë Bibël në të vërtetë është një koleksion dokumentesh të lashta të frymëzuara nga Perëndia. Këto u hartuan dhe u përpiluan në formë të shkruar gjatë një periudhe prej 16 shekujsh. I tërë ky koleksion dokumentesh formojnë atë që Jeronimi e përshkroi mirë në latinisht si Bibliotheca Divina ose Biblioteka Hyjnore. Kjo bibliotekë ka një katalog ose listë zyrtare të botimeve, në të cilin përfshihen vetëm ato libra që kanë lidhje me qëllimin dhe funksionin e kësaj biblioteke. Të gjitha librat e paautorizuar përjashtohen prej saj. Perëndia Jehova është Bibliotekari i Madh i cili vë standardin që përcakton se cilat shkrime duhen përfshirë. Kështu, Bibla ka një katalog të përcaktuar që përmban 66 libra dhe të gjithë janë shkruar nën drejtimin e frymës së shenjtë të Perëndisë.

5. Çfarë është kanuni biblik dhe si lindi ky emërtim?

5 Koleksioni ose lista e librave të pranuar si Shkrime autentike dhe të frymëzuara shpesh quhet kanuni biblik. Dikur, nëse nuk ndodhej pranë një copë druri, si mjet për matje përdorej kallami (në hebraisht, kanéh). Apostulli Pavël përdori fjalën greke kanón për të përshkruar një ‘normë sjelljeje’, si edhe ‘territorin’ që i ishte dhënë si caktim. (Gal. 6:16, shënimi te Bibla me referime, anglisht; 2 Kor. 10:13) Prandaj librat kanunorë janë ata që janë autentikë e të frymëzuar dhe të denjë që të përdoren si njësi matëse për të përcaktuar besimin, doktrinën dhe sjelljen që është e drejtë. Në qoftë se përdorim si plumbçe libra që nuk janë «të drejtë», «ndërtesa» jonë nuk do të jetë pingul dhe nuk do të vlerësohet për mirë gjatë vëzhgimit që do t’i bëjë Inspektori më i Madh.

6. Cilat janë disa kritere që përcaktojnë nëse një libër është kanunor?

6 Si përcaktohet nëse një libër është kanunor? Cilat janë disa kritere të vendosur nga Perëndia që përcaktojnë se 66 librat e Biblës janë kanunorë? Para së gjithash, dokumente të tilla duhet të flasin për çështjet e Jehovait në tokë, t’i drejtojnë njerëzit drejt adhurimit të tij dhe të nxitin respekt të thellë për emrin, për veprën dhe për qëllimet e tij në tokë. Ato duhet të japin prova se janë të frymëzuara, domethënë, se kanë ardhur nga fryma e shenjtë. (2 Pjet. 1:21) Nuk duhet të nxitin besëtytnitë ose adhurimin e krijesave, por përkundrazi, duhet të nxitin dashurinë dhe shërbimin ndaj Perëndisë. Në çdo shkrim nuk duhet të ketë asgjë që të bjerë në kundërshtim me harmoninë e brendshme të së tërës, por duke qenë në unitet me të tjerët, duhet të tregojë se ka një autor të vetëm, Perëndinë Jehova. Gjithashtu duhet të presim që shkrimet të japin prova se janë të sakta deri në hollësitë më të vogla. Në varësi të natyrës së përmbajtjes së secilit libër, përveç këtyre gjërave thelbësore, ka edhe kritere të tjera specifike që tregojnë se këto shkrime janë të frymëzuara, e si rrjedhim edhe kanunore. Këto kritere janë diskutuar në këtë botim në materialin hyrës për çdo libër të Biblës. Gjithashtu ka rrethana të veçanta që lidhen me Shkrimet Hebraike dhe rrethana të tjera që lidhen me Shkrimet e Krishtere Greke, të cilat ndihmojnë për të përcaktuar kanunin biblik.

SHKRIMET HEBRAIKE

7. Cilat hapa të njëpasnjëshëm ndoqi plotësimi i kanunit hebraik dhe me çfarë duhej të ishte në përputhje çdo pjesë e mëvonshme?

7 Nuk duhet të mendojmë se, për t’u pranuar librat që bënin pjesë në Shkrimet e frymëzuara, duhej pritur plotësimi i kanunit hebraik në shekullin e pestë p.e.s. Shkrimet e Moisiut që u dhanë nën drejtimin e frymës së Perëndisë u pranuan që në fillim nga izraelitët si të frymëzuara dhe vepër e Perëndisë. Kur u përfundua, Pentateuku përbënte kanunin për atë kohë. Zbulesat e mëvonshme në lidhje me qëllimet e Jehovait, të cilat iu dhanë njerëzve nën frymëzim, duhej të ndiqnin në mënyrë logjike dhe të ishin në përputhje me parimet themelore për adhurimin e vërtetë që tregohen në Pentateukun. Kemi parë se kjo është e vërtetë kur shqyrtuam librat e ndryshëm të Biblës, sidomos ngaqë ato flasin drejtpërdrejt për temën kryesore të Biblës, pra, shenjtërimin e emrit të Jehovait dhe shfajësimin e sovranitetit të tij nëpërmjet Mbretërisë së udhëhequr nga Krishti, Fara e Premtuar.

