Një vështrim rreth botës
Dëmshpërblehen të infektuarit me hemofili
Duke i akuzuar për «ulje të vigjilencës dhe të kontrollit» si edhe për «vonesë në tërheqjen e produkteve [të infektuara]», Gjykata Civile e Romës i ka dhënë urdhër Ministrisë Italiane të Shëndetësisë të dëmshpërblejë 385 të sëmurë me hemofili, të cilët morën një hepatit ose virusin e SIDA-s nga produktet e infektuara të gjakut. Tashmë, një e treta e tyre kanë vdekur. Sipas prokurorit Mario Lana, president i Bashkimit të Punonjësve të Drejtësisë Italiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, «me këtë vendim pranohet një lidhje e qartë shkak-pasojë mes qëndrimit fajtor e të pakujdesshëm të shtetit italian dhe dëmeve të pësuara nga të sëmurët me hemofili». Në Itali, rreth 2.000 të sëmurë me hemofili kanë marrë virusin e SIDA-s dhe pothuajse 5.000 kanë marrë hepatitin C. Si rezultat i dhënies së këtyre produkteve të infektuara të gjakut, kanë vdekur 1.246 italianë.
Shpërthim vdekjeprurës i kolerës
Sipas Times of Zambia, në shkurt, një shpërthim vdekjeprurës i kolerës e detyroi këshillin e qytetit të Lusakës, Zambia, të ndalonte «shitjen në rrugë të çdo ushqimi të freskët». Veç kësaj, sipas po këtij raporti, hotelet dhe restorantet iu nënshtruan një «mbikëqyrjeje 24-orëshe, sepse në kryeqytet numri i të vdekurve nga kolera u rrit me të shpejtë deri në 42». Nëpunësit e shëndetësisë shprehën shqetësimin se sëmundja diarreike kishte ‘vazhduar të përhapej edhe në pjesë të tjera të vendit’. Për ta luftuar problemin, nëpunësit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Arsimit ngritën një grup pune për sëmundjen e kolerës, që të punësonin më shumë mbledhës plehrash dhe të dezinfektonin me klor puset e cekëta, të cilat infektohen lehtë nga ujërat nëntokësore. Daniel M’soka, zëdhënës i Këshillit të qytetit Lusaka, tha: «Qëllimi ynë është të zvogëlojmë përhapjen e kolerës.»
Zemra të lëna pas dore
«Në vend që të ndërmarrin hapa për përmirësimin e shëndetit të tyre, kujdesi që po tregojnë gratë kanadeze për zemrën e tyre është përtokë»,—thotë gazeta National Post. Një anketë e kohëve të fundit e bërë me 400 gra kanadeze të moshës 45 deri 74 vjeç, e sponsorizuar nga Fondacioni i Kanadasë Zemra dhe Hemoragjia cerebrale, zbuloi se «vetëm 30% e tyre ruanin një peshë të shëndetshme, 36% ishin fizikisht aktive, ndërsa 74% thanë se ishin me stres për shkak të roleve të shumëfishta që luajnë tani». Zëdhënësja e këtij fondacioni, Elisa Frimen, nxori përfundimin se «gjatë jetës, gratë kujdesen më shumë për burrat e tyre sesa për veten». Sipas këtij raporti, «sëmundjet e zemrës dhe hemoragjia cerebrale janë faktori kryesor për 40% të vdekjeve mes grave, d.m.th. më shumë se 41.000 në vit».
Bie pjelloria te meshkujt
«Që nga fundi i viteve 30, mesatarja e përqindjes së spermatozoideve te burrat në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, ka rënë papritur me më shumë se 50 për qind»,—raporton revista WorldWatch. «Ky zbulim mbështet shqetësimin e vazhdueshëm se gjendja shëndetësore për sa i përket riprodhimit te meshkujt mund të jetë në keqësim dhe se shkaku mund të jenë ndotësit e mjedisit.» Përfundimi bazohet në 61 studime, të cilat janë botuar që prej vitit 1938, duke përfshirë më shumë se 14.000 pjesëmarrës. Mendohet se disa lëndë të caktuara kimike të mjedisit krijojnë çrregullime në sistemin endokrin të trupit dhe pengojnë aftësinë e tij për të rregulluar rritjen, zhvillimin dhe riprodhimin. Njihen rreth 60 lëndë kimike që shkaktojnë çrregullime të tilla. Megjithatë, WorldWatch thotë se «vetëm një pjesë shumë e vogël e lëndëve kimike të prodhuara që janë sot në përdorim, të përllogaritura rreth 80.000, janë grupuar si lëndë me efekte çrregulluese për endokrinën».
Një «sëmundje e padukshme»
«Sipas përllogaritjeve, 15 deri 18 milionë fëmijë në vendet në zhvillim janë të prekur nga një nivel i lartë i plumbit në gjak»,—raporton Shërbimi i Njoftimeve për Mjedisin. Në Indi, për shembull, është përcaktuar një lidhje që ekziston mes aftësisë intelektuale të fëmijëve dhe sasisë së plumbit që kanë konsumuar. The Indian Express thotë se sipas dr. Abraham Xhorxh, fëmijët «i humbasin aftësitë e tyre intelektuale . . . sepse ekspozimi i zgjatur ndaj plumbit ndikon në trurin e tyre». Burimi kryesor i helmimit nga plumbi nëpër qytetet indiane janë automobilët që përdorin ende benzinë me plumb. Meqenëse në krahasim me probleme të tilla si varfëria dhe uria, helmimi nga plumbi thuajse nuk bie në sy, dr. Xhorxh e quan «sëmundje e padukshme».
