SI TË PËRBALLOSH RRITJEN E ÇMIMEVE
Ji bujar
Nëse rritja e çmimeve është kthyer në një sfidë për ty, vështirë se të shkon mendja të tregohesh bujar. Megjithatë, mund të zbulosh se kur u jep me bujari të tjerëve, kjo do të ndihmojë të përballosh vështirësitë ekonomike. Në fakt është e mundur që, duke kursyer, të jesh edhe bujar.
PSE KA RËNDËSI
Bujaria—qoftë edhe në gjëra të vogla—na bën të lumtur dhe na rrit vetëvlerësimin. Studimet tregojnë se kur u japim të tjerëve, kjo na bën mirë për shëndetin fizik dhe mendor. Për shembull, mund të na reduktojë ankthin, stresin, dhimbjet, sikletet, si edhe të na ulë tensionin e lartë të gjakut. Gjithashtu mund të na përmirësojë edhe gjumin.
Kur u japim të tjerëve nga ana monetare ose në mënyra të tjera, do ta kemi më të lehtë të pranojmë ndihmë kur na nevojitet. Hauardi që jeton në Angli, thotë: «Ngaqë gjejmë mënyra për të qenë bujarë dhe për të ndihmuar të tjerët, unë dhe gruaja nuk e shohim veten si barrë kur është radha jonë për të kërkuar ndihmë.» Sigurisht, njerëzit me shpirt bujar nuk presin asgjë në këmbim. Megjithatë, kur janë në vështirësi, kanë pranë miq të vërtetë, që janë të gatshëm t’u japin një dorë.
ÇFARË MUND TË BËSH
Ndaj me të tjerët atë që ke. Edhe nëse ke fare pak, prapë ke diçka për të ndarë me të tjerët. Mund të jetë edhe një vakt i thjeshtë. Dunkani dhe familja e tij që jetojnë në Ugandë, janë shumë të varfër, e megjithatë kanë një shpirt bujar. Dunkani thotë: «Të dielave, unë dhe gruaja ftojmë dikë në shtëpi për të ngrënë diçka të vogël së bashku. Na pëlqen të kalojmë kohë me të tjerët.»
Patjetër, kur u jep të tjerëve, duhet të jesh edhe i arsyeshëm. Nuk do të ishte mirë të krijoje vështirësi të panevojshme për familjen tënde.—Jobi 17:5.
Provo këtë: Fto dikë për një vakt të thjeshtë a për të pirë diçka. Nëse ke gjëra që nuk i përdor më, pse të mos ia japësh një miku a ndonjë fqinji që i vlerëson dhe që mund t’i hyjnë në punë?
Gjej mënyra të tjera për të dhënë. Disa nga dhuratat më të çmuara që mund të bëjmë, nuk kanë një vlerë monetare. Për shembull, mund t’u japim të tjerëve nga koha dhe vëmendja jonë, duke bërë gjëra të dobishme për ta. Dhuratë mund të jetë edhe një fjalë e mirë! Ndaj thuaju të tjerëve sa shumë i do dhe i çmon.
Provo këtë: Ndihmo dikë me pazarin ose me punët a riparimet në shtëpi. Shkruaji një miku një kartolinë me fjalë zemre a dërgoji një mesazh, thjesht edhe për t’i thënë që po mendon për të.
Kur gjen mënyra për të qenë bujar, po u çel derën shpërblimeve.