Çfarë rezervon e ardhmja për gratë?
«HISTORIA e njerëzimit është një histori me dëmtime dhe uzurpime të përsëritura nga ana e burrit ndaj gruas.» Kështu shprehej Deklarata e Opinioneve, e Senika Falls, Nju Jork, shkruar në Amerikë 150 vjet më parë në shenjë proteste kundër padrejtësive ndaj grave.
Që atëherë, pa dyshim që është bërë progres, por siç pohon një botim i Kombeve të Bashkuara (The World’s Women 1995), ka akoma një rrugë të gjatë për t’u bërë. «Tepër shpesh, gratë dhe burrat jetojnë në botë të ndryshme,—raporton ky botim,—botë, që ndryshojnë në mundësinë për të pasur arsimim, mundësitë për punë, në sigurinë e shëndetit dhe atë personale si dhe në kohën e lirë.»
Vetëdija në rritje për këto dallime i ka shtyrë kombet që të miratojnë ligje për të mbrojtur të drejtat e grave. Por ligjet nuk mund të ndryshojnë zemrat, ku shtrihen rrënjët e padrejtësive dhe të paragjykimit. Për shembull, konsideroni gjendjen e mjerueshme të vajzave prostituta. Gazeta Newsweek tha për këtë praktikë të turpshme ndërkombëtare: «Legjislacioni i synuar të ndalë shfrytëzimin seksual të fëmijëve është me qëllim të mirë, por shpesh pa efekt.» Në mënyrë të ngjashme, vetëm ekzistenca e ligjit nuk e parandalon dhunën. «Dëshmitë zbulojnë se dhuna ndaj grave është një problem i përhapur global»,—pohon Human Development Report 1995. «Shumica e ligjeve janë të pamjaftueshme për të ndalur këtë dhunë, përderisa të ndryshojnë vlerat e tanishme kulturore dhe shoqërore.»—Kursivi është yni.
«Vlerat kulturore dhe shoqërore» zakonisht bazohen në traditat e ngulitura thellë, diçka e vështirë për t’u ndryshuar. «Tradita i bën burrat të besojnë se gratë janë për t’u përdorur në vend se për t’u dashur, për t’u shfrytëzuar në vend se për t’u kujdesur për to»,—thotë një grua nga Lindja e Mesme. «Si rezultat, një grua s’ka asnjë liri fjale, asnjë të drejtë dhe pak mundësi për të përmirësuar gjendjen e saj.»
Të edukohen burrat dhe etërit
Plani për veprim i propozuar në Beijing, Kinë, nga një konferencë botërore e vitit 1995 mbi gratë, deklaroi se vetëm «veprimi i menjëhershëm dhe i bashkërenduar i të gjithëve» mund të çojë në një «botë paqësore, të drejtë dhe humane», në të cilën gratë të respektohen.
Çfarëdo lloj veprimi për ta bërë jetën e gruas më ‘paqësore, të drejtë dhe humane’ duhet të fillojë në shtëpi, me burrat dhe etërit. Në këtë aspekt, Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se arsimimi biblik është çelësi i suksesit. Ata kanë parë që pasi burrat mësojnë se Perëndia pret prej tyre t’i trajtojnë gratë dhe bijat me respekt dhe konsideratë, e marrin për zemër këtë gjë dhe e bëjnë.
Në Afrikën Qendrore, Pedro, një burrë i martuar e me katër fëmijë, tani është i vëmendshëm ndaj nevojave të gruas së tij. Ai e ndihmon atë që të kujdeset për fëmijët e madje shërben ushqimin në tryezë, kur miqtë hanë bashkë me familjen. Një qëndrim i tillë me konsideratë është pothuaj i pazakontë në vendin e tij. Çfarë e shtyn atë që ta vlerësojë gruan e tij dhe të bashkëpunojë me të?
«Kur fillova të studioja Biblën mësova dy parime të rëndësishme në lidhje me rolin e burrit,—shpjegon Pedro.—Ato kanë pasur një ndikim të madh në mënyrën se si e konsideroja unë gruan time. I pari, në 1. Pjetrit 3:7, BR, shpjegon se një burrë duhet t’i japë nderim gruas së tij si ‘ena më e dobët, ajo femërore’. I dyti, në Efesianëve 5:28, 29 thotë se një burrë duhet ta trajtojë gruan e tij ‘si trupin e vet’. Që kur kam ndjekur atë këshillë ne jemi afruar shumë më tepër. Prandaj, ne burrat duhet t’i japim një vlerë më të madhe këshillave të Perëndisë sesa zakoneve lokale.»
Majkëll, nga Afrika Perëndimore, pranon që përpara se të fillonte të studionte Biblën me Dëshmitarët, ai nuk e trajtonte siç duhet gruan e tij. «E kisha zakon madje ta godisja kur zemërohesha,—rrëfen ai.—Por Bibla më mësoi se duhet të ndryshoja mënyrat e veprimit. Tani përpiqem shumë për të kontrolluar temperamentin tim dhe për ta dashur gruan si trupin tim. Dhe që të dy jemi shumë më të lumtur.» (Kolosianëve 3:9, 10, 19) Gruaja e tij, Kamfërt, miraton: «Tani Majkëlli më trajton me më shumë respekt dhe përzemërsi nga sa e kanë zakon burrat në zonën tonë. Ne mund të flasim për problemet tona dhe punojmë bashkë si një skuadër.»
Pedro dhe Majkëll mësuan të respektojnë dhe të çmojnë gratë e tyre, sepse ata morën për zemër udhëzimet nga Fjala e Perëndisë, e cila e bën të qartë se padrejtësitë ndaj grave i shkaktojnë një pakënaqësi të madhe Krijuesit tonë.
Interesimi i Perëndisë për gratë
Perëndia ka qenë gjithnjë i interesuar për gratë dhe mirëqenien e tyre. Edhe pse ai u tha prindërve tanë të parë se për shkak të rebelimit të tyre, papërsosmëria do të shkaktonte që gratë të ‘sundoheshin’, ky nuk ishte kurrë qëllimi i Perëndisë. (Zanafilla 3:16) Ai e kishte krijuar Evën si një «plotësuese» të Adamit dhe si një shoqe për të. (Zanafilla 2:18, BR) Në ligjin e Moisiut, që iu dha Izraelit të lashtë, Jehovai në mënyrë specifike dënonte keqtrajtimin e të vejave dhe i udhëzoi izraelitët që t’i trajtonin ato me dashuri e t’i ndihmonin.—Eksodi 22:22; Ligji i përtërirë 14:28, 29; 24:17-22.
Jezui, duke imituar Atin e tij qiellor, nuk ndoqi traditën e përhapur gjerësisht në ditët e tij, e cila i denigronte gratë. Ai u foli me dashamirësi grave, edhe atyre që kishin një reputacion të keq. (Luka 7:44-50) Për më tepër, Jezui ishte i kënaqur t’i ndihmonte gratë që kishin probleme shëndeti. (Luka 8:43-48) Në një rast, kur pa një të ve që po qante, pasi sapo i kishte vdekur djali i vetëm, ai menjëherë e arriti kortezhin e funeralit dhe e ringjalli të riun.—Luka 7:11-15.
Gratë ishin mes dishepujve të hershëm të Jezuit dhe ishin të parat që dëshmuan për ringjalljen e tij. Bibla flet shumë mirë për gra si Lidia, Dorka dhe Priska, si shembuj të mikpritjes, të dhembshurisë dhe të kurajës. (Veprat 9:36-41; 16:14, 15; Romakëve 16:3, 4) Gjithashtu, të krishterët e hershëm u stërvitën që t’u tregonin respekt grave. Apostulli Pavël i tha bashkëmisionarit të tij, Timoteut, t’i trajtonte «gratë e moshuara si nëna, të rejat si motra me çdo dëlirësi».—1. Timoteut 5:2, BR.
Gra që kanë gjetur respekt
Po të jesh një burrë i krishterë, do të tregosh të njëjtin respekt ndaj grave. Nuk do ta përdorësh kurrë traditën si një justifikim për t’i keqtrajtuar ato. Trajtimi me respekt i grave, për më tepër, mund të japë dëshmi që flet vetë për besimin tënd. (Mateu 5:16) Salima, një e re nga Afrika, përshkruan se si ajo nxori dobi nga vëzhgimi i parimeve të krishtere në veprim.
«U rrita në një ambient ku gratë dhe vajzat trajtoheshin shumë keq. Mamaja ime punonte 16 orë në ditë, por gjithçka që fitonte ishin ankime sikur të kishte lënë ndonjë gjë pa bërë. Më keq akoma, kur pinte tepër babai im e godiste. Gra të tjera në zonën tonë kanë vuajtur po njësoj. Por unë e dija se një trajtim i tillë ishte i gabuar, se ai po e mbushte jetën tonë me zhgënjime dhe palumturi. Megjithatë, dukej se nuk kishte asnjë mënyrë për të ndryshuar këtë gjendje.
Por kur isha adoleshente fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. U preka shumë kur lexova fjalët e apostullit Pjetër, i cili thoshte se gratë duheshin trajtuar me nder. Por mendova se ‘nuk ka shumë të ngjarë që njerëzit ta aplikojnë këtë këshillë, veçanërisht duke ditur traditën tonë lokale’.
Megjithatë, kur shkova në Sallën e Mbretërisë, ku Dëshmitarët mbanin mbledhjet e tyre, burrat si edhe gratë më trajtuan me dashamirësi. Akoma më e habitshme ishte se burrat që ishin aty kujdeseshin me të vërtetë për gratë e tyre. Ndërsa fillova t’i njihja më mirë njerëzit aty, kuptova se kjo ishte diçka që pritej nga të gjithë Dëshmitarët. Edhe pse disa burra kishin ardhur nga nivele shoqërore si imi, tani ata i trajtonin gratë me respekt. Doja t’i përkisja kësaj familjeje të madhe.»
Një zgjidhje e përhershme
Respekti që vërejti Salima nuk ishte i rastësishëm. Ai ishte rezultati i një programi mësimor, i bazuar në Fjalën e Perëndisë, që i ndihmon njerëzit të vlerësojnë njëri-tjetrin siç bën Perëndia. Ky është një tregues i asaj që mund të bëhet edhe që tani dhe i asaj që do të bëhet kudo, kur Mbretëria e Perëndisë të sundojë mbi të gjithë tokën. (Danieli 2:44; Mateu 6:10) Kjo qeveri qiellore do të eliminojë të gjitha padrejtësitë. Bibla na siguron: «Kur shfaqen gjykimet e tua [të Jehovait] mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë.»—Isaia 26:9
Që tani, arsimimi në drejtësinë po ndryshon mënyrën e të menduarit të miliona personave. Kur të gjithë njerëzit e gjallë t’i nënshtrohen Mbretërisë së Perëndisë, ky arsimim do të vazhdojë në mbarë tokën dhe do t’i japë fund trajtimit shtypës të burrave ndaj grave, një pasojë e mëkatit të Adamit. Jezu Krishti, Mbreti i emëruar i Perëndisë, nuk do të lejojë që padrejtësitë ndaj grave të prishin sundimin e tij. Duke përshkruar atë sundim të Krishtit, Bibla thotë: «Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të shpengojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna.»—Psalmi 72:12-14.
Kjo seri artikujsh është përqendruar mbi problemet e grave. Megjithatë, dihet se edhe shumë burra janë trajtuar keq. Kudo përgjatë historisë burra të fuqishëm e të ligj kanë kryer tmerre që as mund të thuhen, si ndaj meshkujve, ashtu edhe ndaj femrave. Edhe disa gra kanë vepruar në këtë mënyrë. Për shembull, Bibla përmend derdhjen e gjakut të pafajshëm nga gra të liga si Jezabela, Athaliahu dhe Herodiada.—1. Mbretërve 18:4, 13; 2. Kronikave 22:10-12; Mateu 14:1-11.
Prandaj, i gjithë njerëzimi ka nevojë për botën e re të Perëndisë, nën sundimin e Mbretërisë së tij. Së shpejti, kur kjo ditë të vijë, as gratë e as burrat nuk do të diskriminohen më kurrë ose të trajtohen keq. Përkundrazi, çdo ditë do të jetë me ‘kënaqësi të madhe’ për çdonjërin.—Psalmi 37:11, BR.
[Figura në faqen 13]
Burrat e krishterë ndjekin udhëheqjen e Biblës dhe respektojnë e nderojnë gratë e tyre