Lufta jonë për të drejtën e predikimit
Treguar nga Grejs Marsh
Disa vite më parë, profesoresha Njuton, që atëherë jepte mësim në kolegjin Hantindën në Mongomeri, Alabamë, më intervistoi për gjërat që kishin ndodhur më shumë se 50 vjet më parë. Më 1946, Gjykata e Lartë e SHBA-së zgjidhi një çështje gjyqësore që përfshinte aktivitetin tim si Dëshmitare e Jehovait. Interesimi i profesoreshës Njuton në atë që ndodhi më solli përsëri në mend shumë kujtime. Po e filloj me fëmijërinë time.
LINDA në vitin 1906 në Randolf, Alabamë, SHBA, brezi i katërt i një familjeje Studentësh të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Stërgjyshi im Luis Uoldrop dhe gjyshi im Sim Uoldrop u pagëzuan si Studentë të Biblës në fund të viteve 1800.
Xhozefi, djali i Sim Uoldropit, ishte babai im. Xhozefi la mbresa mbi një vajzë të quajtur Bel, duke i dhënë asaj një broshurë që demaskonte mësimin e kishës mbi ferrin. Bel ishte kaq e kënaqur nga ajo që lexoi, saqë ia tregoi broshurën të atit që u mahnit edhe ai prej saj. Më vonë Xhozefi u martua me Bel dhe patën gjashtë fëmijë. Unë isha fëmija i dytë.
Çdo natë, babai e mblidhte familjen përreth zjarrit dhe lexonte me zë të lartë pjesë nga Bibla dhe nga revista Kulla e Rojës. Kur mbaronte së lexuari, të gjithë gjunjëzoheshim ndërsa babai bënte një lutje me gjithë zemër. Çdo javë udhëtonim disa kilometra me karrocë të tërhequr nga kuaj, për të shkuar në shtëpinë e gjysh Simit ku bëhej mbledhja me Studentë të tjerë të Biblës.
Në shkollë shoqet e klasës shpesh na përqeshnin, duke na quajtur ruselitë. Por kjo nuk ishte një sharje siç e mendonin ata, sepse unë e çmoja shumë Charles Taze Russell, presidentin e parë të Shoqatës Watch Tower Bible and Tract. Sa e rrëqethur isha kur e pashë me sytë e mi në një asamble në Birmingem, Alabamë, në vitin 1914! Akoma mund ta kujtoj tek qëndronte mbi podium, duke shpjeguar shfaqjen filmike të quajtur «Fotodrama e Krijimit».
Më 1920 familja jonë u transferua në Rabërtsdal, një qytet i vogël në lindje të qytetit Mobil, Alabamë. Pesë vjet më vonë u martova me Herbert Marsh. Unë dhe Herberti u transferuam në Çikago, Ilinois, ku shpejt na lindi një djalë, Xhozef Harold. Mjerisht, unë u shmanga nga feja e fëmijërisë sime, por ajo qëndronte akoma në zemrën time.
Qëndrimi im për të vërtetën biblike
Një ditë, në vitin 1930, erdha në vete në lidhje me të vërtetën kur pashë pronarin e apartamentit tonë tek shtynte një Student të Biblës, duke e hedhur nga shkallët. Më hipi zemërimi dhe i fola pronarit për sjelljen e tij. Ai më informoi se po ta ftoja këtë njeri në apartamentin tonë, unë dhe burri im nuk do të mund të qëndronim më atje. E siç mund të pritej, unë menjëherë e ftova Studentin e Biblës brenda për një çaj.
Të dielën që pasoi, unë dhe burri im ndoqëm një mbledhje të Studentëve të Biblës dhe u kënaqëm kur takuam Joseph F. Rutherford, i cili ishte bërë presidenti i Shoqatës Watch Tower pas vdekjes së Russellit. Rutherford rastisi që po vizitonte Çikagon në atë kohë. Këto ngjarje më nxitën të bëhesha përsëri aktive në shërbimin e krishterë. Jo shumë kohë pas kësaj u transferuam përsëri në Rabërtsdal, Alabamë.
