BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 6/98 f. 4-7
  • Robër të varfërisë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Robër të varfërisë
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Uria dhe të ushqyerit e keq
  • Shëndeti i dobët
  • Papunësia dhe paga e ulët
  • Shkatërrimi i ambientit
  • Arsimimi
  • Strehimi
  • Popullsia
  • Përpjekje për t’i dhënë fund varfërisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
  • Përgjigje për pyetje biblike
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Fundi i varfërisë afrohet
    Zgjohuni!—1998
  • Shpejt, askush nuk do të jetë i varfër!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 6/98 f. 4-7

Robër të varfërisë

NË VITIN 33 të e.s., Jezu Krishti u tha dishepujve të tij: «Të varfrit do t’i keni përherë me ju.» (Mateu 26:​11) Po çfarë donte të thoshte? A po thoshte se varfëria nuk do të kapërcehej kurrë?

Xhejms Speth, administrator i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, tha: «Nuk mund ta pranojmë se [varfëria] do të jetë përherë me ne. Bota moderne i ka burimet, njohurinë praktike dhe aftësinë për ta kufizuar varfërinë në diçka që i përket vetëm së kaluarës.» Por, a mund ta çrrënjosë varfërinë bota moderne?

Me sa duket Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpreson se përpjekjet e njeriut mund ta eliminojnë varfërinë, meqenëse ajo e shpalli periudhën nga viti 1997 deri në vitin 2006 si «dekadën e parë të Kombeve të Bashkuara për çrrënjosjen e varfërisë». OKB⁠-⁠ja propozoi të punonte krah për krah me qeveritë, popujt dhe institucionet për të nxitur zhvillimin ekonomik, për të përmirësuar mundësinë e shërbimeve të domosdoshme, për të përmirësuar gjendjen e grave dhe për të krijuar të ardhura e punësim.

Synime të larta! Por a do t’i arrijë ndonjëherë këto synime komuniteti botëror? Shqyrtoni disa nga pengesat që bllokojnë çrrënjosjen e varfërisë me anë të përpjekjeve të njeriut.

Uria dhe të ushqyerit e keq

Ajemba, që jeton në Zaire, ka 15 pjesëtarë të familjes që varen prej saj. Ndonjëherë familja mund të hajë një vakt në ditë, qull misri të ndrequr me gjethe manioke, kripë dhe sheqer. Disa herë nuk kanë asgjë për të ngrënë për dy ose tri ditë. «Pres derisa fëmijët të qajnë për bukë, para se të gatuaj diçka»,​—⁠thotë Ajemba.

Rasti i tyre nuk është i pazakontë. Në botën në zhvillim, 1 në 5 persona shkon në shtrat i uritur çdo natë. Në mbarë botën, rreth 800 milionë njerëz, 200 milionë prej të cilëve janë fëmijë, janë të kequshqyer kronikë. Këta fëmijë nuk rriten normalisht, por shpesh sëmuren. Arritjet e tyre në shkollë janë të dobëta. Si të rritur, ata vuajnë pasojat e këtyre gjërave. Kështu, varfëria shpesh i bën vend të ushqyerit të keq, i cili nga ana e vet i kontribuon varfërisë.

Varfëria, uria dhe të ushqyerit e keq ekzistojnë në një shkallë kaq kolosale, saqë u rezistojnë përpjekjeve politike, ekonomike dhe shoqërore që bëhen për t’i eliminuar ato. Në të vërtetë, situata nuk po përmirësohet, por po keqësohet.

Shëndeti i dobët

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, varfëria është «sëmundja më fatale e botës» dhe «shkaku i vetëm më i madh themelor i vdekjes, i sëmundjeve dhe i vuajtjeve».

