Pikëpamja e Biblës
A është beqaria me betim një detyrim për shërbëtorët e krishterë?
BEQARIA me betim, në kuptimin e ngushtë të fjalës, është gjendja si i pamartuar. Megjithatë, sipas një enciklopedie (The New Encyclopædia Britannica), termi «përdoret zakonisht në lidhje me rolin që luan një individ si zyrtar, specialist ose fetar i devotshëm, i cili ka bërë betimin e beqarisë». Termi «beqar i betuar» përkufizon «ata, për të cilët gjendja si të pamartuar është rezultat i një betimi, i një mohimi të shenjtë apo i një besimi se kjo gjendje është zgjedhja e vetë personit, për shkak të pozitës së tij fetare ose të shkallës së seriozitetit të tij fetar».
Në të shkuarën, disa fe të shquara e adoptuan beqarinë me betim si një detyrim për shërbëtorët e tyre. Megjithatë, në asnjë fe të të ashtuquajturit krishterim, beqaria me betim nuk është bërë një shenjë dalluese si në katolicizëm. Sot, në katolicizëm mbi beqarinë me betim ekziston me të vërtetë një debat. Një revistë (The Wilson Quarterly) vërejti se «studime pas studimesh të bëra në dekadat e fundit kanë nxjerrë përfundimin se beqaria e detyrueshme me betim, një kërkesë për priftërinjtë katolikë që nga shekulli i 12-të, qëndron në rrënjën e problemeve të kishës, për rekrutimin dhe mbajtjen e priftërinjve». Sipas sociologut Riçard A. Shëner, «e gjithë pesha e historisë dhe e ndryshimit shoqëror po kthehet kundër ekskluzivitetit të beqarisë me betim për meshkujt në priftërinë katolike». Cila është pikëpamja e Biblës për beqarinë me betim?
Martesë apo beqari?
Në rrjedhën e historisë burra e gra të panumërt të devotshëm, në shumë fe të ndryshme, kanë zgjedhur të jenë beqarë të betuar. Pse? Në shumë raste kjo bëhej sepse ata besonin që gjërat mishore, materiale ishin «vatra e së ligës». Nga ky mendim lindi filozofia se pastërtia frymore ishte e mundur vetëm duke u përmbajtur nga i gjithë aktiviteti seksual. Por nuk është kjo pikëpamja e Biblës. Në Bibël, martesa shihet si një dhuratë e pastër dhe e shenjtë që vjen nga Perëndia. Tregimi i Zanafillës mbi krijimin e portretizon qartësisht martesën si të «mirë» në sytë e Perëndisë dhe patjetër jo si një pengesë për një marrëdhënie të pastër frymësisht me Perëndinë.—Zanafilla 1:26-28, 31; 2:18, 22-24; shiko, gjithashtu, Fjalët e urta 5:15-19.
Apostulli Pjetër dhe shërbëtorë të tjerë të miratuar të Perëndisë, të cilët kishin pozita autoriteti në kongregacionin e hershëm të krishterë ishin burra të martuar. (Mateu 8:14; Veprat 18:2; 21:8, 9; 1. Korintasve 9:5) Direktivat e apostullit Pavël dhënë Timoteut mbi emërimin e mbikëqyrësve të kongregacionit ose të «peshkopëve» e bëjnë të qartë këtë. Ai shkruan: «Duhet, pra, që peshkopi të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje të vetme.» (Kursivi është yni; 1. Timoteut 3:2, Dio) Vëreni se nuk bëhet fare asnjë sugjerim se në ndonjë mënyrë ishte e papërshtatshme që «një peshkop» të martohej. Pavli vetëm sa po theksonte që «një peshkop» nuk duhej të ishte poligamist, pra, po të ishte i martuar, ai duhej të kishte vetëm një grua. Në fakt, një enciklopedi (Cyclopedia of Biblical, Theological, and Ecclesiastical Literature) nga Meklintok dhe Strong, nxjerr këtë përfundim: «Asnjë fragment në B[esëlidhjen] e R[e] nuk mund të interpretohet si një ndalim kundër martesës së klerikëve nën rregullimin e Ungjillit.»
