Të folurit me respekt e mban të lidhur martesën, ashtu si llaçi murin
PËR ÇIFTET
3—Respekti
ÇFARË DO TË THOTË
Bashkëshortët që e respektojnë njëri-tjetrin, sillen me përzemërsi edhe kur kanë mosmarrëveshje. Libri Ten Lessons to Transform Your Marriage thotë: «Këto çifte nuk ngulin këmbë tek e vetja. Përkundrazi, vazhdojnë të flasin me njëri-tjetrin për gjërat që s’janë dakord. E dëgjojnë me respekt pikëpamjen e bashkëshortit dhe gjejnë gjuhën e përbashkët.»
PARIMI BIBLIK: «Dashuria . . . nuk kërkon interesin e vet.»—1 Korintasve 13:4, 5.
«Ta respektoj gruan, do të thotë t’i çmoj vlerat e saj dhe të mos bëj asgjë që do ta dëmtonte atë ose martesën tonë.»—Mikea.
PSE KA RËNDËSI
Kur mungon respekti, në komunikimin mes çiftit mund të ketë kritikë, sarkazmë e madje përçmim—veçori që studiuesit i përcaktojnë si shenjat e para të divorcit.
«Komentet ofenduese me nënkuptim ose shakatë pa vend për bashkëshorten, vetëm sa do t’ia shkatërrojnë vetëvlerësimin, do ta bëjnë të humbë besimin te ti, dhe do ta rrënojnë martesën.»—Brajani.
Ç’MUND TË BËSH
ANALIZO VETEN
Kushtoju vëmendje bisedave dhe veprimeve të tua gjatë një jave. Pastaj pyet veten:
«Sa shpesh e kritikova bashkëshortin dhe sa shpesh e lavdërova?»
«Në ç’mënyra specifike i tregova respekt?»
FOL ME BASHKËSHORTIN
Cilat veprime e fjalë ju bëjnë të ndiheni të respektuar?
Cilat veprime e fjalë nuk ju bëjnë të ndiheni të respektuar?
SUGJERIME
Shkruaj tri mënyra që do të të pëlqente që bashkëshorti të të respektonte. Të njëjtën gjë të bëjë edhe ai. Shkëmbeni listat dhe përpiquni ta respektoni njëri-tjetrin sipas asaj që shkroi secili.
Bëj një listë me cilësitë që admiron te bashkëshorti. Pastaj thuaja sa shumë i çmon këto cilësi.
«Ta respektoj burrin, do të thotë t’ia tregoj me veprime se e vlerësoj dhe se dua që të jetë i lumtur. Jo medoemos duhet diçka e jashtëzakonshme; ndonjëherë mjafton një sërë veprimesh të vogla për të shfaqur respekt të sinqertë.»—Megani.
Si përfundim, nuk është puna nëse mendon se po e respekton apo jo bashkëshortin; pika është nëse ai ndihet i respektuar.
PARIMI BIBLIK: «Vishuni me përzemërsi të ngrohtë e dhembshuri, zemërmirësi, përulësi, butësi dhe durim.»—Kolosianëve 3:12.