Një libër (An Urbanizing World: Global Report on Human Settlements, 1996), vërejti se të paktën 600 milionë njerëz në Amerikën Latine, Azi dhe në Afrikë po jetonin në shtëpi kaq të këqija, ku mungonte uji i mjaftueshëm, kushtet sanitare dhe kanalet e ujërave të zeza, saqë jeta dhe shëndeti i tyre ishin nën një kërcënim të vazhdueshëm. Në mbarë botën, mbi një miliard njerëz nuk kanë ujë të pastër. Qindra mijë të tjerë nuk kanë mundësi të hanë si duhet. Të gjithë këta faktorë e vështirësojnë parandalimin e sëmundjeve nga njerëzit e varfër.

Shpesh, njerëzit e varfër nuk kanë as mundësi për t’u kuruar nga sëmundjet. Kur të varfërit sëmuren, ata mund të mos jenë në gjendje të përballojnë blerjen e ilaçeve të duhura ose pasjen e trajtimit mjekësor. Të varfrit vdesin të rinj, ndërsa ata që mbijetojnë mund të jetojnë me sëmundje kronike.

Saheda, një shitës tregu në ishujt Maldive, thotë: «Varfëri do të thotë shëndet i dobët, i cili të pengon të punosh.» Mungesa e punës sigurisht që sjell thellimin e varfërisë. Rezultati është një cikël mizor e fatal, në të cilin varfëria dhe sëmundjet ushqejnë njëra⁠-⁠tjetrën.

Papunësia dhe paga e ulët

Një faqe tjetër e varfërisë është papunësia. Në shkallë globale, 120 milionë njerëz që janë të aftë për punë nuk kanë mundësi të gjejnë punë. Në të njëjtën kohë, rreth 700 milionë njerëz të tjerë shpesh punojnë me orë të gjata për një pagë tepër të vogël për të plotësuar nevojat e tyre elementare.

Rudeni punon si taksist me triçikël në Kamboxhia. Ai thotë: «Për mua varfëri do të thotë të punoj më shumë se 18 orë në ditë, por akoma të mos marr aq sa për të ushqyer veten, gruan time dhe dy fëmijët.»

Shkatërrimi i ambientit

I ndërthurur me varfërinë është edhe degradimi i ambientit. Elsa, një kërkuese në Guajana, Amerika e Jugut, vëren: «Varfëria është shkatërrimi i natyrës: i pyjeve, i tokës, i kafshëve, lumenjve dhe liqeneve.» Ja ku kemi edhe një cikël tjetër tragjik: varfëria çon në shkatërrimin e ambientit, i cili bën që rritja e varfërisë të zgjatë pafundësisht.

Kultivimi i tokës së punueshme derisa të shfrytëzohet në maksimum ose të përdoret për një qëllim tjetër, janë praktika të vjetra. Po kështu është edhe shpyllëzimi, prerja e pyjeve që të merret dru për punim, për zjarr ose për të mbjellë drithëra. Për shkak të rritjes së numrit të njerëzve mbi tokë, situata ka arritur përmasa kritike.

Sipas Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë, gjatë 30 vjetëve të kaluara, është humbur pothuajse 20 përqind e shtresës së punueshme të tokës për drithëra, kryesisht për shkak të mungesës, si të parave, ashtu edhe të teknologjisë së nevojshme për të marrë masa ruajtjeje. Gjatë së njëjtës periudhë, miliona hektarë tokë janë bërë të shkreta si rezultat i sistemeve të ujitjes që ishin ndërtuar dhe mbajtur dobët. Dhe miliona hektarë pyje po priten çdo vit që të pastrohet tokë për drithëra, ose që të merren lëndë drusore, ose dru për zjarr.

Ky shkatërrim lidhet me varfërinë në dy mënyra. Së pari, shpesh të varfrit detyrohen të shfrytëzojnë ambientin për shkak të nevojës për ushqim e për t’u ngrohur. Si mund t’u flasësh për një zhvillim të përshtatshëm ose për mirëqenien e brezave të ardhshëm atyre që janë të uritur e të varfër dhe që janë të detyruar të dëmtojnë rezervat natyrore për të mbijetuar tani, në këtë moment? Së dyti, të pasurit shpesh i shfrytëzojnë rezervat natyrore të ambientit që u përkasin të varfërve, për të përfituar. Për pasojë, shkatërrimi i rezervave natyrore nga të pasurit dhe nga të varfrit rrit varfërinë.