Në një kongres në Kolumbus, Ohajo, më 1937, vendosa të bëhesha pioniere, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që janë shërbëtorë në shërbim të plotë kohor. Me kalimin e kohës, Herberti, burri im, u pagëzua dhe shpejt filloi të shërbente si mbikëqyrës drejtues në kongregacionin Rabërtsdal. Djali ynë, Haroldi, shpesh ishte shoku im në shërbimin shtëpi më shtëpi.
Më 1941 mora një ftesë për të shërbyer si pioniere speciale në Brukhevën, Misisipi. Violet Baben, një motër e krishterë nga Nju Orleansi ishte shoqja ime e shërbimit. E pranuam ftesën e morëm një rulot si dhe fëmijët tanë, për të vendosur një bazë në Brukhevën. Burrat tanë do të vinin më vonë.
Fillimisht, patëm sukses në shërbim dhe vajza e Violetës e Haroldi po shkonin mirë në shkollë. Megjithatë, pas bombardimit të Perl Harborit nga japonezët në dhjetor të 1941-shit dhe pasi Shtetet e Bashkuara shpallën luftë, reagimi ndaj veprës sonë ndryshoi në mënyrë dramatike. Ekzistonte një frymë superpatriotizmi dhe një frikë ndaj konspiracionit. Për shkak të asnjanësisë sonë politike, njerëzit dyshonin te ne, madje duke na akuzuar se ishim spiune gjermane.
Haroldin e përjashtuan nga shkolla, për shkak se refuzoi të merrte pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Mësuesi i tij më tha se Haroldi ishte i zgjuar dhe i edukuar, por drejtori i shkollës mendonte se ishte një shembull i keq, sepse nuk përshëndeste flamurin. Inspektori i shkollave ishte kaq i mërzitur me vendimin e drejtorit dhe të këshillit pedagogjik të shkollës mbi këtë çështje, saqë dha dorëheqjen dhe u ofrua të paguante për ta dërguar Haroldin në një shkollë private.
Merrnim përditë kërcënime dhune nga turma njerëzish. Në një rast policia na nxori jashtë me forcë nga dera e shtëpisë së një zonje, i përplasi gramafonët tanë pas pemëve, theu pllakat e gramafonit me fjalime biblike që kishim, i bënë copa-copa Biblat dhe literaturën tonë e përfundimisht i vunë zjarrin të gjithë asaj që kishin konfiskuar. Na thanë të largoheshim nga qyteti para se të errësohej ose përndryshe një turmë do të na nxirrte jashtë me forcë. Menjëherë shkruam letra dhe ua shpërndamë zyrtarëve të qytetit, duke kërkuar mbrojtje. Por ata refuzuan të na e siguronin mbrojtjen. Mora në telefon edhe zyrën federale të hetimit (FBI) në Xhekson, Misisipi, duke kërkuar ndihmë. Por edhe ata na këshilluan të largoheshim nga qyteti.
Atë natë, afro njëqind burra të inatosur rrethuan rulotin tonë. Ne ishim dy gra të vetme me fëmijët tanë. Kyçëm dyert, fikëm dritat dhe iu lutëm me zjarr Jehovait. Pas njëfarë kohe turma u shpërnda pa na bërë ndonjë dëm.
Duke pasur parasysh këto ngjarje, Herberti vendosi të vinte menjëherë te ne në Brukhevën. E çuam Haroldin te gjyshërit e tij në Rabërtsdal, ku drejtori i shkollës së qytetit na siguroi se do të merrte një arsimim. Kur u kthyem në Brukhevën rulotin e kishin bastisur dhe në njërin nga muret e brendshme kishin gozhduar një mandat arresti për ne. Pavarësisht nga ky kundërshtim, qëndruam të palëkundur dhe vazhduam shërbimin tonë.