Ndërkohë që e vlerëson shumë martesën, Bibla sigurisht që nuk dënon beqarinë, nëse ajo është zgjedhur me vullnet të lirë. Bibla e rekomandon atë si një rrugë të dëshirueshme për disa. (1. Korintasve 7:7, 8) Jezu Krishti tha se disa burra e gra zgjedhin me vullnet të lirë një rrugë beqarie. (Mateu 19:12) Pse? Jo se ka diçka të papastër në natyrën e martesës që do t’i pengojë ata nga zhvillimi frymor. Ata e zgjedhin këtë rrugë thjesht për të përqendruar përpjekjet e tyre në bërjen e vullnetit të Perëndisë në këto kohë që ata i perceptojnë si urgjente.
Rruga drejt beqarisë së detyrueshme me betim
Megjithatë, gjërat ndryshuan në shekujt që ndoqën kohën e Krishtit. Gjatë tri shekujve të parë të erës sonë, «kishte si shërbëtorë të martuar, ashtu edhe të pamartuar», shpjegon Dejvid Rajs, një domenikan, që e la priftërinë për t’u martuar. Pastaj, të krishterët e vetëshpallur filluan të ndikoheshin nga ajo që një shkrimtar fetar e përshkroi si «një amalgamë të ideve greke dhe biblike», që prodhuan një pikëpamje të shtrembëruar mbi seksin dhe martesën.
Sigurisht, disa vazhduan ta ndiqnin beqarinë thjesht «për të pasur liri të plotë që t’ia kushtonin [veten] veprës së mbretërisë së Perëndisë». Por, të tjerët u motivuan më shumë nga filozofitë pagane që kishin thithur. Një enciklopedi (The New Encyclopædia Britannica) thotë: «Besimi se marrëdhëniet seksuale ishin ndotëse dhe nuk përputheshin me shenjtërinë lindi [në kishën e vetëshpallur të krishterë] si motivimi mbizotërues për praktikën e beqarisë me betim.»
Në shekullin e 4-t, thotë Rajs, kisha «e ndaloi një prift të martuar të kishte marrëdhënie seksuale një natë para dhënies së kungimit». Kur kisha filloi të përdorte kungimin e përditshëm, kjo donte të thoshte që priftërinjve do t’u duhej të përmbaheshin nga marrëdhëniet seksuale përgjithnjë. Me kalimin e kohës, martesa e priftërinjve u ndalua plotësisht. Beqaria me betim, pra, u bë e detyrueshme për këdo që do të bëhej një shërbëtor në kishë.
Apostulli Pavël na paralajmëroi për një zhvillim të tillë. Ai shkroi: «Dhe fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymërave gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve, . . . të cilët do të ndalojnë martesën.»—1. Timoteut 4:1, 3.
«Dija përligjet nga veprat e veta»,—tha Jezu Krishti. (Mateu 11:19, DSF) Marrëzia e devijimit nga standardet e Perëndisë është vërtetuar nga veprat ose pasojat e saj. Autori Dejvid Rajs intervistoi shumë priftërinj përreth botës mbi temën e beqarisë së detyrueshme me betim. Disa, me të cilët foli ai, thanë: «Ti qëndron në priftëri, bën më të mirën që mundesh dhe në të njëjtën kohë përdor me kujdes gatishmërinë e grave të devotshme që të admirojnë e që e vënë veten në dispozicion seksualisht.»
Duke cituar Mateun 7:20, Rajs thotë: « ‘Do t’i njihni nga frytet e tyre’,—tha Jezui.» Më pas ai komenton mbi tragjedinë që është zhvilluar si rezultat nga beqaria e detyrueshme me betim: «Frytet e beqarisë së detyrueshme me betim janë ato të mijëra burrave që bëjnë një jetë të dyfishtë, të mijëra grave që bëjnë një jetë të shkatërruar, të mijëra fëmijëve që janë hedhur poshtë nga baballarët e tyre priftërinj, për të mos folur fare për vetë priftërinjtë që janë të vrarë emocionalisht.» Martesa e nderueshme është një bekim nga Perëndia.
Beqaria e detyrueshme me betim ka dalë se është dëmtuese frymësisht. Beqaria e zgjedhur me vullnet të lirë, nga ana tjetër, edhe pse nuk është thelbësore për shenjtërinë ose për shpëtimin, ka dalë se është një mënyrë jetese shpërblyese dhe e kënaqshme frymësisht për disa.—Mateu 19:12, BR.
[Burimi i figurës në faqen 16]
Life