8. Ç’gjë e përcakton se librat profetikë të Biblës janë kanunorë?

8 Veçanërisht Shkrimet Hebraike janë plot me profeci. Jehovai, nëpërmjet Moisiut, siguroi bazën për të përcaktuar nëse një profeci ishte autentike, pra, nëse ishte vërtet nga Perëndia apo jo. Kjo gjë ndihmoi për të përcaktuar nëse një libër profetik ishte kanunor. (Ligj. 13:1-3; 18:20-22) Një shqyrtim i secilit nga librat profetikë të Shkrimeve Hebraike bashkë me Biblën si një të tërë dhe historinë shekullare tregon përtej çdo dyshimi se ‘fjala’ që thuhej në ta ishte në emër të Jehovait. Gjithashtu tregon se ‘ndodhi siç ishte thënë ose që fjala doli e vërtetë’, qoftë tërësisht, qoftë në shkallë të vogël a në mënyrë të pjesshme, kur kishte të bënte me gjëra që i përkitnin ende së ardhmes, dhe po ashtu tregon se fjala e tyre i drejtoi njerëzit te Perëndia. Plotësimi i këtyre kërkesave provonte se profecia ishte autentike dhe e frymëzuar.

9. Cilin faktor të rëndësishëm duhet të mbajmë parasysh kur shqyrtojmë çështjen e kanunit biblik?

9 Citimet në Shkrimet e Krishtere Greke që i bënë Jezui dhe shkrimtarët e frymëzuar, sigurojnë një mënyrë të drejtpërdrejtë për të përcaktuar se shumë libra të Shkrimeve Hebraike janë kanunorë, megjithëse kjo nuk zbatohet për të gjithë, si për shembull, për librat e Esterës dhe të Eklisiastiut. Prandaj, kur shqyrtojmë nëse një libër është kanunor, duhet mbajtur parasysh një faktor tjetër shumë i rëndësishëm i cili zbatohet për të gjithë kanunin biblik. Ashtu si Jehovai frymëzoi njerëz që të shkruanin mesazhet e tij për t’i mësuar, për t’i ndërtuar e për t’i nxitur njerëzit në adhurimin dhe në shërbimin e tij, po kështu është e logjikshme të prisnim që Jehovai të drejtonte e të udhëhiqte koleksionimin e shkrimeve të frymëzuara dhe përcaktimin e kanunit biblik. Ai do ta bënte këtë që të mos kishte asnjë dyshim se cila ishte Fjala e tij dhe cili do të ishte metri i përhershëm për adhurimin e vërtetë. Po, vetëm në këtë mënyrë krijesave në tokë do të vazhdohej t’u jepej ‘një lindje e re me anë të fjalës së Perëndisë’ dhe do të mund të provohej se «fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë».​—1 Pjet. 1:23, 25.

10. Kur u caktua përfundimisht kanuni i Shkrimeve Hebraike?

10 Përcaktimi i kanunit hebraik. Sipas traditës judaike ishte Ezdra që filloi të përpilonte e të katalogonte kanunin e Shkrimeve Hebraike dhe këtë e përfundoi Nehemia. Pa dyshim Ezdra ishte më se i pajisur për këtë punë, meqë ishte vetë një nga shkrimtarët e frymëzuar të Biblës e ishte po ashtu edhe prift, dijetar dhe kopist zyrtar i shkrimeve të shenjta. (Ezd. 7:1-11) Nuk kemi asnjë arsye për të dyshuar në lidhje me pikëpamjen tradicionale se kanuni i Shkrimeve Hebraike u caktua përfundimisht nga fundi i shekullit të pestë p.e.s.

