Puma: Gjithandej dhe asgjëkundi
Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Brazil
QIELLI mbi pyllin e shiut të Amerikës së Jugut po merrte atë ngjyrë të papërshkrueshme që merr pikërisht para se të bjerë nata tropikale. Pastaj, papritur dhe pa zhurmë shfaqet puma! Ajo ishte futur me kujdes në një copë të pastruar pylli dhe kishte ndaluar papritur.
Për një moment macja e madhe qëndroi pa lëvizur, përveç majës së bishtit, që vazhdoi të lëvizte si një fshirëse xhamash me shpejtësi të ulët. Pastaj, kur vuri re se po e vëzhgonin, puma kërceu nga vendi i hapur dhe u fsheh në pyll. Atë mbrëmje të disa viteve më parë, munda të kuptoja pse atletet e vrapuesve në gara, automobilat e shpejtë, e madje aeroplanët luftues mbajnë emrin e saj. Duket qartë se puma ose koguari, macja e dytë më e madhe e Amerikës, është projektuar për shpejtësi.a
Një grumbull muskujsh
Për shkak të ngjyrës së saj të hirtë në të kuqërremtë, puma mund t’ju sjellë ndër mend një luaneshë. Por pjesa e përparme e kokës, fytyra, nuk është po aq kënddrejtë sa kushëriri i saj afrikan. Përkundrazi, koka e pumës është e rrumbullakët, e vogël dhe në majë ka dy veshë njësoj të rrumbullakët e të vegjël. E parë në profil, koka e saj duket si fishek, kompakte dhe e zgjatur. Ajo të hedh një vështrim me sytë e mëdhenj jeshilë. Një tufë qimesh të bardha përreth gojës të jep përshtypjen se e ka zhytur turirin në një tas me qumësht dhe ka harruar të lëpijë buzët. Trupi i saj, elastik dhe i përkulur, mund të jetë 1,5 ose më shumë metra i gjatë, duke mos llogaritur bishtin e trashë me majë të zezë.
Këmbët e prapme të gjata e të forta bëjnë që pjesa e pasme të jetë më e ngritur sesa shpatullat. Këto këmbë të fuqishme i japin këtij grumbulli muskujsh prej 60 kilogramësh fuqinë përforcuese për t’u shkëputur nga toka si një raketë. Pumat janë parë duke kërcyer vertikalisht lart në një lartësi prej 5 metrash me një kërcim të madh. Kjo është njësoj si të bësh kërcimin me shkop pa u shqetësuar për të përdorur një shkop!
Puma të lë të njëjtën përshtypje edhe kur kërcen poshtë. Ajo është bërë e njohur që bën kërcime fluturuese për në tokë nga një lartësi prej 18 metrash. Ky është afërsisht dyfishi i lartësisë së trampolinave më të larta që përdoren nga notarët olimpikë që kërcejnë nga trampolina, por puma nuk ka përparësinë e një pishine të mbushur me ujë poshtë saj. Pavarësisht nga kjo, macja prek tokën, e gatshme për të kërcyer përsëri, sikur të kishte zbritur në një trampolinë tjetër.
«Kjo është një kafshë e fuqishme dhe mahnitëse,—thotë biologu i florës dhe i faunës së egër, Kenet Logan.—Pasi mëson se si e sigurojnë jetesën këto mace, ato fitojnë me të drejtë shumë respekt.» Në mënyrë të dallueshme, ato duken sikur janë praktikisht gjithandej, por edhe asgjëkundi.
Gati gjithandej, e megjithatë e padukshme
Kur kolonët e parë u vendosën në Botën e Re, territori i pumës zinte të gjithë kontinentin, që nga Atlantiku e deri në Paqësor. Ajo jetonte në male, këneta, stepa dhe xhungla. Edhe pse gjahtarët dhe fermerët tani i kanë eliminuar pumat nga shumë pjesë të Amerikës së Veriut, ajo mbetet akoma macja përfaqësuese e Amerikës, pasi akoma gjendet nga Kanadaja e deri në pikën më të largët të Amerikës së Jugut. Po ta matnit suksesin e një kafshe nga shtrirja e shpërndarjes së saj gjeografike dhe nga ndryshueshmëria e habitatit të saj, atëherë puma duhet të jetë gjitari vendas amerikan më i suksesshëm sot. Sekreti i suksesit të saj?