Arsimimi

Alisia, një punonjëse e asistencës shoqërore në ishujt Filipine, tha: «Varfëria e shtyn një grua t’i dërgojë fëmijët e saj të lypin nëpër rrugë në vend se t’i dërgojë në shkollë, sepse përndryshe nuk do të kenë asgjë për të ngrënë. Mamaja e di se po përsërit ciklin që e kishte mbërthyer edhe atë vetë, por ajo nuk mund të shohë ndonjë rrugëdalje.»

Afro 500 milionë fëmijë nuk kanë një shkollë ku të shkojnë. Një miliard të rritur janë pothuajse analfabetë. Pa arsimim, është e vështirë të gjesh një punë të mirë. Prandaj, varfëria çon në mungesën e arsimimit, i cili çon në varfëri të mëtejshme.

Strehimi

Mungesa e strehimit ekziston në kombet e varfëra, e madje edhe në disa të pasura. Një raport thotë se afro një çerek milioni nga banorët e Nju Jork Sitit kanë ndenjur në vende për të pastrehët, për një periudhë kohe gjatë pesë vjetëve të kaluara. Edhe Evropa ka të varfrit e saj. Në Londër, rreth 400.000 njerëz janë të regjistruar si të pastrehë. Në Francë, një gjysmë milioni njerëz nuk kanë shtëpi.

Në të gjitha vendet e botës në zhvillim, situata është më keq. Njerëzit dynden për në qytetet e vogla e të mëdha, të joshur nga ëndrrat për ushqim, punë dhe për një jetë më të mirë. Në disa qytete të mëdha, më shumë se 60 përqind e popullsisë jeton në qyteza barakash ose në lagje të varfra. Në këtë mënyrë varfëria e fshatrave ushqen atë të qyteteve.

Popullsia

Një gjë që i intensifikon të gjitha këto probleme është rritja e popullsisë. Popullsia e botës është më se dyfishuar në 45 vjetët e kaluara. Kombet e Bashkuara përllogaritin se shifra do të ngjitet në 6,2 miliardë në vitin 2000 dhe në 9,8 miliardë në vitin 2050. Zonat më të varfra të botës kanë shpejtësinë më të madhe të rritjes së popullsisë. Nga përafërsisht 90 milionë foshnjat e lindura në 1995⁠-⁠ën, 85 milionë lindën në vendet që kishin më pak mundësi për t’u siguruar atyre gjërat e nevojshme.

A besoni se njerëzimi do të bashkëpunojë papritur për ta çrrënjosur varfërinë përgjithmonë, duke zgjidhur problemet e urisë, të sëmundjeve, papunësisë, shkatërrimit të ambientit, mungesës së arsimimit, strehimit të pakët dhe luftës? Ka të ngjarë që jo.

A do të thotë kjo se situata është e pashpresë? Jo, sepse zgjidhja duket në horizont dhe do të vijë me siguri. Por jo nga përpjekjet e njeriut. Si atëherë? Dhe, ç’të themi për fjalët e Jezuit: «Të varfrit do t’i keni përherë me ju?»

[Kutia në faqen 7]

Më të varfrit e të varfërve

Në vitin 1971, Kombet e Bashkuara shpikën frazën «vendet më pak të zhvilluara» për të përshkruar «vendet më të varfëra dhe më të dobëta ekonomikisht ndër vendet në zhvillim». Në atë kohë kishte 21 kombe të tilla. Tani, ka 48 nga ato, ku 33 janë në Afrikë.

[Figura në faqen 5]

Miliona punojnë me orë të zgjatura për një pagë të vogël

[Burimi]

Godo-Foto

[Figura në faqen 6]

Luksi dhe varfëria ekzistojnë krah për krah njëra⁠-⁠tjetrës

[Figura në faqen 7]

Miliona jetojnë në banesa nën standardin e duhur

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo