Zgjedhja ime mes dy etërve
«Nuk je më djali im! Largohu nga kjo shtëpi menjëherë dhe mos u kthe derisa të kesh hequr dorë nga ajo fe!»
IKA nga shtëpia vetëm me rrobat e trupit. Predhat shpërthenin përreth lagjes atë natë dhe unë nuk kisha asnjë ide se ku të shkoja. Kaluan më shumë se gjashtë vjet para se të kthehesha në shtëpi.
Çfarë mund ta bënte një baba kaq të tërbuar, sa të flakte nga shtëpia birin e tij? Mirë, pra, më lejoni të shpjegoj si filloi e gjithë kjo.
I rritur në një botë të mbushur me urrejtje
Prindërit e mi jetojnë në Bejrut, Liban, vend që një herë e një kohë ka qenë i famshëm si tërheqje turistike. Megjithatë, nga viti 1975 deri në vitin 1990, qyteti ishte qendra e një lufte shkatërrimtare. Unë linda në vitin 1969, i parëlinduri i një familjeje armene me tri fëmijë. Prandaj, kujtimet e mia të hershme i përkasin një kohe me paqe.
Prindërit e mi i përkitnin Kishës Apostolike armene, por mamaja na merrte me vete në kishë vetëm dy herë në vit, për pashkë dhe për krishtlindje. Kështu, familja jonë nuk qe në të vërtetë shumë fetare. Megjithatë, mua më çuan në një shkollë të mesme evangjeliste, ku mora një arsimim fetar. Në atë kohë as mua nuk më interesonte feja.
Një gjë që shumë armenë e mësuan gjatë fëmijërisë ishte të urrenin turqit. Gjatë Luftës I Botërore, turqit kishin therur qindra mijë armenë dhe kishin përvetësuar pjesën më të madhe të kombit të Armenisë. Në vitin 1920, pjesa lindore që mbeti u bë një republikë e Bashkimit Sovjetik. Si i ri unë isha i vendosur të luftoja për të siguruar zbatimin e drejtësisë.
Ndryshim mendimesh
Sidoqoftë, në vitet 80, kur isha nga mesi i adoleshencës, gjërat që më tha daja im filluan të më ndryshonin mendimet. Ai tha se Perëndia i Plotfuqishëm së shpejti do t’i vinte në vend të gjitha padrejtësitë. Më shpjegoi se me anë të Mbretërisë, për të cilën Jezu Krishti i kishte mësuar ithtarët e tij të luteshin, edhe ata që ishin therur nëpër masakra do të ringjalleshin në jetën mbi tokë.—Mateu 6:9, 10; Veprat 24:15; Zbulesa 21:3, 4.
Mbeta i rrëqethur. Duke dashur të dëgjoja më shumë, vazhdova t’i bëja pyetje. Kjo çoi në një studim biblik, i cili mbahej në shtëpinë e një Dëshmitari tjetër.
Ndërkohë që mësoja më shumë rreth Atit tim qiellor, Jehovait dhe arrita ta doja gjithnjë e më shumë, fillova të kisha frikën se një ditë do të më duhej të përballoja një vendim të vështirë, do të më duhej të zgjidhja midis familjes sime dhe Perëndisë Jehova.—Psalmi 83:18.
Zgjedhje e vështirë për një 17-vjeçar
Pas njëfarë kohe mamaja mori vesh për përfshirjen time me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo ishte shumë e turbulluar dhe më urdhëroi të ndaloja studimin biblik. Kur e kuptoi se e kisha seriozisht në lidhje me bindjet e mia, ajo më kërcënoi se do t’ia thoshte babait. Në atë kohë, mua aq më bënte, sepse mendoja që do të isha në gjendje ta kontrolloja situatën dhe të mbaja qëndrimin tim kundër babait. Por e kisha gabim.
Kur babai mësoi se po shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait u tërbua fare. Më kërcënoi se do të më flakte nga shtëpia po të mos e ndaloja studimin biblik. I thashë se nuk do të hiqja dorë, pasi ajo që po mësoja ishte e vërteta. Pasi mbaruan të bërtiturat, të sharat dhe mallkimet, ai filloi të qante si një fëmijë. Në kuptim të mirëfilltë m’u lut që të mos shoqërohesha më me Dëshmitarët.
