Dallo pikat e forta të të tjerëve
Problemi
Egoizmi mund të sjellë paragjykime. Një njeri egoist ka opinion të ekzagjeruar për veten. Mendon se është më lart se të tjerët dhe i sheh si inferiorë ata që janë ndryshe nga ai. Kushdo mund të bjerë në këtë grackë. Encyclopædia Britannica thotë: «Shumica e grupeve [kulturore], kush më shumë e kush më pak, mendojnë se jetesa, ushqimi, veshjet, zakonet, bindjet, virtytet e tyre e kështu me radhë, janë më superiore në krahasim me të të tjerëve.» Si mund ta shmangim këtë mënyrë të gabuar të menduari?
Parim nga Bibla
«Me përulësi konsiderojini të tjerët më të lartë se veten.»—FILIPIANËVE 2:3.
Çfarë do të thotë? Që të shmangim krenarinë e pavend, duhet të kultivojmë përulësinë. Përulësia na ndihmon të kuptojmë se në disa fusha të jetës të tjerët janë më lart se ne. Cilësitë dhe aftësitë e mira nuk janë monopol i asnjë grupi.
Të shohim shembullin e Stefanit. Ai u rrit në një vend komunist, por i kapërceu paragjykimet për njerëzit e vendeve jokomuniste. Ai thotë: «Mendoj se për të luftuar paragjykimet është e rëndësishme t’i konsiderosh të tjerët më të lartë se veten. Unë s’mund të di gjithçka. Mund të mësoj diçka nga kushdo.»
Çfarë mund të bësh
Përpiqu të kesh një pikëpamje realiste për veten dhe mos harro se edhe ti ke pika të dobëta. Prano se të tjerët kanë pikë të fortë një dobësi tënden. Mos nxirr përfundimin se të gjithë njerëzit e një grupi kanë të njëjtat të meta.
Në vend që të mendosh negativisht për dikë të një përkatësie të caktuar, pyet veten:
Prano se të tjerët kanë pikë të fortë një dobësi tënden
«A janë të këqija cilësitë që nuk më pëlqejnë tek ai person apo janë thjesht ndryshe?»
«A mund të vërë re ai person të meta tek unë?»
«Në cilat fusha është më i zoti se unë?»
Nëse je i ndershëm me veten, jo vetëm që do të kapërcesh paragjykimet që mund të kesh, por edhe do të gjesh cilësi të admirueshme tek ai person.