Të arrestuar dhe të keqtrajtuar
Në shkurt 1942, mua dhe Herbertin na arrestuan ndërsa po drejtonim një studim biblik në një shtëpi të vogël e modeste. I zoti i shtëpisë u zemërua kaq shumë nga trajtimi që na bënë, saqë mori pushkën e tij të varur në mur dhe kërcënoi se do t’i qëllonte policit. Na akuzuan për shkelje të pronës private dhe na nxorën fajtorë në një gjyq të mbajtur ditën tjetër.
Për 11 ditë na futën në një qeli të ndyrë, të ftohtë. Një shërbëtor baptist i qytetit na vizitoi ndërsa ishim atje, duke na siguruar se po të pranonim të largoheshim nga qyteti do të përdorte ndikimin e tij për të na nxjerrë nga burgu. Menduam se kjo ishte një kërkesë ironike, pikësëpari sepse ndikimi i tij na kishte futur në burg.
Një cep i qelisë sonë kishte shërbyer më parë si nevojtore. Vendi ishte i mbushur me tartabiqe. Ushqimi shërbehej në gaveta kallaji të palara e të qelbura. Si rezultat i këtyre kushteve u sëmura me pneumoni. Morën një mjek që të më vizitonte dhe më pas na nxorën nga burgu. Atë natë një turmë njerëzish u shfaq te ruloti ynë, kështu që shkuam në shtëpi në Rabërtsdal për të pritur gjyqin.
Gjyqi
Baptistë nga të gjitha anët e shtetit erdhën në Brukhevën me rastin e gjyqit tonë, për t’i dhënë ndihmë shërbëtorit baptist që ishte përgjegjës për arrestimin tonë. Kjo më shtyu t’i shkruaja një letër kunatit tim Oskar Skuglënd, një dhjak fanatik baptist. Letra ishte shkruar plot pasion dhe jo me shumë takt. Gjithsesi, trajtimi që m’u bë dhe ajo që shkruajta duhet të kenë ndikuar për mirë te Oskari, sepse në një kohë të shkurtër ai u bë një Dëshmitar i zellshëm i Jehovait.
Avokatët tanë G. C. Klark dhe Viktor Blekuell, edhe ata Dëshmitarë të Jehovait, ishin të bindur se nuk do të kishim pasur një gjyq të ndershëm në Brukhevën. Prandaj vendosën të kundërshtonin akuzat, derisa gjykata të vendoste pushimin e çështjes. Çdo herë që prokurori hapte gojën, një nga avokatët tanë kundërshtonte. Ata kundërshtuan të paktën 50 herë. Më në fund, gjykatësi i hodhi poshtë të gjitha akuzat.
Një caktim i ri predikimi
Pas njëfarë pushimi dhe pasi rifitova shëndetin, ndërmora përsëri shërbimin e pionierit bashkë me djalin tim Haroldin. Më 1943 na u dha një caktim më afër shtëpisë, Huislër dhe Çikaso, qytete të vogla afër qytetit Mobil, Alabamë. Mendova se këto territore të reja do të ishin më pak të rrezikshme, meqenëse Gjykata e Lartë e SHBA-së sapo kishte marrë disa vendime në favor të Dëshmitarëve të Jehovait dhe qëndrimi publik ndaj veprës sonë kishte filluar të përmirësohej.
Shpejt në Huislër kishim një grup Studentësh të Biblës dhe kishim nevojë për një vend ku të bënim mbledhjet. Kushdo që mund të ngulte një gozhdë punoi për të ndërtuar Sallën tonë të Mbretërisë dhe në mbledhjen e parë kishte 16 të pranishëm. Megjithatë, Çikaso ishte një histori tjetër, sepse kjo ishte një zonë e kontrolluar, me pronar Korporatën Gulf Shipbuilding. Gjithsesi, ai dukej si çdo qytet tjetër i vogël, me zonën e biznesit, zyrën e postës dhe qendrën tregtare.
