BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 2/99 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Libra të shpëtuar
  • Tunika për pelegrinët
  • Marrëdhëniet me fëmijët e adoptuar
  • Lesh i qethur pa vështirësi
  • Akullnajat që shkrijnë nxjerrin të papritura të tjera
  • Tokë e ngjeshur
  • Mbingarkesë mesazhesh
  • Diçka më shumë mbi marrëzinë e pirjes së duhanit
  • Sfida e deshifrimit
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—2004
  • Nga lexuesit tanë
    Zgjohuni!—1999
  • T’i bëjmë ballë sëmundjes së Alcajmerit
    Zgjohuni!—1998
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—1999
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 2/99 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Libra të shpëtuar

Me miliona libra vuajnë prej vjetërimit, dëmtimit ose ndotjes. Gazeta Leipziger Volkszeitung vëren se vetëm në Gjermani është dashur të nxirren nga përdorimi rreth 60 milionë libra të dëmtuar. Riparimi me dorë është një proces i gjatë që kërkon shumë kujdes. «Brenda kohës që duhet për të riparuar një libër me dorë, nja katër a pesë të tjerë marrin tatëpjetën»,—thotë dr. V. Vektër, drejtor teknik i Qendrës për Ruajtjen e Librit, në Lajpcig. Kjo qendër është përqendruar në ndërtimin e makinerive që mund t’i mirëmbajnë librat në një shkallë të konsiderueshme. Njëra është një makineri çaciduese që, duke funksionuar me një turn, mund të përpunojë 100.000 libra në vit. Ekziston, gjithashtu, një makinë letër-ndarëse që përforcon faqet e veçanta, duke e ndarë pjesën e përparme të faqes nga pjesa e mbrapme dhe duke futur ndërmjet një letër të hollë dhe shumë të fortë. Makineria mund të përforcojë 2.000 fletë në ditë, në krahasim me 100 deri në 200 fletë në ditë në punën me dorë dhe me një kursim 94 për qind për faqe. Në këtë qendër i sjellin librat e tyre për riparim jo vetëm bibliotekat dhe arkivat, por edhe individë të veçantë.

Tunika për pelegrinët

Turistët që vizitojnë vendet e shenjta katolike në Itali i kthejnë shpesh mbrapsht, sepse, veçanërisht gjatë muajve të nxehtë të verës, ata paraqiten të veshur me bluza sportive dhe pantallona të shkurtra. Tani ata mund të hyjnë duke përdorur «tunikën e pelegrinëve», një veshje me ngjyrë bezhë, deri te gjunjët. Kjo tunikë, e njëllojtë si për burra, ashtu edhe për gra, me një masë të vetme, është tashmë në shitje në Venecie dhe në Romë. Në Romë asaj i është shtuar stema papnore dhe fraza «Jubile 2000». Por, a mund të përdoren këto tunika në të gjitha kishat katolike? Ndonëse ato janë të pranueshme për Kurian Venedikase, disa turistëve meshkuj që po vizitonin Bazilikën e Shën Pjetrit iu ndalua hyrja, edhe pse ata e blenë dhe e veshën tunikën. «Pjesëtarët e Selisë së Shenjtë e konsideruan veshjen të përshtatshme vetëm për gratë,—shpjegon gazeta italiane Corriere della Sera.—Burrat u kthyen mbrapsht: këmbët e zbuluara u konsideruan ‘të pahijshme’».

Marrëdhëniet me fëmijët e adoptuar

Disa herë, prindërit që planifikojnë të adoptojnë një fëmijë e idealizojnë këtë marrëdhënie, domethënë mendojnë se fëmija do të jetë gjithmonë i dashur dhe se vështirësitë do të kuptohen dhe do të kapërcehen me lehtësi. Por zakonisht nuk ndodh kështu, thotë gazeta braziliane O Estado de S. Paulo. Psikologia Heloiza Marton thotë: «Në përgjithësi, prindërit janë të papërgatitur për të zgjidhur mosmarrëveshjet.» Përpara një të papriture ndodhen, siç vëren profesoresha Miriam Dëbjo Roza, e Universitetit të San Paulos, edhe «çiftet që mendojnë se fëmija do të jetë përjetësisht mirënjohës». Askush nuk është i lumtur gjatë gjithë kohës, thekson ajo, duke shtuar: «Shpesh prindërit ia ngjitin fajin për vështirësitë, mungesës së lidhjeve të gjakut, gjë që nuk është e vërtetë.» Në lidhje me nevojën që prindërit t’i tregojnë fëmijës së adoptuar përzemërsi dhe dashuri, ajo pohon: «Një marrëdhënie ndihmuese dhe profesionale nuk mjafton.» Është e nevojshme edhe një marrëdhënie emocionale me fëmijën.

