BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 11/98 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Viti kur bota mori zjarr»
  • Nevojitet më shumë kalcium
  • Dollari sundues
  • Licensë për të plaçkitur
  • Barra e borxhit
  • Vdekja banalizohet
  • Rekord vdekjeprurës
  • Hidhet poshtë miti i miut arktik
  • Vidhen pacientët
  • Shenjat e veshit
  • Paranë e ke padron apo shërbëtor?
    Zgjohuni!—2009
  • Si t’i përdor si duhet paratë?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—1998
  • Si t’i mbash nën kontroll shpenzimet?
    Zgjohuni!—2014
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 11/98 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

«Viti kur bota mori zjarr»

Zhan-Pol Zhanrëno, drejtori i Fondit Mbarëbotëror për programin e pyjeve të Natyrës Ndërkombëtare, pohon se «viti 1997 do të kujtohet si viti që bota mori zjarr». Kanë rënë zjarre të rënda në çdo kontinent, përveç Antarktidës. Për shembull, në Indonezi dhe Brazil janë djegur zona pyjore të çmueshme që janë të barabarta me sipërfaqen e Zvicrës. Shkaqet përfshijnë që nga pastrimi posaçërisht i tokës për qëllime bujqësore deri te thatësira, të cilat mendohet të jenë rezultati i ekstremeve të motit të shkaktuar nga El Nino. Gazeta e Londrës, The Independent, raporton se nivelet e larta të dioksidit të karbonit që del nga djegia e lëndëve djegëse të karbonizuara i shtohen ndotjes së ajrit dhe rritin rrezikun e ngrohjes globale. Zoti Zhanrëno paralajmëron: «Ne po krijojmë një rreth vicioz shkatërrimi, ku shtimi i zjarreve është një rezultat i ndryshimit të motit dhe, gjithashtu, një faktor kontribues për këto ndryshime.»

Nevojitet më shumë kalcium

«Pasi kockat e tyre rriten, të rinjtë kanë një nevojë në rritje për kalcium»,—paralajmëron buletini informativ gjerman, Gesundheit in Wort und Bild (Shëndeti me fjalë dhe figura). Sasia e përditshme që rekomandohet për t’u marrë është 1.200 miligram, por në Gjermani këtë nivel e arrijnë vetëm 56 përqind e të rejave dhe 75 përqind e të rinjve midis moshës 15 e 19 vjeç. «Në të gjithë Evropën furnizimi i të rejave me kalcium është i pamjaftueshëm»,—thotë Mari Frazer, nga Fondacioni Evropian për Osteoporozën. Ndonëse mbetet pa u vënë re për një kohë të gjatë, një mungesë e tillë mund të çojë në formimin e osteoporozës në moshë të vjetër. «Ushqime të pasura me kalcium janë djathi, qumështi, kosi, farat e susamit, farat e nenëzës, soja, perimet e gjelbërta, arrat dhe peshku»,—thotë artikulli.

Dollari sundues

«Jo shumë amerikanë mund ta kuptojnë, por ka më shumë dollarë amerikanë në qarkullim jashtë Shteteve të Bashkuara sesa brenda saj»,—thotë U. S. News & World Report. «Nga 450 miliardë dollarë kartmonedha dhe monedha që tani janë brenda portofolëve të njerëzve, kasave, sallave të kasafortave në bankë dhe krevatëve, rreth dy të tretat ose 300 miliardë dollarë, janë jashtë kufirit.» Dhe kjo sasi është rritur nga 15 deri 20 miliardë dollarë në vit. Ndërsa paratë në Shtetet e Bashkuara qarkullojnë kryesisht në kartmonedha prej 20 dollarësh, shumica e parave në dorë jashtë kufirit janë në formë të kartmonedhave 100 dollarëshe, duke treguar se paratë janë përdorur jo për shpenzime të përditshme të vogla, por për kursime dhe veprime tregtare. Kjo është e vërtetë veçanërisht në vendet ku inflacioni është i lartë dhe njerëzit nuk kanë besim te bankat. Rreth 60 përqind e kartmonedhave të reja 100 dollarshe të prera vitin e kaluar u dërguan direkt jashtë shtetit. Sipas pikëpamjes së qeverisë amerikane, sasia e madhe e parave që qarkullojnë jashtë kufirit është e krahasueshme me dhënien qeverisë amerikane të një huaje pa interes, e cila nuk duhet të shlyhet për mallra ose shërbime, duke i kursyer kështu qeverisë miliarda dollarë.

