Trupi Gjykues rus shfajëson Dëshmitarët e Jehovait
DËSHMITARËT E JEHOVAIT i pranojnë me kënaqësi raportet që bëhen për ta në mjetet e informacionit, kur raporte të tilla përgatiten me seriozitet. Për më tepër, Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm të paraqesin informacion të vërtetë për veten, për bindjet dhe aktivitetet e tyre fetare. Mirëpo, kur për ta botohen artikuj të pasaktë ose shpifës, për të mbrojtur të drejtat e tyre fetare dhe civile, nganjëherë Dëshmitarët u drejtohen autoriteteve qeveritare. Të shqyrtojmë një shembull të fundit.
Më 1 gusht 1997, në shtojcën e saj rajonale në S. Pjetrograd, Komsomolskaya pravda, një gazetë e njohur ruse, botoi një artikull që i portretizonte jashtëzakonisht shtrembër Dëshimtarët e Jehovait. Në artikullin e titulluar «Sekti i Pjetrogradit. Do të ketë një qytet-tempull këtu», autori Oleg Zasorin, deklaronte se me bindjet e tyre, Dëshmitarët e Jehovait shkaktojnë dëm dhe se aktivitetet e tyre dhunojnë kushtetutën ruse. Sulmet përbëheshin kryesisht nga shtrembërime të bindjeve të bazuara në Bibël të Dëshmitarëve, për shembull, lidhur me transfuzionin e gjakut dhe marrëdhëniet familjare. Për më tepër, artikulli i quante Dëshmitarët e Jehovait një «sekt», duke deklaruar se ata janë, për mendimin e disave, «sekti më i rrezikshëm nga të gjithë».
Qendra Administrative e Organizatës Fetare Rajonale të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, iu drejtua Trupit Gjykues Presidencial të Federatës Ruse për Konflikte Informative me një kërkesë që ata të rishikonin deklaratat e bëra në artikull, të cilat Dëshmitarët e Jehovait i shihnin si mashtruese. Në seancën e Trupit Gjykues, më 12 shkurt 1998, përfaqësuesit e Dëshmitarëve të Jehovait ishin të pranishëm dhe iu përgjigjën pyetjeve të shumta që ju bënë nga anëtarët e Trupit Gjykues, si edhe nga gazetarët dhe avokatët. Për të verifikuar se çfarë besojnë dhe mësojnë në të vërtetë Dëshmitarët e Jehovait, anëtarë të Trupit Gjykues ekzaminuan me kujdes literaturën e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, veçanërisht librin Sekreti i lumturisë familjare.
V. V. Borshiof, deputet i Dumës Shtetërore të Federatës Ruse, vuri re se koncepti i «sekteve» ka tërësisht nota negative. Z. Borshiof pohoi: «[T’i japësh vetes] liri të tilla dhe ngjitja e epiteteve është jashtëzakonisht e rrezikshme. Fakti që Trupi Gjykues ka pranuar padinë për gjykim, është shumë e rëndësishme. Vërshimi i emocioneve dhe fyerjeve të tilla, drejtuar organizatave fetare të njohura nga shteti, duhet ndalur.»
Pasi dëgjoi të gjitha dëshmitë, Trupi Gjykues nxori si përfundim se artikulli i dalë në Komsomolskaya pravda ishte jo i ligjshëm dhe që bie ndesh me etikën profesionale. Konstatoi, gjithashtu, se artikulli ishte i mbushur me gënjeshtra dhe i pabazë. «Autori nuk parashtron asnjë fakt specifik . . . Autori i botimit përhap thashetheme si raporte të besueshme, duke abuzuar me të drejtat e gazetarëve»,—tha Trupi Gjykues. Në kundërshtim me atë që raportonte artikulli i gazetës, Trupi Gjykues konstatoi se Dëshmitarët e Jehovait i binden ligjit dhe u mësojnë anëtarëve të jetojnë në paqe me familjen dhe me të tjërët që nuk kanë të njëjtat bindje fetare me ta.
Një orë pasi u dëgjua dëshmia e fundit, Trupi Gjykues dha vendimin e tij:
«1. Të njohë botimin e artikullit ‘Sekti i Pjetrogradit. Do të ketë një qytet-tempull këtu’ si një shkelje të kërkesave të nenit 4, 49 dhe 51 të Ligjit të Federatës Ruse ‘Për mjetet e informacionit masiv’»
«2. Të rekomandojë që Komiteti Shtetëror i Federatës Ruse Përgjegjës për Çështjet e Shtypit të shqyrtojë çështjen e dhënies së një paralajmërimi botuesve të gazetës Komsomolskaya pravda.»
«3. T’i japë një vërejtje gazetarit O. Zasorin.»
«4. Të rekomandojë që botuesit e gazetës Komsomolskaya pravda të kërkojnë ndjesë në gazetën e tyre për botimin e informacionit të pasaktë që denigron në mënyrë të pathemeltë organizatën fetare të Dëshmitarëve të Jehovait.»
Ky vendim i Trupit Gjykues përputhet me përfundimet që ka arritur studiuesi fetar dhe kandidati i filozofisë Sergei Ivanenko. Pasi i studioi me kujdes bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe pasi u shoqërua me ta, Z. Ivanenko, i cili nuk është një Dëshmitar i Jehovait, shkroi një artikull që doli në botimin e Moscow News, më 20-26 shkurt 1997.a Z. Ivanenko përfundonte: «Dëshmitarët e Jehovait dallohen për besimin e tyre të patundur për të jetuar në përputhje me Biblën. . . . Për Dëshmitarët e Jehovait, Bibla është kushtetuta, kodi civil dhe shprehja më e lartë e së vërtetës. . . . Dëshmitarët e Jehovait mund të konsiderohen si një shembull për qytetarët e tjerë, për devocionin e tyre për të vërtetën biblike dhe për gatishmërinë për të mbrojtur bindjet e tyre në mënyrë shumë vetëmohuese.»
Vendimi i Trupit Gjykues dhe komentet e Z. Ivanenko vërtetojnë edhe një herë se feja e krishterë e Dëshmitarëve të Jehovait nuk paraqet asnjë rrezik për shoqërinë, përkundrazi, shërben në dobi të të gjithë njerëzve me zemër të drejtë. Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë ‘gati për të bërë një mbrojtje përpara kujtdo që u kërkon një arsye për shpresën që është në ta, por duke e bërë këtë me butësi dhe me respekt të thellë’.—1. Pjetrit 3:15, BR.
[Shënimet]
a Pjesa më e madhe e artikullit të Z. Ivanenko, të titulluar «A duhet të kemi frikë nga Dëshmitarët e Jehovait?», është riprodhuar, me leje, në botimin e Zgjohuni!, 22 gusht 1997, faqe 22-27, angl.