11. Si i rendit Shkrimet Hebraike kanuni judaik tradicional?

11 Sot renditen 39 libra në listën e Shkrimeve Hebraike; kanuni judaik tradicional, edhe pse i përfshin të gjithë këta libra, i rendit si 24. Disa ekspertë, duke vendosur librin e Ruthës bashkë me Gjykatësit dhe Vajtimet bashkë me librin e Jeremisë, renditën 22 libra, megjithëse pranonin saktësisht të njëjtat shkrime kanunore.a Në këtë mënyrë numri i librave të frymëzuar ishte i njëjtë me numrin e shkronjave të alfabetit hebraik. Më poshtë vijon një listë me 24 libra sipas kanunit judaik tradicional:

Ligji (Pentateuku)

1. Zanafilla

2. Dalja

3. Levitiku

4. Numrat

5. Ligji i përtërirë

Profetët

6. Josiu

7. Gjykatësit

8. Samuelit (1 dhe 2 bashkë si një libër i vetëm)

9. Mbretërve (1 dhe 2 bashkë si një libër i vetëm)

10. Isaia

11. Jeremia

12. Ezekieli

13. Dymbëdhjetë profetët (Hozea, Joeli, Amosi, Abdia, Jonai, Mikea, Naumi, Habakuku, Sofonia, Hageu, Zakaria dhe Malakia, si një libër i vetëm)

Shkrimet (Hagiografa)

14. Psalmet

15. Proverbat

16. Jobi

17. Kënga e Solomonit

18. Rutha

19. Vajtimet

20. Eklisiastiu

21. Estera

22. Danieli

23. Ezdra (Nehemia ishte bashkë me Ezdrën)

24. Kronikave (1 dhe 2 bashkë si një libër i vetëm)

12. Ç’gjë tjetër e mbështet kanunin hebraik dhe me cilat shkrime përfundoi ai?

12 Ky ishte katalogu ose kanuni që u pranua si Shkrime të frymëzuara nga Jezu Krishti dhe nga kongregacioni i krishterë i hershëm. Vetëm nga këto shkrime cituan shkrimtarët e frymëzuar të Shkrimeve të Krishtere Greke e duke u paraprirë këtyre citimeve me shprehje të tilla, si «siç është shkruar», ata vërtetuan se këto ishin Fjala e Perëndisë. (Rom. 15:9) Jezui, kur foli për tërë Shkrimet e frymëzuara që ishin shkruar deri në kohën e shërbimit të tij, iu referua gjërave të shkruara te «ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet». (Luka 24:44) Këtu, fjala «Psalmet», libri i parë i Hagiografës, është përdorur për t’iu referuar gjithë kësaj pjese. Libri i fundit biblik që u përfshi në kanunin hebraik ishte ai i Nehemisë. Drejtimi i frymës së Perëndisë në këtë gjë duket ngaqë vetëm në këtë libër jepet pikënisja për të llogaritur profecinë e jashtëzakonshme të Danielit. Profecia thotë se «që nga dalja e fjalës për të restauruar dhe për të rindërtuar Jerusalemin» deri tek ardhja e Mesisë do të kalonte një periudhë prej 69 javësh profetike. (Dan. 9:25; Neh. 2:1-8; 6:15) Në librin e Nehemisë jepet gjithashtu sfondi historik për librin e fundit profetik të Malakisë. Nuk mund të ketë dyshime se Malakia bën pjesë në kanunin e Shkrimeve të frymëzuara, sepse edhe Jezui, Biri i Perëndisë, citoi disa herë nga ky libër. (Mat. 11:10, 14) Citime të ngjashme janë bërë nga shumica e librave të kanunit hebraik, të cilët që të gjithë u shkruan para Nehemisë dhe Malakisë. Megjithatë, shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke nuk citojnë asnjëherë nga të ashtuquajturat shkrime të frymëzuara që u shkruan pas kohës së Nehemisë dhe të Malakisë e deri në kohën e Krishtit. Kjo vërteton pikëpamjen tradicionale të judenjve, si edhe bindjen e kongregacionit të krishterë të shekullit të parë të e.s., se kanuni i Shkrimeve Hebraike përfundoi me shkrimet e Nehemisë dhe të Malakisë.

LIBRAT APOKRIFË TË SHKRIMEVE HEBRAIKE

13. (a) Çfarë janë librat apokrifë? (b) Si u pranuan ata në kanunin e Kishës Katolike të Romës?

13 Çfarë janë librat apokrifë? Janë shkrime që disa i kanë përfshirë në disa Bibla, por që nuk janë pranuar nga të tjerë, sepse nuk japin prova se janë frymëzuar nga Perëndia. Fjala greke apókrifos u referohet gjërave ‘të fshehura me kujdes’. (Mar. 4:22; Luka 8:17; Kolos. 2:3) Ky term përdoret për ata libra me autorësi ose autoritet të dyshimtë, ose për ata që edhe pse konsiderohen me njëfarë vlere për leximin personal, u mungojnë provat se janë të frymëzuar nga Perëndia. Këta libra mbaheshin veçmas dhe nuk lexoheshin publikisht, e nga kjo rrjedh termi ‘të fshehur’. Në Këshillin e Kartagjenës në vitin 397 të e.s., u propozua që Shkrimeve Hebraike t’u shtoheshin shtatë libra apokrifë, si edhe disa shtesa të librave kanunorë të Esterës dhe të Danielit. Por vetëm nga fundi i vitit 1546, në Këshillin e Trentos, Kisha Katolike e Romës pohoi përfundimisht se i pranonte këto shtesa në katalogun e saj të librave biblikë. Këto shtesa ishin: Tobia, Judita, shtesa për librin e Esterës, Urtia, Siracidi, Baruku, tri shtesa për Danielin, 1 dhe 2 e Makabenjve.

