Zemra e tij u prek
«Ne ishim një familje me 13 fëmijë,—shkruan Gloria Adame,—4 djem dhe 9 vajza. Ishte viti 1984. Babai u kthye në shtëpi, në Meksikë dhe zbuloi që familja jonë kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, ndërsa ai ishte larg, duke punuar në Shtetet e Bashkuara. Ai nuk ishte fare i kënaqur dhe filloi të na kundërshtonte. Na dukej se çdo ditë që kalonte, zemra e tij bëhej më e gurtë.
Ne e donim babain shumë dhe dëshironim që ai të përfitonte nga njohuria jetëdhënëse, të cilën ne po merrnim. I luteshim me zjarr Jehovait përditë, duke i kërkuar atij që të na hapte rrugën për të folur me babain për qëllimet e Jehovait. Jehovai e dëgjoi kërkesën tonë lutëse, pasi ai na dha kurajën për t’u mbledhur çdo mbrëmje në dhomën e ndenjjes, ku babai kalonte çdo natë duke parë televizorin. Atje, mamaja dhe ne vajzat do të mblidheshim çdo ditë për të lexuar shkrimin e ditës së Biblës.
Mamaja drejtonte trajtimin dhe pas leximit të komenteve, ne do të bënim lutjen sipas radhës. Kur motra jonë më e vogël Maria, e cila ishte vetëm 5 vjeçe, lutej, ajo do ta bënte lutjen me zjarr: ‘Jehova, të lutem zbute zemrën e babit, kështu që edhe ai të bëhet një dëshmitari yt.’ Dukej se babai nuk dëgjonte, pasi ai do të ngrinte zërin e televizorit. Megjithatë, ndërsa koha kalonte, ai filloi ta ulte zërin, derisa një natë e fiku fare.
Atë mbrëmje, siç e kishim zakon, mamaja pyeti se kush e kishte radhën për të lexuar shkrimin. Për çudinë tonë të madhe, babai tha: ‘Është radha ime.’ Ne u habitëm, por nuk thamë asgjë. Mamaja nuk e pengoi dhe as bëri pyetje, por i dha atij broshurën Të shqyrtojmë shkrimet çdo ditë. Pasi ai drejtoi trajtimin e shkrimit të ditës, mamaja pyeti se kush e kishte radhën të bënte lutjen. ‘Është radha ime’,—tha babai.
Ne u shtangëm. Në mes të lutjes, nuk mund t’i mbanim më lotët. Edhe babai filloi të qante dhe i kërkoi Jehovait që ta falte, sepse kishte blasfemuar kundër tij. Ai i kërkoi, gjithashtu, falje mamasë, sepse na kishte kundërshtuar.
Kështu, në vitin 1986, kundërshtimi nga babai mori fund. Në vitin 1990 familja jonë u transferua në Teksas, Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, babai ia dedikoi jetën e tij Jehovait dhe e simbolizoi atë me pagëzimin në ujë, siç bënë shtatë nga ne motrat. Në prill të vitit 1997, babai u emërua plak kongregacioni. Nga kjo ditë, shqyrtimi i shkrimit të ditës së Biblës ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ne dhe lutja që i bëjmë Jehovait është një themel i jetës së familjes sonë.»
[Figurat në faqen 31]
1. Katër motra që janë pioniere në Meksikë. Maria është përballë
2. Huanita dhe Isak Adame me disa nga fëmijët e tyre. Gloria është e fundit nga e djathta