Shpejt, askush nuk do të jetë i varfër!
«MOS kini frikë, sepse, ja! Unë po ju shpall lajmin e mirë për një gëzim të madh që do ta kenë të gjithë njerëzit.» (Luka 2:10, BR) Këto fjalë ndërtuese i dëgjuan barinjtë e çuditur që ndodheshin pranë Bethlehemit, natën kur lindi Jezui. Në përputhje me atë deklaratë, Jezui i dha një rëndësi të madhe «lajmit të mirë» gjatë shërbimit të tij tokësor. Po sot, kur ne jemi kaq shumë të varur nga paratë për t’u kujdesur për nevojat tona, si mund të na japë dobi lajmi i mirë mbi Jezuin?
Jezu Krishti ua deklaroi «lajmin e mirë të varfërve». (Luka 4:18, BR) Sipas Mateut 9:35, «Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin [lajmin e mirë, BR] e mbretërisë». Mesazhi i tij ishte veçanërisht inkurajues për të prekurit nga varfëria. «Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.» (Mateu 9:36) Vërtet, Jezui tha se «të varfrit në fakt, i keni gjithmonë me ju», por nga këto fjalë nuk duhet të nxjerrim përfundimin se për nevojtarët nuk ka shpresë. (Gjoni 12:8) Për sa kohë të zgjasë ky sistem i lig, do të ketë njerëz të varfër, pavarësisht se nga shkaktohet gjendja e tyre. Fjala e Perëndisë nuk e shpërfill realitetin e varfërisë, por ajo nuk përqendrohet mbi aspektet negative. Përkundrazi, ajo u ofron të varfërve ndihmë për të përballuar ankthet e jetës.
Ndihmë për të varfërit
Të bën përshtypje thënia: «Nuk mund të ketë peshë më të rëndë për dikë, sesa të dijë që askush nuk kujdeset apo nuk e kupton.» Megjithatë, pavarësisht nga mungesa e dhembshurisë nga ana e shumicës, lajmi i mirë mbetet ende për të varfërit: për të tashmit dhe për ata të së ardhmes.
Mjerisht, shumë veta interesohen pak për të ndihmuar të varfërit. Sipas një enciklopedie (The World Book Encyclopedia), disa besojnë që «njerëzit në shoqëri konkurrojnë për mbijetesë dhe . . . individët superiorë bëhen të fuqishëm e të pasur». Ata që besojnë në këtë teori, e cila quhet darvinizmi social, mund t’i konsiderojnë të varfërit si të ishin dembelë ose dorëlëshuar. E megjithatë, punëtorët e bujqësisë, emigrantët e të tjerë, edhe pse paguhen pak, shpesh punojnë shumë për të ushqyer familjet e tyre.
Në shumë vende varfëria është krejt e zakonshme. Prandaj, të varfërit, që janë shumica, nuk ndihen se janë të humbur. Por në disa vende ka njerëz që jetojnë në luks të madh në mes të varfërisë që i rrethon. Shtëpi të rehatshme e luksoze ekzistojnë krah për krah me kasollet e grumbulluara e jo të shëndetshme. Njerëzit me rroga të larta ngasin makinat e tyre të kushtueshme nëpër rrugët e mbushura me të vobektë e të papunë. Në këto vende, të varfërit e ndiejnë me dhembje gjendjen e tyre. Në të vërtetë, «të varfërit nuk vuajnë vetëm nga të ushqyerit e keq, nga shtëpitë e këqija dhe nga kujdesi jo i duhur mjekësor, por edhe nga ankthi i vazhdueshëm mbi gjendjen e tyre,—thotë enciklopedia e lartpërmendur.—Pasi nuk janë në gjendje të kenë dhe të mbajnë punë të mira, ata humbin çdo ndjenjë dinjiteti dhe respekti për veten». Në ç’mënyrë, pra, e përballojnë disa nga më të varfërit situatën e tyre? Ç’ka të bëjë lajmi i mirë mbi Jezuin me përballimin e tyre?