14. (a) Në ç’kuptim është me interes libri 1 i Makabenjve? (b) Cilët persona të rëndësishëm nuk iu referuan asnjëherë librave apokrifë dhe pse?

14 Libri i 1 Makabenjve, edhe pse nuk mund të konsiderohet aspak si libër i frymëzuar, përmban informacione që janë interesante nga ana historike. Në të jepet një përshkrim i betejës për pavarësi të judenjve gjatë shekullit të dytë p.e.s. nën udhëheqjen e familjes priftërore të makabenjve. Pjesa tjetër e librave apokrifë janë të mbushur me mite e besëtytni dhe plot me gabime. As Jezui, as shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke nuk iu referuan atyre dhe as nuk i cituan.

15, 16. Si e treguan Jozefi dhe Jeronimi se cilat libra janë kanunorë?

15 Historiani jude, Jozef Flavi, i shekullit të parë të e.s., në veprën e tij Kundër Apionit (Vëll. I, par. 8 [38-41]), përmend të gjitha librat që pranoheshin nga hebrenjtë si të shenjtë. Ai shkroi: «Ne nuk kemi mori librash jokoherentë që bien ndesh me njëri-tjetrin. Librat tanë, ata që janë vërtet të pranuar zyrtarisht, nuk janë veçse njëzet e dy [barasvlerësi i 39 librave sot, siç tregohet në paragrafin 11] dhe përmbajnë historinë e të gjitha kohëve. Pesë prej këtyre janë librat e Moisiut, që përfshijnë ligjet dhe historinë tradicionale që nga lindja e njeriut deri në vdekjen e ligjdhënësit. . . . Që nga vdekja e Moisiut deri tek Artakserksi, i cili sundoi në vend të Kserksit si mbret i Persisë, profetët që erdhën pas Moisiut shkruan historinë e ngjarjeve të kohëve të tyre në trembëdhjetë libra. Katër librat e mbetur përmbajnë këngë për Perëndinë dhe rregulla se si të sillen njerëzit në jetë.» Kështu Jozefi tregon se kanuni i Shkrimeve Hebraike ishte caktuar shumë kohë para shekullit të parë të e.s.

16 Dijetari biblik Jeronimi, i cili përfundoi përkthimin e Vulgatës latine të Biblës rreth vitit 405 të e.s., ishte shumë i prerë në qëndrimin e tij për librat apokrifë. Pasi renditi librat e frymëzuar te Vulgata, duke përdorur të njëjtin numërim si Jozefi, pra duke i numëruar 39 librat e frymëzuar të Shkrimeve Hebraike në 22 grupime, ai shkroi në hyrjen e tij për librat e Samuelit dhe të Mbretërve: «Pra, janë njëzet e dy libra . . . Kjo hyrje për Shkrimet mund të shërbejë si një metodë përforcuese për të gjithë librat që përkthejmë nga hebraishtja në latinisht; kështu mund të dimë se gjithçka që nuk përfshihet në këta libra të vendoset bashkë me librat apokrifë.»

SHKRIMET E KRISHTERE GREKE

17. Ç’përgjegjësi pretendon se ka Kisha Katolike e Romës, por kush vendosi në të vërtetë se cilët libra bëjnë pjesë në kanunin biblik?

17 Kisha Katolike e Romës pretendon se ka përgjegjësinë për të vendosur se cilat libra duhen përfshirë në kanunin biblik, duke iu referuar për këtë Këshillit të Kartagjenës (397 të e.s.), ku u formulua një katalog i librave. Por është e vërtetë krejt e kundërta, sepse kanuni, ku përfshihet edhe lista e librave që përbëjnë Shkrimet e Krishtere Greke, në atë kohë ishte caktuar tashmë, domethënë, jo me dekretin e ndonjë këshilli, por nëpërmjet drejtimit të frymës së shenjtë të Perëndisë—e njëjta frymë që frymëzoi shkrimin e atyre librave. Dëshmia e kataloguesve të mëvonshëm që nuk ishin të frymëzuar vlen vetëm si njohje e kanunit biblik, të cilin e kishte vendosur fryma e Perëndisë.