Licensë për të plaçkitur

«Udhëheqësit katolikë të Brazilit i dolën përkrah të varfërve e të uriturve dhe mbrojtën ata që kishin vjedhur ushqim për të mbijetuar»,—raporton ENI Bulletin. Për shkak të thatësirës së ashpër në Brazilin Verilindor, është miratuar plaçkitja e supermarketeve dhe e depove. Sipas kryepeshkopit të Belo Horizonte, kardinalit Serafim Fernandez de Arauzhu «kisha nuk e dënon asnjërin që merr ushqim, për të shmangur vdekjen nga uria, kudo që ta gjejë atë». Kardinali Paolo Evaristo Arns citohet të ketë thënë: «Ne duhet të luftojmë kundër këtij neoliberalizmi që e përqendron pasurinë në duart e disa njerëzve të privilegjuar, ndërsa të varfrit bëhen akoma më të varfër.» Ai shtoi: «Është koha që njerëzit në qytete dhe fshatra të zgjohen.»

Barra e borxhit

«Kanadezët shpenzojnë për dhurata, qejfe dhe udhëtime gjatë sezonit të festave, mesatarisht 1.236 dollarë kanadezë»,—raporton gazeta The Vancouver dhe «shumica e këtyre shpenzimeve do të përfundojnë në një kartë krediti». Një këshilltar financiar thotë se gjatë krishtlindjeve ekziston një presion shumë i madh për të harxhuar para dhe kur nuk ka para xhepi është e lehtë të vazhdosh të harxhosh duke përdorur kartën e kreditit. Një këshilltar beson se siguria e punës duket që u jep konsumatorëve «besim për të marrë më shumë borxh, në vend se t’i paguajnë ato». Në fund të vitit 1997, në bilancin e kartave të kreditit të papaguara, kanadezët patën një rekord prej 20,42 miliardë dollarësh, dyfishi i shifrës së vitit 1991. Ekspertët përllogaritin se një blerësi i duhet mesatarisht gjashtë muaj për të paguar faturat e festave dhe se shumë do të jenë akoma të zhytur në detyrime, ndërsa fillojnë një tjetër «qejf pa hesap» në sezonin pasues të krishtlindjeve.

Vdekja banalizohet

«Janë prindërit dhe mësuesit ata që duhet të minimizojnë heroizmin e inkurajuar nga filmat dhe televizioni, me qëllim që vdekja të mos banalizohet»,—shpjegon Jornal do Brasil. Një studim në Rio de Zhanero tregon se fëmijët nën 13 vjeç janë ata që kryejnë 10 përqind të krimeve. «Këta janë fëmijë që mbajnë armë, sulmojnë, gjymtojnë ose vrasin shokët e shkollës dhe janë fajtorë për abuzim seksual ndaj atyre që janë më të vegjël»,—pohon artikulli. Psikiatri Alfredu Kastru Netu thotë: «Një kulturë si kjo e sotmja, që inkurajon konkurrencën dhe tregon në filma se cilido mund të vrasë për të marrë atë që do, mund të rrisë vetëm pështjellimin mendor të këtyre fëmijëve.» Duke rekomanduar lodra edukative në vend të armëve, edukatorja Zhuzefa Pek thotë se është e rëndësishme t’u tregojmë fëmijëve se ky «imazh i një heroi që vret çdonjeri është budallallëk e jo i vërtetë dhe se armët nuk janë simbole të pozitës ose të fuqisë, por, përkundrazi, mjete që vrasin njerëz».