Lesh i qethur pa vështirësi

Si mund ta marrim leshin e dhenve pa frikën dhe çarjet që shoqërojnë një qethje normale? Në Australi, kjo gjë është bërë duke u injektuar dhenve një proteinë që gjendet normalisht në gjakun e kafshëve. Niveli i rritur i proteinës zgjat 24 orë dhe dobëson lidhjen midis fibrave të leshit dhe lëkurës. Pas kësaj, leshi bie i gjithi dhe fillon të rritet përsëri. Çdo kafshë pajiset me një rrjetë ku kapet leshi i saj, i cili do të bjerë brenda një jave. Ky proces përmirëson cilësinë e leshit dhe e bën të panevojshme një qethje të dytë. Ai ndihmon, gjithashtu, në pakësimin e parazitëve të lëkurës dhe të dermatiteve pa përdorimin e ilaçeve, si edhe është më pak frikësues për dhentë. Në Australi, kërkesa për këtë metodë të re të marrjes së leshit po rritet me shpejtësi, thotë The Sunday Times e Londrës, por ajo mund të jetë me më pak vlerë në vende si Britania, në të cilat, kur bëhet qethja, duhen marrë parasysh kushtet e motit. Një zëdhënës në këtë fushë thotë se një rënie e papritur e temperaturës pas injektimit të proteinës, do të bënte që, kur të binte leshi, tufa të ngelej me dhen të ftohura rëndë.

Akullnajat që shkrijnë nxjerrin të papritura të tjera

Ndërkohë që zvogëlohen për shkak të temperaturave gjithnjë e më të larta, akullnajat alpine vazhdojnë të nxjerrin të papritura. Në vitin 1991, në kufirin austro-italian, shkrirja e akujve të vjetër zbuloi kufomën e balsamosur të një gjuetari prehistorik. Gjatë gushtit të vitit 1998, autoriteteve në Italinë Veriore iu desh t’i shpallnin të ndaluara disa zona malore, në mënyrë që të nxirrnin gjetje të tjera: kufoma ushtarësh, granata dore të pashpërthyera dhe predha artilerie. Të gjitha datojnë në kohën e Luftës së Parë Botërore, kur kjo zonë ishte arena e betejave të ashpra ndërmjet trupave italiane dhe austriake. Gjatë punës spastruese, «të gjithë banorët dhe veçanërisht turistët dhe ekskursionistët, u paralajmëruan që të ishin jashtëzakonisht të kujdesshëm» dhe së bashku me autoritetet të kontrollonin rrugët, thoshte gazeta italiane Corriere della Sera, sepse ekziston «gjithmonë rreziku i shpërthimeve». Pjesa më e madhe e materialeve mbartin rrezikshmëri të lartë dhe vazhdojnë të vrasin ose të dëmtojnë rëndë njerëzit që i gjejnë ato.

Tokë e ngjeshur

Revista New Scientist thotë se në Evropë, tridhjetë milionë hektarë tokë janë «varfëruar plotësisht, për shkak të ngjeshjes së dheut». Kërkimi i ndërmarrë nga Universiteti i Kilit, Gjermani, tregon se kur traktorët e rëndë, të cilët ushtronin një forcë prej pesë tonësh në secilën rrotë, kaluan gjashtë herë mbi një arë, dendësia e invertebrorëve të vegjël, të tillë si araknidët dhe krimbat, u ul deri në 80 për qind, në një thellësi rreth një metër. Këto krijesa të vogla ndihmojnë që të ruhet pjelloria e tokës, prandaj me shkatërrimin e tyre, pakësohet edhe prodhimtaria. Rrënjët e bimëve nuk mund të depërtojnë në nëntokën e ngjeshur dhe, si pasojë, në mot të thatë bimët vuajnë. Shiu nuk mund të futet në brendësi, por përkundrazi, shpërhapet në sipërfaqe, duke gërryer tokën. Plugimi i rregullt në të vërtetë e keqëson problemin, duke qenë se bën të mundur që presioni të përhapet në nivele më të ulta. Shkencëtarët gjermanë pohojnë se me një lërim të cekët, duke e punuar tokën deri në një thellësi prej vetëm tetë centimetrash, dëmtimi i dheut do të pakësohej me një të tretën.

Mbingarkesë mesazhesh

«Mjetet e sotme të komunikimit të mundësuara nga teknologjia, po çojnë drejt një rreziku të ri për shëndetin në vendin e punës: stresi i shkaktuar prej mesazheve»,—thotë Computing Canada, një gazetë mbi administrimin e teknologjisë së kompjuterave. Një studim i kohëve të fundit, i drejtuar nga Pitni Bos Inc. me qendër në Stamford, Konektikat, zbuloi se punonjësi mesatar i zyrës dërgon ose merr «një sasi prej 190 mesazhesh në ditë, në një shumëllojshmëri formash», të tilla si: sekretaria kompjuterike, telefoni, faksi, sinjalizuesi, sinjalizuesi i thjeshtë dhe posta elektronike. «Kjo nënkupton,—thotë gazeta,—se sot, deri në njëfarë mase, puna merr formë prej nevojës për t’iu përgjigjur mesazheve, duke çuar drejt rritjes së ndjenjave të stresit dhe të mbytjes nga puna.» Studimi konstatoi se pjesa më e madhe e punonjësve do të preferonte më shumë kontaktet e drejtpërdrejta, si personalisht, ashtu edhe me telefon. Kërkuesit rekomandojnë që «të gjithë nëpunësit të pajisen me një udhëzues mbi përdorimin e pranueshëm të mjeteve të tyre të komunikimit dhe si t’i përdorin ato siç duhet», duke pakësuar kështu mbingarkimin me mesazhe.

Diçka më shumë mbi marrëzinë e pirjes së duhanit

Një studim i kohëve të fundit në Holandë, thotë se «pirja e duhanit,—siç raporton International Herald Tribune,— e rrit më shumë se dyfish rrezikun e zhvillimit të demencës dhe sëmundjes së Alcajmerit». Vëzhgimi i 6.870 personave mbi moshën 55-vjeçare zbuloi se duhanxhinjtë janë 2,3 herë më të prirur për të zhvilluar sëmundjen e Alcajmerit, sesa ata që nuk e kanë pirë asnjëherë duhanin. Rreziku për ata që kishin hequr dorë nga pirja e duhanit, ishte vetëm paksa më i lartë nga rreziku për ata që nuk e kishin pirë kurrë. Sëmundja e Alcajmerit, e cila përfshin shkatërrimin gradual të qelizave të trurit, është «forma më e zakonshme e demencës».

Sfida e deshifrimit

«Ka të ngjarë që një çmim Nobel e pret personin që mund të deshifrojë atë që shkruan indasit,—pohon revista India Today.—Së bashku me gjuhën etruske, ai është shkrimi i fundit i Epokës së Bronzit që mbetet ende për t’u deshifruar.» Një arsye është se nuk është gjetur ende asnjë material arkeologjik dygjuhësh që mund të ndihmonte në zbërthimin e kodit. Hieroglifet egjiptiane u deshifruan pasi disa njerëz të Napolonit gjetën Gurin Rozetë, me një mbishkrim në gjuhën egjiptiane të thjeshtuar me hieroglife dhe në gjuhën greke. Shkrimi kuneiform sumerian u zbërthye kur Henri Rolinson zbuloi Mbishkrimin e Behistunit, i cili përmbante çelësat që i duheshin për deshifrimin e tij. Deri tani, pak gjëra janë përcaktuar rreth shkrimit të popullit indas, përveç faktit se ata shkruanin nga e djathta në të majtë, gjë që tregohet nga gdhendjet dhe se shkrimi mund të jetë i bazuar në rrokje. Shkrimi, i përbërë kryesisht nga glife, ka rreth 419 shenja.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo