Stres i dobishëm, stres i dëmshëm
«Meqenëse stresi është përgjigjja jospecifike e trupit ndaj çdo nevoje, të gjithë janë gjithnjë nën ndonjë shkallë stresi.»—Dr. Hans Selja.
QË NJË violinist të prodhojë muzikë, telat e instrumentit të tij duhet të jenë të tendosura, por vetëm deri në njëfarë mase. Po të jenë tepër të tendosura ato do të këputen. Por nëse telat janë tepër të liruara, ato nuk do të prodhojnë asnjë tingull. Masa e duhur e tendosjes gjendet diku midis dy ekstremeve.
Ngjashëm ndodh edhe me stresin. Stresi i tepërt mund të jetë i dëmshëm, siç e kemi shqyrtuar tashmë. Por, nga ana tjetër, sikur të mos kishte fare stres? Edhe pse perspektiva mund të duket grishëse, fakti është se ju keni nevojë për stresin, të paktën në njëfarë mase. Për shembull, imagjinoni që ndërsa jeni duke kapërcyer një rrugë, papritur vëreni se një makinë po vjen me shpejtësi drejt jush. Është stresi që ju mundëson të mënjanoheni me të shpejtë pa u dëmtuar.
Por stresi nuk është i dobishëm vetëm në raste urgjencash. Ju keni nevojë për stresin edhe për të kryer punët e përditshme. Të gjithë janë nën një masë stresi gjatë gjithë kohës. ‘Mënyra e vetme për të shmangur stresin është të vdesësh’,—thotë dr. Hans Selja. Ai shton se pohimi «ai është nën stres» është po aq i pakuptimtë sa edhe shprehja «ai ka temperaturë». «Ajo që faktikisht duam të themi me këto fraza,—thotë Selja,—është një tepricë stresi ose temperature e trupit.» Në këtë kontekst edhe çlodhja përfshin stres e po kështu edhe gjumi, meqenëse zemra juaj duhet të vazhdojë të rrahë dhe mushkëritë duhet të vazhdojnë të funksionojnë.
Tri lloje stresi
Sikurse ekzistojnë shkallë të ndryshme stresi, ekzistojnë edhe lloje të ndryshme të tij.
Stresi akut është rezultat i halleve të jetës së përditshme. Shpesh, ai përfshin situatat e pakëndshme që duhen zgjidhur. Meqenëse këto situata janë të rastësishme dhe vetëm të përkohshme, stresi i tillë zakonisht mund të kontrollohet. Sigurisht, ka disa njerëz që kalojnë menjëherë nga një krizë në tjetrën, e aktualisht kaosi duket se është pjesë e personalitetit të tyre. Edhe ky nivel i stresit akut mund të vihet nën kontroll. Megjithatë, ai që vuan mund të ngurrojë të bëjë ndryshime, derisa të kuptojë efektin që ka mbi të dhe mbi personat përreth tij kjo mënyrë e çrregullt e të jetuarit.
Ndërsa stresi akut është i përkohshëm, stresi kronik është afat-gjatë. Ai që vuan nuk sheh ndonjë mënyrë për të dalë nga gjendja e tij e stresuar, qofshin këto vuajtjet e varfërisë, të një pune të përçmuar ose e mungesës së një pune. Stresi kronik mund të jetë, gjithashtu, rezultat i problemeve të vazhdueshme familjare. Kujdesi për një të afërm të sëmurë mund të sjellë fare mirë stres. Cilido qoftë shkaku, stresi kronik shkatërron viktimat e tij ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji. «Aspekti më i keq i stresit kronik është se njerëzit mësohen me të,—thotë një libër mbi këtë temë.—Njerëzit bëhen menjëherë të vetëdijshëm për stresin akut, sepse është diçka e re; ata e shpërfillin stresin kronik, sepse është diçka e zakonshme, e njohur dhe disa herë, pothuaj e rehatshme.»
Stresi traumatik është pasoja e një tragjedie tronditëse si, për shembull: përdhunimi, aksidentet ose shkatërrimet natyrore. Shumë veteranë lufte dhe të mbijetuar nëpër kampet e përqendrimit vuajnë nga ky lloj stresi. Simptomat e stresit traumatik mund të përfshijnë kujtime të gjalla të traumës, madje edhe vite më vonë, bashkë me një ndjeshmëri më të madhe ndaj ngjarjeve të vogla. Disa herë ai që vuan diagnostikohet me një gjendje të quajtur çrregullimi stres pas traumës (PTSD).—Shiko kutinë sipër.
Të ndjeshëm ndaj stresit
Disa persona thonë se mënyra se si i përgjigjemi stresit në të tashmen, varet kryesisht nga çfarë mase dhe çfarë lloj stresi kemi hasur në të kaluarën. Ata thonë se ngjarjet traumatike faktikisht ndryshojnë «kabllot» kimike të trurit, duke e lënë një person shumë më të ndjeshëm ndaj stresit në të ardhmen. Për shembull, në një studim që ka bërë me 556 veteranë të Luftës II Botërore, dr. Laurenc Bras zbuloi se rreziku i paralizës ishte tetë herë më i madh mes atyre që kishin qenë të burgosur lufte, sesa mes atyre që nuk kishin qenë, madje edhe 50 vjet pas traumës fillestare. «Stresi i të burgosurve të luftës ishte kaq i rëndë, saqë ndryshoi mënyrën se si këta njerëz iu përgjigjën stresit në të ardhmen; ai i bëri të ndjeshëm ata.»
Ngjarjet stresuese që janë përjetuar në fëmijëri nuk duhen nënvlerësuar, thonë specialistët, meqenëse ato mund të kenë një ndikim mjaft të madh. «Shumicën e fëmijëve të vegjël që vuajnë një traumë nuk e sjellin te mjekët,—thotë dr. Xhin King.—Ata e kapërcejnë problemin, vazhdojnë me jetën e tyre dhe përfundojnë në klinikat tona vite më vonë, duke vuajtur nga depresioni ose nga sëmundjet e zemrës.» Shqyrtoni, për shembull, traumën e humbjes së një prindi. «Kur një stres i atyre përmasave ndodh ndërsa jeni të rinj, ai mund të shkaktojë ndryshime kimike dhe neuroanatomike në qarkun e trurit,—thotë dr. King,—duke ulur aftësinë e tij për të kapërcyer stresin normal të përditshëm.»
Sigurisht, mënyra se si një person i përgjigjet stresit mund të varet nga një numër faktorësh të tjerë, duke përfshirë në to ndërtimin e tij fizik dhe mjetet që janë në dispozicion për ta ndihmuar të përballojë ngjarjet stresuese. Megjithatë, cilido qoftë shkaku i tij, stresi mund të kontrollohet. Kuptohet, kjo nuk është e lehtë. Dr. Rejçëll Jehuda vëren: «T’i thuash dikujt që është bërë i ndjeshëm ndaj stresit thjesht të qetësohet, është njësoj sikur t’i thuash dikujt që vuan nga pagjumësia thjesht të bjerë të flerë.» Megjithatë, ka shumë gjëra që një person mund të bëjë për ta pakësuar stresin, siç do të tregojë artikulli vijues.
[Kutia në faqen 7]
Stresi i punës—Një «fenomen global»
Një raport i Kombeve të Bashkuara thotë: «Stresi është bërë një nga problemet më të rënda të shëndetit në shekullin e 20-të». Prania e tij në vendin e punës është shumë e dukshme.
• Numri i kërkesave për dëmshpërblim që lidhen me stresin, të bëra nga punëtorët qeveritarë në Australi u rrit me 90 përqind vetëm në një periudhë trevjeçare.
• Një anketë e bërë në Francë zbuloi se 64 përqind e infermierëve dhe 61 përqind e mësuesve thonë se janë të shqetësuar mbi ambientin stresues në të cilin punojnë.
• Sëmundjet e lidhura me stresin i kushtojnë Shteteve të Bashkuara një shumë që përllogaritet në 200 miliardë dollarë në vit. Është përllogaritur se 75 deri në 85 përqind e të gjitha aksidenteve industriale janë të lidhura me stresin.
• Në shumë vende është zbuluar se gratë vuajnë nga stresi më shumë se burrat; ka të ngjarë sepse ato bëjnë në të njëjtën kohë më shumë punë si në shtëpi, ashtu edhe në punë.
Stresi në punë është me siguri, siç e quan raporti i Kombeve të Bashkuara, një «fenomen global».