Një ditë dhjetori të vitit 1943, unë dhe Ajlin Stefëns, një pioniere tjetër, po u ofronim kopjet e fundit të revistave tona biblike kalimtarëve në Çikaso, kur zëvendës-sherifi Çathëm na tha se nuk kishim të drejtë të predikonim, pasi ishim në një pronë private. I shpjeguam se nuk po bënim tregti dhe se vepra jonë ishte fetare dhe ishte e mbrojtur nga amendamenti i parë i kushtetutës së SHBA-së.
Përsëri arrestime dhe burgime
Javën vijuese unë dhe Ajlini u takuam me E. B. Pibëls, zëvendëspresidentin e Gulf Shipbuilding dhe i shpjeguam rëndësinë e aktivitetit tonë fetar. Ai na paralajmëroi se aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait nuk do të lejohej në Çikaso. I shpjeguam se njerëzit na kishin pritur me kënaqësi në shtëpitë e tyre. A mund t’u mohonte ai atyre të drejtën për të studiuar Biblën? Në atë moment ai u bë armiqësor dhe na kërcënoi se do të na hidhte në burg për shkelje të pronës private.
U ktheva në Çikaso në mënyrë të përsëritur dhe çdo herë më arrestonin. Por çdo herë më lironin me garanci. Përfundimisht garancia u ngrit në nivele të jashtëzakonshme dhe kaloja gjithnjë e më tepër kohë në burg, derisa të grumbullonim paratë që duheshin. Kushtet e burgut s’ishin aspak sanitare, nuk kishte dhoma banjoje, dyshekët ishin të ndyrë e pa çarçafë dhe me një batanije të pistë si mbulesë. Si rezultat m’u shfaqën përsëri problemet e shëndetit.
Më 27 janar 1944, çështjet e gjashtë Dëshmitarëve të arrestuar më 24 dhjetor 1943 u gjykuan së bashku dhe dëshmia ime u konsiderua si përfaqësuese për të akuzuarit e tjerë. Edhe pse gjyqi zbuloi diskriminimin e hapur që u bëhej Dëshmitarëve të Jehovait, mua më shpallën fajtore. Bëmë apelimin për vendimin e marrë.
Më 15 janar 1945, gjykata e apelit njoftoi verdiktin e saj. Më shpallën fajtore për shkelje të pronës private. Për më tepër, Gjykata e Lartë e Alabamës refuzoi të merrte në shqyrtim çështjen time. Më 3 maj 1945, Hejden Këvinton, një Dëshmitar i Jehovait dhe një avokat i guximshëm e energjik, bëri kërkesë për apelim në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.
Ndërkohë që unë dhe Ajlini pritnim për një seancë gjyqësore nga Gjykata e Lartë, e ndryshuam situatën e akuzuesve tanë, duke bërë një padi civile kundër E. B. Pibëls dhe larove të tij në skuadrën e sherifit, duke kërkuar dëmshpërblim. Akuzuesit tanë u përpoqën ta ndryshonin akuzën që kishin përdorur kundër nesh nga shkelje e pronës private në ndërprerje trafiku në rrugë, por kur isha në burg, nxora fshehurazi një fletë të nënshkruar nga zëvendës-sherifi Çathëm, e cila na akuzonte për shkelje të pronës private. Kur kjo dëshmi u paraqit në gjyq, sherifi Holkum brofi në këmbë dhe gati sa nuk e gëlltiti cigaren! Gjyqi mbaroi në shkurt 1945 me vota të barabarta nga juria.
Gjykata e Lartë vendos
Gjykata e Lartë e SHBA-së ishte e interesuar në rastin tim, sepse shkelja e pronës private paraqiste një aspekt të ri të çështjes së lirisë fetare. Këvinton provoi se rregullat e Çikasos dhunonin liritë jo vetëm të të akuzuarve, por të komunitetit në tërësi.