18. Ç’përfundime të rëndësishme mund të nxirren nga tabela në të cilën tregohen katalogë të vjetër të Shkrimeve të Krishtere Greke?

18 Dëshmitë e katalogëve të vjetër. Një vështrim i tabelës vijuese tregon se shumë prej katalogëve të shekullit të katërt të Shkrimeve të Krishtere, që datojnë para këshillit të lartpërmendur, përputhen saktësisht me kanunin e sotëm, ndërsa disa të tjerë nuk përfshijnë vetëm Zbulesën. Para shekullit të dytë pranoheshin nga të gjithë katër ungjijtë, Veprat dhe 12 letrat e apostullit Pavël. Vetëm për pak prej shkrimeve më të vogla kishte dyshime në disa pjesë të tyre. Ndoshta kjo vinte sepse në fillim qarkullimi i këtyre shkrimeve ishte i kufizuar për ndonjë arsye, dhe kështu u desh më shumë kohë të pranoheshin si shkrime kanunore.

19. (a) Cili dokument i jashtëzakonshëm është gjetur në Itali dhe në ç’datë është shkruar? (b) Si e përcakton ky kanunin e pranuar të asaj kohe?

19 Një nga katalogët e vjetër më interesantë është fragmenti i zbuluar nga L. A. Muratori në Bibliotekën Ambroziane të Milanos në Itali dhe i botuar prej tij në vitin 1740. Megjithëse mungon fillimi, fakti që përmendet Luka si ungjill i tretë tregon se si dy të parë përmendeshin Mateu dhe Marku. Fragmenti Muratorian, i cili është në latinisht, daton në pjesën e fundit të shekullit të dytë të e.s. Ai është një dokument shumë interesant, siç e tregon përkthimi i pjesshëm vijues: «Libri i tretë i Ungjillit është ai sipas Lukës. Luka, mjeku i njohur, e shkroi në emër të vet. . . . Libri i katërt i Ungjillit është ai i Gjonit, njërit prej dishepujve. . . . Kështu besimtarët mund të kenë besim se nuk ka mospërputhje, megjithëse janë bërë përzgjedhje të ndryshme të fakteve në secilin libër të Ungjijve. Në të gjithë [ata] nën drejtimin e të vetmes Frymë, janë shpallur tërë gjërat në lidhje me lindjen, vuajtjet, ringjalljen, bisedat me dishepujt dhe ardhjen e tij të dyfishtë, së pari si i poshtëruar për shkak të përbuzjeve dhe e cila ndodhi, dhe së dyti, në lavdinë e pushtetit mbretëror dhe e cila duhet të vijë ende. Prandaj, nuk kemi pse të çuditemi aq shumë, që Gjoni i përmend kaq shpesh në letrat e tij gjithë këto gjëra, duke thënë vetë: ‘atë që kemi parë me sytë tanë, që kemi dëgjuar me veshët tanë dhe që kemi prekur me duart tona, këto gjëra kemi shkruar’. Sepse kështu ai shpall jo vetëm se është dëshmitar okular, por edhe se i ka dëgjuar e i rrëfen tërë gjërat e mrekullueshme për Zotërinë sipas radhës së tyre. Për më tepër, veprat e të gjithë apostujve janë shkruar në një libër. [Kështu] Luka i përmblodhi ato për fort të shkëlqyerin Teofil. . . . Tani letrat e Pavlit e bëjnë të qartë për këdo që do t’i kuptojë se cilat janë dhe nga ku ose për ç’arsye u dërguan. Së pari, ai u shkroi gjerë e gjatë korintasve që të ndalonte grupimet heretike, pastaj u shkroi galatasve [kundër] rrethprerjes dhe romakëve për rregullat e Shkrimeve, duke thënë gjithashtu tërthorazi se Krishti është subjekti kryesor në to. Është e nevojshme të shqyrtojmë secilën prej tyre meqenëse vetë apostulli i bekuar Pavël, duke ndjekur shembullin e paraardhësit të tij Gjonit, u shkruan me emër vetëm shtatë kishave, sipas radhës vijuese: Korintasve (e para), Efesianëve (e dyta), Filipianëve (e treta), Kolosianëve (e katërta), Galatasve (e pesta), Selanikasve (e gjashta) dhe Romakëve (e shtata). Por megjithëse ai u shkruan dy herë korintasve dhe selanikasve për t’i ndrequr, tregohet [?d.m.th., nga këto shtatë letra] se ka vetëm një kishë të shpërndarë në të gjithë tokën. Edhe Gjoni tek Apokalipsi, ndonëse u shkruan shtatë kishave, u flet të gjithëve. Por nga përzemërsia dhe dashuria [ai i shkroi] një Filemonit, një Titit dhe dy Timoteut; [dhe këto] konsiderohen të shenjta për nder të Kishës. . . . Gjithashtu përfshihet një letër e Judës dhe dy që mbajnë emrin e Gjonit. . . . Pranojmë edhe vetëm apokalipset e Gjonit dhe të Pjetrit, të cilën [këtë të fundit] disa prej nesh nuk duan të lexohet në kishë.»​—The New Schaff-Herzog Encyclopedia of Religious Knowledge, 1956, vëll. VIII, faqja 56.