[Kutia në faqen 8]
PTSD: Një reagim normal ndaj një përvoje anormale
‘Tre muaj pas përplasjes me makinë, nuk mund të pushoja së qari ose të flija gjatë natës. Vetëm dalja nga shtëpia ishte tmerruese.’—Luiza.
LUIZA vuan nga çrregullimi stres pas traumës (PTSD), një sëmundje dobësuese, e karakterizuar nga kujtime ose ëndrra të përsëritura dhe bezdisëse mbi një ngjarje traumatike. Personi me PTSD mund të ketë, gjithashtu, një reagim tepër alarmues. Për shembull, specialisti i shëndetit mendor, Majkëll Dejvis tregon për një veteran të luftës së Vietnamit, i cili në ditën e dasmës së tij u hodh menjëherë për t’u fshehur nëpër shkurre sapo dëgjoi plasjen e marmitës në skapamenton e një makine. «Në ambient duhet të kishin qenë të gjithë treguesit e nevojshëm për t’i thënë atij se çdo gjë ishte në rregull,—thotë Dejvis.—Ngjarja ishte 25 vjet më vonë, ai ishte në Shtetet e Bashkuara e jo në Vietnam; . . . ai kishte veshur një smoking të bardhë, jo uniformën e luftës. Por sapo erdhi ai ngacmim i vjetër, ai u turr për t’u fshehur.»
Trauma e fushës së betejës është vetëm një nga shkaqet e PTSD. Sipas The Harvard Mental Health Letter, çrregullimi mund të vijë si rezultat nga çdo «ngjarje ose seri ngjarjesh që përfshijnë vdekje faktike, ose kërcënim vdekjeje apo një dëmtim të rëndë, ose kërcënim të ndonjë dëmtimi fizik. Kjo mund të jetë një shkatërrim natyror, një aksident ose veprim njerëzor, si: përmbytja, zjarri, tërmeti, një përplasje makine, bombardimi, të shtënat, torturat, rrëmbimi, grabitjet, përdhunimi ose abuzimi i fëmijëve». Thjesht qenia dëshmitar i një ngjarjeje traumatike ose dijenia rreth saj, ndoshta përmes dëshmive të dukshme ose fotografive, mund të shkaktojë simptoma të PTSD, veçanërisht nëse njerëzit e përfshirë në ato ngjarje janë pjesëtarë të famijes ose miq të ngushtë.
Sigurisht njerëzit u përgjigjen në mënyra të ndryshme traumave. «Shumica e njerëzve që kalojnë një përvojë traumatike nuk zhvillojnë simptoma të rënda psikiatrike e madje edhe kur ka simptoma të tilla, ato nuk marrin domosdoshmërisht formën e PTSD»,—shpjegon The Harvard Mental Health Letter. Ç’të themi për ata, stresi i të cilëve çon në PTSD? Me kalimin e kohës, disa prej tyre janë në gjendje të kontrollojnë ndjenjat e shoqëruara me traumën dhe të fitojnë lehtësim. Të tjerë vazhdojnë të luftojnë me kujtimet e një ngjarjeje traumatike edhe shumë vite pasi ajo ka ndodhur.
Në secilin nga këto raste, ata që vuajnë me PTSD dhe ata që duan t’i ndihmojnë, duhet të mbajnë ndër mend se shërimi kërkon durim. Bibla i bën thirrje të krishterëve që ‘t’u flasin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’ dhe ‘të jenë shpirtmëdhenj ndaj të gjithëve’. (1. Thesalonikasve 5:14, BR) Për Luizën, që u citua në fillim, u deshën pesë muaj para se të mund të qëndronte përsëri në timonin e një makine. «Pavarësisht nga progresi që kam bërë,—tha ajo katër vjet pas aksidentit,—t’i jap makinës nuk do të jetë më kurrë për mua një përvojë e këndshme siç ishte më parë. Është diçka që duhet ta bëj, prandaj e bëj. Por, megjithatë, kam bërë shumë progres që nga periudha menjëherë pas aksidentit, gjatë së cilës ndihesha e pambrojtur.»
[Figura në faqen 9]
Shumë nëpunës zyre janë të stresuar
[Figura në faqen 9]
Jo gjithnjë stresi është i dëmshëm për ju