Isha i dërrmuar emocionalisht, i ndarë midis dy etërve: Jehovait dhe babait tim. E dija se që të dy më donin shumë dhe doja t’i kënaqja që të dy, por kjo gjë dukej e pamundur. Presioni ishte më i madh sesa mund të mbaja unë. I thashë babait se do të bëja gjithçka që dëshironte, duke arsyetuar se mund t’i rifilloja përsëri studimet e të bëhesha një Dëshmitar i Jehovait kur të rritesha. Atëherë isha vetëm 17 vjeç.
Gjatë ditëve që pasuan, ndjeva turp për atë që kisha bërë. E ndjeva se Jehovai nuk ishte i lumtur dhe se unë nuk kisha besuar në fjalët e psalmistit David, i cili tha: «Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.» (Psalmi 27:10) Por isha akoma në shkollën e mesme dhe prindërit e mi mbulonin shpenzimet e arsimimit tim.
Një qëndrim më i palëkundur
Për më shumë se dy vjet, nuk i bëra vizitë dajës e nuk pata ndonjë kontakt me Dëshmitarët, meqë e dija se prindërit vëzhgonin çdo lëvizje timen. Një ditë në vitin 1989, në moshën 20-vjeçare, u gjenda ballëpërballë me një Dëshmitar që e njihja. Me shumë dashamirësi ai pyeti nëse do të më pëlqente t’i bëja një vizitë. Meqë nuk përmendi asgjë rreth studimit të Biblës, pas njëfarë kohe shkova ta takoja.
Me kalimin e kohës, rifillova të studioja Biblën dhe të ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait në Sallën e Mbretërisë. Studioja në vendin e punës, ku asnjë nuk mund të më shqetësonte. Si rezultat, arrita të kem një kuptueshmëri më të madhe të personalitetit të dashur të Jehovait si edhe një kuptueshmëri më të mirë të vlerës së pasjes dhe të mbajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë me të nën cilatdo rrethana. Në gusht të të njëjtit vit fillova madje të ndaja me të tjerët atë që kisha mësuar.
Deri në atë kohë familja ime nuk dinte asgjë. Megjithatë, disa ditë më vonë unë dhe babai po qëndronim përsëri ballë për ballë, por kësaj radhe isha më i përgatitur për ballafaqimin. Ai u përpoq të më pyeste me qetësi: «Bir, është e vërtetë se po shoqërohesh përsëri me Dëshmitarët e Jehovait?» Ndërsa priste përgjigjen time sytë iu mbushën me lot. Mamaja dhe motra ime po qanin në heshtje.
I shpjegova se vetëm kohët e fundit isha shoqëruar me Dëshmitarët dhe se isha i vendosur për t’u bërë një prej tyre. Me të thënë këtë, gjërat ndodhën me shumë shpejtësi. Babai më bërtiti fjalët që i gjeni në hyrjen e këtij artikulli. Pastaj më kapi dhe m’u hakërrua se nuk do të më linte të dilja gjallë nga shtëpia. Munda të lirohesha prej tij dhe, ndërsa zbrisja me vrap shkallët, dëgjova vëllain më të vogël tek përpiqej të qetësonte babain. «Që këtej e tutje ti je Babai im»,—iu luta Jehovait.—Të kam zgjedhur ty, prandaj të lutem kujdesu për mua.»
Shpagimi
Disa ditë më vonë, babai shkoi në shtëpinë e dajës tim, duke menduar se do të më gjente atje. Ai e sulmoi atë dhe donte ta vriste, por disa Dëshmitarë që po bënin një vizitë ndërhynë duke i ndarë. Babai iku, duke premtuar se do të kthehej. Pas pak kohe u kthye, i shoqëruar nga milicë të armatosur me pushkë. Ata i morën Dëshmitarët dhe dajën tim, i cili ishte shumë i sëmurë, dhe i çuan në qendrën e tyre ushtarake.