20. (a) Si shpjegohet mospërmendja e njërës prej letrave të Gjonit dhe të Pjetrit? (b) Sa përputhet ky katalog me katalogun e sotëm?

20 Vihet re se në fund të Fragmentit Muratorian përmenden vetëm dy letra të Gjonit. Mirëpo, për këtë pikë në enciklopedinë e lartpërmendur, në faqen 55, thuhet se këto dy letra të Gjonit «nuk mund të jenë veçse e dyta dhe e treta, shkrimtari i të cilave e quan veten thjesht ‘plaku’. Pasi e kishte përmendur të parën, edhe pse rastësisht, në lidhje me Ungjillin e Katërt, dhe pasi kishte shpallur atje bindjen e patundur se ajo e ka origjinën nga Gjoni, autori u ndie i lirë të përmendte vetëm dy letrat më të vogla». Për sa i përket faktit që duket sikur nuk përmendet fare letra e parë e Pjetrit, në këtë burim thuhet më tej: «Hipoteza më e mundshme është se mungojnë disa fjalë, ndoshta një rresht, në të cilin 1 Pjetrit dhe Apokalipsi i Gjonit përmendeshin si shkrime të pranuara.» Prandaj, duke u bazuar te Fragmenti Muratorian kjo enciklopedi, në faqen 56, nxjerr këtë përfundim: «Besëlidhja e Re përbëhet pa dyshim nga katër Ungjijtë, Veprat, trembëdhjetë letrat e Pavlit, Apokalipsi i Gjonit, ka shumë mundësi tri letrat e tij, Juda dhe 1 Pjetrit, ndërkohë që kundërshtimi për një shkrim tjetër të Pjetrit nuk ishte hedhur ende poshtë.»

21. (a) Pse janë interesante komentet e Origjenit për shkrimet e frymëzuara? (b) Çfarë pranuan shkrimtarët e mëvonshëm?

21 Origjeni, rreth vitit 230 të e.s., pranonte si pjesë të Shkrimeve të frymëzuara librat e Hebrenjve dhe të Jakovit, të cilat mungojnë në Fragmentin Muratorian. Ndërkohë që tregon se disa e vinin në dyshim se këta ishin libra kanunorë, ai thotë gjithashtu se në atë kohë shumica e Shkrimeve Greke pranoheshin si kanunorë dhe vetëm pak veta dyshonin për disa nga letrat më pak të njohura. Më vonë, Athanasi, Jeronimi dhe Agustini pranuan listat më të hershme duke përcaktuar si kanunorë po ata 27 libra që kemi tani.b

22, 23. (a) Si u përgatitën listat e katalogëve që tregohen në tabelë? (b) Pse me sa duket nuk kishte lista të tilla para Fragmentit Muratorian?

22 Shumica e katalogëve që përmenden në tabelë janë lista specifike që tregojnë se cilat libra pranohen si kanunorë. Katalogët e Ireneut, të Klementit të Aleksandrisë, të Tertulianit dhe të Origjenit plotësohen nga citimet e tyre, të cilat zbulojnë se si i konsideronin ata shkrimet që përmendin. Këta plotësohen më tej nga dokumentimet e historianit të hershëm Eusebit. Megjithatë, fakti që këta shkrimtarë nuk përmendin disa shkrime kanunore nuk provon se ato nuk janë të tilla. Thjesht nuk rastisi që t’i përmendin në shkrimet e tyre ose ngaqë zgjodhën vetë kështu, ose për shkak të argumenteve që po trajtonin. Por, pse nuk gjejmë lista të sakta më të vjetra se Fragmenti Muratorian?

23 Vetëm kur dolën kritikë si Marsioni, në mes të shekullit të dytë të e.s. lindi çështja se cilat libra duhej të pranonin të krishterët. Marsioni krijoi kanunin e vet që t’u përshtatej doktrinave të tij, duke marrë vetëm disa nga letrat e apostullit Pavël e një formë të spastruar të Ungjillit të Lukës. Kjo gjë bashkë me tërë literaturën apokrife që po përhapej në atë kohë në mbarë botën, çuan në pohimet e kataloguesve se cilat libra pranonin si kanunorë.

24. (a) Nga çfarë karakterizohen shkrimet apokrife të «Besëlidhjes së Re»? (b) Çfarë thonë për këtë studiuesit?

24 Shkrimet apokrife. Dëshmitë e brendshme vërtetojnë ndarjen e qartë që u bë midis shkrimeve të krishtere të frymëzuara dhe veprave që ishin të rreme dhe jo të frymëzuara. Shkrimet apokrife janë të një cilësie shumë më të ulët dhe shpesh janë fëmijërore e plot fantazira. Shpesh ato janë të pasakta.c Vër re pohimet vijuese të disa studiuesve në lidhje me këta libra jokanunorë:

«Nuk ka asnjë dyshim pse i kanë përjashtuar ato nga Besëlidhja e Re: këta libra e kanë përjashtuar vetë veten.»​—The Apocryphal New Testament, nga M. R. Xhejmsi, faqet xi, xii.

«Mjafton vetëm të krahasojmë librat e Besëlidhjes së Re si një të tërë me literaturat e tjera të këtij lloji, që të kuptojmë se sa i thellë është hendeku që i ndan. Shpesh thuhet se ungjijtë jokanunorë janë në të vërtetë dëshmia më e mirë për ungjijtë kanunorë.»​—The New Testament Documents, nga G. Miligani, faqja 228.

«Nuk mund të thuhet as edhe për një shkrim të ruajtur që nga periudha e hershme e Kishës, i cili nuk bën pjesë në Besëlidhjen e Re, se mund t’i shtohet sot në mënyrë të përshtatshme Kanunit.»​—The Problem of the New Testament Canon, nga K. Alandi, faqja 24.

25. Cilat fakte për shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke dëshmojnë se këto shkrime janë të frymëzuara?

25 Shkrimtarët e frymëzuar. Edhe kjo pikë është interesante. Të gjithë shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke, në një mënyrë ose në një tjetër, bashkëpunonin ngushtë me trupin udhëheqës të parë të kongregacionit të krishterë, në të cilin përfshiheshin apostujt e zgjedhur nga vetë Jezui. Mateu, Gjoni dhe Pjetri ishin ndër 12 apostujt e parë dhe Pavli u zgjodh më vonë si apostull, por nuk llogaritej mes të 12-ve.d Ndonëse Pavli nuk ishte i pranishëm kur u derdh në mënyrë të veçantë fryma në festën e Ditës së Pesëdhjetë, Mateu, Gjoni dhe Pjetri ishin aty, bashkë me Jakovin, Judën e ndoshta edhe Markun. (Vep. 1:13, 14) Pjetri i përfshin në mënyrë specifike letrat e Pavlit me «pjesën tjetër të Shkrimeve». (2 Pjet. 3:15, 16) Marku dhe Luka ishin bashkëpunëtorë të ngushtë dhe shokë udhëtimi të Pavlit dhe të Pjetrit. (Vep. 12:25; 1 Pjet. 5:13; Kolos. 4:14; 2 Tim. 4:11) Të gjithë këtyre shkrimtarëve iu dhanë aftësi të mrekullueshme me anë të frymës së shenjtë, ose kur ajo u derdh në mënyrë të veçantë si në rastin e festës së Ditës së Pesëdhjetë dhe kur Pavli u kthye në besim (Vep. 9:17, 18), ose pa dyshim si në rastin e Lukës, me anë të vënies së duarve nga apostujt. (Vep. 8:14-17) I gjithë përpilimi i Shkrimeve të Krishtere Greke përfundoi gjatë kohës kur dhuratat e veçanta të frymës ishin ende në veprim.

26. (a) Çfarë pranojmë si Fjalë të Perëndisë dhe pse? (b) Si e tregojmë çmueshmërinë për Biblën?

26 Besimi te Perëndia i plotfuqishëm, i cili është Frymëzuesi dhe Mbrojtësi i Fjalës së tij, na jep sigurinë se ai drejtoi grumbullimin e të gjitha pjesëve të saj. Prandaj me plot siguri i pranojmë 27 librat e Shkrimeve të Krishtere Greke, si edhe 39 librat e Shkrimeve Hebraike si Bibla e vetme, e të vetmit Autor, Perëndisë Jehova. Fjala e tij që gjendet në 66 librat është një udhërrëfyese për ne dhe harmonia e ekuilibri i saj i përgjithshëm dëshmojnë se është e plotë. Çdo lavdi iu dhëntë Perëndisë Jehova, Krijuesit të këtij libri të pakrahasueshëm! Libri mund të na pajisë plotësisht dhe mund të na i drejtojë hapat në udhën e jetës. Le ta përdorim atë me mençuri në çdo rast!