Më 7 janar 1946, Gjykata e Lartë e SHBA-së e hodhi poshtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe nxori një vendim historik në favorin tonë. Gjykatësi Blak shpalli vendimin, i cili përfshinte këto fjalë: «Për aq kohë sa Shteti [i Alabamës] ka kërkuar të japë një ndëshkim kriminal mbi të apeluarin [Grejs Marsh], sepse ka marrë përsipër të shpërndajë literaturë fetare në një zonë të kontrolluar, padia e tij nuk mund të qëndrojë në fuqi.»
Një luftë e vazhdueshme
Herberti dhe unë u vendosëm përfundimisht në Farhop, Alabamë dhe vazhduam të punonim për interesat e Mbretërisë, përgjatë viteve. Herberti vdiq në vitin 1981, por kam shumë kujtime të lumtura nga kohët që kemi kaluar së bashku. Djali im, Haroldi pushoi së shërbyeri Jehovait më vonë në jetën e tij dhe vdiq pak kohë më pas, në vitin 1984. Kjo ishte një nga gjërat për të cilat më ka dhembur zemra më shumë në jetën time.
Por, jam mirënjohëse që Haroldi dhe gruaja e tij, Elsi, më dhanë tri mbesa të mrekullueshme e që tani kam edhe stërnipër që janë Dëshmitarë të pagëzuar. Tri nga motrat e mia, Margaret, Elen Xho dhe Kristal jetojnë akoma dhe vazhdojnë si shërbëtore besimplote të Jehovait. Kristal u martua me Lyman Swingle që është një anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Ata jetojnë në Qendrën Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, në Bruklin, Nju Jork. Megjithë problemet e rënda shëndetësore gjatë viteve të kaluara, Kristal ka mbetur një shembull i mrekullueshëm dhe një inkurajim për mua.
Në më shumë se 90 vjetët e jetës sime, kam mësuar të mos kem frikë asnjëherë nga ajo që mund të bëjë njeriu, sepse Jehovai është më i fortë se çdo sherif, çdo gjykatës, çdo njeri. Ndërsa reflektoj mbi këto ngjarje të kaluara, e çmoj shumë privilegjin që kam pasur një pjesë në ‘mbrojtjen dhe vendosjen ligjërisht të lajmit të mirë’!—Filipianëve 1:7, BR.
[Kutia në faqen 22]
Të armatosur me kushtetutën
Më 1995, Merlin Ouen Njuton shkroi librin Të armatosur me kushtetutën (Armed With the Constitution), një libër që dokumenton rolin e Dëshmitarëve të Jehovait në qartësimin e zbatimit të amendamentit të parë të kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë, znj. Njuton ishte profesoreshë e historisë dhe e shkencave politike në kolegjin Hantindën në Mongomeri, Alabamë. Libri i saj, i bërë me kërkime të hollësishme dhe i dokumentuar mirë, rishikon dy raste gjyqësore në Alabamë, të cilat më pas u apeluan në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.
Një nga këto raste të apeluara në Gjykatën e Lartë përfshinte Grejs Marsh, historia e së cilës, e treguar nga vetë personi, shfaqet në artikullin shoqërues. Rasti tjetër që përfshinte çiftin Xhons, Jones v. City of Opelika, trajtonte të drejtën e përhapjes së besimeve fetare përmes shpërndarjes së literaturës. Rasko dhe Thelma Xhons, një çift me ngjyrë, ishin Dëshmitarë të Jehovait, shërbëtorë në shërbim të plotë kohor.
Duke përgatitur librin e saj, profesoresha Njuton përdori gazeta periodike dhe regjistra ligjorë të asaj kohe, kujtime dhe letra të Dëshmitarëve, intervista, material të botuar nga vetë Dëshmitarët dhe studime kërkimore mbi aktivitetin e Dëshmitarëve. Hollësitë magjepsëse dhe mendimet e shprehura nga të akuzuarit, avokatët dhe gjykatësit në librin Të armatosur me kushtetutën, kanë sjellë në jetë një pjesë të historisë ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait.
[Figura në faqen 20]
Me gjyshin tim, Sim Uoldrop
[Figura në faqen 23]
Grejs Marsh sot