Puma është e pajisur mirë për të mbijetuar. Ajo ka stomak të fortë dhe përdor metoda të ndryshme gjuajtjeje. Mund t’i përshtatet pothuaj çdo lloj ushqimi të vendit. «Ajo është e aftë të vrasë dhe të tërheqë një kafshë pesë herë sa madhësia e vet, por ha edhe karkaleca po nuk pati gjë tjetër përreth»,—thotë një veteriner, i cili ka ekzaminuar përbërjet e stomakut të disa pumave të vrara në Brazil. «Kur bëhet fjalë për ushqimin, puma është më e shumanshme se çdo lloj tjetër maceje.»
Ushqimi i ndryshëm kërkon aftësi të ndryshme gjuajtjeje. Të kapësh, të themi një zog, kërkon një taktikë të ndryshme nga vërsulja mbi një dre. Si e bën puma këtë? Në pyllin atlantik të Brazilit, ajo e tërheq një lloj zogu të quajtur «pula e Pampas», duke imituar cingërimën e këtij zogu. «Një imitim i përsosur,—thotë një vëzhgues.—‘Pula e Pampas’ cingëron vetëm disa herë, por puma vërshëllen 10 ose 20 herë.» Megjithatë ajo bën punë. «Pula e Pampas» mashkull mendon se një zog mashkull i zhurmshëm ka pushtuar territorin e tij dhe vendos të dalë përpara e të ballafaqohet me rivalin e tij: një lëvizje fatale.
Ngado që ta kërkosh pumën, në Amerikën e Veriut, Qendrore ose në atë të Jugut, në shumicën e rasteve ajo ia del mbanë të mbetet jashtë rrezes së shikimit, tamam si ajri, i kudondodhur, por i padukshëm. Mbiemrat më shpesh të përdorur nga kërkuesit që studiojnë pumën janë «e fshehtë, e vështirë për t’u kapur dhe syhapët». Pasi kishte vrarë rreth 70 puma, një gjahtar pranoi se «nuk kishte parë kurrë ndonjë nga viktimat e tij para se ta kishin ngujuar qentë në një pemë». Nuk habitemi që kërkuesit e zhgënjyer e kanë quajtur macen «çmendurisht të vështirë për t’u kapur»!
Një mace me shumë emra
Macja tradicionale amerikane nuk është vetëm e vështirë për t’u kapur, por edhe për t’u përkufizuar. Një libër (The Guinness Book of Animal Records), pohon se puma «ka më shumë emra se çdo gjitar tjetër në botë». Përveç rreth 40 emrave të njohur në anglisht, «ajo ka të paktën 18 emra vendas amerikano-jugorë dhe 25 emra vendas amerikano-veriorë».
Puma, emri më i përdorur nga zoologët, vjen nga gjuha Quechua e Perusë. Luan i malit, mace e egër, panterë, koguar, tigër i kuq dhe tigër dre janë disa nga emrat e tjerë që i janë vënë kësaj maceje.
Dr. Fajsal Simon, përgjegjës i kopshtit zoologjik të San Paulos dhe një specialist i pumave vërejti: «Sjellja dhe aftësitë fizike të pumës kanë pak gjëra të përbashkëta me macet e tjera të mëdha.» Kjo është vërtet një lloj i ndryshëm maceje dhe vetë ajo ndryshon në përmasa dhe në ngjyrë. Në të gjithë Amerikën njihen deri në 30 nënlloje pumash, 6 prej tyre në Brazil.
A duhet eliminuar?
