BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 261-263
  • Libri biblik numër 65​—Juda

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Libri biblik numër 65​—Juda
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRMBAJTJA E JUDËS
  • PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
  • ‘Lufto me zell për besimin’!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Duhet të luftojmë që të qëndrojmë në të vërtetën
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2019
  • Ruhu nga mësuesit e rremë!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Pika kryesore nga letrat e Gjonit dhe të Judës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
Shih më tepër
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 261-263

Libri biblik numër 65​—Juda

Shkrimtari: Juda

Vendi ku u shkrua: Palestinë (?)

Shkrimi përfundoi: rr. 65 të e.s.

1. Për shkak të cilave kushte brenda kongregacionit e pa të nevojshme Juda të shkruante një letër të fuqishme për të mirën e vëllezërve?

VËLLEZËRIT e krishterë të Judës ishin në rrezik! Që nga koha kur Krishti Jezu kishte vdekur e ishte ringjallur, në kongregacionin e krishterë kishin hyrë duke u përvjedhur elementë të huaj. Armiku kishte hyrë pa u ndier me synimin që t’u minonte besimin, siç kishte paralajmëruar 14 vjet më parë apostulli Pavël. (2 Sel. 2:3) Si duheshin lajmëruar vëllezërit? Si u duhej thënë të ruheshin nga ky rrezik? Përgjigjen e dha letra e Judës me fjalë të fuqishme e të thëna troç. Vetë Juda u shpreh hapur në vargjet 3 dhe 4 se përse e shkroi letrën: ‘E pashë të nevojshme t’ju shkruaja për arsye se mes jush kanë hyrë pa u ndier disa njerëz të paperëndishëm, që e kthejnë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë sonë në justifikim për sjellje të shthurur.’ Kërcënoheshin vetë themelet e doktrinës së shëndoshë e të moralit. Juda ndiente përbrenda sikur po e thërriste detyra për të mbrojtur interesat e vëllezërve, që, më pas, edhe ata të luftonin me të gjitha forcat për besimin.

2. (a) Kush ishte Juda? (b) Cila lidhje me Jezuin ishte më e rëndësishme për Judën?

2 Por, kush ishte Juda? Fjalët e para të kësaj letre na tregojnë se atë ua shkroi «Juda, skllav i Jezu Krishtit, por vëlla i Jakovit, të thirrurve». Mos vallë Juda ishte apostull, pasi 2 nga 12 apostujt e parë të Jezuit quheshin Juda? (Luka 6:16) Juda nuk thotë se është apostull, përkundrazi kur flet për apostujt përdor vetën e tretë shumës «ata», duke e përjashtuar kështu veten në mënyrë të qartë nga ai grup. (Jud. 17, 18) Veç kësaj, ai e quan veten «vëlla i Jakovit». Me sa duket me këtë donte të thoshte se ishte vëllai i Jakovit, shkrimtarit të letrës që mban këtë emër, i cili ishte vëllai i Jezuit nga nëna. (Vrg. 1) Si një nga ‘shtyllat’ e kongregacionit të Jerusalemit, Jakovi ishte mjaft i njohur, ndaj Juda identifikohet nëpërmjet tij. Nga kjo del se edhe Juda ishte vëllai i Jezuit nga nëna dhe përmendet si i tillë. (Gal. 1:19; 2:9; Mat. 13:55; Mar. 6:3) Megjithatë, Juda nuk përfitoi nga lidhja familjare me Jezuin, por theksoi me përulësi lidhjen frymore me të si një «skllav i Jezu Krishtit».​—1 Kor. 7:22; 2 Kor. 5:16; Mat. 20:27.

3. Ç’gjë provon autenticitetin e letrës së Judës?

3 Autenticitetin e këtij libri të Biblës e mbështet fakti që ai përmendet në Fragmentin Muratorian të shekullit të dytë të e.s. Veç kësaj, Klementi i Aleksandrisë (i shekullit të dytë të e.s.) e pranoi si pjesë të kanunit biblik. Origjeni e përkufizoi si një vepër «veç me pak rreshta, por plot fjalë të shëndetshme të hirit qiellor».a Edhe për Tertulianin kjo letër ishte autentike. S’ka asnjë dyshim se ajo bën pjesë në Shkrimet e frymëzuara.

4. Ç’lloj letre është ajo e Judës, ku ka mundësi të jetë shkruar dhe çfarë sugjerohet në lidhje me kohën kur u shkrua?