Së pari, mos harro se varfëria mund të thellohet edhe më shumë për shkak të zakoneve jo të mira. Shqyrto disa shembuj. Valdesiri pranon se i harxhonte paratë në një jetë imorale, ndërkohë që gruaja e tij dhe fëmija e vogël kishin pak për të ngrënë. Ai thotë: «Edhe pse i papunë, nuk kam pasur asnjëherë para për familjen, ndërsa para për të blerë bileta llotarie kam pasur gjithnjë.» Ngaqë pinte shumë pije alkoolike dhe duhan, Milton humbi një biznes me 23 nëpunës. Ai thotë: «Kalova netë nëpër rrugë, pa mundur të shkoja në shtëpi dhe familja ime vuante shumë për shkakun tim.»
Edhe Zhauni e harxhonte rrogën mbas veseve. «Kaloja netë larg shtëpisë. Gjithçka që merrja nuk më mjaftonte për veset dhe punët e mia. Gjendja u bë e padurueshme dhe ime shoqe kërkoi ndarjen.» Sikur të mos i mjaftonin problemet financiare dhe martesore, ai kishte edhe të tjera. Thotë: «Shkaktoja probleme me të afërmit e komshinjtë e sidomos kisha probleme në punë. Si rezultat, vazhdimisht gjendesha i papunë.» Zhulio ishte i dhënë pas drogës. Megjithatë, ai shpjegon: «Pasi rroga nuk më dilte për të mbajtur zakonin e drogës, fillova të punoj si shitës narkotik e në këtë mënyrë s’kisha nevojë ta blija drogën.»
I rritur në një familje të varfër me tetë fëmijë, Hoze donte të kishte diçka për vete. Duke menduar se s’kishte asgjë për të humbur, bashkë me të rinj të tjerë filloi të grabiste njerëzit. Në dëshpërim, një i ri tjetër u bë anëtar i një bande të quajtur Headbangers. Ai shpjegon: «Edhe pse shumica prej nesh ishim shumë të varfër, ndjenim njëfarë kënaqësie duke thyer gjërat e duke sulmuar njerëzit.»
Megjithatë, sot, këta burra dhe familjet e tyre nuk vuajnë më nga mungesa e thellë apo nga ndjenjat e hidhërimit apo të fyerjes. Ata nuk janë më të pandihmë ose të pashpresë. Përse jo? Sepse studiuan lajmin e mirë që predikoi Jezui. Zbatuan këshillat e Biblës dhe u shoqëruan me individë që kishin të njëjtat mendime në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait. Mësuan, gjithashtu, disa gjëra shumë të rëndësishme në lidhje me pasurinë dhe varfërinë.
Ndihmë për të përballuar varfërinë
Së pari, ata mësuan se nëse zbatohen parimet e Biblës, ndikimet e këqija të varfërisë mund të pakësohen. Bibla dënon imoralitetin, dehjen, bixhozin dhe abuzimin me drogën. (1. Korintasve 6:9, 10) Gjëra të tilla kushtojnë shtrenjtë. Ato mund ta varfërojnë një të pasur, ndërsa një të varfër e zhytin edhe më thellë në varfëri. Braktisja e këtyre veseve dhe e të tjerave si këto, bën shumë për të përmirësuar gjendjen familjare të një familjeje.
Së dyti, ata kuptuan se në jetë ka gjëra më të rëndësishme se pasuria. Një pikëpamje e ekuilibruar është shprehur në këto fjalë të frymëzuara: «Dituria është një mbrojtje ashtu si është paraja; por epërsia e diturisë qëndron në këtë; dituria i bën të jetojnë ata që e zotërojnë.» (Eklisiastiu [Predikuesi] 7:12) Po, paratë janë të nevojshme. Por mençuria e bazuar në Bibël dhe njohja e qëllimeve të Perëndisë janë shumë më të dobishme. Në fakt, për një njeri që s’ka mençuri, paratë e tepërta mund të jenë një peshë më e madhe se po të ketë pak. Shkrimtari biblik me mençuri u lut: «Mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme, me qëllim që, pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: ‘Kush është Zoti?’, ose, pasi të jem i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim.»—Proverbat 30:8, 9.
Së treti, ata zbuluan se nëse një person jeton sipas lajmit të mirë që predikoi Jezui, kurrë s’do të ndihet i braktisur. Lajmi i mirë ka të bëjë me Mbretërinë e Perëndisë. Mesazhi është përcaktuar «lajmi i mirë i mbretërisë» dhe në ditët tona është predikuar në të gjithë tokën e banuar. (Mateu 24:14) Jezui na tha se do të gjenim mbështetje po të vinim shpresën tonë në atë Mbretëri. Ai tha: «Para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33) Perëndia nuk premton makina apo shtëpi luksoze. Jezui foli mbi gjërat e nevojshme në jetë, gjëra të tilla si ushqimi e veshja. (Mateu 6:31) Dhe miliona veta sot mund të dëshmojnë se premtimi i Jezuit është i besueshëm. Një individ, madje edhe një shumë i varfër, nuk është krejtësisht i braktisur nëse në vend të parë vë Mbretërinë.
Së katërti, kuptuan se kur dikush vendos në vend të parë Mbretërinë e Perëndisë, nuk hidhërohet nga vështirësitë ekonomike. Po, një i varfër duhet të punojë shumë. Por, nëse i shërben Perëndisë, ai ka një marrëdhënie të privilegjuar me Krijuesin e tij, për të cilin Bibla thotë: «Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.» (Psalmi 22:24) Përveç kësaj, një person i varfër ka ndihmë për të përballuar problemet e jetës. Ai gëzon shoqëri të ngrohtë me të krishterët e tjerë dhe ka njohuri e besim në vullnetin e zbuluar të Jehovait. Gjëra të tilla «janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ar i kulluar».—Psalmi 19:10.
Së fundi, s’do të ketë më varfëri!
Më në fund, individët që dëgjojnë lajmin e mirë, mësojnë se Perëndia Jehova ka për qëllim të zgjidhë problemin e varfërisë njëherë e përgjithmonë, me anë të Mbretërisë së tij. Bibla premton: «Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.» (Psalmi 9:18) Mbretëria është një qeveri e vërtetë, e vendosur në qiej me Jezu Krishtin si Sundimtar. Së shpejti, ajo Mbretëri do të zëvendësojë qeveritë njerëzore për të administruar punët e njerëzimit. (Danieli 2:44) Atëherë, si Mbret i kurorëzuar, Jezuit «do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij».—Psalmi 72:13, 14.
Duke parë drejt asaj kohe, Mikea 4:3, 4 thotë: «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit të ushtrive foli.» Për kë flitet këtu? E pra, për të gjithë ata që i nënshtrohen Mbretërisë së Perëndisë. Ajo Mbretëri do të zgjidhë të gjitha problemet që shtypin njerëzimin, madje edhe problemin e sëmundjeve e të vdekjes. «Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë.» (Isaia 25:8; 33:24) Sa botë e ndryshme do të jetë ajo! E mos harro, mund t’i besojmë këto premtime, sepse janë të frymëzuara nga vetë Perëndia. Ai thotë: «Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi.»—Isaia 32:18.
Besimi në Mbretërinë e Perëndisë tejkalon mungesën e respektit për veten, e cila shkaktohet shpesh nga varfëria. Një i krishterë i varfër e di që në sytë e Perëndisë është po aq i rëndësishëm sa edhe një i krishterë i pasur. Perëndia i do të dy njësoj dhe të dy kanë të njëjtën shpresë. Të dy presin me padurim kohën kur, nën Mbretërinë e Perëndisë, varfëria do të jetë diçka e së shkuarës. Sa kohë e lavdishme do të jetë! Së fundi, askush nuk do të jetë më i varfër!
[Figura në faqen 5]
Përse të harxhosh pa masë pas bixhozit, duhanit, pirjes së tepërt, abuzimit me drogën, apo me një jetë imorale?
[Figura në faqen 7]
Perëndia Jehova do të zgjidhë problemet e varfërisë së njerëzimit me anë të Mbretërisë së tij