Një vështrim rreth botës
Kriza për ujë
«Nëse nuk ndërmerret ndonjë veprim, dy të tretat e njerëzimit do të vuajnë nga etja para vitit 2025»,—deklaron revista franceze L’Express. Gazeta Le Figaro thekson: «Një e katërta e popullsisë së botës tani, nuk ka në dispozicion ujë të pijshëm.» Për t’u marrë me krizën e ujit, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, mbajti një konferencë ndërkombëtare në Paris, në mars të vitit 1998. Më shumë se 200 delegatë nga 84 vende, duke përfshirë edhe presidentin e Francës, diskutuan rreth mënyrave për të mbrojtur rezervat botërore të ujit. Një nga problemet që doli në pah ishte se uji shpesh shkon dëm për shkak të sistemeve të ujitjes bujqësore të paefektshme dhe tubacioneve të shpuara të ujit. Presidenti francez Zhak Shirak theksoi se uji është pjesë e trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit dhe për këtë arsye duhet të administrohet në bazë botërore.
Alarm për filxhanët e kafes në zyra
«Ngatërrestarë të vegjël, duke përfshirë bakterie të frikshme si E. coli, po shtohen për shkak se njerëzit nuk i lajnë me kujdes filxhanët e tyre ose nuk i dezinfektojnë lavamanët dhe tavolinat ku përgatitet ushqimi në shumicën e zyrave»,—raporton The Toronto Star. Kërkuesit Çarls Gerba dhe Ralf Mër, ekzaminuan filxhanët e kafes dhe pajisjet e bërjes së kafes në 12 zyra. Rreth 40 përqind e filxhanëve dhe 20 përqind e sfungjerëve larës, të gjetur në lavamanët e zyrave, përmbanin bakterie koliform dhe ndonjëherë edhe E. coli me një rrezik potencial. «Kjo zakonisht është tregues i kushteve johigjenike»,—thotë Gerba. Raporti përfundon: «Po të mos ketë një makinë enëlarëse, filxhanët e kafesë duhet të lahen me ujë të nxehtë me sapun, pastaj të dezinfektohen me një solucion klor dhe ujë ose dezinfektues pastrues. Pecet dhe sfungjerët duhet të pastrohen rregullisht.»
Fëmijët preferojnë kënaqësi të thjeshta
Si mund të jesh një mama e mirë në sytë e fëmijëve të tu? Nga një sondazh i Fondacionit Whirlpool, i bërë me 1.000 fëmijë amerikanë të moshës 6 deri 17 vjeç, doli se shumica preferonin të bënin gjëra të thjeshta, të përditshme me mamatë e tyre, në thelb «vetëm të ishin bashkë». Aktiviteti i parapëlqyer i fëmijëve me mamin, ishte të «hanin darkë bashkë». Në vend të dytë ishte kombinimi i «vajtjes jashtë për të ngrënë bashkë» dhe «vajtjes bashkë për të bërë pazar». Duke e ndjekur nga afër, në vendin e tretë ishte «të uleshin dhe të flitnin bashkë». Mënyra e parë që fëmijët zgjodhën për të falënderuar mamatë e tyre ishte, gjithashtu, e thjeshtë. Shtatëdhjetë për qind thanë se shumë shpesh i japin mamasë së tyre një «përqafim dhe një puthje». Mënyrat e tjera të tyre të parapëlqyera ishin të thoshin «Të dua» dhe «Faleminderit».
Shoferët nën rrezikun e ndotjes
«Një shofer duke pritur në makinë, në mes të një bllokimi trafiku thith tri herë sa niveli i ndotësve që thith një çiklist ose këmbësor dhe rreth dy herë më shumë se një udhëtar autobusi»,—raporton The Times e Londrës. Një studim i bërë nga Instituti për Politikën Ambientaliste Evropiane tregon se automobilistët e ngecur në trafikun që lëviz ngadalë në mes të një autostrade thithin «një sasi kolosale gazesh toksike». Përkrahësi i ambientit Endrju Dejvis thotë se në kundërshtim me mendimet tradicionale, shoferët e makinave mund të kenë më shumë nevojë për maska mbrojtëse sesa çiklistët që qëndrojnë afër bordurës së rrugës.
Rehati për lopët
The Globe and Mail e Kanadasë raporton se dyshekët e mbushur me gomë të prerë nga gomat e ripërdorura të makinave po dalin aty-këtu në fermat e bulmetit. Mendohet se dyshekët 5 centimetra të trashë mund t’u japin lopëve një periudhë më të gjatë e më produktive me qumësht. Sipas raportit, «lopët e bulmetit e kalojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre në çimento», gjë që u shkakton «dhimbje thundrash dhe dëmtim kërcinjsh». Dyshekët jo vetëm që zvogëlojnë problemet e thundrave dhe të kërcinjve për kafshët, por edhe amortizojnë kontaktin e gjunjëve të tyre kur ulen në tokë për të pushuar. Një fabrikues i dyshekëve thotë se qëllimi është që t’u jepet lopëve e njëjta ndjenjë që do të kishin po të pushonin në një livadh me bar.