Rekord vdekjeprurës

«Pirja e duhanit vret çdo vit më shumë amerikanë sesa vdiqën gjatë Luftës së II Botërore dhe Luftës së Vietnamit marrë së bashku»,—thotë University of California Berkeley Wellness Letter. «Më shumë se 1.200 amerikanë vdesin çdo ditë nga shkaqe që janë të lidhura me pirjen e duhanit, ekuivalenti i tre ose katër avionëve jumbo jet të mbushur plot që rrëzohen pa asnjë të shpëtuar.»

Hidhet poshtë miti i miut arktik

A kryejnë minjtë e arktikut, brejtës të vegjël që jetojnë në zona të ftohta veriore, vetëvrasje duke u mbytur në mënyrë masive? Shumë njerëz e besojnë akoma këtë. Shkencëtarët, megjithatë, kanë mbajtur për një kohë të gjatë një qëndrim skeptik dhe tani një ekip i British Broadcasting Corporation Wildlife on One, që ka filmuar për gjashtë muaj në Arktikun Kanadez, e hodhi poshtë mitin. Për aq kohë sa kanë furnizime me ushqim, minjtë arktikë lulëzojnë duke u mbipopulluar. Nga lindi, atëherë, historia e vetvrasjes masive të tyre? Gazeta londineze The Guardian raporton që lindi për shkak se minjtë arktikë norvegjezë ishin parë duke rënë aksidentalisht në ujë, kur shpërnguleshin në kullotat e harlisura poshtë maleve.

Vidhen pacientët

Spitalet e Gjermanisë janë pushtuar nga vjedhësit. «Nga spitalet universitare në Këln, janë raportuar treqind vjedhës në vit—raporton gazeta Emsdettener Tageblatt.—Një tufë lulesh në dorë, një buzëqeshje tërheqëse dhe për vjedhësin në spital preja është e sigurt.» Të maskuar si vizitorë pacientësh, territori i tyre shtrihet nga tavolinat anash krevatit deri te dollapet. Pacientët e moshuar ua bëjnë vjedhësve punën më të lehtë. Për shembull, u konstatua se një burrë i vjetër mbante disa mijëra marka gjermane nën jastëkun e krevatit të tij në spital. Oraret e vizitave të pakufizuara u japin një liri të madhe vjedhësve dhe gati çdonjeri mund të hyjë në spital pa u ndaluar. Prandaj, pacientët paralajmërohen që të sigurojnë paratë dhe sendet me vlerë në kasafortën e spitalit ose t’ua japin për t’i ruajtur dikujt tjetër.

Shenjat e veshit

Kur një hajdut shtëpish u shpall fajtor kohët e fundit në Londër, ajo që e zbuloi atë ishte veshi i tij. Si? Edhe pse ishte shumë i kujdesshëm që të mos linte shenjat e gishtërinjve në vendin e krimit, ai kishte zakon që të vinte veshin te dritarja ose te vrima e çelsit për të kontrolluar nëse kishte ndonjë njeri në shtëpi, përpara se ta vidhte atë, duke lënë kështu pas shenjat e veshit. «Shenjat e veshit janë unike sa dhe shenjat e gishtërinjve»,—thotë profesori Peter Vanesis, patolog mjekoligjor në Universitetin e Glasgout në Skoci. Megjithatë, The Daily Telegraph i Londrës raporton se ndryshe nga shenjat e gishtërinjve, veshët vazhdojnë të rriten gjatë gjithë jetës, ashtu siç bëjnë flokët dhe thonjtë. Gjithsesi, policia e di se veshët tanë, pavarësisht nga madhësia e tyre, janë unikë siç ishin dhe ato të hajdutit të shtëpive. Ai ishte i pari që në Britani u shpall fajtor me provën e një shenje të veshit dhe ai pranoi akuzën për pesë vjedhje shtëpish.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo