Mjete të një torture të paimagjinueshme
A JU bëjnë të dridheni fjalët «pranga», «torturë» dhe «ekzekutim»? Për shumë nga mijëra viktimat e inkuizicionit dhe të gjyqeve të shtrigave në Evropë (mes shekujve të 13-të dhe të 19-të), ato ishin një realitet i dhimbshëm. Instrumentet e treguara këtu, të cilat i përkasin një muzeu në Ruedeshim mbi Ren, në Gjermani, janë të asaj periudhe. Ato na japin njëfarë ideje mbi vuajtjet e viktimave.
Viktima e shkretë kalonte një dhimbje të papërshkrueshme kur e zhvishnin dhe e ulnin për ta pyetur në karrigen e inkuizicionit, e cila ishte e mbuluar me gjemba të mprehtë. Krahët, këmbët ose kyçet e viktimës i thyenin apo i shkatërronin me shtrënguese gjunjësh. Putra e maces përdorej për ta bërë copa-copa mishin e tij dhe nuk kursehej asnjë pjesë e trupit. Qaforja me gjemba i bënte qafën, shpatullat dhe nofullat e viktimës me gangrenë, e cila shpejt çonte në helmimin e gjakut dhe në vdekje.
Inkuizitorët e ngarkuar nga Kisha Katolike Romake përdorën këto dhe mjete të tjera të ngjashme, për të ndëshkuar kundërshtarët që kryesisht ishin njerëz të thjeshtë, të cilët ishin denoncuar e që i detyronin të «rrëfeheshin» me anë të torturave. Në fakt, gjatë inkuizicionit papal që përfshiu valdezët, mjetet e torturës ishin madje të spërkatura me ujë të bekuar.
I ashtuquajturi krishterim mban një barrë të rëndë faji për inkuizicionin. Historiani Valter Nig shpjegon: «I ashtuquajturi krishterim nuk do të përjetojë bekime të mëtejshme, derisa më në fund të rrëfejë, hapur dhe me bindje të thellë, mëkatet që janë kryer në inkuizicion, duke hequr dorë me sinqeritet dhe pa kushte nga çdo lloj forme dhune në lidhje me fenë.»
[Figurat në faqen 31]
Karrigia e inkuizicionit
Shtrëngueset e gjunjëve
Putra e maces
Qaforja me gjemba
[Burimi]
Të gjitha fotot: Mittelalterliches Foltermuseum Rüdesheim/Rhein