Për shumë fermerë gjedhësh në Brazil e gjetkë, puma është një dëmtues dhe duhet qëlluar sapo të diktohet. Por a e meriton vërtet puma reputacionin si një vrasëse e pamëshirshme gjedhësh? «Po të ketë aty kafshë të egra, puma rrallë vret një gjedh,—shpjegon dr. Simon.—Ato pak herë që kjo gjë ndodh, sigurisht nuk e justifikojnë shkatërrimin sistematik të kësaj kafshe. Faktikisht, duke vrarë pumat fermerët po dëmtojnë vetveten.» Në cilën mënyrë?
Për shembull, në Pantanal të Brazilit, një vend kënetor më i madh se Korea e Jugut, ku gjedhë të panumërta kullotin lirisht, fermerët i vrasin pumat. Si rezultat, popullsia e armadilëve, që janë ushqimi i preferuar i pumës në atë krahinë, po rritet me shpejtësi. Armadilët janë gjitarë me trup të futur në një guaskë kockore, kanë përmasat e lepurit dhe gërmojnë gropa në tokë. Duke mos pasur puma përreth, armadilët po i kthejnë kullotat e Pantanalit në fusha vrasëse. Si kështu?
Mirë, pra, gjedhët bien në këto gropa, thyejnë këmbët dhe ngordhin. «Ata fermerë tani po humbin më shumë gjedhë se më përpara, për shkak se kanë vrarë pumat,—thotë dr. Simon.—Ky është vetëm një shembull më shumë i asaj që ndodh kur njeriu ndërhyn në natyrë.»
Një numër në rritje njerëzish në Amerikë duan ta mbrojnë pumën. Prandaj, autoritetet në disa pjesë të Amerikës së Veriut kanë nxjerrë ligje në mbrojtje të pumës, ligje që rregullojnë gjuetinë dhe mirëmbajtjen e habitatit të maces.
Si rezultat, në perëndim të Shteteve të Bashkuara, puma po bën një rikthim, duke ripopulluar ish-habitatin e saj. Kuptohet, jo gjithkush e mirëpret një gjë të tillë, por shumë veta po. Revista Smithsonian vëren se puma «ka bërë një kalim . . . të shkëlqyer në një kohë relativisht të shkurtër, nga një dëmtues në një kafshë shumë të dëshiruar».
Puma është një kafshë e dëshiruar nga dashuruesit e natyrës dhe nga gjahtarët. Për të parët macja është një simbol madhështor i shkretëtirës, por për të dytët, ajo mbetet një trofe. Pyetja është: Për sa kohë puma mund të jetë si njëra, ashtu edhe tjetra?
[Shënimi]
a Macja më e madhe e Amerikës është jaguari; shiko Zgjohuni!, 22 gusht 1990, faqet 25-27, anglisht.
[Kutia në faqen 26]
«Të jetosh dhe të lësh të jetojnë»?
Legjislacioni që mbronte pumën ose koguarin, në perëndim të Shteteve të Bashkuara jo vetëm që ka ngritur popullsinë e pumës, por ka çuar edhe në një rritje të përplasjeve mes pumave dhe njerëzve. Shkaku është i qartë: një numër në rritje njerëzish po vendosen në kufijtë e shkretëtirës, në vendbanimin e pumës, duke shkaktuar një problem të sigurisë publike. Edhe në këto raste, sulmet e pumave janë ende të rralla.
Kërkuesit kanë regjistruar 65 sulme pumash mbi njerëzit në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada që nga viti 1890, që është e barabartë me tri sulme çdo pesë vjet. Nga këto 65 sulme, ndoshta 10 prej tyre ishin vdekjeprurëse. Po të bëjmë një krahasim, vetëm në Shtetet e Bashkuara rreth 40 persona në vit vdesin nga pickimi i bletës.
«Duke pasur parasysh mundësitë në dispozicion,—vëren biologu i florës dhe i faunës së egër, Kevin Hansën,—sulmet mbi njerëzit janë çuditërisht ngjarje të rralla, gjë që na sugjeron një gatishmëri mbizotëruese nga ana e koguarit për të jetuar dhe për të lënë të jetojnë, të paktën aty ku janë përfshirë njerëzit.»
[Burimi i figurave në faqen 25]
Fotografitë: Me mirësjellje nga kopshti zoologjik i San Paulos