Një ribashkim unik
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRITANI
BRUSI ishte dy vjeç në vitin 1945, kur mamaja e tij, Maria, e pa për herë të fundit. Pas divorcit të Marisë, kujdestaria ligjore për Brusin iu dha babait. Duke ndrydhur ndjenjat e saj të natyrshme, Maria vendosi se do të ishte në interesat më të mira të djalit të saj që ai të rritej nga gruaja e re e babait të tij, pa vendosur mbi të një presion emocional. Si pasojë ajo i humbi plotësisht lidhjet me Brusin.
Disa vite më vonë Maria u martua përsëri dhe pati një djalë tjetër, por vazhdonte të mendonte për Brusin. Ku ishte ai? Ç’kishte ndodhur me të?
Kur babai i Brusit vdiq në vitin 1976, Maria mori pjesë në funeral. Brusi, tashmë një djalë shumë i mirë në të 30-at, ishte atje me njerkën e tij. Meqenëse Maria besonte akoma se Brusi mendonte që njerka ishte nëna e tij natyrale, ajo mendoi se nuk do të ishte dashamirëse që ta bënte veten të njohur, veçanërisht në atë situatë. Maria do të kishte vepruar ndryshe po ta kishte ditur se i ati e kishte mohuar Brusin sapo ishte rimartuar dhe Brusin e kishte rritur gjyshja e tij.
Rreth asaj kohe Maria takoi një Dëshmitare të Jehovait me emrin Su dhe menjëherë pranoi të bënte një studim biblik në shtëpi. Në të njëjtën kohë, rastisi që edhe Brusi e gruaja e tij filluan të studionin Biblën me burrin e Susë, Alanin. Shpejt, megjithatë, për shkak të problemeve shëndetësore, Maria e ndërpreu studimin dhe u transferua prej andej.
Maria u kontaktua përsëri nga Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1995. Ajo rifilloi studimin e Biblës dhe bëri një përparim të shpejtë. Ndërsa i afrohej pagëzimit, Maria i hapi zemrën një plaku të krishterë në lidhje me Brusin. Plaku bëri kërkime dhe zbuloi jo vetëm që Brusi dhe familja e tij ishin Dëshmitarë të Jehovait, por Brusi ishte një plak në kongregacionin e vendlindjes së Marisë!
Pleqtë e tjerë në kongregacionin e Brusit ishin në mëdyshje. Si do të kishte reaguar Brusi, po t’i thoshin se mamaja e tij do të pagëzohej në asamblenë tjetër speciale një-ditore? A e dinte ai të paktën se ajo ekzistonte? Megjithatë, Brusi sapo mësoi faktet nxitoi me familjen e tij për të takuar Marinë. «E kaluara nuk ka rëndësi, në të vërtetën është e ardhmja ajo që ka vlerë!»—ishin fjalët ngushëlluese të Brusit, ndërsa përqafonte nënën e tij.
Në mars 1996, Maria, që ishte atëherë 78 vjeç, u pagëzua në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Peninin lindor, Angli, nga Brusi. Sa i rrëqethur ishte Brusi që e fitoi nënën e tij si motër frymore!
[Figura në faqen 24]
Brusi me nënën e tij