Pas kësaj, në atë zonë filloi një kërkim për Dëshmitarë të tjerë. U bastis edhe shtëpia e njërit prej tyre. Librat, duke përfshirë edhe Biblën, u grumbulluan pirg nëpër rrugë dhe u dogjën. Por nuk mbaroi me kaq. Gjashtë Dëshmitarë u arrestuan bashkë me disa të tjerë që vetëm sa po studionin me ta. Të gjithë i vunë në një dhomë të vogël, i morën në pyetje dhe i rrahën. Disa i dogjën me cigare. Lajmi në lidhje me këto ngjarje mori dhenë nëpër lagje. Milicët më kërkonin kudo. Babai u tha që të më gjenin dhe të më bënin që të ndryshoja mendje, pavarësisht nga metodat që do të përdornin.
Disa ditë më vonë, milicët hynë me forcë në një Sallë Mbretërie, ku një nga kongregacionet po bënte një mbledhje. Ata e detyruan të gjithë kongregacionin, burra, gra dhe fëmijë, që të evakuonte sallën. U konfiskuan Biblat dhe i detyruan të ecnin në këmbë deri në qendrën e milicisë, ku i morën në pyetje.
Arratisem në Greqi
Gjatë gjithë kësaj kohe për mua u kujdes një familje Dëshmitarësh, e cila banonte larg nga skena e trazirave. Një muaj më vonë u largova nga vendi për në Greqi. Kur mbërrita atje, ia dedikova jetën Perëndisë Jehova dhe u pagëzova në simbol të dedikimit tim.
Në Greqi ndjeva kujdesin e dashur të një vëllazërie frymore, e cila përfshinte njerëz nga një numër kombësish, duke përfshirë edhe turqit. Përjetova vërtetësinë e fjalëve të Jezuit: «Nuk ka asnjëri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit, a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin, që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme.»—Marku 10:29, 30.
Për tri vjetët që pasuan qëndrova në Greqi. Edhe pse i shkrova babait disa herë, ai nuk m’u përgjigj kurrë. Më vonë më thanë se, sa herë që miqtë kalonin nga shtëpia dhe e pyesnin për mua, ai thoshte: «Unë nuk kam djalë me atë emër.»
Ribashkimi pas gjashtë vjetësh
U ktheva për të jetuar në Bejrut në vitin 1992, pasi mbaroi lufta. Nëpërmjet një miku e informova babain për dëshirën time që të kthehesha në shtëpi. Ai u përgjigj se do të isha i mirëpritur, por vetëm nëse do të hiqja dorë nga besimi im. Kështu që jetova në një apartament me qira për tri vjet të tjera. Pastaj, në nëntor 1995, papritur babai erdhi në vendin tim të punës dhe kërkoi të më takonte. Në atë moment unë nuk isha aty, prandaj ai la një mesazh ku thoshte se donte që të kthehesha në shtëpi. Fillimisht e kisha të vështirë për ta besuar. Prandaj, me shumë ngurrim, shkova ta takoja. Ishte një ribashkim emocional. Ai tha se nuk kishte më kundërshtim që unë të isha Dëshmitar dhe se donte që unë të kthehesha në shtëpi.
Sot, shërbej si një plak i krishterë dhe një shërbëtor në kohë të plotë në një kongregacion të gjuhës armene. Shpesh takoj njerëz si babai im, të cilët i kundërshtojnë pjesëtarët e familjes, për shkak se këta dëshirojnë t’i shërbejnë Jehovait. E kuptoj që babai besonte sinqerisht se po bënte atë që ishte e drejtë, duke iu kundërvënë adhurimit tim. Bibla madje i përgatit të krishterët, duke thënë se ata mund të presin kundërshtim familjar.—Mateu 10:34-37; 2. Timoteut 3:12.
Shpresoj që një ditë babai im dhe pjesa tjetër e familjes të kenë të njëjtën shpresë biblike që kam edhe unë, për një botë më të mirë që po vjen. Atëherë nuk do të ketë më luftëra ose masakra dhe njerëzit nuk do të dëbohen më nga tokat e tyre ose të persekutohen për hir të drejtësisë. (2. Pjetrit 3:13) Dhe atëherë njerëzve nuk do t’u duhet të bëjnë një zgjedhje mes dy gjërave që i kanë kaq të dashura në zemrat e tyre.—Kontribut nga një lexues.