Fëmijët spanjollë dhe televizori
Europa Press raporton se, sipas Karlos Maria Bru, nga Komiteti spanjoll për Fondin e Fëmijëve në Kombet e Bashkuara, deri në moshën 10-vjeçare një fëmijë në Spanjë, që shikon televizorin në një masë normale, mund të jetë dëshmitar i 10.000 vrasjeve dhe i 100.000 akteve të agresionit. Më tej, profesori Luis Migel Martines vuri re që më shumë se treçereku i fëmijëve spanjollë, nga mosha 4 deri në 12 vjeç, shikojnë të paktën dy orë e gjysmë televizor çdo ditë dhe gati një çereku i tyre shikojnë më shumë se katër orë në ditë. Raporti thotë se mesatarisht «fëmijët kalojnë para televizorit 937 orë në vit, që është më shumë se 900 orë të kaluara në shkollë çdo vit». Sipas Rikardo Peres-Asnar, nga Reparti i Shkencave Informatike të Universitetit Komplutensian, dhuna në televizor është një nga kombinimet e faktorëve sociologjikë që mund t’i kontribuojnë dhunës në shoqëri.
Fillim më i hershëm për historinë kineze
Për një kohë të gjatë, mendohej se viti më i hershëm i regjistruar në historinë kineze ishte viti 841 p.e.s., viti i parë i erës së Gong He të dinastisë Perëndimore Zhou. Mirëpo, kohët e fundit, u zbulua një dokument i ri që flet për një eklips diellor, raporton China Today. Ky dokument bën lidhjen e këtij eklipsi me vitin e parë të mbretit Yi të dinastisë Zhou. Shkencëtarët dhe historianët kanë përcaktuar se ky eklips ndodhi në vitin 899 p.e.s., duke e çuar pikënisjen e historisë së regjistruar kineze, më shumë se gjysmë shekulli prapa. «Në këtë regjistrim të shkruar, nuk ka pasur asnjë ndërprerje deri në shekullin e 20-të»,—pohon libri Outline of the History of the Chinese People. Libri e quan këtë regjistrim «një nga kontributet më të mëdha të kinezëve në historinë e civilizimit të të gjithë njerëzimit».
Aroma të habitshme
Prodhuesit e verës e kanë ditur nga shumë kohë rëndësinë e aromës në dallimin e një vere nga një tjetër. Tani, me synimin për të prodhuar verëra më të mira, shkencëtarët po i ndajnë në kategori më shumë se 500 produktet kimike që mund t’i kontribuojnë aromës unike të një vere. Shkencëtarët kanë kërkuar si ndihmë angazhimin e njerëzve me nuhatje të zhvilluar, raporton revista New Scientist. Grupe nuhatësish kanë krahasuar aromat individuale të disa përbërësve të verërave me qepët, mjaltin, shpargun, duhanin, çokollatën dhe fiqtë e thatë. Disa nga krahasimet më të habitshme të aromave përfshijnë «çorape të mykura, vezë të prishura dhe gomë që digjet». Një lloj majaje vere prodhon një aromë që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Kërkuesja Zhan Robësho thotë: «Varet se sa i ndjeshëm është një person ndaj një arome, nëse kjo maja i shton kompleksitet verës ose i jep erën e një batanijeje plot djersë, të vënë poshtë samarit të kalit.»
Djegie nga dielli në hije
Sipas një studimi të bërë nga Instituti Kuinslend i Kërkimeve Mjekësore në Australi, të kërkosh hije nën një pemë ose nën një çadër plazhi nuk të siguron se do të gjesh mbrojtje të plotë nga rrezatimi ultravjollcë. Siç raportohet në The Canberra Times, një person nën hije në një vend të hapur mbetet ende i ekspozuar ndaj rrezatimit të shpërndarë ultravjollcë. Dr. Peter Parsons, biokimist dhe bashkautor në studim, paralajmëron: «Nëse maksimumi i rekomanduar i kufirit të ekspozimit ndaj diellit të mesditës në të gjitha kryeqytetet e Australisë është 10-12 minuta, atëherë njerëzit që qëndrojnë ose shtrihen nën hije do të kenë djegie [nga rrezatimi B ultravjollcë] që do të shkaktojnë djegie të lëkurës nga dielli në më pak se një orë.» Edhe në dimër ose në ditë me re, ekziston një sasi e madhe rrezatimi ultravjollcë. Dr. Parsons vëren se si rregull «sa më shumë qiell të shohësh, aq më i madh është rreziku».
Seminar për gjakun në Bullgari
Në fillim të këtij viti në Sofje, Bullgari, u mbajt një seminar që nxirrte në pah uljen e hemoragjisë gjatë ndërhyrjeve kirurgjike dhe përdorimin e alternativave të transfuzioneve të gjakut. Seminari u dha mundësi mjekëve nga e gjithë Bullgaria të konsultoheshin me një ekip specialistësh mbi gjakun, ekip i përbërë nga tetë shtete. Profesori Ivan Mladenov nga Sofja komentoi se nën regjimin e mëparshëm, ‘dihej pak ose aspak mbi infektimin e gjakut dhe viruset e lindura nga gjaku’ dhe se ‘pyetjet nga ana e pacientëve konsideroheshin si një sjellje e keqe që mund të çonte deri aty sa atyre t’u mohohej trajtimi mjekësor’. Përgjigjja e atyre që morën pjesë në seminar pasqyron vetëdijen në rritje në Bullgari për të drejtën e pacientit për vetëvendosje dhe miratim të informuar, siç është miratuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.