4 Juda u shkruan «të thirrurve», duke mos përmendur asnjë kongregacion ose individ në veçanti. Kështu, letra e tij ishte një letër e përgjithshme që duhej qarkulluar te të gjithë të krishterët. Megjithëse nuk saktësohet asgjëkundi, ka shumë të ngjarë që kjo letër të jetë shkruar në Palestinë. Gjithashtu, është e vështirë të përcaktohet me siguri koha kur u shkrua. Megjithatë, duhet të ketë qenë koha kur kongregacioni i krishterë kishte kohë që ishte zhvilluar, sepse Juda tërheq vëmendjen te «fjalët që . . . thoshin që më parë apostujt e Zotërisë tonë Jezu Krisht», dhe me sa duket citon fjalët e 2 Pjetrit 3:3. (Jud. 17, 18) Veç kësaj, ka një ngjashmëri të madhe mes Judës 1-25 dhe kapitullit të dytë të 2 Pjetrit 2. Kjo tregon se ai shkroi rreth së njëjtës periudhë që shkroi edhe Pjetri, pasi të dy ishin shumë në merak për rrezikun që i kanosej kongregacionit në atë kohë. Kështu, data e përafërt që sugjerohet është viti 65 i e.s. Këtë datë e mbështet fakti që Juda nuk e përmend ndërhyrjen e Cest Galit për të shtypur revoltën e judenjve në vitin 66 të e.s. dhe as rënien e Jerusalemit në vitin 70 të e.s. Në letrën e tij, Juda u referohet disa gjykimeve të caktuara hyjnore kundër mëkatarëve, dhe nëse Jerusalemi kishte rënë tashmë, logjikisht ai do ta kishte përforcuar argumentin e tij duke përmendur ekzekutimin e këtij gjykimi, aq më tepër kur mendojmë se këtë ngjarje e kishte parathënë Jezui.​—Jud. 5-7; Luka 19:41-44.

PËRMBAJTJA E JUDËS

5. (a) Pse e sheh të nevojshme Juda t’u shkruajë të thirrurve që ‘të luftojnë me të gjitha forcat për besimin’? (b) Cilët shembuj paralajmërues përmend Juda?

5 Paralajmërime kundër kurvërisë dhe shpërfilljes së autoritetit (vrg. 1-16). Pasi i përshëndet me dashuri ‘të thirrurit’, Juda thotë se kishte ndër mend t’u shkruante ‘për shpëtimin që kanë të përbashkët’, por tani e sheh të nevojshme t’u shkruajë që ‘të luftojnë me të gjitha forcat për besimin’. Pse? Sepse kanë hyrë pa u ndier njerëz të paperëndishëm, që e kthejnë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë në justifikim për sjellje të shthurur. Këta njerëz, thotë Juda, «nuk tregohen besnikë ndaj Pronarit dhe Zotërisë tonë të vetëm, Jezu Krishtit». (Vrg. 1, 3, 4) Ai i kujton se, megjithëse Jehovai shpëtoi një popull nga Egjipti, më pas «i shkatërroi ata që nuk treguan besim». Veç kësaj, Jehovai ka ruajtur «për gjykimin e ditës së madhe» ata engjëj që braktisën vendbanimin e tyre të duhur. Edhe ndëshkimi i përjetshëm i Sodomës, i Gomorrës dhe i qyteteve përreth, është një shembull që paralajmëron se çfarë i pret ata që ‘jepen pas kurvërisë dhe shkojnë pas mishit për përdorim të panatyrshëm’.​—Vrg. 5-7.

6. Pas cilave gjëra jepen të paperëndishmit dhe si e ilustron Juda rrugën e tyre të gabuar dhe pasojat e sjelljes së tyre?

6 Po njësoj edhe në këtë kohë, njerëz të paperëndishëm «ndotin mishin, shpërfillin autoritetin sundues dhe shajnë të lavdishmit». As Mikaeli, kryeengjëlli, nuk tha fjalë sharëse kundër Djallit kur bëri fjalë me të për trupin e Moisiut, por tha vetëm: «Jehovai të qortoftë!» Kurse këta njerëz shajnë dhe vazhdojnë të korruptohen si kafshë që nuk arsyetojnë. Ata kanë marrë rrugën e Kainit, të Balaamit dhe të Korahut rebel. Janë si shkëmbinj të fshehur nën ujë, si re pa ujë, si pemë pa fryt që kanë vdekur dy herë dhe që janë shkulur me rrënjë, si dallgë të egra që shkumëzojnë turpin e tyre dhe si yje pa një rrugë të përcaktuar. Për ta «ruhet përgjithmonë terri i errësirës». (Vrg. 8, 9, 13) Enoku profetizoi se Jehovai do të ekzekutojë gjykimin kundër këtyre të paperëndishmëve. Këta janë njerëz që murmuritin, që ankohen dhe që admirojnë personalitetet për përfitimin e tyre.

7. (a) Ç’paralajmërim dhanë apostujt për tallësit? (b) Ç’duhet të bëjnë për veten dhe për të tjerët ata që Juda i quan «të dashur», meqenëse kanë shpresën e jetës së përhershme?

7 Këshilla si të qëndrojnë në dashurinë e Perëndisë (vrg. 17-25). Juda u kujton vëllezërve se apostujt e Zotërisë Jezu Krisht paralajmëruan që «në kohën e fundit do të ketë tallës, që do të vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta për gjëra të paperëndishme». Këta ngatërrestarë janë «njerëz shtazarakë, që nuk kanë karakter frymor». Kurse ata që Juda i quan «të dashur», duhet të forcohen në besim dhe ta ruajnë veten në dashurinë e Perëndisë, ndërsa presin mëshirën e Krishtit «me sytë nga jeta e përhershme». Edhe ata le të tregojnë mëshirë e të ndihmojnë të lëkundurit. Juda e mbyll letrën e tij duke i dhënë lavdi nëpërmjet Zotërisë Jezu Krisht ‘Perëndisë, Shpëtimtarit’, Atij që mund t’i ruajë të mos pengohen.​—Vrg. 18-21, 25.

PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?

8. Si i përdori Juda Shkrimet e frymëzuara dhe «librin e natyrës» për të këshilluar vëllezërit e tij?

8 Për Judën, Shkrimet e frymëzuara ishin të dobishme për të paralajmëruar, për të nxitur, për të inkurajuar, për të mësuar dhe për të këshilluar ata që ai i quajti «të dashur». Ai demaskoi mëkatin e rëndë të të paperëndishmëve që kishin hyrë vjedhurazi, duke përdorur ilustrime të gjalla nga Shkrimet Hebraike, si ilustrimi i izraelitëve që ranë përsëri në mëkat, i engjëjve që mëkatuan dhe i banorëve të Sodomës dhe Gomorrës, për të treguar se të gjithë ata që praktikojnë vese të tilla do të ndëshkohen në të njëjtën mënyrë. Ai i krahasoi të korruptuarit me kafshët që nuk arsyetojnë dhe tha se ata po shkonin në shtegun e Kainit, po turreshin në rrugën e gabuar të Balaamit dhe po merrnin fund si Korahu për shkak të të folurit rebel. Gjithashtu, ai përdori përfytyrime të gjalla nga «libri i natyrës». Letra e qartë e Judës u bë pjesë e ‘gjithë Shkrimit’, që të studiohet bashkë me pjesën tjetër të Shkrimeve, që këshillojnë si të sillemi siç duhet «në kohën e fundit».​—Jud. 17, 18, 5-7, 11-13; Num. 14:35-37; Zan. 6:4; 18:20, 21; 19:4, 5, 24, 25; 4:4, 5, 8; Num. 22:2-7, 21; 31:8; 16:1-7, 31-35.

9. Pse paralajmërimi i Judës vazhdon të jetë i nevojshëm edhe sot dhe në cilat aspekte duhet të vazhdojnë të ndërtohen të krishterët?

9 Kundërshtimi dhe sprovat që vinin nga jashtë kongregacionit, nuk kishin arritur ta ndalnin rritjen e krishterimit, por tani vëllezërit rrezikoheshin nga korruptimi brenda kongregacionit. Shkëmbinjtë e fshehur nën ujë, kërcënonin që tërë kongregacioni të fundosej. Duke e kuptuar se ky rrezik mund të kishte pasoja edhe më të rënda, Juda nxiti me forcë që ‘të luftonin me të gjitha forcat për besimin’. Letra e tij edhe sot është po aq e kohës sa atëherë. Ende kemi nevojë për të njëjtat paralajmërime. Edhe tani është e nevojshme ta ruajmë e ta mbrojmë besimin, të çrrënjosim imoralitetin, të ndihmojmë me mëshirë ata që kanë dyshime dhe, nëse është e mundur, ‘t’ua rrëmbejmë zjarrit’. Sot të krishterët duhet të vazhdojnë të ndërtohen në besimin më të shenjtë në të mirë të integritetit moral, mirëqenies frymore dhe adhurimit të vërtetë. Duhet të mbrojnë parimet e drejta dhe t’i afrohen Perëndisë në lutje. Gjithashtu, duhet të respektojnë «autoritetin» e vendosur nga Perëndia në kongregacionin e krishterë.​—Jud. 3, 23, 8.

10. (a) Ç’qëndrim duhet të mbajë kongregacioni ndaj njerëzve shtazarakë dhe cili do të jetë rezultati? (b) Ç’shpërblim i pret trashëgimtarët e Mbretërisë dhe për çfarë do të bashkohen me Judën?

10 ‘Njerëzit shtazarakë që nuk kanë karakter frymor’, nuk do të hyjnë kurrë në Mbretërinë e Perëndisë dhe janë veçse një rrezik për të tjerët që ecin në shtegun e jetës së përhershme. (Jud. 19; Gal. 5:19-21) Kongregacioni duhet të ruhet prej tyre e duhet t’i largojë. Në këtë mënyrë rritet «mëshira, paqja dhe dashuria» kundrejt të dashurve, dhe ata e ruajnë veten në dashurinë e Perëndisë ‘ndërsa presin mëshirën e Zotërisë së tyre Jezu Krisht me sytë nga jeta e përhershme’. Perëndia, Shpëtimtari, do t’i vendosë trashëgimtarët e Mbretërisë «të patëmetë përpara lavdisë së tij me gëzim të madh». Pa dyshim, ata do të bashkohen me Judën për t’i dhënë atij ‘lavdi, madhështi, fuqi dhe autoritet’ nëpërmjet Jezu Krishtit.​—Jud. 2, 21, 24, 25.

[Shënimi]

a The Canon of the New Testament, 1987, nga Brus Metsgër, faqja 138.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo