Vlerat morale, si busull e besueshme, mund ta ndihmojnë fëmijën të përcaktojë drejtimin e duhur
PËR PRINDËRIT
7—Vlerat
ÇFARË DO TË THOTË
Vlerat janë normat sipas të cilave ti zgjedh të jetosh. Për shembull, a përpiqesh të jesh i ndershëm në çdo gjë? Atëherë ka të ngjarë që dëshiron t’ua rrënjosësh këtë vlerë morale fëmijëve të tu.
Vlerat përfshijnë edhe normat etike. Për shembull, dikush me parime të larta morale është i papërtuar, i drejtë dhe tregon konsideratë për të tjerët—cilësi që zhvillohen më mirë teksa je ende i ri.
PARIMI BIBLIK: «Stërvite fëmijën në udhën që duhet të ndjekë; edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.»—Proverbat 22:6, shënimi.
PSE KA RËNDËSI
Në epokën e teknologjisë, normat morale janë thelbësore. Një mama me emrin Kerën, thotë: «Fëmijët mund të jenë të ekspozuar në çdo moment ndaj gjërave të këqija, përmes pajisjeve elektronike. Mbase jemi ulur ngjitur me fëmijët, e ndërkohë ata shohin diçka të turpshme në telefon.»
PARIMI BIBLIK: ‘Njerëzit e pjekur kanë stërvitur aftësinë dalluese, që të dallojnë si të drejtën, edhe të gabuarën.’—Hebrenjve 5:14.
Edhe normat etike janë thelbësore. Këtu përfshihen shprehje mirësjelljeje, si «të lutem» e «faleminderit» dhe meraku për të tjerët—vlerë që është bërë kaq e rrallë, pasi njerëzit duket se interesohen më tepër për gjërat materiale, si pajisjet elektronike, sesa për të tjerët.
PARIMI BIBLIK: «Siç dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, po njësoj bëni edhe ju për ta.»—Luka 6:31.
Ç’MUND TË BËSH
Bëjua të qarta vlerat e tua morale. Për shembull, studimet tregojnë se ka më shumë mundësi që adoleshentët të mos kryejnë marrëdhënie seksuale para martesës, nëse u është thënë qartë se një sjellje e tillë është e gabuar.
SUGJERIM: Përdor një ngjarje të fundit për të nisur një bisedë për vlerat. Për shembull, nëse në lajme raportohet për një vrasje, mund të thuash: «Është e tmerrshme si e shprehin inatin ndaj të tjerëve disa njerëz. Si mendon se arrijnë deri këtu?»
«Është goxha e vështirë për fëmijët të zgjedhin mes së drejtës e së gabuarës, nëse nuk e dinë dallimin mes tyre.»—Brendoni.
Mësoju normat etike. Edhe më të vegjlit mund të mësojnë të thonë «të lutem» e «faleminderit» dhe të tregojnë konsideratë për të tjerët. «Sa më shumë që fëmijët kuptojnë se janë pjesë e diçkaje më të madhe se vetja—familja, shkolla, komuniteti—aq më shumë janë gati të shfaqin vepra mirësie që të përfitojë çdokush, jo vetëm ata.»—Libri Parenting Without Borders.
SUGJERIM: Vëri fëmijët të bëjnë punët e shtëpisë, që t’i ndihmosh të mësojnë sa vlerë ka t’u shërbesh të tjerëve.
«Nëse fëmijët tanë mësohen që tani me punë shtëpie, s’do t’u bjerë si bombë kur të jetojnë më vete. Tashmë përgjegjësitë do t’u jenë bërë pjesë e jetës.»—Tara.