Gripi vret akoma
Kohët e fundit, më shumë se 300 ekspertë të njohur për gripin u mblodhën në Gjenevë të Zvicrës, në selinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për të diskutuar se si ta luftojnë këtë sëmundje vdekjeprurëse. Me gjithë përparimet e mëdha të bëra gjatë 50 vjetëve të fundit, siç raporton Departamenti i Informacionit Publik i Kombeve të Bashkuara, gripi vazhdon të vrasë qindra mijë njerëz në vit. Për përmirësimin e parandalimit dhe të kontrollimit të gripit, OBSH-ja do të botojë një plan, i cili ka për qëllim të ndihmojë në përgatitjen për atë që ajo e quan «një pandemi e mundshme gripi». Drejtoresha e përgjithshme e OBSH-s, dr. Gro Harlem Bruntland, tha: «Koha për të vepruar mund të jetë shumë e shkurtër: nga identifikimi i parë i një nënlloji të ri deri te shpërthimi i një pandemie të plotë.»
Flutura monarke nën kërcënim
Çdo vjeshtë, miliona flutura monarke migrojnë më shumë se 3.200 kilometra larg Kanadasë për në vendet e tyre të dimërimit në Kaliforni dhe në malet Sierra Madre të Meksikës Qendrore. Por, kohët e fundit, rezervatet e monarkes në Meksikë janë kërcënuar nga erozioni dhe nga prerja e paligjshme e bredhit ojamel (pemë për lëndë drusore e familjes Abietaceae). The News e qytetit Meksiko raporton se si rezultat i kësaj, «gjatë dy vjetëve të fundit, numri i monarkeve që dimërojnë atje është pakësuar me 70%». Ndërkohë që turizmi siguron të ardhura për disa nga njerëzit e asaj zone, të tjerë jetojnë duke ngarkuar natën kamionë të tërë me këto pemë të mbrojtura. «Nëse shkatërrimi vazhdon,—thotë The News,—monarket e Amerikës Veriore mund të zhduken thuajse fare.»
Në rritje vetëdija për abuzimin me fëmijët?
Sipas El Universal, një gazetë e Karakas, përqindja e fëmijëve në Venezuelë me të cilët është abuzuar seksualisht është rritur nga 1 në 10 fëmijë në vitin 1980, në 3 në 10 fëmijë sot. Në vitin 1980, mosha mesatare e një fëmije me të cilin qe abuzuar ishte mes 12 dhe 14 vjeç. Sot, pjesa më e madhe e tyre janë nën tre vjeç. Cilët janë autorët kryesore të këtyre krimeve të tmerrshme? Ideja se këta janë persona të panjohur tinëzarë që zënë pritë nëpër sheshet e shkollave, duke pritur t’i joshin fëmijët me sheqerka, nuk është fare realiste. El Universal shpjegon se 70 për qind e shkelësve janë të afërm ose miq të familjes. Më shumë se gjysma e këtij numri janë njerkët dhe pjesa që mbetet është në përgjithësi dikush me autoritet, si për shembull, një vëlla më i madh, një kushëri ose një mësues.
Mania e makinave
Sipas Shoqatës Amerikane të Prodhuesve të Automobilave, kohët e fundit Shtetet e Bashkuara arritën objektivin për të prodhuar makinën e njëqindmiliontë. Revista Compressed Air thotë se «për të nxjerrë një milion makinat e para u deshën 25 vjet». Megjithatë, sot «prodhimi aktual bëhet me një shpejtësi prej 30 makina pasagjerësh dhe dhjetë kamionë e autobusa për minutë, çdo ditë pune». Nëse merrni parasysh repartet e montimit, fabrikat e pjesëve të këmbimit, pikat e shitjeve e të riparimeve dhe shoferët profesionistë, industria e automjeteve në Shtetet e Bashkuara punëson 1 në 7 rrogëtarë. Është përllogaritur se tani në Shtetet e Bashkuara janë në lëvizje rreth 40 milionë mjete transporti.
Krizë arsimimi
«Bota në zhvillim po has një krizë arsimimi me 125 milionë fëmijë, kryesisht vajza, që nuk shkojnë në shkollë dhe 150 milionë të tjerë që e lënë shkollën përpara se të arrijnë të lexojnë ose të shkruajnë»—thotë England’s News Unlimited. Tani për tani, në vendet në zhvillim, 1 në çdo 4 të rritur ose 872 milionë veta, janë analfabetë. Veç kësaj, kriza e arsimimit thellohet, kur vendet me përqindje të lartë analfabetizmi marrin para hua nga vende më të pasura. Pse? Sepse paratë që nevojiten aq shumë për arsimimin, shpesh kalojnë për shlyerjen e borxheve. Në këtë mënyrë, cikli i analfabetizmit përsëritet, gjë që përjetëson varfërinë.