[Shënimet]

a Encyclopaedia Judaica, 1973, vëll. 4, kolonat 826, 827.

b The Books and the Parchments, 1963, nga F. F. Brus, faqja 112.

c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 122-125, anglisht.

d Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 129, 130, anglisht.

[Tabela në faqen 303]

Katalogë të vjetër të rëndësishëm të Shkrimeve të Krishtere Greke P - Pranuar pa rezerva si biblik dhe kanunor

D - Dyshime në disa pjesë

DP - Dyshime në disa pjesë, por kataloguesi

e pranon si biblik dhe kanunor

? - Studiuesit janë të pasigurt për përmbajtjen

e tekstit ose si konsiderohej libri i përmendur

□ - Hapësira boshe tregon se libri nuk u përdor

ose nuk u përmend nga ai burim

Emri dhe vendi

Fragmenti Ireneu, Klementi i Tertuliani,

Muratorian, Azia e Aleksandrisë Afrika

Itali Vogël Veriore

Data e përafërt

e e.s. 170 180 190 207

Mateu P P P P

Marku P P P P

Luka P P P P

Gjoni P P P P

Veprat P P P P

Romakëve P P P P

1 Korintasve P P P P

2 Korintasve P P P P

Galatasve P P P P

Efesianëve P P P P

Filipianëve P P P P

Kolosianëve P P P P

1 Selanikasve P P P P

2 Selanikasve P P P P

1 Timoteut P P P P

2 Timoteut P P P P

Titit P P P P

Filemonit P P

Hebrenjve D DP DP

Jakovi ?

1 Pjetrit P? P P P

2 Pjetrit D? A

1 Gjonit P P DP P

2 Gjonit P P DP

3 Gjonit P?

Juda P

Zbulesa P P P P

Emri dhe vendi

Origjeni, Eusebi, Cirili i Lista e

Aleksandri Palestinë Jerusalemit Çeltnamit,

Afrika

Veriore

Data e përafërt

e e.s. 230 320 348 365

Mateu P P P P

Marku P P P P

Luka P P P P

Gjoni P P P P

Veprat P P P P

Romakëve P P P P

1 Korintasve P P P P

2 Korintasve P P P P

Galatasve P P P P

Efesianëve P P P P

Filipianëve P P P P

Kolosianëve P P P P

1 Selanikasve P P P P

2 Selanikasve P P P P

1 Timoteut P P P P

2 Timoteut P P P P

Titit P P P P

Filemonit P P P P

Hebrenjve DP DP P

Jakovi DP DP P

1 Pjetrit P P P P

2 Pjetrit DP DP P D

1 Gjonit P P P P

2 Gjonit DP DP P D

3 Gjonit DP DP P D

Juda DP DP P

Zbulesa P DP P

Emri dhe vendi

Athanasi, Epifani, Gregori i Amfiloku,

Aleksandri Palestinë Nazianzusit, Azia e

Azia e Vogël Vogël

Data e përafërt

e e.s. 367 368 370 370

Mateu P P P P

Marku P P P P

Luka P P P P

Gjoni P P P P

Veprat P P P P

Romakëve P P P P

1 Korintasve P P P P

2 Korintasve P P P P

Galatasve P P P P

Efesianëve P P P P

Filipianëve P P P P

Kolosianëve P P P P

1 Selanikasve P P P P

2 Selanikasve P P P P

1 Timoteut P P P P

2 Timoteut P P P P

Titit P P P P

Filemonit P P P P

Hebrenjve P P P DP

Jakovi P P P P

1 Pjetrit P P P P

2 Pjetrit P P P D

1 Gjonit P P P P

2 Gjonit P P P D

3 Gjonit P P P D

Juda P P P D

Zbulesa P DP D

Emri dhe vendi

Filastri, Jeronimi, Agustini, Këshilli

Itali Itali Afrika i Tretë

Veriore i Kartagjenës,

Afrika Veriore

Data e përafërt

e e.s. 383 394 397 397

Mateu P P P P

Marku P P P P

Luka P P P P

Gjoni P P P P

Veprat P P P P

Romakëve P P P P

1 Korintasve P P P P

2 Korintasve P P P P

Galatasve P P P P

Efesianëve P P P P

Filipianëve P P P P

Kolosianëve P P P P

1 Selanikasve P P P P

2 Selanikasve P P P P

1 Timoteut P P P P

2 Timoteut P P P P

Titit P P P P

Filemonit P P P P

Hebrenjve DP DP P P

Jakovi P DP P P

1 Pjetrit P P P P

2 Pjetrit P DP P D

1 Gjonit P P P P

2 Gjonit P DP P D

3 Gjonit P DP P D

Juda P DP P D

Zbulesa DP DP P P

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo